Tetë karrige në skenë – tetë njerëz, për të cilët poezia ka rëndësi sa vetë jeta. Meli Qena, Shpëtim Selmani, Ardiana Rexhepi, Sibel Halimi, Edis Galushi, Arbër Selmani, Qëndresa Kajtazi dhe Daniela Markaj, mbrëmë sollën 25 poezi në një mbrëmje ku dikush qau e dikush qeshi, drejt përjetimit të emocioneve që veç poezia mund t’i zgjojë në epshet e njeriut.

‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 marsi’, organizuar nga ArtPolis, mbrëmë në Menzën Ramiz Sadiku, mblodhi këta poetë e aktivistë për të lexuar për gruan, për fuqinë e gruas, për gruan e nënshtruar, por edhe gruan e suksesshme, për gruan e përulur, por asnjëherë të parëndësishme. Për një grua në jetën e gjithsecilit dhe gjithsecilës.

Zana Hoxha, drejtoreshë e ArtPolis dhe moderatore e mbrëmjes, disa herë u rikujtoi të pranishmëve rëndësinë e natës së poezisë në prag të 8 Marsit, që organizohet tanimë tradicionalisht. Mbi 150 të ftuar, dëgjuan poezitë dhe u emocionuan edhe me muzikën nga ‘Dont listen to your neighbours’, raporton Kultplus.

Meli Qena e nisi dhe e përfundoi mbrëmjen. Me leje nga vetë Ali Podrimja, Meli e solli poezinë ‘Unë, bija yte Kosovë’ – në versionin origjinal ‘Unë, biri yt Kosovë’, ndërsa e vazhdoi natën duke sjellë edhe poezi në gjuhën ruse, dhe magjinë e fjalëve të Rumit.

Secili prej të pranishmëve në skenë solli edhe tri poezi të tjera, nga dashuria për nënën, për fëmijën, për burrin, për gruan, për të vdekurit e për të gjallët. Edis Galushi, lexoi edhe në gjuhën rome, ndërsa Izet Sarajlic, erdhi përmes tij, në gjuhën e tij.

Në skenë, një poezi e lexoi edhe Ulrika Richardson, nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa më pas secili prej poetëve, aktorëve e aktivistëve për të drejtat e njeriut solli poezi personale dhe poezi të poetëve të tjerë të njohur në vend dhe botërisht.

Shpëtim Selmani i ‘këndoi’ poezive dhe vjershave që nuk janë shkruar kurrë, ndërsa Sibel Halimi gjeneratave që pafajësisht janë me faj. Arbër Selmani solli tri poezi me motiv familjen, dashurinë dhe fenë, ndërsa Ardiana Rexhepi erdhi fuqishëm me sharmin prej aktoreje, me poezi për gjuetarin e dashuruar. Qëndresa Kajtazi, recitoi një poezi nga Majlinda Bregasi, ndërsa në gjuhën angleze, Daniela Markaj solli poezi për fuqinë e gruas dhe mirësinë brenda zemrës së saj.

Burimi: Konica.al