Ky shkrim i At Donat kurtit, gdhend mjeshtërisht portretin e Mustafa Krujës,  një personazhi të rrallë të historisë së Shqipërisë, sa i takon angazhimeve në jetën shoqërore e politike dhe momenteve më të rëndësishme të historisë së vendit, ku ai ishte protagonist.

At Donat Kurti zbardh në detaje të gjithë momente te rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së Mustafa kryjës nga fëmijëria e tij, shkollimi angazhimet e para patriotike dhe angazhimet në politikë deri në vite te fundit të jetës  dhe ditët e vështira në mërgim, ndërsa familaj e tij vuante burgjeve e internimeve në Shqipërinë e sunduar nga regjimi komunist.

Sot sjellim pjesën e aprë të këtij portreti për ta vijuar pjesën e dytë të tij në numrin vijues të Shqiptarja.com.

MUSTAFA  MERLIKA  KRUJA
Leu në Krujë në vjetin 1887, me gjasë në muej të kallnorit a të marsit. Kruja aso kohe shkonte administrativisht me sanxhakun (prefekturën) e Shkodrës, ku nuk kishte hŷmë edhe regjistrimi i popullsís.

Si e shumta e Krutanvet, i ati Mehmet Merlika (Meta i Fajës së Merlikës) merrej me bulqí tue punue tokët e veta. E âma, Hânke Corka, edhe ajo qe prej nji familje bulqish të shpërngulun prej qyteti në katund të Larushkut.

Faja i vogël – kështu quhej në vogjlí – e kishte shtëpín nja tre çerekë sahati larg qêndrës; me gjithë këtê, ai shkonte për ditë në shkollën fillore tyrqishte të qytetit.

Shkollë ? Nji shkatrrinë me nji odë për të vetmin mësues e me nji sallë për nxansit e gjithë rendeve të mbledhun grumbull. Mësimet përbâheshin prej këndimesh arabisht e tyrqisht qi jepeshin prej Mulla Hysen Topçiut i cili mundohej, n’atë mënyrën e vet, t’u mësonte nxânësvet atë pak gjâ qi dinte ai vetë.

Familja e Fajës shtrëngohet me u shpërngulun në Durrës për do ngatrresa gjaku; djali vijon shkollën atje tue pasë si kryemësues Jusuf Efendi Varoshin, myderrizin e Durrsit, dhe për mësues nji farë Mulla Haxhiu dhe nji Mulla Ali, edhe këta durrsakë. Jusuf  Efendiu e donte fort Fajën dhe e çmonte si djalë të squet e të zellshëm në mësime.

Ai e thirrte Mustafa, se nuk duhej të shtrêmbnohej emni i dytë i Profetit. Mbasi kishte tfillue mësimin, ai e kishte zakon t’i vênte shpesh herë çallmën e vet në krye Mustafajt të vogël dhe t’i urdhnonte me pyetun shokët në mësimin e kaluem.

Më 1897 pëlset lufta tyrko – greke dhe i ati dhe i ungji i Mustafait thirren nën armë; familja kthehet, kështu prap në Krujë. Jusuf Efendiut i vjen keq për nxânsin qi shkëputet nga shkolla e tij :

-Gjynah-thonte-ky djalë do të shkojë dâm n’atë qytet!

Faja kthen prap në qytetin ku kishte çelun për të parën herë sŷt dhe ku e pritte Mulla Hyseni për t’a pasun edhe për pak kohë nxânës. Djali mbaron shkollën fillore dhe hŷn në rushdije, domethânë në gjymnazin e ultë po të Krujës.

Por edhe këtê – gjymnaz e baftë Zoti! Ai e ndjek tue pasun në krye nji hoxhë t’ardhun nga Anadolli, qi jepte mësime për të gjitha rendet dhe të tâna mësimet ; merret me mênd se ç’mësohej e sa mësohej në të tilla rrethanash!

Mustafai, veç, mirë a keq, i kryen edhe tri vjet mësim këtu ; mâ përtej nuk ka se ku shkon mâ në Krujë. Qysh’atëherë e rreshtojnë në rradhën e….. të dijshëmve të qytetit të vet, se ai shkarravitte letra tyrqisht për t’atnë qi edhe mbas luftet ishte ndalun në Janinë prej Esad Pashë Toptanit si rreshter kaluer i gjindarmërís.

Ishte ngjitun shegert te nji tregtar qi, si në çdo vênd të vogël, shitte gjithça. Ai në pak kohë, u bâ aq’arak në mjeshtrín e ré sa qi ustai, kur shkonte me blé mall në Durrës, në Shkodër e deri në Manastir, pa pikë kujdesi mund t’a lênte tregtizën krejt në duer të tija.

Në Krujë kishte fillue m’u përhapun mjaft aso kohe – kah 1900 – këndimi i gjuhës shqipe, me frikë e tinëz, kuptohet vetiu ; por auktoriteti ishte i dobët dhe kallzimtarë Kruja s’ka pasun gati kurrë. Ustai i Mustafait, Miftar Seseri, ishte bektashí e dyqani i tij ishte bâmë nji farë çerdhje propagande kombtare dhe nji shkollë e fshehtë për të nxânë shqip ; tregtija e vërtetë bâhej vetëm për ditë tregu, qi ishte, siç asht edhe sod, e hâna.

Më 1902 i shkruen i ati prej Janine se duhej të nisej për me vazhdue mësimet në gjymnazin e atij qyteti. Qeverija tyrke kishte tregue nji kujdes për atë gjymnaz e për konviktin e tij për me i bâmë ballë ndëkimit të dâmshëm të gjymnazit grek n’atë vênd.

Thjesht gzim, Mustafai na niset për Janinë dhe hŷn konviktor n’atë gjymnaz ; por s’qe punë e lehtë m’u pranue në klasën qi i epte të drejtë me hŷmë diploma e rushdijes së Krujës, se shumë lândë kishin mbetun bardh e pa ndonji shënim n’atë diplomë.

S’ishin mësue. Por fuqija e Esad Pashës ishte e madhe ndër të gjith qarqet zyrtare t’atij vilajeti ku kumandonte gjindarmerín me gradë gjenerali divizjonar. Dhe Mustafai, i biri i rreshterit qi i ruente kokën Pashës, mâ në fund u pranue prej drejtorit të gjymnazit ; por natyrsisht me ato rezerva mêndore qi shkakton nji pranim i bâmë përdhunë.

Mustafai e kishte nxânë aqë pak tyrqishten ndër shkollat e Krujës, sa qi në fillim s’ishte i zoti kurrsesi t’i spjegonte mësimet, sado mirë qi t’i kishte kuptue. Ai mban mênd se kur i duhej të mësonte historín, e nxênte përmêndsh mësimin e tij tue fillue prej fjalës së parë e deri te fjala e fundit.

Nji ditë, mbasi e kishte thânë ujë pjesën e ditës të historís, profesori, qi e kishte kuptue se nxânsi i tij e kishte mësue të tânë përmêndsh, e qërton rreptë tue i vûmë në pah se nuk ishte mënyrë mësimi ajo e tij ; duhej qi ai të këndonte disa herë pjesën e caktueme e mbandej t’i a thoshte mësuesit me fjalë të tija, përmbledhtas.

Por si t’i a bânte i shkreti me atë pak tyrqishte qi dinte? Muer e dha e në fund vêndosi të lusë nji nxânës klasësh të nalta për me i shkrue në letër shkurtimin e mësimit të tij, të cilin mbandej e nxênte gjithnjí përmêndsh e i a thonte profesorit qi mbeste i kënaqun për këtë përparim të papritun të Mustafait.

Ndërsa hiqte mundimet mâ të rânda për t’a bâmë për vete gjuhën tyrqishte, në mathematikë s’mund të matej asnji prej shokësh të klasës me tê, ashtu si i kalonte të gjithë në gjuhën frênge. Kaloi kështu nji varg përpjekjesh të palodhshme, gjatë gjithë vjetit shkolluer dhe, në mbarim të provimeve, të gjithë u habitën kur vûnë ré se belbacuku i fillimit duel i pari në klasë e në gjithë mësimet, deri n’atê të gjuhës tyrqishte. Të kryemen këtë hapë fillestare Mustafai vijoi mbandej në këtë parí të cilën e ruejti deri në fund.

Vjetin e prapëm të gjymnazit vojt e e bâni në Stamboll, në kolegjën e quejtun “Nymunei Terakkí”. Dhe atje mbaroi gjithashtu i pari me lavde e çmime në të gjitha lândët.

Në gjymnazin e Janinës Mustafai kishte marrë me vete prej Kruje farën e propagandës kombtare dhe rrethin e kishte gjetun mjaft të volitshëm për t’i forcue e zhvillue ato ndiesí.

Kishte njohun Kasëm Durrsin, aso here nënoficer n’ushtrín tyrke, dhe Musa Demin nga Filati i Çamërís, të cilët i epshin me këndue e me u përdamë shokvet shqiptarë në shkollë, në konvikt, libra e gazeta shqip qi botoheshin në Bukuresht e në Sofí. Mâ se nji herë u gjind në rrezik me u zbulue ; por në gjymnazin e Janinës gjindej atë herë nji nëndrejtor shqiptar, shqiptar me gjak, me gjuhë edhe me zêmër : prof. Qamil Bala nga Gjillani i Kosovës, e ky u predikonte vetë studentavet shqiptarë mêndime kombsije e lirije tue i pruejtun e paralajmue gjithë sa herë do të bâhej ndonji kontroll ndër raftat e tyne në konvikt.

Si kreu gjymnazin, Mustafai desh të shkruhej në degën e ingjinjerís, mbasi lânda qi i pëlqente mâ tepër ishte mathematika; por i ati, i pashkollë, pyeti Esad Pashën, qi, tue qênë pashë, mbas mêndes së tij, dinte gjithça, e Pasha e thërret djalin dhe:-̶ A do m’u bâmë ingjinjer, ti ̶ e pyet me zâ qërtues. Ingjinjeri – vijoi Pasha  ̶  fillon e vdes me 700 grosh rrogë në muej; jo, jo ingjinjer, por kajmekam duhet të dalish e prandej do të hŷjsh në Mylkije –i – Shahane”!

Dy vjet mbrapa u dëbue prej shkolle prej Tyrqve të Rij për arsye politike. Mustafa Kruja qe bâmë prîjsi i djelmnís universitare shqiptare t’asaj kohe në Stamboll. Në të tâna çfaqjet kombtare të të rijvet shqiptarë ai ishte në ballë. Shkrimet e përbashkta qi botoheshin për proje të të drejtavet t’ona prej studentavet shqiptarë i redaktonte ai, posë artikujve qi shkruente e botonte vetë me germat A.Xh. për pseudonymin Asim Xhenan.

I përjashtuem prej shkollet mêndoi me shkue në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës me qëllim qi të studjonte atje tue e nxjerrë bukën e vet me djersën e ballit. Por shumë kush përpiqej për rikthimin e tij në Mulkije, Deputetët shqiptarë e profesorët e tij. Mâ në fund pranimi i tij përsëri n’atë shkollë sigurohet për në fillim të vjetit shkolluer t’ardhshëm. Motmot shkollë do t’ishte i humbun për tê.

Ai i u shtrue këtij fati dhe në fund të pushimevet shkollore u kthye në studimet e tija. Por ky grusht i papritun i a theu mjaft moralin e zellin e mësimit. Me gjithë këtê kur po afrohej fundi i vjetit qe i zoti të përgatisë e t’apë provimet e të dý vjetve bashkë e të marrë diplomën për nji herë me shokët.

Ishte vjeti 1910. Të diplomuemit e Mylkijes simbas ligjës do të shkojshin me bâmë tri vjet praktikë në zyrat e nji guvernatorati për me pasun të drejtë mbandej m’u emnue nënprefekta. Por Mustafa s’mendonte me bâmë karrjerë në Tyrqí. Atê vetëm nji kujdes e grinte : me shpëtue kombin e vet prej zgjedhës së huej.

Vetëm këtij ideali desh t’i a kushtonte studimet qi kishte bâmë, shpirtin dhe trupin, të tânë vetveten. Dhe besonte se vepra e tij mund të dilte e fryçme vetëm atje ku njihej mâ mirë. Vêndosi pra qi të mos marrë nëpunësí, të vejë e të rrojë me bukë e djathë në kasollen e vet në Krujë në mest t’atyne bashkqytetarve aqë të ndershëm e të thjeshtë  qi nji ditë mund t’a ndiqnin në rrugën e idealit të shênjtë qi ushqente. Dhe ashtu bâni. U tha shokvet të Stambollit lamtumirë e u nis për Krujë.

Në muej të shtatorit t’atij vjeti nji shoq shkolle i dërgon nji telegrafë nga kryeqyteti tue e pyetun në pranonte m’u emnue si profesor i gjuhës tyrqishte ose i mathematikës në gjymnazin e Durrsit.

Pun’e madhe sa dhe e papritun për tê. Në Durrës, si edhe në Tiranë, ishte pothuej aq’i njohun sa  në Krujë. Ndêjtja në qêndrën e prefekturës me nji barrë zyrtare do t’i epte mundsín  e nji të përpjekuni me shumë kênd pa zgjue dyshime e pa i a pakue punimin e tij në mest të Krutanve.

Vetëm nji pikë shihte të dobët në proponimin qi i bâhej : profesor! Ai kishte studjue për tjetër karrjerë, jo për atê t’arsimit. Tyrqija s’kishte shumë arsimtarë të karrjerës atëherë. Prandaj kur gjênte të diplomuem prej çfardo shkolle të naltë qi pranojshin me hŷmë n’arsim Qeverija e Stambollit i pritte me gzim n’atë degë.

Mustafa Kruja i kishte krejt të freskta ditunít mathematike qi kishte nxânë me nji aftí të jashtazakonshme në gjymnaz. E ndiente pra veten mjaft të zotin me mësue mathematikë në nji gjymnaz të thjeshtë (pa klasët e liceut) siç ishte ai i Durrsit.

Në gjuhën tyrqishte ishte aq’i fortë sa mâ i miri tyrk qi të kishte bâmë studimet e tija. Por i vinte si çudë, me ato qëllime qi ushqente ai, me u mësue nxânësve durrsakë gjuhën e anmikut, nji gjuhë qi ai deshironte të hupte në tokën shqiptare. Prandej i u përgjegj mikut të vet se pranonte katedrën e mathematikës.

Në muej të tetorit të vjetit 1910 Mustafa Kruja fillon veprimtarín e tij si profesor në gjymnazin e Durrsit dhe i ep nji zhvillim të hovshëm veprës së tij revolucjonare në kontakt të padamë me nacjonalistat   tjerë të gjithë prefekturës.

I shtrin lidhnít ideale e miqsít personale deri në Vlonë e në Shkodër. Shpesh i duhet me i hypë kalit për Tiranë mbas dite vonë, si ka krye detyrën zyrtare në shkollë, për nji kuvênd a marrveshtje me patrijotët e atjeshëm, dhe me u gjindun n’orën e mësimit të mëngjesit në Durrës pa flêjtun gjithë natën.

Por kjo veprimtarí e tij s’u shpëton pa vûmë ré Auktoriteteve Tyrke. Aqë mâ  fort qi ai s’i a përton m’u kapun në diskutime t’ashpra, edhe botnisht, me anmiqt e të drejtave të Kombit shqiptar. Kështu qi me 6 maj 1912 i kumtohet nji urdhën i Ministrís s’Arsimit për transferimin e tij n’Urfa t’Irakut!

Kanë pasë thânë se Stambolli e zên lepurin me qerre. Por në rasën e Mustafa Krujës qerrja e Stambollit kishte mbërrîmë pak si tepër vonë. Në Prefekturën e Durrsit ishte gati i kryem organizimi i veprimit kryengritës në bashkpunim me kryengritjen e madhe të Kosovës qi kishte fillue ka dit.

Kishte mbetun vetëm pjesa e marrveshtjes me Mirditë e me Jugë. Mustafai nxier nji muej dit leje prej Valiut të Shkodrës Hasan Riza Begut. Mbrênda këtij mueji piqet e merret vesht në Shkodër me Prenk Bibë – Dodën e Gjomarkajve dhe merr pjesë në Kuvêndin e krenve të 12 Bajrakvet në Kallmet.

Gjithça tash âsht gati. Kryengritja pëlset. Mustafa Kruja, përpara frymzues  e organizues, tash âsht me pushkë në dorë ushtar i saj. Kumandën e kanë Bejlerët e Kapidanat. Shpallje, letra, vêndime të Komitetit dalin krejt prej mêndes e pêndës së tij.

Qeverija tyrke e ka humbun fillin. Lyp m’u marrë vesht me kryengritësit. Mustafa Kruja niset për Shkup si përfaqsues i Prefekturës së Durrsit bashkë me Avdi Be Toptanin e Kap. Marka Gjonin për Mirditën.

Ndër ato të drejta të paka qi fitoi Kombi i ynë nga kjo kryengritje ishte dhe mësimi i gjuhës shqipe ndër shkolla. Mustafai e praps proponimin qi i bâhet me shkue nënprefekt në Lesh dhe kërkon e emnohet profesor i gjuhës shqipe po në gjymnazin e Durrsit ku ishte përpara. Për tê Shqiptarët s’kishin bâmë veçse nji hapë të vogël drejt idealit kombtar. I dukej pra se pranija e tij në rrethin e vet ishte aqë e nevojshme sa dhe përpara.

Pëlset lufta ballkanike. Shqipnija, në pjesën mâ të madhe, shkilet prej ushtrive të hueja. Ismail Kemali e Luigj Gurakuqi me shokë zbresin në Durrës. Mustafa Kruja bashkohet me ta e merr pjesë në Kuvêndin e Vlonës si përfaqsues i qytetit të vet. Shpallet pavarsija e Atdheut.

Mustafa Kruja zgjidhet prej Kuvêndit mis i të parit Senat të Shqipnís. Por mbas pak ditsh ndihet nevoja për nji nënprefekt të squet e të gjallë në Vlonë ku ishte qêndra e Qeverís së Përkohshme dhe e vetmja nënprefekturë, aso here, e sundueme prej Qeverís shqiptare. Ai vênd i besohet Mustafait.

Mbas tre muejsh thirret në nji zyrë tjetër. Emnohet kryesekretar i Kryetarit të Qeverís e i Kshillit Ministruer. Shqipnija fillon m’u lirue prej ushtrivet të hueja. Esat Toptani u ka lëshue Shkodrën Malazezve e ka kthye në Tiranë me ushtrín e Shkodrës, Tyrq e Shqiptarë. Të parët presin vaporet m’u mbarkue në Durrës, të dytët lirohen me shkue ndër shtëpí të veta me.gjithë armë e me porosí qi të rrijnë gati për çdo rasë qi t’i duhen Pashës.

Shtypi i huej flet mbi marrveshtje të fshehta të bâme  ndërmjet Esadit e Malazezvet, Sërbvet e Rusvet për t’i lëshue  Malit të Zi tokët e Veriut deri n’Ujë të Matës kundrejt përkrahjes prej atyne Shteteve të kandidaturës esadjane si princ i Shqipnís. Vlona trêmbet dhe dërgon Mustafa Krujën bashkë me Avdi Be Toptanin në Tiranë për të marrë vesht të vërtetën dhe për të veprue te Esadi a kundra Esadit për shpëtimin e Vêndit prej nji katastrofe.

Esad Toptani e priti mirë Mustafën, e tue e njohun si duaxhi e bir duaxhiu të vetin, i a pohoi me gojë të vet njollën e pashlyeshme qi i kishte vûmë vetes në ballë. I tha : “Ȃsht mâ mirë qi Katholikët t’i marrë Mali i Zi, mbasi Shqipnija veç për ngatrresa do t’i kishte e kurrë për ndonji të mirë”! Mustafa Kruja qyshë prej atij çasi u shpall sheshit anmik i papajtueshëm i atij njeriu qi deri atë ças e nderonte e e donte, me të gjitha të mêtat qi kishte, pse shumë kujtime e shërbime të reja e të vjetra e lidhshin familjen e vet me të tijën.

Prej Kryesekretarís së Kshillit Ministruer në Vlonë u emnue Drejtor Arsimi në Prefekturën e Elbasanit. Atje pat të parën rasë me tregue cilsít e tija organizative tue ngrehun mbrênda pak muejve disa shkolla katundesh e tue i dhânë rregull e shpirt arsimit të qytetit, veçan shkollës normale.

Mbas pesë muej shërbimi n’Elbasan u thirr në Ministrí t’Arsimit në Durrës si Kshilltar e bashkpuntuer i Luigj Gurakuqit. Por perjudha e mbretnís së Ëiedit shkoi plot me trazime politike në të katër anët e Vêndit.

Mustafa Kruja edhe në këto rasa të mjerueshme për Atdheun t’onë dha të tânë veten e tij për idealin qi e kishte frymzue gjithë jetën. Me 3 shtatuer 1914 la Shqipnín bashkë me patrijotët e tjerë e me qeverín e Princ Ëiedit. Mbas pesë javë ndêjtjeje në Bari u kthye ndër malet e Shqipnís së mesme (Kthellë e Mat) via Shëngjin.

Shqiptarja.com