Atentatorët, në shumë raste kanë ndikuar në shumë fitore madje edhe në vetë fatin e luftës. I pari që ka kryer një atentat kundër një funksionari të forcave pushtuese ka qenë Vasil Laçi. Djali nga fshati Piqeras i Sarandës, qëlloi më 17 maj të vitit 1941, mbi Mbretin e Italisë Viktor Emanuelin e III-të. Por fjala atentat në kohën e Luftës Nacional Çlirimtare, nuk kishte vetëm kuptimin e tentativës për të vrarë një armik. Po aq e rrezikshme dhe e rëndësishme ishte dhe po të prisje telat e telefonit apo të digjje magazinat. “Gjëja më e madhe është t’i falësh jetën atdheut, por njëkohësisht duhet të dish si t’ia falësh”, thotë Vojo Kushi, kryeguerilasi shqiptar. Këto njësi sipas tij, nëse nuk bënin aksione nuk mund të quheshin të tilla.

Atentatorët

“Atentatorët” e njësiteve guerile që ishin krijuar në qytete të ndryshme pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ishin shumica djem të rinj, por ideali dhe dashuria për vendin i shtyu këta që të rrezikonin edhe jetën nëpërmjet aksioneve të ndryshme kundër forcave pushtuese. Në përbërje të tij kanë qenë emra si Vojo Kushi, Myslym Keta, Beqir Balluku, e shumë emra të tjerë. Vojo Kushit edhe pse në moshë të re, iu ngarkua detyra si komandant i njësive guerile në mbarë Shqipërinë. Ai merrte pjesë vetë në shumë aksione të njësiteve guerile dhe u shqua si një organizator i këtyre aksioneve. Gjithashtu, një nga guerilasit më të famshëm të Tiranës ka qenë edhe Myslym Keta. Emra të tjerë si Kajo Karafili, Ali Demi, Vasil Shanto, Gogo Nushi, Adnan Qatipi, Perlat Rexhepi, Hajredin Bylyshi etj, janë njohur për veprimtarinë e tyre të guximshme gjatë luftës.

Historitë e atentateve

Një nga ngjarjet më të bujshme të atentateve, pa dyshim ka qenë ai i Vasil Laçit. 18-vjeçari nga Saranda i qëlloi mbretit, në rrugën e Durrësit, në Tiranë, gjatë kohës që ky po largohej në drejtim të aeroportit. Atentati nuk ishte i suksesshëm pasi agjentët e policisë së fshehtë italiane arritën ta kapnin menjëherë djaloshin nga Saranda. Pas kapjes Vasil Laçit iu bë një gjyq i shpejtë dhe e dënuan me varje.

Shembullin e tij e ndoqën më pas shumë të rinj, të cilët pas krijimit të njësiteve guerile realizuan shumë atentate të suksesshme ndaj pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. “Aksioni u krye me kujdes, por ne s’duhet të dehemi nga suksesi. Ne i premë fashizmit një nerv, por duhet t’ia prishim gjithë sistemin nervor”, thotë pas një aksioni Vojo Kushi, njeriu që vdiq mbi tank pasi luftoi deri në momentin e fundit.

Në Tiranë në vendin ku ai ra heroikisht duke luftuar kundër një numri të madh fashistësh italianë, ekziston një monument kushtuar këtij heroi të Luftës Antifashiste. Ai edhe pse ishte një nga personat më të kërkuar nga pushtuesit italianë, ishte i pakapshëm dhe ndoshta njeriu që ka kryer më shumë aksione. Myslym Keta mbahet mend si njeriu që kryente edhe dy, tre, aksione në një ditë. Ai sipas bashkëluftëtarëve, ishte i guximshëm dhe i papërtueshëm dhe kishte një talent të madh në organizimin e aksioneve. Ndryshe nga shumë shokë të tij që u vranë gjatë luftës, ai arriti të mbijetojë dhe të shijojë idealin për të cilin luftoi.

Por edhe grupet e njësiteve guerile të qyteteve të tjera kishin në përbërje të tyre shumë persona që kanë hyrë në histori. Qyteti i madh në veri të vendit Shkodra ka qenë një nga vendet ku ka janë zhvilluar shumë aksione. Veprimi heroik i tre anëtarëve të këtij njësiti, Perlat Rexhepi, Branko Kadija dhe Jordan Misja, kanë hyrë në histori. Ata janë bërë të njohur për aksionet e tyre të zhvilluara në qytetin e Shkodrës. Të tre më 22 qershor 1942 u vranë megjithëse në moshë të re.

Si i bëri Vasil Laçi atentat perandorit

Në 17 maj të vitit 1941, teksa mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III, (që gjithashtu ishte pagëzuar edhe si Mbret i Shqipërisë pas dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut më 12 prill të 1939-ës), kishte mbaruar vizitën e tij shtatëditore në Shqipëri dhe po largohej në drejtim të aeroportit të Laprakës, në “Rrugën e Durrësit” u qëllua disa herë me revolver në drejtim të tij nga një djalosh 19-vjeçar, i quajtur Vasil Laçi. Mbreti Viktor Emanueli III, shpëtoi pa u qëlluar, vetëm në saj të agjentëve të policisë së fshehtë italiane që atë ditë ndodheshin në gatishmëri të lartë dhe ia kapën menjëherë revolverin djaloshit nga fshati Piqeras i Sarandës. Pas iu bë gjyqi, u vendos që Vasil Laçi të varej në litar. Në çastin e varjes xhelati e pyeti se përse bëre atentat kundër perandorit? Vasili u shpreh: “E bëra me vetëdije për Shqipërinë”. Vasili iu nënshtrua torturave të rënda. Në 26 maj ai u dënua nga gjyqi ushtarak me vdekje. Në çastin e varjes, kur e pyetën për fjalën e fundit, Vasil Laçi u kërkoi një krehër për të krehur flokët. Dhe ashtu krenar, i patundur para se të binte në litar thirri: “Poshtë fashizmi! Rroftë Shqipëria e lirë”!

Vojo Kushi lindi në Shkodër në vitin 1918. Gjatë Luftës ishte komandant i njësiteve guerile në mbarë Shqipërinë. U vra nga italianët më 7 tetor 1942.

Sadik Stavaleci lindi në Gjakovë në vitin 1915. Ishte anëtar i njësit gueril të Tiranës. Vritet më 7 tetor 1942 në Tiranë.

Xhorxhi Martini lindi në Tiranë në vitin 1921. Gjatë Luftës ishte anëtar i njësit gueril të Tiranës. Xhorxhi Martini u vra më 7 tetor 1942, në Tiranë.

Perlat Rexhepi lindi në Vlorë më 25 tetor 1919. Gjatë Luftës Antifashiste ishte anëtar i njësitit gueril të Tiranës. Ai u vra më 22 qershor 1942, në Shkodër.

Kajo Karafili lindi në Pogradec në vitin 1921. Ishte nga atentatorët më të mirë gjatë Luftës Antifashiste. Ra dëshmor i atdheut më 10 janar 1944 në Kavajë.

Hajredin Bylyshi lindi në vitin 1922 në Vlorë. Hajredini ra në sy të armikut dhe u detyrua të hidhet në ilegalitet. Më 18 tetor 1942 bashkë me tre shokë rrethohet nga forcat fashiste dhe vritet.

Hiqmet Buzi lindi në vitin 1922 në Vlorë. Hiqmeti u dallua në demonstratat që u organizuan kundër pushtuesve fashistë. U vra më 18 tetor 1942.

Ali Demi lindi më 28 janar 1918 në Çamëri. Ka qenë anëtar i njësit gueril të Tiranës. Vritet në Vlorë më 20 dhjetor 1943.

Vasil Shanto lindi në Shkodër më 17 gusht 1913. Ishte një nga drejtuesit kryesorë të P.K.SH-së. Vritet më 1 shkurt 1944, në Shkodër.

Myslim Shyri lindi në Tiranë më 1918. Është një pjesëmarrës i njësiteve guerile të Tiranës. U vra më 8 korrik 1944.

Dino Kalenja lindi në Mallakastër. Ai ishte anëtar i njësitit gueril të Tiranës. Ra dëshmor më 29 mars 1944.
Bajram Tushi lindi në Kurvelesh në vitin 1922. Vdes në 18 tetor të vitit 1942.

Mumin Bajrami lindi në Kallarat të Vlorës në vitin 1923. Ka qenë anëtar i njësit gueril të Vlorës. U vra më 18 tetor të vitit 1942.

Midhi Kostani lindi në Korçë më 1917. Ishte pjesëmarrës aktiv në aksione, duke bërë atentate në Tiranë. U vra në pranverën e vitit 1942.

Kiço Greço lindi në Korçë në janar të vitit 1921. Në vitin 1942 Kiçoja ishte i pari anëtar në njësitin e Korçës. U vra në pranverën e vitit 1942.

Myslym Keta lindi në vitin 1923 në Tiranë. Ka qenë anëtar i njësit gueril të Tiranës dhe një nga atentatorët më të mirë.

Adnan Qatipi, ka lindur në vitin 1925. Ai ka qenë anëtar i njësit gueril të Tiranës dhe së bashku me Myslym Ketën ka kryer shumë aksione./TiranaObserver