Tano Banushi
Tano Banushi

Tano Banushi, (Athanas Banushi) u lind më 4 shkurt 1927 në Shkodër. Shkollimin e bëri në qytetin e lindjes. Që i ri mori pjesë në grupet amatore të qytetit të Shkodrës. Në repertorin e tij të atyre viteve kanë mbetur drama “Armiku i popullit” i Ibsenit në 1945, komedia “Pashuku” të F. Ndocaj 1946. Tano ishte prezantues i shfaqjeve të grupit amator të klubit të punëtorëve “Vasil Shanto”.

Në vitin 1958 krijohet estrada profesioniste e qytetit të Shkodrës dhe Tano shkon në atje. Kështu vazhdojnë rolet e tij në ”Një tragjedi optimiste” të Vishnjevskit, në komedinë “Prefekti” të B.Levonjës te “Fejesa” e Çehovit; në komedinë “Hej moj babë” të J.Vojushit, në komedinë “Këshilli i ndrikullave” të Sh.Mitës, “Çështje familjare”, “Fundi i një komedie”, “Luani i shtëpisë”, “Dasma Shkodrane” etj. Tanoja luajti vetëm në një film artistik “Estrada në Ekran”.

Tano Banushi interpretoi me qindra role nga më të ndryshme në rreth 45 vjet jetë në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të paharruara në kujtesën e artdashësve të humorit.

Tanoja ishte një aktor shumëplanesh, brilant. Ai ishte një aktor i madh i humorit, këngëtar, kitarrist, prestixhator. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, parodinë, vaudeville, intermexon, etj.
shkëlqeu në të gjitha zhanret e humorit.
Tano Banushi është nderuar me titullin e lartë artistik “Artist i Popullit”.
U nda nga jeta në vitin 1993.