Aktori i njohur Birçe Hasko cilësuar si mjeshtër i karaktereve në rolet e tij është një nga emrat më të vlerësuar në art. Dekada me aktivitetin e tij artistik ka dhuruar me dhjetëra role te publiku. Këto ditë aktori tregon se kalojnë natyrshëm, takime me miqtë e tij dhe kolegët, e padyshim nuk mungojnë dhe diskutimet për artin. Në intervistën për “SOT” aktori i njohur tregon se në art nuk ka mendjemadhësi, dhe banaliteti në disa vepra nuk duhet servirur si krijimtari.

Me probleme aktori i njohur shikon dhe punën që bëhet sot në realizimin e disa shfaqjeve, ku sipas tij duhet ti kushtohet më shumë vëmendje krijimtarisë. Pjesë e intervistës me aktorin janë dhe buxhetet e pakta në art dhe kulturë. Sipas aktorit, Ministria e Kulturës duhet të luftojë më shumë që mos të jetë e fundit në buxhetet që ndan qeveria. Aktori i shquar që mban titullin “Mjeshtër i Madh” i takon brezit të dytë të aktorëve shqiptarë, nga ata që erdhën nga Instituti i Lartë i Arteve, që e renditën emrin e tyre në artin shqiptar, duke dhuruar plot vlera në teatër dhe film.

-Si po kalojnë ditët?

Ditët kalojnë me takime me miq dhe kolegë të mi, kalojnë sipas shëndeti tim dhe sipas mundësive edhe ekonomike, të dyja bashkë mpleksen. Shumë gjëra ndërvaren nga njëra- tjetra, rëndësi ka që të jetë e mirë gjendja shpirtërore. Shkatërrimi i gjendjes shpirtërore shkatërron shumë gjëra, sepse dëmton edhe së brendshmi. Më pas shkatërrimi i gjendjes shpirtërore del dhe në sipërfaqe dhe thuhet fraza e përhershme, që dihet nga të gjithë: ç’ka në vitrinë gjendet në magazinë.

-U shprehët se takoheni dhe me miqtë, kineastët, por për artin, filmin si janë diskutimet?

Ne flasim, por duhet të jemi të qartë dhe me logjikë të hekurt. Në një shtet të varfër është e vështirë të gjendet një përpjestim i drejtë. Në një shtet të varfër kërkon përshembull para ushtria, kultura dhe arti, arsimi, shëndetësia, ekonomia, etj. Natyrisht sipas meje rubineti i fundit, që hapet është arti.

Kjo sepse nuk të lënë të tjerat, të gëlltisin, për të mos thënë të asgjësojnë. Por duke pasur njerëz të mençur që ia dinë vlerën artit, sepse thamë që është dhe ushqim shpirtëror dhe në Anglinë e hershme ka pasur një thënie: 3 x 8 = 24, që përkthehet tetë orë punë, tetë orë gjumë dhe tetë orë qejf. Por ky raport tek ne është i shpërbërë nuk ekziston. Tani këtu tek ne duhen njerëz të mençur për të realizuar këtë që thamë, 3 x 8 = 24.

-Po institucionet sipas jush sa përgjegjësi kanë për zhvillimin e artit dhe kulturës në vend?

Institucionet kanë përgjegjësinë e tyre kjo dihet, por do të vijmë sërish te kërkesa ekonomike, sepse të tëra duan. Problemi qëndron sa takat ka shteti ynë. Ne duam kapitalizëm, por me konceptet e socializmit, ta zgjidhë shteti. Por socializmi iku, vdiq, e lamë, atëherë do gjykojmë nga pozicioni i këtij sistemi, sa ka shteti përgjegjësi dhe sa ka privati? Unë dua të flas sa mundet shteti shpirtërisht dhe moralisht të ndihmojë artin ashtu si dhe në shumë fusha të tjera.

-Çfarë po ndodh me kinemanë sot?

Kinemaja ka shumë probleme me filmat që realizohen. Dihej që para ndryshimit të sistemit ishte shteti ai që bënte filmin, dietat e aktorëve, etj, përgjigjej shteti për çdo gjë, dhe sot të tërë ankohen sepse janë të pakta mundësitë. Por jemi në një kohë tjetër dhe shteti të jep një sasi të caktuar, më pas duhet të gjesh bashkëpunime me të huajt. Por me ndryshimin e sistemit është futur interesi i ngushtë në kinema.

Ka raste që regjisorët marrin dhe njerëzit e tyre në filma, por para ‘90 kjo nuk ishte, jepen dhe projekte sipas miqësive. Por nëse bëhet kjo zgjedhje ndikon në nivelin artistik dhe ndjekjen e filmit. Në këtë shtetin tonë çdo gjë ka vështirësi, është e vështirë të gjesh të drejtën. Por ama jam dhe kundër atyre regjisorëve që thonë: nuk na dhanë para nga shteti se ne do bënim gjëmën.

Në art nuk ka mendjemadhësi. Pse? Sepse kur e merr përsipër një punë, ku e di ti si do ta vlerësojë publiku dhe kritika? Ndaj nuk duhet të mendosh që ti je dikush i madh, por në art duhet modesti madje çdo krijues duhet të rrijë me drithërima për rezultatin e punës. Mua më vjen keq kur shikoj dhe djem të rinj që kanë bërë një gjë të vogël dhe shprehen: se unë si person publik…. Por këto janë naivitete. Nuk është kollaj ta bësh për vete publikun. Ai vjen të shikojë dhe do të kënaqet, nuk do t’ia dijë kush je. Do veprën dhe rezultatin e veprës.

-Edhe institucionet në rrethe nuk janë si dikur, teatrot kanë jo pak probleme?

Edhe bashkitë japin aq sa kanë sipas takatit të tyre ekonomik. Bashkia duhet të jetë e mençur, që të bëjë përpjestime të drejta me të gjitha të tjerat si bujqësia, arsimi, etj. Por mençuria e kryetarit të bashkisë dhe këshilltarëve qëndron aty që duhet të ndërtojnë një raport të drejtë, ku dhe këtu ka probleme. Nuk është i drejtë raporti i vlerësimit për artin. Por sot kemi dhe problemin me publikun, që është larguar.

-Pse është larguar publiku sipas jush?

Problemi sipas meje qëndron në faktin që të vijë publiku duhet të kemi nivel të lartë të prodhimit në art me vepra të ndryshme. Veprën e mirë në teatër dhe kinema publiku e ndjek vetë, sepse ata që vijnë që natën e parë e përhapin se si është vepra për mirë ose për keq.

Dikur je shprehur dhe nuk ka më as disiplinë artistike di sikur? Si ndikon kjo në art?

Nuk ka më sot disiplinë artistike si dikur. Dhe disiplina në art ia kalon asaj ushtarake. Ndryshimi qëndron sepse disiplina ushtarake është e urdhëruar, ajo artistike e ndërgjegjshme. Duhet ta bësh vetë. E para sepse arti është kolektiv, në rast se ti mungon dhe nuk i përgjigjsh kërkesave ti si artist shkatërron shfaqjen, jo veten. I bën dëm një kolektivi të tërë në art.

Arti është i të gjithëve, kërkon sinqeritetin e të gjithëve. Sot nuk ka më sinqeritet si dukur në art, sepse më shumë mendojnë lekun, sa do marr. Por dekoratat dhe lekët janë rezultat i punës, jo qëllimi i saj. Kush ngatërron këto që them unë gabon rëndë. Ka dhe një gjë problem që ka hyrë banaliteti në art, në shfaqjet teatrore e gjejmë. Banaliteti i takon rrugës nuk ka punë më skenën. Kjo sepse ti ia servir një publiku, ku e dini ju që publiku dashka këtë banalitet.

Te vepra “Cuca e maleve” është plaku dhe ka një thënie aty: Gjithkush teshat e veta i nden në oborr të vet pa ia pa kush. Atëherë dhe ti nuk ke të drejtë të ma servirësh mua banalitetin si publik, sepse s’ta kam borxh. Dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve që merren me veprën në art. Ndaj dhe publiku ka raste që është i larguar, sepse banaliteti nuk duhet servirur në vepër arti.

-Filmat sot diskutohen dhe për nivelin e tyre artistik, probleme të ndryshme. Çfarë mungon sipas jush?

Ne sot kemi vepra të mira në art dhe në kinema, është gabim të thuash që nuk kemi. Problemi është, që janë pak realizime të tilla. Sot vrapohet pas të tashmes, duke mos menduar të ardhmen, pra vlerësimin se ku do të arrijë ky film. Madje ka raste që nisen dhe me mendimin se pale çfarë do të bëjnë. E theksoj në art nuk ka mendjemadhësi, gabon gjithkush që mendon që unë do të bëj gjëmën. Nuk po përmend emra, por dhe në kohën e partisë shtet kam dëgjuar regjisorë që thoshin me këtë film do bëj këtë e atë, dhe kur dilte filmi, asgjë.

Unë dhe si pedagog që kam qenë dhe kam inskenuar 30 vepra të plota me studentët, dridhesha kur inskenoja, nuk ka mburrje në art. I kam thënë gjithmonë studentëve, në art duhet të hysh ushtar dhe në fund po more ndonjë fije makaronë të dalësh ushtar je i nderuar, kush hyn gjeneral nuk del as ushtar në fund. Problemi ne art është se tek ne ka mendjemadhësi dhe boshllëk aftësish dhe intelekti. Arti i madh ndikon në tre drejtime, në intelekt, ndjenja dhe ndërgjegje.

Në rast se nuk kryen këto nuk është art. Më vjen shumë keq që tek ne janë bërë shumë shkatërrime dhe jo vetëm në art. Filmat tanë dikur ishin dhe edukativë, paraqesin jetën ashtu si ka qenë, natyrisht që kishte dhe politizim, por ishte jo i deklaruar por me finesë. Edhe sot le ta bëjnë, por me finesë. Arti është politik, por politikë e servirur me finesë. Arti në çdo kohë është politikë. Nuk duhet mohuar, por është politikë e paraqitur me finesë.

-Pohuat se ju vjen keq që janë bërë shkatërrime dhe jo vetëm art…

Te nuk janë shkatërruar vetëm kinematë, tek ne nuk mbeti gjë pa shkatërruar. U shkatërrua azotiku i Fierit, i telave të Bakrit në Shkodër, etj, sepse të gjithë mendonin se i ndërtoi Enver Hoxha. Por ato i bëmë ne jo Enver Hoxha. Injoranca më e madhe e vendit tonë, sepse shkatërruam çdo gjë. Veprat i bënë njerëzit e thjeshtë dhe ne paguajmë atë haraç edhe sot. Asnjë vend në botë nuk shkatërroi, por ne po. Historia është histori dhe duhet ruajtur.

-Por dhe godina e Kinostudios sot shërben për Ministrinë e Kulturës?

E mori ministria sepse nuk kishte më asgjë, nuk kishte më filma. Nuk kishte rekuizitën, ishin makinat e çdo kohe, gardëroba pa fund. Ne çdo gjë e shkatërruam vetë. Kjo është e dhimbshme. Nuk ke të drejtë të shkatërrosh. Njeriu është produkt i kohës së vet kush e harron këtë është injorant. Në vijim të shkatërrimeve u shkatërruan dhe kinematë. Nuk ngeli kishë pa u vjedhur, ne arritëm të vjedhim dhe zotin, atëherë çfarë ngeli më?

-Në gjithë këto probleme në art, po Ministria e Kulturës është ajo që merret me politikat në jetën kulturore, si e keni parë rolin e saj?

Nga Ministria e Kulturës duhet të punojnë që të mos jetë rubineti i fundit kur ndahen buxhetet e qeverisë, por të zërë një vend të nderuar në raport me të gjitha të tjerat. Edhe vetë ministria të bëjë një ndarje të drejtë, teatri kërkon, por dhe artet figurative duan, krijimtaria muzikore po ashtu etj.

-Një skenar i mirë filmi për ju?

Do të bëjmë një krahasim me pushtetin, skenari është legjislativi, regjisori dhe aktorët janë ekzekutivi, kritika dhe publiku janë gjyqësori.

-Roli i parë i juaji ka qenë në vitin 1971 deri në 2015 me role në kinema. Ka role që keni refuzur dhe pse?

Unë kam refuzuar role, por dhe më kanë refuzuar. Kjo ose kanë gabuar ata ose kam gabuar dhe unë. Kjo është jeta, duhet marrë siç vjen, pa hatërmbetje. Artistët duhet të jenë shpirtmëdhenj. Njeriu i lig dëmton vetën dhe të tjerët. Njeriu i mirë dhe ai fisnik shëron veten dhe të tjerët. Kush nuk e gjykon kështu gabon rëndë.

Intervistoi: Julia Vrapi