Nga Gëzim Kabashi

“Asnjëherë nuk e kam durue vuajtjen e njerëzve, prandaj i vuna detyrë vetes me iu gjind afër të sëmurëve dhe fatkeqëve”.  Këto fjalë të thjeshta i përkasin Hysen Bulkut, apo Babë Cenit, siç e ka njohur mjekun popullor jo vetëm Shijaku e Durrësi, por i gjithë vendi.

Kjo është e vetmja deklaratë personale që mund të hedhë dritë mbi kontributin e një njeriu, i cili megjithëse nuk kishte studiuar leksionet e mjeksisë, u bë një nga mjekët e shquar të vendit dhe vazhdon të kujtohet sot me respekt nga mijra pacientë që bëjnë një jetë normale, por nuk harrojnë Babë Cenin, apo doktorin e kockave.

Cen Bulku çdo mëngjes priste, herë jashtë në oborr, e herë në dhomën e tij të thjeshtë dhjetra pacientë të të gjitha moshave që kishin një besim të verbër te mirëbërësi i tyre. “Ai qeshte dhe bisedonte me ta. Më parë ua hiqte dhimbjen me fjalë dhe kur gjithçka ishte zgjidhur u binte shpatullave duke vazhduar edhe me këshillat për familjarët”.

Kështu e kujton për ATSH-në Bashkim Seiti, një nga bashkëqytetarët shijakas, i cili ka provuar në shpatullën e tij magjinë e duarve të Doktor Cenit. Kishte nisur që fëmijë me kockat e viçave dhe qingjave, por u bë mjeshtër i kurimit të njerëzve, shton ai.

Dr. Miri Hoti, një nga kirurgët e njohur të Durrësit e quan kënaqësi periudhën e bashkëpunimit me Babë Cenin, një “ortoped i lindur” siç e quan ai: “diagnozat e të cilit shumicën e rasteve ishin të pagabueshme”, shton për ATSH-në dr. Miri.

Dr. Pëllumbi është më i vogli mes gjashtë vëllezërish dhe motrash në familjen e madhe të Hysen Bulkut, ose të Cenit të Shijakut, siç e njohin ende në të gjithë Shqipërinë mjekun popullor që iu kushtua kurimit dhe mjekimit të qindra mijë pacientëve me probleme në kocka. Pëllumb Bulku tregon se që nga viti 1973 dr. Petrit Kokolari u bë nismëtar i themelimit të Institutit të Mjekësisë Popullore me qendër në Tiranë.

Babë Ceni ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe konferencat kushtuar kësaj fushe janë mbajtur në Tiranë, në Ersekë, në Mirditë, etj. Babë Ceni dhe dr. Kokolari kanë referuar shumë tema të përbashkëta dhe fatmirësisht puna e tyre është e përshkruar në arkivin e këtij Instituti.

Duke folur për të jatin, Pëllumbi nuk arrin të ndajë prindin e dhëmbshur nga njeriu humanitar, që vuri në shërbim të të sëmurëve jo vetëm dijenitë e tij, por të gjithë familjen. Një merak e kanë të gjithë pasardhësit e Cen Bulkut: të kenë edhe mjekë të tjerë ortopedë në traditën e familjes së Babë Cenit. Shumë njerëz e kanë vuajtur humbjen e parakohëshme të Babë Cenit. “Nuk arritëm t’i jepnim një gotë ujë, kujton me hidhërim Pëllumbi, djali i tij mjek. Ditën që vdiq më 27 dhjetor 1988 vizitoi më shumë se 25 pacientë dhe gjithçka ndodhi aq papritur.  Erdhën për t’u kujdesur 4 mjekë, miq të tij, por vdekja e kishte thirrur”.

Dera e shtëpisë së Cen Bulkut ka mbetur e hapur disa muaj radhazi. Miq e dashamirë, njerëz që kishin provuar duart e tij të arta vinin nga Konispoli e Saranda, nga Tropoja e Dibra.

Kanë kaluar 25 vjet, por njerëzit vazhdojnë ta kujtojnë Hysen Bulkun me shumë respekt dhe mirënjohje. Në një nga sheshet e Shijakut bashkëqytetarët kanë vendosur bustin e tij, ndërsa Këshilli i qarkut e ka shpallur “Nderi i qarkut”.

Burimi: Shendeti.com.al