Kjo ishte fjalia e fundit e një rrëfimi të gjatë nga aktori i njohur shqiptar Herion Mustafaraj. Në fakt shumë pak njerëz e dinë emrin e tij të vërtetë. Të gjithë e identifikojnë si Beni, sepse në memorien e të gjithëve filmi “Beni ecën vetë” zgjon një nostalgji të ëmbël. Si jeta e shumë aktorëve të tjerë të mëdhenj, edhe ajo e Herionit ka pasur shkëlqimin dhe më vonë me krijimin e familjes dhe kërkimit të ëndrrës në tokën amerikane, duket se ylli i tij u shua.

Jo tërësisht, sepse gjurmët ndrisin akoma, po siç thotë ai vetë “aty ku jeta të thërret të mbijetosh fillon arti. Pastaj kur futesh në krevat me të…mbaron!” E duket se Herioni ka kohë që po fle në të njëjtin shtrat me artin e tij, ndërsa zgjimi do të jetë një film për jetën e tij në mërgim, për të cilin fsheh modestinë me një humor fin: “Po përgatis një film personal të jetës sime gjatë mërgimit.

Them që do çudisë botën”. Filmi për jetën e tij është në planet e tij si aktor, sepse siç thotë ai në përditshmërinë e jetës që bën hapësira e aktorit nuk është askund. Ka shumë për të treguar Herioni, e në përgjigjet e tij gjen herë trishtimin e braktisjes së një ëndrre, e herë forcën, alegrinë, humorin dhe talentin e një njeriu, që më mirë se çdo gjë tjetër di të përdorë fjalën. Rrëfimi i tij nis me jetën në Amerikë, ku tregon se të kapësh ritmin në një tokë të huaj nuk është aspak e lehtë.

Madje as për të parë së bashku me familjen filmat e vjetër shqiptarë, nuk ka kohë. Ritmi amerikan është i çmendur, vështirë ta kthesh në favorin tënd. Puna që bën nuk i pëlqen aspak. “As nuk ia vlen ta përmend, por vetëm dua të them që jam shumë i lumtur po të më përjashtojnë”. Me pak humor pikant, me pak nostalgji dhe me shumë ëndrra, Beni rikthehet edhe një herë nëpërmjet kësaj interviste për gjithë fansat dhe nostalgjikët e një kohe që nuk ripërsëritet; në kohën më të artë të kinematografisë shqiptare.

Burimi: Aktorët Shqiptarë