Regjisori dhe “Artist i Popullit” do te ishte 81 vjeç. Në këtë përvjetor të tij, po publikojmë një intervistë, që ai i ka dhënë 11 vite më pare BBC në shqip dhe gazetarit Adrian Hoti. Intervista është marrë nga libri i sapo publikuar “Gjurmë Zërash” i autorit Adrian Hoti.
Regjisor-Artist i Popullit


“Teatri bashkëkohor për mua është trajtimi i vlerave, i mesazheve, që ajo kohë i përcjell kohës sonë dhe i përshtaten kohës sonë, i flasin kohës sonë, dhe i flasin problemeve tona, shqetësimeve tona.”


Serafin Fanko, lindi në Shkodër. Vlerësohet si një nga ikonat e artit skenik shqiptar, si regjisori i disa prej pjesëve më spikatura teatrale, por edhe si interpretuesi i shumë roleve në teatër dhe kinematografi. Veprimtaria e tij artistike si regjizor dhe aktor është e lidhur kryesisht me teatrin “Migjeni” të Shkodrës, por ka bashkëpunuar edhe me teatrot e tjera jo vetëm në Shqipëri, por edhe të vendeve të tjera.

Sapo keni vënë në skenë një dramë me trupën e Teatrit Kombëtar. Si ndjeheni pas kësaj shfaqje? A i realizoi ambicjet e tua artistike?
Ambicjet e artistit nuk realizohen kurrë, sepse mendon larg e më larg, megjithatë unë jam i kënaqur, kam punuar me një trupë të talentuar, drama u mirëprit, u duartrokit disa herë gjatë premierës. Ka pasur edhe vlerësime me superlativa, sidomos prej brezit të vjetër, aktoreve të nderuara të Teatrit Kombëtar, që tash janë në pension e që ishin në radhën e parë. Drama trajtonte një problem shumë të mprehtë, merrej me trafikimin e vajzave. Kështu që ishte tepër ngacmuese në anën emocionale tek spektatori, godiste emocionalisht ato që ishin në karrige dhe unë ndjeja psherëtimat, i shihja lotët që fshinin nga sytë.


Z. Fanko, kjo pjesë teatrale që titullohej “Babai”, ju riktheu në skenë, ju riktheu në profesionin tuaj të regjisë pas një shkëputje, që për artdashësit është e gjatë. Pse kjo pauzë?


Unë vërtet kam dalë në pension, por gjatë këtyre 14 vjetëve unë kam punuar vazhdimisht, jo në teatrin, në shtëpinë time në teatrin “Migjeni”, por kam punuar me teatrin e Durrësit. Kam vënë në skenë disa shfaqje në teatrin e Fierit, kam vënë shfaqje në Strugë, ku kam dhanë ndihmesën teme për aq sa kam mundur për themelimin e teatrit shqiptar “Sofra”, me teatrin e Shkupit, me teatrin turk. Në Gjakovë kam vënë pesë pjesë, po dhe në Mal të Zi kam qenë i ftuar edhe me Teatrin Kombëtar të Malit të Zi, pra e kam pasur jetën të mbushun me aktivitet, pavarësisht nga mosha. Përveç kësaj, kur kam pasur kohë të lirë në shtëpi jam marrë me një lloj autobiografie në art, ndoshta jo për ta botuar, por për ta lënë në arkivë të teatrit, se mund t’i shërbejë ndokujt eksperienca ime si regjizor.


Çfarë u bë shtysë z. Fanko që t’i përkushtoheni artit dramatik? Si janë fillesat tuaja në këtë fushë?


Të flas për fillesat e largëta, krejt të largëta, se unë kam qenë anëtar, pjesëmarrës në rrethin letrar të Shtëpisë së Pionierit, në Shkodër, ku kam pasë për pedagog të nderuarin Ndrek Prela, prej të cilit kam marrë mësimet e para, kemi realizuar disa shfaqje dhe pastaj kam vazhduar, vazhdimi kanë qenë kurset, shkolla për piano me Tida Melgushën, nja 4-5 vjet në rrethin e baletit me Filip Gjergjin dhe pastaj përfundova në Ansambël të ushtrisë si valltar, në kursin e pikturës me të nderuarin Danish Jukniu, Jakup Keraj. Ata ishin të mëdhenj, ishin piktorë të nderuar qysh atëherë, kurse unë isha një nxënës i thjeshtë, po e gjitha kjo më ka ndihmuar për punën e mëvoshme pastaj si regjizor. Teatri pak dinamik, sepse studimet e para të larta i kam marrë në Akademinë e Arteve në Pragë për regji të filmit dhe sigurisht montazhi në film është më dinamik se montazhi në teatër. Edhe kjo më vonë më ka ndihmuar për të krijuar atë teatër poetik, që e kam filluar në Shkodër dhe që me zor u pranua, me shumë vështirësi, madje me halle dhe akuza për shkelje të ideologjisë, por më në fund u pranua dhe mori rrugën e vet. Në atë frymë janë vënë “Kanga e dhimbjes krenare” të Migjenit, që ka qenë e para, “Efektivi”, “Tregim për Makbethin” etj. Kanë qenë disa shfaqje që kanë pasur art, ato lloj principesh, ku muzika, lëvizja, arti pamor/vizual janë në funksion të krejt atij konceptimi të ri, një mënyre të re (kam tentuar) për të realizuar edhe kërkesat e mia estetike që kam pasur për teatër.


Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ju pak më parë e quajtët shtëpinë tuaj. Si e kujtoni atë periudhë kur ju jetuat në këtë shtëpi?


Patjetër, unë kam qenë i lumtur, që kam punuar me një kolektiv jashtëzakonisht të talentuar. Sot për fat të keq janë vetëm pesë vetë, por në kohën kur isha unë kanë qenë 35 bashkë me regjizorin. Kanë qenë një grup me të vërtetë të talentuar edhe me eksperiencë që e kishin thënë fjalën e vet artistike jo vetëm në shkallë rrethi e qyteti, por edhe në shkallë kombëtare e mbarëkomëtare. Kënaqësia ime ka qenë tepër e madhe që isha brenda këtij kolektivi dhe ato u lëshuan si fëmijë të vegjël në prehërin tim regjizorial të paformuar në atë kohë dhe kjo më ka dhënë ndihmesën më të madhe për të ecur, për të vazhduar më tej.


Përveçse kënaqësi duhet të ketë qenë edhe e vështirë për ju si regjizor, që ndërmjet këtij kolektivi me emra të dëgjuar në art të përzgjidhni interpretuesit për rolet e dramave që ju keni vënë në skenë, apo jo?
Është drama që përcakton se kush do të marrin pjesë. Aty kishte të rinj të talentuar, si: Ymer Bala, Vitor Bruçeti, Elez Kadria, Donika Franja, që ishin të aftë e të mirë, por sigurisht unë kam respektu figurën, kam respektu autorin, kam pasë mundësi të respektoj autorin, se i kam pasur njerëzit të aftë për t’i realizuar. Mendoj se s’ kemi punuar keq.


Po sot, cilat janë marrëdhëniet me teatrin “Migjeni”?


Përveç marrëdhënieve shoqërore (sepse ato që janë unë i du, i respektoj, i dua me gjithë shpirt), marrëdhënie pune nuk kam fare qysh se kam dalë në pension. Edhe një pjesë që fillova u la, sepse ndërhyri një regjizor italian, me të cilin kishin lidhur kontratë përpara se të fillohej dhe u ndërpre puna, pastaj nuk vazhdoi më.


Teatri “Migjeni” i Shkodrës prej disa vitesh po hesht. Ju si e përjetoni këtë inaktivitet të këtij teatri?


Me dhimbje, e them sinqerisht me dhimbje, më vjen jashtëzakonisht keq, por nuk është faji i aktorëve, as i organizimit të punës aty në teatër. Çfarë mund të bëhet me gjashtë aktorë? Megjithëse teatri “Migjeni” përpiqet dhe ka tentativa të mira. Ato kanë vënë shfaqje të mira, ka vënë Bardh Smaja. Unë nuk i kam parë për fat të keq, por më kanë folur mirë. Elez Kadria ka vënë shfaqje. Për mua, ndryshimet sa të mira kanë qenë, kanë sjellë edhe mangësi, sepse teatri është varfëruar. Unë kam punuar edhe me teatrin e Durrësit. Kam pasur vetëm dy aktorë, një pensionist dhe një aktor të Durrësit dhe të tjerët kanë qenë të marrun prej Tirane. Edhe ata janë në këtë gjendje.


Jeni një regjizor që keni përjetuar të dy periudhat, teatrin në periudhën e monizmit si dhe teatrin e sotëm. Si i shihni tendencat e reja në këtë gjini?
Tendenca e re për ne, që ka filluar me kohë në botë është një domosdoshmëri, por pa mohuar vlerat e dramës realiste. Edhe drama realiste mund të trajtohet me tendenca të reja. Ne kemi pa “Hamletin” për shembull në disa variante, kemi parë “Makbethin”, kemi pa edhe shfaqje të tjera që janë vënë mbi bazën e një konceptimi modern, bashkëkohor, por nuk do të thotë bashkëkohore ndërrimi i veshjes, bashkëkohor për mu është trajtimi i vlerave, i mesazheve, që ajo kohë i përcjell kohës sonë dhe i përshtaten kohës sonë, dhe i flasin kohës sonë, dhe i flasin problemeve tona, dhe i flasin shqetësimeve tona. Sot mendoj që kjo është një domosdoshmëri, unë jam për eksperimentimin (nuk jam kundër) dhe më vjen mirë, se më duket se kam mbetur i ri, por nuk duhet kaluar në ekstreme deri në atë shkallë, sa publiku të mos marrë vesh asgjë se çfarë ndodh në skenë.


Z. Fanko, përveçse si regjizor, ju kemi parë disa herë edhe në interpretime në kinematografi kryesisht.


Në film, në televizion janë rreth 15 role (mos gabohem) a 18 role, nuk jam i sigurt. E para gjë që do t’ju them, unë në premierën e filmit ku kam luajtur nuk kam shkuar asnjëherë edhe pse kam qenë i detyruar të shkoj, sepse është bërë një ceremoni e vogël. Kjo për faktin se kam pasur frikë nga vetja, sinqerisht e them, nuk më ka pëlqyer vetja, jo pse e shihja gjatë dublimeve, kur dublonim zërin në kinostudio, jo pse kam pasur besim se jam më i mirë e di me të bëj më mirë, por thjesht nuk më ka pëlqyer kurrë vetja në film, megjithëse spektatori më ka dashur edhe ndoshta më shumë më njohin si aktor sesa si regjizor. Më kanë thirrë me emrat e roleve, o Klark, o Cubel Breca, njerëz të panjohur në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, kudo ku kam qenë. Ishte një kënaqësi e madhe, një sodisfaksion i madh për mua.


Cilin prej këtyre roleve keni pasur ma për zemër?


Janë me të vërtetë disa, por Zekthi, ka qenë një ndër rolet e mia të mira, pavarësisht se mban vulën e kohës në atë periudhë. Ka qenë Cubel Breca, një ndër rolet e mia ma të mira, të cilin e mora rastësisht, sapo kisha ardhurë nga xhirimi i një filmi dhe isha me të vërtetë i lodhur, pesë muaj kemi vonuar ta bëjmë. Po ka qenë edhe Klarku, megjithëse rol episodik, ka qenë shumë fisnik, shumë i mirë, te “Fije që priten”, Bardhyl Krasta te novela e Kadaresë “Emblema e dikurshme”. Bile kam falënderime të veçanta nga Ismail Kadare për atë rol, se ai kënaqet kur sheh punën e interpretimit, kur të mia puna për të shkru mandej kërkon shumë.


Z. Fanko, ju thatë pak më parë, që kohët e fundit bashkëpunimin më të ngushtë e keni pasur me Teatrin Kombëtar në Tiranë, ndërkohë që ju vazhdoni të jetoni këtu në Shkodër. Çfarë ju lidh me këtë qytet?


Vendlindja ime, është fëmijëria ime, është rinia ime, janë varret e prindërve të mi, kam shtëpinë time këtu, kam shoqërinë, kam gjithçka këtu, megjithëse gjakun e kam nga Përmeti. Unë jam përmetar, po kam lindur në Shkodër. Po unë i qëndroj besnik, jo vetëm se teatri dhe kolektivi i teatrit me të cilët kam punuar kanë qenë të mrekullueshëm, por këtu ka edhe një publik të mrekullueshëm. I ka ndjekur shfaqjet tona, p.sh. unë them që “Këshilli i ndrikullave” është parë rreth 70 herë pa ndërprerje edhe s’janë gjetur bileta ose “Fisheku në pajë” rreth 300 herë si shfaqje, me sallë plot gjithmonë etj., etj. Pra, janë pikërisht këto që më kanë mbajtur të lidhur, por ndoshta jam edhe pak i vjetruar në shije, që e dua, e dua Shkodrën (nuk jam fanatik) e dua me gjithë shpirt.


Dhe së fundi, z. Fanko, si është për ju një ditë këtu në Shkodër, si kalon një ditë?


Këtu është një ditë e mrekullueshme, kam një grua dhe një nuse që janë bërë skllave të punës sime, të dëshirave të mia artistike, që më ngacmojnë, m’i marrin përsipër të gjitha telashet e tjera, po kam një nip e një mbesë me të cilët kënaqem edhe shamatohem. Jam i lumtur pranë shtëpisë, pranë njerëzve të mi.


Serafin Fanko, ndërroi jetë në nëntorin e vitit 2007, në moshën 70 vjeçare.

BBC në Shqip, Maj, 2006; Gazeta “Pjace” – A. Dushi / maj 2018