Si të ishin bërë në një mëndje, më sugjeruan portretin e Benon Progrit, një heroi të qytetit tonë. Njeriut që me një sopatkë, trembi dhe largoi këdo duke i shpëtuar Korçës bukurinë e ‘Parkut Rinia’.

Imagjinova një burrë të shkurtër por muskuloz, teksa e shihja të ushtrohej gjatë në paralele. Benoni tregon se filloi punë në Ndërmarjen e gjelbërimit në vitin 1979, deri sa doli në pension në vitin 2016.

Për 27 vite ka shërbyer me një përkushtim të rallë në Parkun Rinia. “Që ditën e parë, mora sopatkën dhe pastroja plepat. Më vinte ndoresh”, kujton fillimet e punës Benoni.

Ai u bë pengesë për këdo që dëmtonte sadopak parkun. Nuk lejonte as futbollistët të stërviteshin në bar. Kujton se “kërcënonte” për këtë trainerët, të njohurit Kosta Koça dhe Zeni Çela. Të vetmin njeri që ka dhunuar bashkë me dy shokë të tij, ka qënë një ushtar vlonjat që po priste një gështenjë në Belvedere. Atë e kanë kërcënuar. Një banor nga Barçi e kanosi me jetë ngaqë bëhej shkak ti dënonin keqbërësit që në kohën e sistemit monist.

“Zarari më i madh i kurorës së gjelbër prej 45 hektarë, u bë në vitet 1991-1992”, thotë Benoni. Rinte gjithë ditën te parku, duke mbajtur edhe tre punëtorë me vete. Kishte mbështetjen e madhe të drejtorit Stefi Çani. “Në vitin e trazirave 1997, mbaja një armë tek tuneli i parkut. Sa dëgjoja së largu një sopatë, shkrehja një batare plumbash në ajër. Trembeshin. Atë që e kapja duke prerë një pemë i thosha se herën tjetër do të vras”, rrëfen Benoni.

Thekson se parku u dëmtua vetëm në zonën pranë stadiumit, kur u ndërtuan kioskat. “Nuk ju kam hyrë në hak njerëzve, ama në punën time nuk falja”, thotë 67-vjecari. I vlerësuar nga korçarët në heshtje si një ‘Qytetar Nderi’ për sakrificat dhe pasurinë që i mbrojti Korçës, i shpërfillur, i gënjyer me ndonjë shpërblim që nuk e mori kurrë nga bashkia. Madje i dëmtuar për disa vite kur i hoqën padrejtësisht 25 përqindëshin e vjetërsisë. Korça e kujton me respekt. Mijëra banorë të saj, teksa shikojnë dhe shijojnë bukurinë e Parkut Rinia. (Burimi: Korça Lajm)