Ai eshte nje nga zërat e rrallë që arrin t’i përshtatet njësoj mjeshtërisht si muzikës së lehtë, ashtu edhe asaj popullore. Dhe të mendosh se kënga ka qenë thjesht një pasion i tij, që e ushtronte pas 8-orëshit në laboratorin e uzinës së telave, ku bënte provat e certifikatës së cilësisë.

Ky është Bashkim Alibali, këngëtari nga Shkodra, që në çdo kohë të nxjerr në pah mirënjohjen për zanafillën e rrugëtimit të tij në muzikë. “Zërin tim e zbuloi z.Nard Bushati, i cili ishte drejtor i klubit të rinisë ‘Heronjtë e Vigut’. Ai ishte shumë impulsiv dhe talentet që zbulonte, i detyronte të hipnin në skenë.

Ne, shumë këngëtarë dhe artisë shkodranë, i detyrohemi këtij njeriu. Ai na hapi rrugën e skenës me thjeshtësi, me dashuri, me përgjegjësi, me korrektësi dhe më vjen keq që njerëz të tillë shpesh rrinë në heshtje”, thotë fituesi i shumë çmimeve në festivale, Bashkim Alibali, ende pa nisur intervistën për gazetën “Panorama”. Një rrëfim për të kaluarën në skenë, ku ai tregon për “manierat e huaja” të manifestuara prej tij në festival, si dhe për marrëdhëniet e kolegëve mes njëri-tjetrin. Këngëtari shumë i njohur i viteve ‘60-’90, nuk pranon të përfshihet në debatin për lidhjen e artistëve me Sigurimin e Shtetit, duke i cilësuar kolegët si “motra e vëllezër, me të cilët ka ndarë shumë gjëra”. Ndërkaq, Bashkim Alibali tregon disa detaje interesante se si funksionin ndarjet e çmimeve në festivalet e RTSHsë, ku ka pasur raste që fituesi ka qenë një përzgjedhje në mes drejtuesve miq. Një precedent i tillë është edhe vetë ai, ku në vitin 1984, në Festivalin e 23-të në RTSH, atij iu mohua çmimi i parë dhe iu kalua dublantëve të tij, Nertila Koka dhe Gëzim Çela…

Si ka qenë pjesëmarrja juaj e parë në Festivalin e RTSH-së?

Unë kam marrë pjesë për herë të parë në Festivalin e 10- të në RTSH, por që në fillim e nisa me peripeci. Gjatë provave, ma hoqën këngën që më ishte caktuar, “Stacioni i dashur”, për interpretim ekstravagant. Përgatita rrobat për t’u kthyer në Shkodër. Me shumë dhimbje. Pak para nisjes, erdhi dhe më gjeti i madhi Alfons Balliçi, i cili pas shumë ndërhyrjesh, arriti të më rikthente në skenë, por me tjetër këngë: “Qyteti i Punëtorëve”.

U veshët sërish ekstravagant?

Jo, jo, u vesha brenda kornizave dhe nuk lëviza në skenë fare (qesh). Standard komplet.

Ju u kthyet vitin e ardhshëm në Festivalin e RTSHsë, që korrespondon me të 11-n. Si u pritët?

Po, unë mora pjesë në Festivalin e 11-të, me një këngë të kompozitorit Enver Shëngjergji, tekst të po këtij, orkestracioni i Aleksandër Lalos. Kënga titullohej “Mbrëmja e fundit” dhe u kushtohej studentëve që, pasi mbaronin shkollën, organizonin një mbrëmje lamtumire dhe më pas gjithsecili largohej nëpër shtëpi, në qytetet e tyre, duke nisur jetën dhe punën e re. Kënga pati shumë shumë sukses, pavarësisht se nuk mori asnjë çmim. Por ndodhi diçka me këngën, që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Që ishte…?

Kënga u këndua dy herë rresht në festival. Publiku duartrokiste aq shumë, sa nuk lejonin që të vijonte kënga e radhës në konkurrim. Kështu që më thirrën në skenë që të këndoja sërish “Mbrëmja e fundit”. Siç duket, salla kishte edhe shumë studentë, të cilët e gjetën veten te kënga ime dhe e duartrokisnin e këndonin bashkë me mua.

Për Festivalin e 11-të, disa thonë se ishte evenimenti që mori në qafë shumë muzikantë. Disa të tjerë thonë se ndëshkimi i muzikantëve që ka ndodhur asokohe, nuk pati lidhje me festivalin. Ka madje edhe nga ata/ ato që thonë se askush nuk u ndëshkua… Po ju, si thoni? A keni ndier personalisht ndonjë ndëshkim, si pjesë- marrës i Festivalit të 11-të?

Fill pas Festivalit të 11-të, u zhvillua festivali i Ushtarit, në Shkodër. Aty janë bërë nja 4 orë mbledhje për “manierat e huaja” që kisha demonstruar në festival dhe më hoqën të drejtën për të kënduar muzikën e lehtë.

Për sa kohë jua hoqën të drejtën dhe pse?

Sepse vija nga Festivali i 11-të dhe “sëpata” ra thuajse mbi të gjithë artistët që kënduan në natën e tretë, mbi ata që patën më shumë sukses. Kështu ishte orientimi. Mua ma hoqën përgjithmonë të drejtën për të kënduar muzikën e lehtë, ngaqë, siç e thashë më lart, kënga “Mbrëmja e fundit” u pëlqye jashtë mase nga publiku, u duartrokit pa fund. Ky vendim ishte një dhimbje e madhe për mua, sidomos kur u zhvillua festivali i radhës, i 12-ti, teksa e ndiqja dhe e dija se nuk do të mund të merrja më kurrë pjesë atje. Por kjo pati edhe anën e vet pozitive. Unë nuk e doja këngën popullore, por pas përjashtimit nga muzika e lehtë nisa t’i përkushtohem popullores. Aty kuptova se edhe me këngë popullore mund të shkëlqesh. P.sh. ishte kënga “Letër në kufi” e Agim Krajkës, që u këndua nga çdo moshë, përfshirë fëmijët. Ky sukses më bindi që unë të vijoja me këngën popullore. Kjo zgjati për 5 vjet. Pas kësaj kohe, m’u rikthye e drejta për të marrë pjesë në Festivalin e RTSH-së.

Si ka mundësi që ju është rikthyer kjo e drejtë?

Sepse isha “rehabilituar”. Nga RTSH-ja më erdhi një letër, ku njoftoja se isha përzgjedhur për të marrë pjesë në festival. Rastisa që bashkëpunimin ta kisha sërish me kompozitorin Enver Shëngjergjin.

Me çfarë kënge u rikthyet në Festivalin e 17-të, cila ishte tematika?

Tematika ishte gjithashtu “rehabilituese”, ishte një këngë për partinë (qesh). Gjithsesi, kënga shkoi mirë dhe kështu rinisa rrugën e muzikës së lehtë, edhe pse pak me frikë.

Pse me frikë?

Se në provat e përgjithshme, anëtarët e komisionit nuk donin të dinin gjë se sa kohë i ishte dashur kompozitorit, autori të tekstit e këngëtarit për të realizuar këngën. Nëse diçka nuk u pëlqente, atëherë me një laps të fshinin jo vetëm ndonjë varg, por edhe strofa të tëra. Dhe shtonin strofa të tjera, të cilat duhet t’i ushtroje në kohë rekord.

Ju ka ndodhur ndonjëherë që t’ju heqin ndonjë strofë?

Disa herë ma kanë hequr. Madje, një herë më hoqën një strofë në natën e fundit të festivalit. Një herë tjetër më hoqën dy strofa të këngës dhe mendoni çfarë ankthi, gjithë natën duke përsëritur, kisha frikë se mos do të ngatërrohesha në festival. Ndërkaq, dua të nxjerr në pah një detaj sa u përket tematikave të festivaleve, që nuk duhet të kishte më shumë sesa 3 këngë ku përmendej fjala “dashuri”. Ah, “dashuri për punën”, “dashuri për partinë”, “dashuri për natyrën” etj., mund të përmendej pa kufizim, por këngë ku të përmendej dashuria si ndjenjë intime, nuk lejoheshin më shumë sesa 3 të tilla.

Po këngë për partinë, deri në sa lejoheshin? Kënga që hapte festivalin zakonisht ishte për partinë. Gjithashtu, edhe kënga që mbyllte festivalin ishte për partinë. Pastaj, sa i takon fitores, një këngë për partinë duhej të merrte çmim të parë ose të dytë, sepse çmimi i tretë ishte “ulje”.

A ka pasur zëra të bukur që dolën në festival, por që nuk arritën dot të “mbijetonin” gjatë për arsye biografie, “gabime në parti” etj.?

Di të them që këngëtarët që patën zë të bukur dhe të veçantë, kanë kënduar të gjithë. Mund t’i kenë larguar përkohësisht, por i kanë kthyer prapë në festival. Përgjithë- sisht, me këngëtarët dhe me artistë të tjerë që kanë pasur shumë talent, është mbyllur pak syri nga partia dhe i kanë lejuar, pavarësisht biografisë apo “gabimeve”.

Për rastet kur artistët e kanë pësuar, d.m.th. janë përjashtuar nga festivalet, apo më keq kanë përfunduar të internuar e burgosur, kush mendoni se më së shpeshti kanë qenë pikënisjet e këtyre fatkeqësive: anëtarët e komisionit të RTSH-së, funksionarë partiakë etj., apo vetë artistët që kanë denoncuar njëri-tjetrin?

Nuk mund të flas për koleget dhe kolegët e mi asnjëherë, sepse ne kemi shkuar shumë shumë mirë me njëri-tjetrin, kemi qenë si motra e vëllezër të një familjeje të madhe, që ishte festivali. Sepse as nuk kishim leverdi që ndonjëri nga ne të dilte keq, përkundrazi inkurajonim njëri-tjetrin. Se kishte diçka, duhet që të dilte edhe në tërësi festivali shumë mirë, jo vetëm dy apo tri këngë. Në të kundërt, nuk i dihej…

Po çmimet e para në Festivalin e RTSH-së, pse i fitonin më shumë këngëtaret femra?

Nuk e di, se nuk e kam bërë një bilanc të tillë, edhe pse mendoj se nuk është plotësisht kështu. Janë shumë këngë ndër vite që kanë fituar çmimet e para meshkujt, përfshirë edhe veten time. Kam përshtypjen se gjatë viteve të demokracisë po e fitojnë më së shumti çmimin e parë femrat, ndoshta kjo edhe nga ideja që t’i çojnë ato në “Eurovizion”.

Ju patët një detaj interesant, që më pas e ndoqën edhe këngëtarët e tjerë. E hoqët mikrofonin nga pjesa statike dhe lëviznit me të nëpër skenë. Si e bëtë këtë veprim, ndërkohë që rregulli ishte që të mos lëvizej mikrofoni dhe a patët probleme?

Kisha shumë dëshirë që t’i shkoja sa më afër publikut, doja që të ndienin si një prej tyre, ndaj njëherë kur po këndoja në Shkodër, rrëmbeva mikrofonin dhe i dola deri në fund sallës, deri sa më lejoi kabulli i gjatë. Ishte diçka spektakolare për kohën. Publiku pati një reagim mjaft të mirë, madje edhe pas këngës vinin e më përqafonin. Shumë më vonë e kapa mikrofonin edhe në festival, por këtu kam qenë më i kujdesshëm.

Nuk duket se keni qenë edhe aq i kujdesshëm, pasi ju keni dalë i pari në skenë me kostum të bardhë duke kënduar, ndërkohë që lejoheshin vetëm ngjyrat e errëta… Si arritët të merrnin lejen?

Në fakt, ai ka qenë një guxim i tepruar nga ana ime. Kisha parë një këngëtar në Sanremo me kostum të bardhë dhe m’u fiksua që të dilja edhe unë ashtu në festival. E porosita kostumin te një rrobaqepës në Shkodër dhe doli shumë i bukur. E vesha dhe po prisja radhën për të kënduar. Por më shikoi instruktori i partisë, më kritikoi dhe më tha që të ndërrohem shpejt. Ai po priste aty anash, ndërkohë që u thirr emri im për të kënduar dhe unë iu përvodha instruktorit në anën tjetër, dhe dola në skenë me kostumin e bardhë. Kënga u pëlqye mjaft nga publiku, por edhe veshja ime. Ankthi më i madh ishte kur dola jashtë festivalit, kur një anëtar i Byrosë Politike më pyeti: Ç’ishte ai kostum i bardhë? “Si jeta jonë e bardhë e si pranvera jonë plot ngjyra” (e ca fjalë të tjera të ngjashme), iu përgjigja atij. Ai e miratoi kostumin tim, kështu që shpëtova. Më pas, në koncertin e Vitit të Ri, atë kostum e mori Mirush Kabashi, ndërsa në festivalin e ardhshëm dolën plot të tjerë me kostum të bardhë. Ndërsa unë vesha kostum të zi me këmishë të kuqe. Takova sërish të njëjtin anëtar të Byrosë Politike dhe kësaj here iu justifikova se isha veshur me ngjyrat e flamurit kombëtar. Me këto episode, doja të tregoja se unë nuk është se thjesht doja të bëja modë, por se doja që te publiku të jepja më të mirën si në muzikë, ashtu edhe nga ana estetike. E vlerësoj jashtë mase publikun, ndaj gjithnjë kam dashur që t’i jap maksimumin në çdo detaj.

Edhe supin e lëviznit ca në skenë, sikur kërcenit me të…

(qesh)… Lëvizja e supit m’u krijua kur do të këndoja “Letër në kufi”, se ma hoqën fillimisht këngën për koncertin e Vitit të Ri, më ndërhynë, dhe pastaj nga sikleti m’u kthye si tik nervor. Ishte një lëvizje emocionale, jo për kërcim. Gjithsesi, edhe lëvizjen e supit ma kritikuan.

Ka muaj tashmë që është hapur një debat, ku në qendër janë akuzat e artistëve, se disa prej këngëtareve kanë qenë më të privilegjuara, më të preferuara nga sistemi, apo se disa të tjera kanë qenë “vegla të sigurimit” etj. Çfarë do t’i shtonit apo t’i hiqnit këtij debati?

Nuk mund të komentoj për asnjë lloj arsye ata kolegë e kolege, që kemi qenë motra e vëllezër për dekada. Artistët kanë kontributin e tyre në artin shqiptar dhe madje nuk po u jepen akoma meritat që kanë. Kam shumë respekt edhe për këngëtarët e këngëtaret që janë përfolur kohët e fundit, sepse e di se sa e vështirë ka qenë në kohë të bëje art, se sa fort kanë sakrifikuar. Madje, artistët kanë qenë të survejuarit, sidomos kur dilni jashtë shtetit. P.sh. kur kam dalë unë për herë të parë në Kosovë, kisha pasur dy persona survejues, për të cilët e kam marrë vesh se ishin të tillë, pasi ka ardhur demokracia.

Po te ndonjë koleg, nuk keni dyshuar për spiunim?

Jo, asnjëherë. Për asnjë koleg.

Po të privilegjuar apo të preferuar nga sistemi, cilët ishin?

Mund të ketë pasur këngëtare/këngëtarë të preferuar, por jo nga sistemi, jo nga pushteti. Më tepër ka pasur të preferuar nga drejtuesit e artit dhe të RTSH-së, d.m.th. nga miqësitë me njëri-tjetrin. D.m.th. preferenca në bazë të miqësive brenda për brenda.

P.sh., a mund të na jepni një rast konkret të këtyre lloj miqësive?

Po marr shembullin tim konkret. Në Festivalin e 23- të, unë isha këngëtar i parë i këngës “Çel si gonxhe dashuria”, ndërsa Nertila Koka dhe Gëzim Çela ishin dublantë. Kur kënga u shpall si fituese e çmimit të parë të këtij festivali, organizatorët thirrën për ta prezantuar këngën Nertilën dhe Gëzimin, kurse mua as më llogaritën, sepse unë nuk kisha miqtë që kishin ata dhe sepse unë vija nga Festivali i 11-të, i rehabilituar.

A nuk u ankuat ju apo bashkëpunëtorët e këngës, lidhur me këtë ndryshim?

Orkestracioni ishte i Selim Ishmakut, teksti i Arben Dukës. Vladimir Kotani, kompozitori i këngës, u bë shumë me nerva pse nuk dola ta këndoj unë.

Po ju, çfarë bëtë?

Asgjë, dola në dhomat e zhveshjes dhe aty në heshtje po dëgjoja këngën, teksa e këndonte Nertila me Gëzimin. Ishte njësoj si të të bjerë lotaria dhe pastaj të të thonë: që nuk po ta japim ty, edhe pse e ke fituar, por dikujt tjetër.

As me Nertila Kokën apo Gëzim Çelën nuk folët, se si ndodhi ashtu?

Unë kam folur me ta dhe kemi vijuar normalisht marrëdhëniet si kolegë, por asnjëherë nuk e kemi diskutuar më çmimin e parë të këngës që iu dha atyre, edhe pse unë isha këngëtar i parë.

Po pse nuk e keni diskutuar, pse nuk u thatë asgjë?

Sepse prisja që të më thoshin ata diçka. Asnjëherë, as Nertila Koka dhe as Gëzim Çela, nuk më kërkuan ndjesë dhe të paktën moralisht të justifikonin zhvendosjen e çmimit. E kam pritur në fakt një ndjesë të tillë gjithnjë, por nuk ndodhi. Tashmë, kam vendosur që këtë këngë “Çel si gonxhe dashuria” ta incizoj dhe t’i bëj një orkestracion të ri.

Po ndalem në një detaj të kësaj kënge. Ju ishit një zë, pra e këndonit vetëm, ndërsa Nertila Koka dhe Gëzim Çela ishin në duet. Pse kjo ndarje kështu?

Sepse në fakt, kënga ishte një dhe e plotë. Isha unë që i këndoja femrës, ndërsa ata e ndanë si dialog.

Nga Elisabeta Ilnica

Burimi: Panorama.com.al