Do të ishte viti 1985 kur një familje nga Durrësi do të kërkonte azil politik. Një ngjarje që shokoi shtetin totalitar. Familja Popa arrin të hyjë në ambasadën italiane dhe aty kërkon strehim politik. Ngjarja u shënua si e paprecedentë si në Shqipëri dhe në të gjitha vendet ish-komuniste të Evropës Lindore. Ishte rasti i dytë mbas atij të kardinalit hungarez Mindszenty, i cili kish kërkuar strehim politik në ambasadën amerikane në Budapest.

Ngjarja ishte me të vërtetë e veçantë dhe shokuese për të gjitha vendet ish komuniste. Detajet e hyrjes së kësaj familjeje u mitizuan në gjithë Shqipërinë. Gjashtë vetë, të veshur si të huaj kishin arritur të mashtronin policin duke folur italisht e duke u hequr si turistë. Sapo u futën në ambasadë kërkuan menjëherë strehim politik dhe i deklaruan ambasadorit Italian se nëse ai nuk do pranonte kërkesën e tyre ata do hemoheshin. Ai e dinte shumë mirë se ç’mund t’i priste nëse binin në duart e Sigurimit të Shtetit.

Ata ishin vëllezër e motra të familjes Popa, bij të një ish-farmacisti të njohur në Durrës. Dhe historia e tyre ishte një histori e zakonshme shqiptare. Dy prej pjesëtarëve të kësaj familjeje ishin arratisur dhe gjithë pjesa tjetër e familjes ishin persekutuar nga regjimi komunist. Jetonin në kushte mizerabël dhe askush prej tyre nuk kishte mundur të martohej.

Për ta e vetmja zgjidhje ishte të kërkonin strehim politik sepse Sigurimi i Shtetit nuk i kishte lënë alternativë tjetër.

Ngjarja shkaktoi një tërmet në gjithë vendin. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë në Shqipëri. E gjithë qeveria kishte hall se mos kjo bëhej diçka e rëndomtë në Shqipëri. Dhe sigurisht që do merreshin masa të menjëhershme. Dhe kështu në fakt ndodhi.

Pak orë pas njoftimit territori i ambasadës u rrethua me mbi 600 policë. Po atë mbrëmje televizioni Italian e transmetoi në lajme,  duke e cilësuar ngjarjen si një shkak të mundshëm për krizë diplomatike mes dy vendeve.

Të gjithë në Tiranë mendonin që Partia do të ndërhynte dhe do ndëshkonte autorët e kësaj vepre kaq makabre. Përndryshe një gjë e tillë do ndodhte përsëri. Prisnin që shteti të demonstronte forcën e tij.

Tensioni ishte i madh. Ambasadori Italian Gentile, mbas presionit të madh që bëri qeveria shqiptare refuzoi të dorëzojë 6 azilkërkuesit por dha urdhër që nqs do të sulmohej ambasada nga policia,  të mos bëhej asnjë rezistencë.

Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Në gjirin e Byrosë Politike që përbëhej asokohe prej 13 anëtarësh 6 prej tyre kishin mbështetur variantin e një ndërhyrjeje me forcë për nxjerrjen e pengjeve, pra sulmi i ambasadës që penguar prej një vote.

Ndërkohë ambasadori Italian, presioni i të cilit ishte i madh, nuk mendonte që mund të ndodhte një ndërhyrje force sepse kjo do të thoshtë një reagim i madh ndërkombëtar. Gjithashtu gjendja e rënduar akonomike politike nuk ishte në interes të një ndërprerjeje marrëdhëniesh diplomatike.

Një arsye penguese ishte dhe fakti që Ambasada Italiane ishte në tokë të huaj. SHBA e kishte blerë atë tokë që në kohën e Zogut dhe ambasada italiane i paguante qeranë çdo vit rregullisht.

Po Qeveria shqiptare,  duke eleminuar variantin e forces,  përdori dredhinë. Krejt papritur ambasadori Italian u ftua në Ministrinë e Jashtme ku u njoftua se qeveria e tij kish njoftuar se ishte dakord për dorëzimin e renegatëve. Dhe pengesë ishte vetëm ai që ishte bërë shkaktar për tensionimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ambasadori duke pasur një përvojë të gjatë diplomatike nuk e hëngri hilen dhe  deklaroi se do qëndronte në pritje të konfirmimit të këtij lajmi.

Ndërkohë qeveria shqiptare vazhdonte të ruante gjendjen e jashtëzakonshme dhe rrethimin e ambasadës.

Ngjarja do të kishte impakt të madh dhe tek populli shqiptar dhe do kishte presione dhe nga grupimet e qytetarëve të Tiranës, të cilët do t’i shkruanin ambasadorit Italian se po mbronte disa rrugaçë tradhëtarë. Edhe shtypi komunist do të bënte kërcënime ndaj ambasadorit,  duke nxjerrë në mediat komuniste të kaluarën fashiste të ambasadorit Italian.

Katër motrat e dy vëllezërit Popa u strehuan për më tepër se 4 vjet në dy dhoma të vogla të ambasadës italiane. Në fillim ato ishin me shpresa të mëdha por më vonë u përfshinë nga ndjesia e frikës për shkak se problemi i tyre nuk po gjente zgjidhje. Për ta ishin vite ankthi sepse jetonin me frikën se sigurimsat do t’i kapnin dhe do i sikterisnin në burgjet komuniste.

Gjatë asaj periudhe asnjë prej tyre nuk guxonte të dilte në kopshtin e ambasadës. Kishin të gjithë frikë se mos qëlloheshin nga ndonjë snajper. Zgjidhja e çështjes së tyre do të ndodhte në maj të vitit 1990,  pas vizitës në Shqipëri të sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Perez de Kuelar./Konica.al/