POGRADEC – Brenda katër orëve montuan “varkën e Noes” dhe nëpër natë kaluan në anën tjetër të liqenit, në Maqedoni. Për t’i shpëtuar ferrit komunist, 16 pjesëtarët e familjes Fezollari (më e moshuara 60 vjeç dhe fëmijët, 3 e 6 muajsh) nga Pogradeci ikën deri në Australinë e largët. Arratisja e bujshme e kësaj familjeje me një varkë primitive, alarmoi krerët komunistë të asaj kohe, ndërsa la në mes pushimet e diktatorit Enver Hoxha, i cili ndodhej në këtë qytet. Ngjarja u shënua plot 35 vjet më parë, më 3 korrik të vitit 1975. Barjam Fezollari tregon për herë të parë për “Gazeta Shqiptare” detaje të arratisjes spektakolare. Ndërkohë që varka ku janë “fiksuar” gjurmët e së shkuarës, ndodhet e ekspozuar në Muzeun Ushtarak të Akademisë së shtetit maqedonas.

ARRATISJA
“Atëherë isha 16 vjeç. Ideja për të shpëtuar nga ferri komunist na lindi që në vitin 1971, kur babai im, Feridoni doli nga burgu, ku qëndroi 11 vjet. Më 1972 tentuam të kalojmë kufirin nga pylli, por kjo tentativë dështoi. Atëherë, babai filloi të punojë për një projekt të arratisjes nëpërmjet liqenit”, – tregon Barjam Fezollari. Mësohet se pas skicimeve të para, Feridon Fezollari nisi të ndërtojë një varkë. Ai arriti që brenda 9 ditëve të ndërtojë një varkë me mushama dhe elementë të çmontueshëm.

Më 2 korrik të vitit 1975, varka ishte gati. “Në mesnatë varka u transportua e çmontuar dhe u çua mbrapa kalasë, në drejtim të fortesës së dytë, atje ku u bë nisja para se të largoheshim nga shtëpia jonë në lagjen “Goricë” të qytetit. Babai hyri në shtëpi dhe në murin e bardhë të koridorit shkroi me bojë të zezë dhe shkronja të mëdha: “Atdheu im i dashur po largohemi, por jo prej teje, por nga ferri komunist. Ne do të vijmë tek ty kur bisha komuniste të japë shpirt”. Ndërkaq, Barjami tregon se u ndanë në tre grupe, për t’u bashkuar tek lumi i Terhanit në orën 20:30. “Menjëherë filluam të montojmë varkën. Në orën 12:10 varka e montuar u lëshua në ujë. Hipëm të gjithë, ndërsa babai me Beshirin qëndruan të fshehur në kallmin e liqenit rreth 100 metra larg varkës, për të parë se mos ishim diktuar. Patëm probleme se filluan të qajnë fëmijët e vegjël që ishin 3 dhe 6 muajsh. Pasi u siguruam se nuk kishte lëvizje të dyshimta, u nisëm. Kishim tre lopata me vete të lidhura me litarë”, – thotë Barjami.

Ndërsa pohon se mbante me vete 15 kg dinamit. “Në rast se diktoheshim nuk do të binim të gjallë. Unë do të ndizja fitilin dhe për 30 sekonda varka do të hidhej në erë, dhe kështu do të vriteshim të gjithë. Gjithashtu, babai kishte bërë një plan. Nëse skafi i kufirit do të na diktonte, babai do të hidhte 3 bomba që i kishte me vete. Nuk do ta harroj atë natë të zezë me ujin e errët të liqenit, që dukej sikur do të na përpinte të gjithëve”, – rrëfen Barjam Fezollari. Familja Fezollari u sistemua në një autokamp nga policia maqedonase. Pas tre muajsh, emigruan në Melburn të Australisë.

DIKTATORI
Arratisja e familjes Fezollari u konsiderua si një atentat i frikshëm që iu bë diktaturës komuniste dhe diktatorit Enver Hoxha, i cili ndodhej me pushime në Pogradec. Mësohet se ish-udhëheqësi komunist u detyrua të ndërpresë pushimet dhe të kthehet nga Pogradeci në Tiranë. Përfaqësuesit e diktaturës të asaj kohe sajuan lloj-lloj hipotezash rreth arratisjes së familjes Fezollari. U tha se arratisja me varkë ishte e pamundur dhe ata mund të kishin ikur me ndonjë batiskaf që i ka marrë nga ana tjetër e liqenit. Por, faktet treguan ndryshe. 16 pjesëtarët e kësaj familjeje ikën larg në Australi, dhe kur u hap Shqipëria, kur të tjerët iknin, ata u kthyen në vendlindje

MUZEU NË SHKUP
Në Muzeun Ushtarak të Akademisë së shtetit maqedonas ndodhet e ekspozuar varka historike, e cila sfidoi diktaturën komuniste plot 35 vjet më parë. Drejtoresha e Akademisë, Sllagiana Taseva dje pohoi se “ky është një rast unikal. Ne, jo pa qëllim e kemi vendosur varkën në muzeun ushtarak ku përgatiten studentët, dhe mbresat e tyre janë të jashtëzakonshme. Kjo është pjesë e historisë sonë të përbashkët, kështu e njohim njëri-tjetrin më mirë dhe forcojmë miqësinë”/Gazeta Shqiptare /Fatbardh Rama/