Për largimin e shpejtë të Xhevdet Ferrit nga kjo jetë, janë prononcuar shumë aktorë, miq e shokë të tij. Në një frymë të tillë vjen dhe reagimi nga Amerika i aktorit tjetër të Teatrit “Skampa”, Astrit Çermës. Ja çfarë shkruan ai në një postim në faqen e tij të Facebook-ut:

U largua Xhevdet Ferri..

Që në mëngjes ky lajm,sinqerisht më tronditi..

Desha të hidhja diçka në F.B. por…

Gjithmonë i kam dashur dhe respektuar njeriun për ato veti e cilësi ku tek njeriu kam zbuluar njeriun.

Në këtë drejtim, të them të drejtën me Xhevdetin nuk kam mundur… Sado që u përpoqa të kujtoj me Të, një ngjarje, një takim, një kafe, një përshëndetje, një fjalë, mjerisht, nuk munda e nuk munda… Nuk munda sepse asnjëherë, siç duket, as rasti e as domosdoshmëria nuk na kanë afruar pran njeri-tjetrit.

Ndaj, heshta.

Heshta sepse, sidomos e sidomos në të tilla raste, po t’i keni vëne re, mua nuk më ka pëlqyer dhe nuk më pëlqen të stampoj fjalë memoriale dhe të rendis statistika.

Unë nuk doja të shkruaj “diçka” për Xhevdetin artist, sepse si artist e njeh gjithë Shqipëria e më tej, por… për Xhevdetin njeri, mik e shok,..Xhodën… siç e thërrisnin të dashurit e afërt të tij..

Ndaj… heshta edhe ndoqa me vëmendje ato çka shkruajtët dhe hodhët ju të dashur të njohur e të panjohur në F.B,për Xhodën. Lexova dhe…

Ai çuditërisht, falë jush, në këtë largim më erdhi tepër i afërt dhe tepër i dhimbshëm.

Me atë moshë… Me atë dashuri të parë e të fundit për gruan e tij… Për vajzën e ti… Për të dashurit e tij, kolegët, shokët dhe miqtë. Për skenën dhe ekranin. Për spektatorin. Për artin…

Dhe… Pastaj më ngazëllyen thellë në shpirt ato “ishat” e nderuar deri në mallëngjim:

Ish 59 vjeç… Ish Aktor i skenës e ekranit… Ish Drejtor i Teatrit…  Ish Drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë… Ish dekan i Fakultetit të Artit Dramatik… Ish intelektual i plotë..

Dhe… Pastaj më therën thellë e më thellë në shpirt ato “ishat”… për… tituj e ndere… për dekorata e medalie… që, çuditërisht,  askurrkund nuk i pashë, nuk i dëgjova dhe nuk i lexova për ta shoqërua në përcjelljen e fundit këtë artisti brilant dhe durrsak të nderuar…

Lamtumirë koleg… U prefshë në paqe Xhodë…

Burimi: Fjala.al