Beb Daliu
Beb Daliu

Kushdo që sheh fotografitë e tij të rinisë, sot e pamundur ta besojë se ai ishte një djalë shqiptar i viteve ’60-’70. E ke më të lehtë të besosh se është një aktor filmi. Me profesion mësues i edukimit fizik, Beb Daliu ka qenë një ndër djemtë simpatikë të Tiranës, nga ata që i dhanë famë asaj rruge. Një tip i veçantë, me trup të bukur, elegant, dallohej për veshje të kohës, një “playboy” i vërtetë. Admirues i Alen Delon, i apasionuar pas motorëve, Beb Daliu do të bëhej edhe një arsye pse të rinjtë nisën ta frekuentonin atë rrugë. Sot, shumë vite më vonë, Bebi kthehet pas në kohë duke na treguar “sekretet” e “Broaduejt” shqiptar.

Si u lidhët me atë rrugë?

Krejt rastësisht janë fillimet e viteve ’60, kur dikush solli një foto të “Broduejt” në Nju Jork. Ne sapo kishim filluar ta frekuentonim Rrugën e Dibrës, pasi ishte një rrugë qendrore me lëvizje, dyqane e drita, që i jepnin gjallëri, zakonisht në mbrëmje deri te kryqëzimi me Rrugën e Barrikadave. Nuk kishte teatro të famshme, por prania e Teatrit të Operës dhe Ansamblit të Këngëve e Valleve, sikur na afronte pak me historinë e rrugës amerikane.

Kush ishin frekuentuesit e saj?

Loading...

Kemi qenë disa shokë V. Rusi, H. Shehu, G. Galanxhi, A. Golemi, M. Oseku, B. Dedja, F. Rroku, vëllezërit Xhilaga, L. Radovicka, M. Konomi, L. Bungo, B. Tabaku etj., që filluam të takoheshim çdo mbrëmje aty. Një ndër ta ishte dhe Dylber Vrioni, intelektual i njohur. Kujtoj gjithashtu Dash Shehin, Spartak Ngjelën, Baminir Topin, që ndonëse më i ri qëndronte me ne. Të gjithë studentë në fakultete, apo të diplomuar.

Çfarë bisedohej, si i përcillte ngjarjet “Broduej”?

Dalja, qëndrimi, bisedat në “Broduej”, ishin të lidhura me dëshirën, preferencat për hapje, lidhje me Perëndimin në modë, muzikë, sport, gjithçka. Në “Broduej” është përjetuar çdo ngjarje, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj. Informacioni që merrej nga “Zëri i Amerikës”, radiot e huaja apo ato pak televizorë që ishin para viteve ’70, përhapej shumë shpejt në mbrëmje, duke u komentuar në detaje. Kujtohet vrasja e Kenedit në nëntor të ‘63-shit, takimi famshëm Kizinger- Mao Ce Dun në tetor të ‘71 dhe udhëtimi i Niksonit në Kinë. Por, edhe nisjen e anijes kozmike “Apolo 11” e kemi ndjekur në “Rai”, momentin kur Armostrong shkeli i pari në hënë. Ka qenë korrik i ‘69-s, apo jo? Pastaj ngjarjet e politikës shqiptare, siç ishin situatat e tensionuara pas ngjarjeve në Pragë në ‘68, vitet ‘70 kur u mendua dhe u shpresua për hapje, dhe më pas zhgënjimi, izolimi e mbyllja pa kthim.

Po ngjarjet artistike?Më kujtohet kur vdiq Otis Reding dhe Luis Armstrong. Madje, për këtë të fundit u mbajt edhe një lloj heshtjeje në “Broduej” dhe për këtë ngjarje më vjen në mëndje Tuc Zyma, djali i doktorit, shumë pasionant, i jashtëzakonshëm. Po kështu edhe ndarja e “Beatles”, apo kur Çelentano fitoi “Sanremo”-n me “Chi non lavora, non fa l’amore” në ‘71, që u diskutua jo vetëm në “Broduej”, por edhe në qarqet politiko-artistike shqiptare, pas një artikulli te “Zëri i Popullit”. Natyrisht që në “Broduej” komentohej çdo rrymë muzikore e kohës, këngëtarët. Nga Modunjo, Don Baki, Sharl Aznavur, “The Rolling Stones”, tek ata amerikanë, Elvis Presley, Tom Xhons etj. Nuk kanë munguar edhe preferencat për aktorët e mëdhenj të kohës, S.Mekuin, S.Loren, K.Kardinale, S.Rives, M.Brando, M. Mastrojani, Zhan Pol Belmondo, Zhan Mare. Pas shfaqjes së filmit “Tango e fundit në Paris” i regjisorit Bertoluçi, me Brando e Maria Shnajder, komentet në “Broduej” kanë qenë pa fund. E kemi parë vonë në një kanal televiziv të Jugosllavit. Por, Alen Delon ka qenë i preferuari i gjithë djemve e vajzave të “Broduejt”. Filmat e tij i prisnim dhe i ndiqnim me pasion, siç ishte “Rroku e vëllezërit e tij” etj., madje na pëlqente edhe ta imitonim.

A kishte vajzat që dilnin në “Broduej”?Ato të familjeve elitare, kryesisht gjimnaziste dhe studente, filluan të frekuentonin daljen në “Broduej” dhe në mbrëmje do të kalonin aty, por pa qëndruar. Të tilla ishin I. Zyma, I.Herri, L. Preza, L. Këllezi, H. Këllezi.. Ishin vajza moderne, të bukura dhe inteligjente. Me kalimin e viteve frekuentimi u rrit, në dimër, kohë e keqe, shi ftohtë apo mbrëmje vere, kalimi një herë në “Broduej” u kthye në një ritual preferencial. Njiheshim të gjithë. Por, atë shitësen e bukur me sy bojë qielli te dyqani i luleve do ta konsideroja një ndër “brodueistet” e para vajza.

A frekuentohej nga artistë e sportistë?

Duke qenë në qendër, rruga ofronte kontakte me artistë e sportistë, dhe evenimentet kryesore të atyre viteve përcilleshin shpejt në “Broduej”. Sigurisht solistët e Teatrit të Operës, valltaret e Ansamblit i gjeje aty pas shfaqjeve. Edhe festivalet, këngëtarët, kompozitorët e tyre, A. Krajka, Sh. Merdani ishin pjesë e rrugës. Por koreografi, mjeshtri i njohur Panajot Kanaçi, ka qenë një ndër personazhet e veçantë të tij. Folës i pesë gjuhëve, kishte kulturë të madhe dhe ishte admirues i “Broduejt”. Pastaj të tjerë, B. Kapexhiu, S. Kumbaro, L. Konomi, si dhe sportistë të njohur Skënder Hyka, futbollist i “17 Nëntorit”, G. Lëvonja, P. Koleka, A. Fullani. Kontakti i tyre me botën, pastaj ardhja në “Broduej” i jepnin tjetër atmosferë dhe një shpresë perëndimore rrugës. Kujtoj Xhorxh Best, që e mbajtën në Rinas, për t’i qethur flokët, ardhjen e Gjermanisë me Bekenbauer, Overat, Myler, Oransodën me dy amerikanë dhe holandezët e Ajaksit me një stil veshjeje, paraqitjeje, ashtu si i preferonim me. Në “Broduej” ndiqej seria A, Inter, Mazola, Boninsenja apo Milan i Riverës, me të cilin jam tifoz, kampionati anglez. Por, ato që nuk harroj janë sfidat e boksit Benvenuti-Monzon dhe KleiForeman. Sidomos kjo e fundit.. Ka qenë 30 tetori i vitit 1974, ditë e martë, ora 04:00 e mëngjesit e kemi parë në televizionin italian. Të nesërmen në mbrëmje, të gjithë në “Broduej” për ta komentuar. Ishim tifozë të Kleit, fitoi në raundin e tetë…

Kadare banonte aty pranë, dilte shpesh aty pari?Letërsia e kohës, librat dhe autorët e preferuar, por edhe ato të ndaluar qarkullonin fshehurazi, madje janë vitet kur u mendua për hapje dhe shpresa ishte e madhe, çka e ndjenim gjatë frekuentimit në mbrëmjet e shumëpritura në “Broduej”. Një sinjal të madh na i dha botimi i librit “Dimri i vetmisë së madhe” në vitin 1972, ku Kadare flet për “Broduejn” shqiptar, duke dhënë shenjën e fillimit të një liberalizmi dhe lirie në mendim, ndonëse më pas iu dha për ribotim për ndryshime, por Kadareja pjesën e “Broduejt” nuk e preku. Duke pasur shtëpinë aty, ai bashkë me Elenën kalonte thuajse çdo mbrëmje. Por edhe filmi “Duel i heshtur” ishte një mesazh shprese për të gjithë. Fakti që e shfaqën filmin si dhe loja aktoriale e Ndrek Lucës, Reshat Arbanës, apo Bujar Kapexhiut, në tentativë për të kaluar drejt Perëndimit, ngacmonte jashtë mase fantazinë dhe ëndrrën.

Mund të quhej një rrugë “romantike”?

“Broduejn” e kanë frekuentuar një elitë e zgjedhur e Tiranës, një grup me të rinj, djem e vajza, që për kohën reflektonin një mentalitet të përparuar. “Broduej” ka qenë shumë sentimental e romantik, kur në shi, me një çadër, poshtë pemës, apo në mbrëmjen e plot shkëlqim me drita, prisje dikë apo do ta gjeje aty ku do të kryqëzoheshin shikimet, pas së cilave shpërthenin dashuritë ndër më të bujshme e Tiranës. Por edhe këngëtarët J. Aliaj, F. Radi, V. Zela, B. Alibali, D. Nini me këngët e tyre “Sot jam 20 vjeç”, “Lemza”, si dhe kënga “Rruga e Dibrës”, që Sherif Merdani këndoi në festival, sillnin entuziazëm. Pastaj, pasioni për motorët ka qenë i madh për ne, si një mjet që të jepte lirinë. Nxitës u bë filmi “Arratisja e madhe”, me aktorin Stiv Mekuin. Jo vetëm për mua, por edhe disa miq, si Tim Xhilaga, vëllezërit, djemtë e doktorit të njohur, Nand e Tuc Zyma.

Po aty ishte edhe qendra e modës…

Veshja, të rejat e fundit demonstroheshin me kënaqësi dhe rruga e ngushtë deri te Bonboneria shërbente si paradë mode. Dikujt i vinin nga jashtë, dikush i blinte te dyqani i valutës, apo ai me komision, si dhe sportistët e artistë që kishin mundësi të dilnin jashtë e të sillnin veshje që preferoheshin për kohën. Në “Broduej” janë parë për herë të parë pantallonat “blue jeans”, apo ato kauboj, një model që erdhi nga filmat “Western”, me aktorin e Klint Istvud. Madje, Tim Xhilaga bëri një palë të tilla me dok ngjyrë gri, krejt ekstravagante: 24 cm të ngushta te gjuri dhe më shumë se 30 cm te këmbët. Edhe lënia e flokëve të gjatë, basetat e trasha, ishin shumë të preferuara. Imitonim aktorët e famshëm, sidomos hollivudianë.

A vinin fëmijët e Bllokut në “Broduej”?

Ata ishin një shpresë e madhe për ne. E kanë frekuentuar rregullisht, ndonëse evitonin qëndrimet, por do të kalonin aty thuajse çdo mbrëmje. Të qenit fëmijë i Bllokut apo Byrosë dhe njëkohësisht “Broduejst”, për ne ishte një sinjal i rëndësishëm. Do të kujtoj A. Myftiun, S. Ngjelën, apo disa vajza shumë moderne të këtyre familjeve që kalonin në “Broduej”. Kjo tregonte që edhe pse prindërit, familjarët i kishin zyrtarë, ato ishin kundër asaj ideologjie, duke e treguar me sjellje që na pëlqenin dhe na jepnin shpresë. Edhe Fatos Lubonja, një djalë simpatik, modern, për shkuar te “Flora” preferonte lëvizjen në “Broduej”. Ndërsa për politikanë të kohës, as që bëhej fjalë të dilnin në “Broduej”…

Pse dhe si u “godit” kjo rrugë?

Pas janarit të ’73- shit, bashkë me goditjen që mori Festivali i 11-të dhe tensionimit të situatave në art, u “godit” edhe “Broduej”. Jo se nuk e dinin që “Broduej” ishte një rrugë e disidencës, ku qëndronin të rinj me preferenca perëndimore, por si të tjerat, erdhi momenti për ta goditur edhe atë. Qëndrimi u vështirësua, pasi u shfaqën grupet e rinisë, që ndaloni çdo të ri që kishte tendenca për modën, shpërthyen fletërrufetë në qendra pune, shkolla dhe “Broduej” filloi të mos frekuentohej në mënyrë sistematike.

Jetuat në “Broduejn” e Tiranës, po atë të vërtetin a e keni parë?Kam qenë disa herë në Nju Jork për të ndjekur djalin Bruno, student e basketbollist kur luante atje. Herën e parë që kam zbritur u kam kërkuar miqve: Më shoqëroni, dua të shoh “Broduejn”. Kam ngelur i mahnitur. Kjo më ka shtyrë që edhe një aktivitet timin t’i vendos emrin “Broduej”. Ndërsa, në rrugën e famshme nuk kaloj më. Më mbyt trishtimi, pasi e shoh të transformuar, shkatërruar e të braktisur, atë së cilës ne i dhamë gjithçka nga rinia jonë. Ruaj kujtimet, miqtë dhe vetëm nostalgjia më ka mbetur./panorama