Filmi “Ballë për ballë”, i regjisorëve Kujtim Çashku dhe Piro Milkani, i realizuar në vitin 1979, ka në qendër të tij ngjarjet e vitit ’60; konfliktin e madh midis detarëve shqiptarë dhe atyre rusë, në kohën e divorcit historik midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Filmi, i cili është një ekranizim i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, ka shumë sekuenca të xhiruara në bazën e nëndetëseve në Pashaliman të Vlorës.

Regjisorët e njohur, Çashku dhe Milkani, kishin parashikuar xhirimin e skenave nënujore për t’i përcjellë teleshikuesit tensionin e vërtetë që ekzistonte në ato vite në bazën detare, gjatë konfliktit ushtarak shqiptaro-rus. Realizimi i atyre skenave kërkonte domosdoshmërish xhirime nënujore, por kjo ishte hera e parë që Kinostudio “Shqipëria e Re” do të realizonte një sipërmarrje të tillë. Një vit më parë (1977), disa të rinj durrsakë kishin realizuar një shpikje që bëri mjaft bujë për kohën, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë. Në vitin 1978, vëllezërit Berberi, së bashku me disa shokë të tyre i dhanë jetë batiskafit “Rinia”, duke realizuar me këtë batiskaf skenat nën ujë të filmit “Ballë për ballë”.

Ndërtimi

Batiskafi u ndërtua në mënyrë të pavarur nga rreth 10 mekanikë durrsakë, vetëm në kohën e tyre të lirë në kantierin detar të Durrësit. Batiskafi u projektua që të mbante tre vetë brenda dhe nga momenti i zhytjes ai mund të qëndronte deri në katër orë nën ujë. Thellësia maksimale që ai mund të kapte, shkonte deri në 84 metra.

Arbeni kujton se, vëllai më i madh i tyre, Thomai, ishte në dijeni të batiskafit “Trieste”, me të cilin Zhak Pikard (Jacques Piccard) arriti të zbresë në thellësinë maksimale të oqeanit, në Filipine. Fillimisht batiskafi shqiptar, i cili do të pagëzohej me emrin “Rinia” u mbështet në fotot që vëllezërit Berberi arritën të sigurojnë nga batiskafi “Trieste”, i cili ishte ndërtuar nga Agust Pikard dhe djali i tij, Zhak Pikard.

Para fillimit të punës, Thomai u konsultua me inxhinierë të hidrometeorologjisë dhe mekanikë të specialiteteve të ndryshme, por nga këto takime ai pa vetëm skepticizëm dhe shumë pak shpresë tek inxhinierët e fushës, që gjendeshin në Shqipëri. “Shumica ishin ziliqarë dhe na shihnin me mosbesim. Shumë inxhinierë na shihnin dhe na thoshin se “po u bë kjo që thoni ju, ne do të grisim diplomat”. Puna për batiskafin do të fillonte në vitin 1974 në kantierin detar të Durrësit”.

Pas mbarimit të orarit zyrtar të punës, ku kishte secili nga vëllezërit Berberi punonte në sektorë të ndryshëm, mblidheshin tek kantieri, për të punuar për pasionin e tyre. Për ndërtimin e batiskafit janë dashur 4 vite punë, derisa ai ishte gati plotësisht, në vitin 1978.

Projekti i batiskafit

Që në fillim u mendua që batiskafi të kishte xhama specialë dhe ato u gjetën në fabrikën e qelqit në Kavajë. Vështirësi të mëdha qëndronin edhe tek të dy kupolat, të cilat do të mbyllnin nga lart e poshtë, cilindrin e madh metalik të batiskafit. Kjo duhej që për motive teknike, të bëhej pa saldime si pjesë unike. Ata zbuluan se në Tiranë, gjendej një impiant italo-francez, i cili mund t’i stamponte ashtu siç duhej.

Thomai siguroi dy kupolat ashtu siç duhej dhe kur u kthye në kantier me dy kupolat perfekte, asnjë nuk i besonte syve. Vështirësi të tjera pati kur duhej të zgjidhej stabiliteti i batiskafit. Mbi të gjitha në fundin e batiskafit u vendosën pesha prej 400 kilogramësh, që të kompensonin galixhimin e strukturës. Më pas, për lëvizjen vertikale u vendos një serbarator, në fundin e së cilit qëndronte e lidhur me një bombol ajri.

Kjo bënte që të kryente e rregullonte raportin ujë/ajër, në brendësi të tij. E njëjta mënyrë, u përdor për propulsimin në të njëjtin drejtim, nëse batiskafi do të ndodhej në vështirësi kur qëndronte në fundin e detit në bregdete ranore si ai i Durrësit. Në lidhje me lëvizjen horizontale, u përdorën dy motorë elektrik që funksionon me bateri, ndërsa instrumentet sinjalizues në bord ishin të pakta, vetëm veç një manometër që tregonte thellësinë në metra.

Kur çdo gjë ishte bërë gati, batiskafi, një vepër e përkryer e ndërtuar nga pesë të rinj durrsakë, pa qenë profesionistë apo inxhinierë të dëgjuar, kishin bërë realitet atë që nisën para katër vitesh. Zhytja e parë e kolaudimit u bë larg nga brigjet e Durrësit në një thellësi prej 150 metrash. Prova e parë rezultoi me sukses dhe tashmë pesë të rinjtë kishin filluar që të përmendeshin jo vetëm në vend, por edhe jashtë Shqipërisë.

Por para inaugurimit zyrtar të batiskafit, në kantierin detar, Arbeni pati dhe “telashe” që iu hapën personelit të kantierit detar. Megjithëse ne nuk punonim në kantier, atyre “iu hap punë”, sepse do të duhej të pastronin dhe rregullonin gjithë ato ambiente të pafundme sepse do të vinte për inaugurim udhëheqja e lartë dhe anëtarë të Byrosë Politike.

Fillimisht batiskafi u zhyt në 200 metër pa njerëz, ndërsa me tre vetë në bord është zhytur në 30-40 metër thellësi. Ai ishte i thjeshtë dhe përbëhej nga dy motorë me bateri dhe dy timonë drejtues së bashku me helikat dhe balastet (rezervuarët e ujit) për zhytjen dhe ngjitjen e tij në sipërfaqe.

Bujë dhe njëkohësisht çudi do të përbënte shpikja e batiskafit edhe në botën e huaj shkencore. Në kohën kur Zhak Pikard mësoi për batiskafin shqiptar, u shpreh i entuziazmuar nga kjo shpikje dhe njëkohësisht i habitur se si ia kishin dalë ta ndërtonin, duke pasur parasysh se ata nuk kishin as kushtet minimale për të ndërtuar një gjë të tillë.

Lajmi për ndërtimin e batiskafit shqiptar u botua në revistën “Mondo Sommerso”, “International Ocean Magazine” ku në kopertinë shkruhej: “Il batiscafo albanese”. Për ndërtimin e batiskafit punuan Thoma, Arben, Nikolla, Orest Berberi si dhe shokët e tyre Gim Mema, Nikolla Leka etj.

Fuqizimi i kantierit

Me kthimin e një grupi inxhinieresh të rinj që kishin studiuar në Rusi, Bullgari e Poloni, për ndërtime mjetesh detare, ndërtimi i mjeteve të reja dhe futja e teknologjive të përparuara shton shumëllojshmërinë e shërbimeve dhe të ndërtimeve të mjeteve lundruese.

Në vitin 1960, hapen kurse për ngritjen e aftësive profesionale me programe të mira teorike dhe praktike për motoristë, elektricistë, mekanikë skafi, saldatore, oksigjenistë, vinçierë. Më pas një pjesë e mirë e këtyre kursantëve shërbyen në Flotën Tregtare.

Në vitin 1968, prodhohet anija metalike “Punëtori” dhe më pas lëshohet në det, rimorkiatori i parë i prodhimit shqiptar “Debatik” me fuqi 1000 kuaj fuqi dhe gjatësi 32 metra. Në vitin 1970, filloi riparimi i anijes 5000 tonëshe “Durrësi”, riparim, i cili tregoi aftësitë e rritura të Kantierit Detar, i cili po fillonte tashmë në nivelin e riparimit të anijeve oqeanike.

Në vitin 1974, Kantieri u transferua në sheshin ku ndodhet sot KURUM. Kjo u bë pas një përvoje 30-vjeçare të tij dhe për këtë u ndërtuan shkallë me përmasa të mëdha në të cilat u lëshuan në det anijet “Saranda” 1000 DWT dhe “Gjirokastra” 2700 DWT.

Për këto prodhime kanë dhënë një ndihmesë të veçantë Inxhinierët Gani Ismailati, Hysni Peku, Hysni Qehajai, si dhe mjeshtërit Xhevdet Karapici, e Abdulla Curri. Me pas zhvillimet në Kantierin Detar vazhduan me krijimin e repartit të riparimit të vaporëve e mjeteve të mëdha detare që arriti të kryejë riparime kapitale të rimorkiatorëve, shalandave, Bigen “Adem Reka”, të dragave “Rodon” e “Adriatik” të anijeve 500 tonëshe, të avulloreve “Durrësi” , “Partizani”, “Liria” etj.

Punime Kapitale u kryen edhe në anijet oqeanike “Tirana”, “Vlora”, “Shkodra” dhe “Arbëria”. Me shumë vlerë ishte ngritja e repartit të prodhimeve të reja, sepse aty u realizua ndërtimi i shumë mjeteve detare deri në seri si anije pilotazhi, anije peshkimi KP 300, peshkatore 2KP- 408, anije 500 tonëshe si “Ali Kelmendi”, “Vjosa”, “Ylli i Kuq”, “Dajti”, “Bajram Curri”, “Beqir Nova”, “Adriatiku”, “Tomori”, tragete të ndryshme për zonat e liqeneve në veri, si dhe u projektuan e u prodhuan portat e H/C- ve të Veriut.

Batiskafi i parë Shqiptar “Rinia”, u ndërtua dhe ideua nga Thoma Berberi në vitin 1977, pionier i marinës nënujore shqiptare. Më vonë batiskafi tij u përdor nga TVSH, për të bërë filmat nën ujë. /konica.al/