Bledar Kumbulla & Riza Lahi

Ja se si ka ngjarë sipas burimeve tona. Le t’i referohemi njërit nga të tre pilotët që realizuan kapjen, Koço Biku.
“Sapo kotesha, kur ndjej se një këpucë po i binte këpucës sime. “Hajt, çohu, të pimë cigare”… ”Po lëm, o komandant Mahmuti të fle edhe pak.!” “Hajt, hajt, çohu! Gjumash. Na e nxirr paqetën se më është mbaruar e imja!” “Po, ja ore, merre paketën e pi sa të duash, po më lër të fle edhe pak!” Ai, prapë me këpucë. “Boll fjete se budallallepsesh kur fle shumë, gjumash! Çohu ta pijë bashkë…hajt se do të të tregoj diçka të bukur!”
Dreq o punë. Do t’i zgjonte të gjithë ai. Bëra ç’bëra dhe u ngrita. Ai doli që nga korridori jashtë ndërtesës që mos t’u vinte tymi i duhanit atyre të tjerëve që po flinin. Unë, isha ende në korridor dhe s’e kisha ndezur akoma. Kur…M’u bë se dëgjova një zhurmë nga jashtë. Nuk i kushtova ndonjë farë rëndësie. Por pashë Mahmutin se si hapi krahët me cigaren ne buzë…po shihte nga qielli dhe, veç ka buçitur si i çmendur, siç bërtitet në raste alarmesh: “NJËËËËËËËSHIIIIIIIIIII”.

Dhe flaku cigaren e u sul përpara me shpejtësi skëterre drejt dy avionëve të gatishmërisë. Edhe unë pas tij me sa fuqi që kisha.
Mahmut Hysa e kish pikasur avionin që përtej ndaj dhe dha alarm. E pashë, sigurisht edhe unë. Po vinte që nga drejtimi i Qafës së Tujanit. Ndërsa po bënin përpjekjen e dytë për lëshimin e motorëve tekniku me Mahmut Hysën, ky ktheu kokën nga avioni ynë dhe ma bëri me dorë. Qartë. Urdhri i tij ishte të mos prisja asnjë sekondë, askënd. Të mos e prisja atë, pra. Jepi ti, Koço! O burraaa!!!!
Mahmut Hysa ishte komandant në çiftin tonë. Ai po bënte përpjekjet për lëshimin e aeroplanit, ndërsa unë kapa brezin e ngritjes. Ndjeva kufje zërin e Vendkomandës së Rinasit – zërin e Kalem Torrës….Si the? Çfarë ndjenja në ata çaste kur po rendja drejt “mysafirit”? Gjithçka ndjenja qe përqendruar në “Shpejt!!!”.
Për 3–4 minuta e arrita. Zura vend pas tij 200 metro, jo 300 metro larg sa është rregullorja për të hapur zjarr, dhe i raportova Kalem Torrës në radio për shenjat e flamurit të avionit me të cilin tanimë ndodheshim vetëm për vetëm . Dukej qartë sipas flamurit në bord, se ishte aeroplan i forcave ajrore serbe. Menjëherë hapa edhe topin e tretë; e kisha harruar pa hapur atë. Dalloheshin qartë dy bombat e varura në të dy krahët dhe predhat e tija reaktive. Për herë të parë ndjeva një si makth, si siklet në veten time…..

E ndjeva një fllad ngrohësie – më qe afruar Mahmuti fare pranë. Ma bëri me shënjë që t’i afrohesha në krah, siç më qe afruar ai, pilotit të huaj. T’i afrohesha dhe t’i bëja shenja që të vinte për ulje. Ia dallova qartë siluetën e tij – kokën në shlemafon dhe me maskën e oksigjenit. Mahmuti ndenjti i tërhequr pas. Po vinte edhe një MIG – 19 tjetër. Nga indeksi i tij, kuptova se po vinte komandanti i njërës nga skuadriljeve, Gëzdar Veipi…
I bëra me shenjë pilotit serb; ia bëra duke tundur krahët,që të rrotullohej për djathtas dhe të vinte për ulje. Ai nuk mu bind. U kthye majtas. Distanca jonë u rrit. M’u bë sikur donte t’ia mbathte. Mahmuti ma bëri me shenjë që do ta ndiqte ai atë, menjëherë, kurse unë, t’i shkoja pranë atij. Ashtu bëmë.
Ndërsa unë vazhdova të sillesha përmbi aerodrome, piloti serb, nën mbikqyrjen shoqëruese prej Mahmutit dhe Gëzdar Veipit, tanimë po ulej në Rinas.
Sapo u ul, fiku motorin dhe…kishte mbërritur gazi me shefin e shtabit të regjimentit Vasil Qeraxhiun, me dy pilotë – Bajram Hita dhe Bardhyl Lubonja.
Ata i hodhën mbi kokë një thes robit, e morën në makinë dhe e dërguan menjëherë në ambulancë.

Ne të tre përfunduam në dhomën e gatishmërisë, ku na sollën për të ngrënë të dy mëngjezet bashkë. Morëm vesh që shefi i shtabit të repartit, që dinte ca sërbisht, Vasil Qeraxhiu, po e pyeste robin, por ne ende nuk e kishim parë kë kishim kapur.
Ndërkohë…Një Fiat – kuq. Të habitur pamë njëri-tjetrin.. Që andej dolli ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu…. Ai na përgëzoi nxehtësisht dhe, sigurisht që shau jugosllavët. Kishte marrë me vete edhe fotografin e ministrisë. Ai na bëri një fotografi që të tre neve: Mahmutit, Gëzdarit dhe mua….
Erdhi pasdrekja. Robi ndodhej larg nga dhoma e gatishmërisë …Ende nuk e kisha parë nga afër as avionin e as pilotin serb që e ruanin me roje. U nisa. Meqenëse më ishin mbaruar cigaret, bleva një “Diamant”….A më lanë rojet me automatik te dera ku rrinte Bozhidari? Po, si jo, ore. Ishin ushtarë të repartit e më njihnin, mua, oficerin e tyre.
Piloti jugosllav, që quhej Bozhidar, më duket se më njohu. Megjithëse me pajimet e fluturimit ne e kishim parë nga afër njëri-tjetrin që në ajër. Ai kishte hequr pjesën e sipërme të kominosheve se ishte shumë vapë. Rrinte ne kanotiere, mbytur në djersë… Një kryq i varej në qafë.

Nuk kishte future asgjë në gojë. E kishte lënë ushqimin aty të paprekur. Unë nxora paqetën dhe i bëri me shenjë nëse donte një cigare. Robi pohoi me sy dhe me kokë. Në sytë e tij nuk shihej urrejtje por pikëllim. Ia hodha në prehër “Diamantin” e sapo nisur dhe u largova për ta lënë në vetminë e tij.
Duket sipas një marrëveshjeje, avionin e çarmatosur, ua kthyem sërish ushtrisë serbe. Erdhi ta merrte inspektori i aviacionit jugosllav. E priti komandanti i aviacionit shqiptar, Edip Ohri. Gjuajtës Bombarduesi G- 94 ishte ekuivalent me gjuajtës – bombarduesin me të cilin mbaronin shkollën pilotët tanë, MIG – 15….
Ja tani, të shikojmë burimet jugosllave rreth kësaj ngjarjeje.
Dokumentet origjinale janë nxjerra nga dosjet e RGJB 98 te publikuara ne internet, që vërtetojnë ketë ngjarje, janë:
67-11 10.10.67. F-84G 235.lbae/98.abr a.Ladjevci ppor. Bozidar Vujovic greškom sletio u Tiranu.
Burimet Jugosllave të kohës, janë shumë të pakta dhe pothuajse nuk i referohen fare kësaj ngjarjeje qe i turpëroi për një çast. Gjithsesi…
Një avion gjuajtës-bombardues i tipit F-84G, kryen ulje në Tiranë, më 17 Korrik 1967.
Në atë periudhe avioni, me numër bordi 711, shërbente në bazën ajrore Ladjevci në Krajlevo, te Serbisë së sotshme. Kjo ishte një bazë fushimi veror e Regjimentit 98 Gjuajtës-Bombardues te FA Jugosllave, qe si baze kryesore kishte Petrovacin ne Maqedoni.

Atë ditë, Skuadrilja e II e RGJB 98, kishte detyrë qitje-bombardim në poligonin e Forcave Ajrore në Kumanovë, Maqedoni. Fluturimi do të kryhej në kushte vizuale navigimi, duke qenë verë dhe kohë shumë e mirë. Si gjithmonë, këto fluturime kryhen ne orët e para të mëngjesit dhe ashtu u be edhe atë ditë.
Piloti i ri 24 vjeçar, Toger Bozidar Vujoviç, niset nga Ladjevci për në poligonin e Kumanoves. Gjate rrugëkalimit, humbet orientimin dhe futet në hapësirën ajrore të Shqipërisë, duke dalë gabimisht mbi aerodromin e Rinasit. Pas alarmit ngrihen 3 MiG-19 dhe e detyrojnë të ulet. 67-11 është seriali i avionit, në korrespodim me atë origjinal amerikan.
Duhet theksuar se një numër F-84Gsh, u modifikuan si zbulues taktik nga industria vendase…përfshi këtu edhe ‘711’ dhe morën emrin e koduar IF-84G ose RF-84G, për “iskankanje”, para, rikonjicion.
Piloti i kësaj ngjarjeje, nuk fluturoi me, pasi u përjashtua nga Aviacioni.

tiranaobserver.al