Pavarësisht viteve që kemi, ndjesia e vetmisë që shkakton ndarja e Nënës, nga jeta tokësore, është e hidhur dhe krijon një boshllëk që nuk mbushet me asgjë.

Kur jeta rrjedh drejt e sipas ligjeve të Zotit, nga brezi në brez, ne e presim natyrshëm largimin e prindërve, thjesht “sepse ashtu ndodh!”, porse një vaj i brendshëm shpërthen dhe helmon enët e gjakut, plagos zemrën në mënyrë të pashërueshme dhe më së shumti ngremë sytë lart, e psherëtijmë mbyturazi, me shpresën se dikush na dëgjon e na sheh me dhëmshuri.

Kështu ndodh pra.
Pesë vite më parë, Besa Imami, këputi fijet që e lidhnin me këtë Botë dhe ndoshta shkoi në një Jetë më të mirë, që është edhe shpresa jonë, e jetës së Përtejme.

Në vorbullën e këtyre ndjesive, që për ne njerëzit janë Kozmike, e përditshmja, sidomos ajo politike, në Mbretërinë tonë të Gënjeshtrave mjerane, të duket pafundësisht e vogël dhe pafundësisht e padenjë për ta kqyrur seriozisht dhe me përmasat që shtiret në paraqitjen e vet djallëzore.
A thua se jemi të pavdekshëm!

Një Zot e di, sa të vegjël jemi në të vërtetë dhe sa pa kuptim e shpërdorojmë shpesh Kohën tonë që është e Fundme, ndonëse shtiremi sikur nuk e dimë, ose sikur ky Fund, nuk do të mbrrijë kurrë…

Lamtumirë Besë, më le “jetim”, kur mund t’i mbijetoja kësaj dhimbjeje.
Edhe në Ikjen tënde, Zemër, u rrëfeve një nënë e dhemshur dhe e përkushtuar deri në çastet e fundit dhe je kështu përjetësisht një Nënë e Madhe dhe e gjallë përjetësisht…

Burimi: 360grade.al