Olimpiadat janë lojërat më të bukura deri më sot dhe më të priturat.

Po kush ka qenë i pari që i ka fituar ato? Kush ka qenë ai që përjetoi njëjtë historinë e maratonomakut të vëretë?  Historia që tregohet këtu është e lidhur me atë të vitit 1896, kur megjithëse nuk kishte ende Shqipëri, shqiptarët nuk kishin se si të mungonin edhe pse do të mbanin flamurin e Greqisë, nga ku arvanitasit ende mund të flisnin gjuhën e tyre.

Kush e kishte njohur Spiridon Luisin as që mund t’i shkonte mendja se një ditë ai do të mbulohej me lavdi botërore e do të hynte në kanalet e historisë.

I lindur në fshatin Marousi, sot një rrethinë në veri të Athinës, në janar 1873, në një familje të varfër arvanitase, mundësitë e tij në jetë ishin të kufizuara.

Loading...

Babai i tij thuhej se shiste ujë mineral nëpër Athinë, në një kohë kur kryeqyteti grek nuk kishte ende një sistem qendror uji të pijshëm. Spiridoni qysh në fëmijëri u detyrua t’i përvishej punës së vështirë fizike për të ndihmuar babanë e tij.

Kur u vendos që do të bëhej një organizim i tillë, ku do të mund të vinin nga e gjithë bota për të vrapuar, garuar e matur forcën në Greqi, ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për vendin e varfër, por edhe një nxitje për nacionalizmin e ri.

Zyrtarët donin patjetër një fitore kombëtare, po grekët e kohëve të Olimpiadave ishin shuar me kohë. Grekët e fundshekullit të 19-të ishin nën një program shtetëror greqizimi. Vendi ishte i prapambetur dhe në rang botëror, konkurrimi ishte i vështirë.

Hedhja e diskut, sporti që në njëfarë mënyre simbolizonte lashtësinë greke, u fitua nga amerikani Robert Garret dhe u përjetua si një ofendim kombëtar.

Gara e maratonës, ndoshta për herë të parë dhe të fundit, u bë realisht në vendin ku në kohën e lashtësisë ushtari maratonomak kishte vrapuar nga Maratona në Athinë për të lajmëruar fitoren kundër persëve.

E vetmja pjesë e edukuar, elita fetare greke nuk kishte interes për periudhën parakristiane të histories, por historitë e lashtësisë greke gjallonin në mënyrë të jashtëzakonshme në kulturën perëndimore. Për ironi të fatit ishin të huajt që ua mësuan grekëve të rinj se nga vinin.

Në letërsinë shqiptare historia e maratonomakut është përjetësuar nga vargjet e fuqishme të Fan S. Nolit, që ia vlen të kujtohen këtu.

Vështirë të gjendet tjetër në botë, me aq ritëm e aq patos sesa përshkrimi në vargje i ushtarit të lashtë që vrapon të çojë lajmin e mirë te qytetit që pret në ankth të dijë fatin e vet. Ja disa prej tyre:

Ke një plagë , po s’e the,
Djers ‘ e gjak pikon përdhe;
Do që ti te jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari

T’ u-tha gryka po s`të pihet,
T’ u-mpi këmba , po s’të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zemrat ua vret

Kur u nisën nga Maratona, Spiridon Luisi nuk ishte mes favoritëve. Grekët kishin të tjerë kapedanë që ishin dalluar në garat përzgjedhëse që i organizonte ushtria. Sipas legjendës, garën e kryesonte francezi Albin Lermusio. Spiridoni ndaloi në hanin e qytezës Pikermi, ku ktheu një gotë me verë.

Pas kësaj, ai u nis në kërkim të konkurrentëve të tij. Pas 32 kilometrash francezi Lermusio i shpartalluar nga lodhja e la garën fare. Në krye të saj u vu australiani Edwin Flack, po megjithatë asgjë nuk e ndalte dot djalin ujësjellës, hyrja e të cilit, në stadiumin e mbipopulluar, shkaktoi një gëzim të jashtëzakonshëm. Një çiklist kishte nxituar të sillte lajmin për kryesimin e tij.

Shumë dekada më parë udhëheqës arvanitas kishin luftuar për t’i sjellë Greqisë pavarësinë. Atë ditë, një arvanitas ua shënoi emrin në listën e parë të medaljeve të Lojërave Olimpike Botërore, në një garë aq simbolike. Princi i kurorës e priti në krahë dhe festa në Athinë nuk kishte të mbaruar.

Sipas një anektode, mbreti i Greqisë e pyeti se çfarë dhurate dëshironte dhe arvanitasi i ri kërkoi vetëm një karrocë me gomar që të mos kishte më nevojë për të mbajtur ujin në krah.

Në fakt, ai u kthye në një lloj heroi kombëtar, me të cilin grekët mburren edhe sot e kësaj dite, duke fshehur si zakonisht prejardhjen e tij arvanitase. Spiridoni thuhet se refuzoi mundësitë për të vazhduar karrierën e tij sportive, duke shmangur jetën publike e duke mbetur në fshatin e tij të lindjes.

Në vitin 1936, Olimpiada në Berlin rastiste me 40-vjetorin e Olimpiadës së parë. Greqia ftoi Spiridon Luisin të udhëhiqte parakalimin e ekipit olimpik grek. Në ceremoninë e rastit, ai u prit nga Adolf Hitleri, të cilit i dorëzoi një degë ulliri, nga Olimpia, vendi ku për herë të parë në historinë e botës u mbajtën Lojërat Olimpike.

Episodi është interesant se dega e ullirit iu dorëzua njeriut që nisi luftën më të madhe të botës dhe që pak vite më vonë do të pushtonte të gjithë Greqinë. Në atë kohë, maratonomaku arvanitas do të kishte vdekur.
Emri i tij do të jetë i shënuar në librin e mrekullueshëm të medaljeve të Olimpidës,  ku ai është i pari fitues./Njekomb.com/