“Asdreni u mplak” është një poezi e panjohur e Asdrenit, e shkruajtur në vitin 1942, me nota satirike, kushtuar thashethemnajës, një fenomeni që përbën diskutim shoqëror në të gjithë kohërat.

Vjersha thumbuese është lënë në dorëshkrim prej poetit dhe i përket krijimtarisë së viteve të fundit të jetës së tij.

Nga kërkimet e bëra rezulton se vjersha “Asdreni u mplak” është pothuajse e panjohur për publikun, sikurse edhe disa dorëshkrime të tjera të poetit, që i përkasin periudhës së fillimviteve’40-të.

Kjo krijimtari ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin personal të Aleksandër Stavri Drenovës, në dosjen 22 me këtë përshkrim: “Poezi të ndryshme lirike, shkruar nga Aleksandër Stavri Drenova (të pabotuara) dorëshkrime dhe të daktilografuara”.

Përveç dorëshkrimeve të shumta në AQSH ruhen edhe një varg relikesh të vyera koleksionuar ndër vite nga Asdreni, i cili vijoi të shkruajë krijimtari poetike dhe të pasurojë koleksionin e tij të antikuarve deri në ditë te fundit të jetës, kur ju dha lamtumira e fundit me 1947 në Bukuresht.

Asdreni u mplak

Miqt’ e mij seç hynë në merak

Thonë se Asdreni na u mplak

Do të tjerë ca më t’ëmbël pak

Thonë Asdreni s’është akoma plak

Dhe disa më futin keq në lak

Kot, ç’do që të thuash, prap je plak

Flet bota pa fare ndonjë shkak

Pa shëko, Asdreni si u mplak

Ca më marrin ndënë vetull gjak

Thonë hiqu tej se qënke plak!

Me këto nuk tundem unë aspak

Kur po më thonë Asdreni u mplak

Por dhe unë që t’u vë kapak

Ndjej, u them, se s’jam akoma plak

Gjer më sot s’kam shkelur asajë prak

Që ta ndjej vërtet se qenkam plak

Kanë a s’kanë arsye sado pak

Para miqve mos të jem dredharak

Dhe që të mos bëhem qesharak

Më së fundi e pohoj: Jam plak!

Asdren, 1942

/tesheshi.com/