Nga Rezarta Delisula

Ai është një figurë multidimensionale. Regjisor, skenarist, karikaturist, konferencier… e që sot për “Gazeta Shqiptare” rrëfen me sinqeritet jetën e tij, por veçanërisht mbledhjen e Estradës së Tiranës në vitin 1973, ku për të u bë një raport i veçantë nga Enver Halili, i dërguari i Komitetit Qendror, raport që i kushtoi vendin e punës. Shumë vetë i dolën kundra. E quajtën të paaftë. Por sot pas shumë vitesh, ai i ka falur të gjithë nën justifikimin, mbase i detyronte ai sistem të ishin ashtu…

Çfarë ndodhi në mbledhjen e famshme të 1973-shit?
Që pas Festivalit të 11 filluan në të gjitha institucionet artistike kryesisht, këto mbledhje të kolektivit, ku diskutoheshin tendencat e huaja mikroborgjeze, shtrembërimet e artit socialist, influencat e huaja. Në Estradë në atë kohë si i dërguar i Komitetit të Partisë erdhi Enver Halili. Me Enver Halilin unë kisha një njohje, pasi pas mbarimit të Akademisë së Arteve ne bënim një zbor 6-mujor dhe për fat të mirë, mua më qëlloi që ta bëja në Shkodër. Gjatë qëndrimit tim aty, unë bëja karikatura dhe i botoja në gazetën e Shkodrës, e për probleme artistike kam pasur disa takime edhe me Enver Halilin.

Nga njohja paraprake me të, Enver Halilin e shihja si njeri liberal, jo i ngurtë, punonjës partie me atë injorancën… Ai ishte ndryshe, një burrë simpatik, i qetë, shkodran i mirë… Ardhja e tij në mbledhjen e organizuar në Estradën e Tiranës më 1973-shin për mua ishte një lloj shpëtimi. Gjatë kohës që bëhej mbledhja dhe ata më kritikonin me zell jo vetëm për tendencat perëndimore, qëndrimet e mia në raport po me artin, ia hidhja sytë herë pas here Enverit, i cili më përcillte butësi, jo ashpërsi. Dukej sikur më thoshte: “Bujar, rri i qetë! Nuk kam çfarë bëj, më kanë dërguar për këtë gjë”. Dhe në raportin që ka bërë duket se ka qenë shumë tolerant, i rezervuar, karshi atyre gjërave që u thanë kundra meje.

Po kush ju kritikonte, çfarë thoshin?
Ishin të paaftët ata që kritikonin, të paaftët që çoheshin në mbështetje të partisë. Në raportin e publikuar në “Gazeta Shqiptare” ditën e djeshme (7 korrik 2017) janë disa emra të aktorëve që flisnin në mbledhje kundra meje, ata më të paaftët e ata meqë nuk ishin organizuar nga mua në role as të vogla, sepse unë isha regjisori i Estradës. Sajon gjëra nga më të ndryshmet, stisnin situata. E them me plot gojë që në ato vite ishte luftë mes të paaftit ndaj të aftit. Megjithatë, në atë mbledhje kuptova se Enver Halili ka qenë i detyruar ta bënte atë gjë.

Ju thoni që ka qenë i detyruar, pse?
E them këtë duke u bazuar në një tjetër histori të vitit 1986, ku mua m’u dha titulli “Artist i Merituar” dhe telegrami i parë i urimit që mora ka qenë nga Enver Halili.
Si qëndronte problem i influencave të huaja?
Padyshim, unë vajta në Estradë si regjisor i ri. Sa mbarova Akademinë e Arteve dhe u caktua, partia e mendoi se unë mund t’i jepja një impuls të ri humorit në Estradë. Si çdo i ri që shkon në një institucion me frymë të re dhe unë nisa të vendosja shfaqe në skenë me forma të reja, që nuk ishin përdorur ndonjëherë jo vetëm në organizimin e materialeve të cilat nuk kishin shumë partishmëri brenda, por përqendroheshin te humori, forma, mizanskena, interpretimi organizimi figurative… Unë fillova t’i bëj dhe skenat vetë dhe kishte disa forma të surealizmit, kubizmit, shumë moderne, me karikatura dhe u duk lëvizja në drejtim të humorit në të gjitha komponentët e në këtë drejtim shkroi edhe shtypi.

Negativisht?
Jo, pozitivisht që Estrada po ndryshonte për mirë. Në festivalin e estradave që u bë, unë vura në skenë një shfaqje që u vlerësua shumë “Ti shkulim nga rrënjët” ishte titulli. Ishte kundër burokracisë dhe forma ime ishte krejt e re. E gjithë skena ishte një taketuke ku futeshin mbeturinat mikroborgjeze. Në krye të skenës ishte një portret i një burokrati, që aktorët dilnin nga goja e këtij e zbrisnin nëpër kravatë për në skenë dhe sytë ishin dy topa leshi, që nënkuptohej që ishte sylesh dhe në një moment, një nga aktoret thurte triko duke përdorur leshin e këtij burokrati. Në fund fare në mënyrë simbolike kjo taketuke u mbush me burokratët, me letrat, telefonat… Kjo u quajt shumë e tejkaluar, shumë moderne. E pikërisht nëse mua më dhanë titullin si regjisori më i mirë i festivalit, shfaqja ime s’mori asnjë çmim, madje u kritikua. Në këtë mbledhje erdhi dhe Manush Myftiu, i cili ishte anëtar i Byrosë Politike dhe foli kundra shfaqjeve të mia.
Ju duke marrë shumë kritika të herëpashershme për shfaqet tuaja, nuk kishit frikë që guxonit sërish?

Ndoshta, ndoshta unë ndjenja një mbështetje tjetër, mbështetjen e Fadil Paçramit. Sa herë kishte shfaqe në lozhë nga e ndiqte ai, më ftonte mua pranë e jo drejtorët, siç bëhej zakonisht dhe bisedonim dhe ndjeja tek ai tendencën moderniste, një erë liberale. Dhe unë gjoja korrigjoja një pjesë, por shtoja skena të reja. Një formë e tillë ka qenë dhe shfaqja “Lulet e jetës”, e cila u çmua shumë dhe mori çmim edhe në festivalin për fëmijë. Në këtë drejtim, të tjerët kur nisën mbledhjet i kishin rezervuar kritikat e para, shtuar edhe shfaqjet e fundit dhe i qepën tamam. Ishin të paaftët ata që u ngritën kundra meje, kundra Vaçe Zelës…

Po në fakt, a u thoshe aktorëve të mësonin nga televizionet italiane?
Në vitin 1970, s’e mbaj mend se kur ekzaktësisht na erdhi një televizor që shikonim dhe shfaqje të huaja. Mirëpo, hapjen, mbylljen dhe gjetjen e kanalit televiziv e bënte vetëm drejtori. Ne mblidheshim si kolektiv, i shihnin spektaklet italiane e dashje pa dashje i komentonim, por gjithmonë televizori kontrollohej nga drejtori. Për shembull, kur kishte ndonjë skenë të ngrohtë, erotike, televizori mbyllej dhe ne prisnin deri sa drejtori të mendonte që skena kishte mbaruar për ta rihapur sërish. “Sanremo”, “Canzonisima”, programe humori, koncerte variete ishin si një ngritje profesionale. Shikonim si ishin skenat, ndriçimi, veshja dhe ndjeheshim më të lirë, sepse mendonim që për deri sa na e kanë sjellë, mund të marrim diçka nga ata, por duke e adaptuar brenda kushteve tona, brenda realizmit socialist. Kjo gjë u përdor nga këta të paaftë këngëtarë, aktorë, muzikantë, që u çuan gjoja në mbrojtje të realizmit socialist. Dhe në atë kohë kishte një vërshim të jashtëzakonshëm me kritika, me mllef, mllef i të paaftëve që nuk arrinin dot të ngjiteshin në skena, duke na hedhur faj ne regjisorëve. Dhe në raportin që ju keni botuar mungojnë disa emra nga këta të zellshmit.

Kush mungon?
Nuk ka rëndësi tani, s’mund të them emra, por çoheshin për të treguar para partisë se ishim ne, ata që i çonim ata në rrugë të papërshtatshme. Ah, m’u kujtua dhe diçka. Në vitin 1972 doli një kompleks shumë interesant nga “Petro Nini”, “Matura ’72”, quhej. Pesë djem të rinj që luanin muzikë dhe kënduan për herë të parë në Estradë. U kritikova dhe për ta, sepse ngjita në skenë grup si “Bidëllsat” “Rollingstones”. Pësova një tjetër goditje kur konferencierët e Estradës unë i vesha me kostume me ngjyra, e me golfe, por veshja quhej shumë moderne dhe tendencë. Nga ana tjetër, unë isha i bindur se mund të interpretonim po me ato forma, po aq bukur, po me ato skena.

Në raportin e Enver Halilit thuhej se aktorët ishin me shkollë 8-vjeçare e pak me të mesme, sa e vërtetë kjo?
Ishte e vërtetë, sepse aktorët e estradave merreshin nga klasa punëtore. Ishin djem të talentuar. Muhaxhile Pici, që i thërrisnin Pupi ishte e vetmja aktore me shkollë të lartë në Estradë, që kishte mbaruar Artet.
Çfarë ndodhi pas asaj mbledhjeje?

Pikërisht pas asaj mbledhjeje unë u pushova nga puna dhe më dërguan në prodhim pa afat. Po ashtu, m’u ndalua e drejta e botimit. Mua m’u lejua të merresha vetëm me regji brenda ndërmarrjes. Për mua ishte një variacion që kur vinin festivalet, merresha me koncertet dhe Kombinati nën regjinë time, pa modesti, filloi të merrte flamuj. Aty ndodhi një gjë mjaft interesante. Në festivalin e teatrove, unë vura në skenë “Karnavalet e Korçës” e me të vërtetë në Kombinat kisha aktorë shumë të talentuar, shumë seriozë dhe kjo shfaqje fitoi çmimin e parë në tiranë. Mirëpo kur u ndanë medaljet nuk shkruhej Bujar Kapexhiu, por ‘regjia me forcat tona’. Kjo ishte një absurditet. Më pas, kur drejtoria e Kombinatit u gëzua dhe dha shpërblime, regjisorit nuk iu dha sepse juria s’i kishte dhënë dekoratë, se regjia ishte me forcat tona. Pra, persekutimi fillonte zinxhir.

Ku ju dërguan?
Në fabrikën e çimentos në Kombinatin “Josif Pashko”, punëtor krahu, si të gjithë. Por aty mora shumë dashuri, bënim shumë humor kur hanim bukë të gjithë bashkë… njerëz shumë pozitivë. Punova shumë, isha i ri dhe kisha fuqi. Punët që i bënin tre vetë, i bëja unë me shokun tim me lëkurë çokollatë. Unë s’kundërshtoja për asgjë, punoja jashtë orarit. Aty ndenja pastaj tre vjet, sa u rehabilitova, sa e pa dhe partia që unë u riedukova, u bëra njeri me edukatë.

Ju ndryshoi kjo në thelb, pikëpamjet, mendësitë?
Jo, nuk më ndryshoi, por isha më i kujdesshëm sepse isha i survejuar. Unë kam pasur një rast, kur një punonjës Sigurimi më ndaloi në rrugë e më tha: “Ti je në listë për t’u arr, estuar”. Frika ime në atë kohë ishte e jashtëzakonshme, sepse isha dhe i fejuar. E mbaj mend që shkoja deri te kafe “Flora” te shtëpia e të fejuarës e si çift i ri që ishim, nuk dilja xhiro, por rrija në shtëpi, për të shmangur kështu çdo lloj insinuate nga ata që ishin të gatshëm të sajonin. Thjesht u bëra më i kujdesshëm në mënyrën e të sjellurit, në ato që thosha.

Me këta njerëz që ju sulmuan në atë mbledhje jeni ritakuar?
Po, i kam takuar. Nuk i kam mbajtur inat dhe unë i justifikoj sepse ashtu ishte ajo kohë, donin të mbanin veten e tyre, të siguronin bukën e gojës dhe mbase ajo e keqe që shpalosnin ata ishte dhe e detyruar nga regjimi.

Ka një njeri që s’i fal dot diçka?

Jo, jo i kam falur të gjithë.

Kur kthen kokën pas kaq shumë vitesh e sheh Festivalin e 11, si e sintetizon atë?
Them që kam bërë shumë mirë që kam marrë pjesë. Kur regjisori Mihal Luarasi më thirri për të qenë konferencier, unë nuk pranova. Nuk m’u duk si vlerë, m’u duk si ulje sepse isha regjisor. Megjithatë, ata e bënë fakt të kryer e pastaj e mora seriozisht. Në këtë kohë ndjehej një erë liberalizmi, një frymë ndryshe dhe vetë festivali kishte një formë të re. Skenari që unë bëra nuk kishte, as Parti, as Enver. Tekstet e këngëve po ashtu s’kishin Parti-Enver, por ishin për dashurinë, jetën, familjen, punën, njeriun. Udhëheqës artistik ishte Nikolla Zoraqi dhe në një artikull të botuar paraprakisht në “Zërin e Popullit” thuhej se ky festival sjell gjetje të reja. Dekori i Edi Hilës, veshjet tona krejt ndryshe, orkestra që luante nota xhaz. Unë vishesha çdo natë ndryshe, me kostume me ngjyra, këmisha me lule. Sot unë e ruaj ende kravatën që kam pasur natën e parë të festivalit, që është e bardhë me lule të mëdha blu dhe shaminë që mbaja në xhep.

Kur ndodhi reprezalja pas festivalit kishit frikë se do ju vinte radha?
Krejt normale, shumë frikë. Kur ecja në rrugë e krejt rastësisht ndalonte ndonjë “Gaz”, mendoja: Më morën… Filluan t’i arr, estojnë me radhë, Ali Osekun që unë kisha bërë sa e sa muhabete, Edison Gjergo me të cilin kisha dhe miqësi familjare, Edi Hilën e çuan në pulari.

Kur ju rehabilituan pas “Josif Pashkos”?
Në vitin 1975, në Kinostudio “Shqipëria e Re” u vendos të hapej sektori i filmit të animuar dhe në atë kohë kishte studiuar një operator Tomi Vaso dhe Vlash Drobavliku, që ishte piktor e atëherë që të krijohej treshja e filmit duhej edhe regjisori dhe shokët e mi menduan që unë mund ta bëja. Bëmë propozimin në Komitetin e Partisë dhe partia pa punën time ato vite dhe vendosën të më rikthenin në art. Në nëntor të vitit 1975 u riktheva si regjisor i filmit të animuar. Këtu filloi jeta ime 10-vjeçare e pastaj në ’86 kalova në filmin artistik, tek ëndrra ime, ku bëra filmin “Dy herë mat”.

Nga ’75 në 1990, a patet më raste konfliktuale me partinë?
Po, kam pasur edhe një rast të tme, rrshëm në vitin 1982. Mehmet Shehu u vetëvra në dhjetor 1981, unë me Bashkim Shehun ishim miq, me të cilin kisha bërë edhe dy filma vizatimorë, që u ndaluan në atë kohë. Meqë isha mik i tij, unë duhet të mbaja qëndrim kritik kundra Mehmetit e Bashkimit e për këtë donin të më hiqnin nga Kinostudio. Dokumentet e mia u dërguan në punë që të më transferonin, por se çfarë ndodhi s’e di dhe nuk e pësova. Ruaj ende dokumentin origjinal të drejtorit të Kinostudios, që i gjeta të grisura copa-copa dhe i mblodhe i ngjita e i ruaj ende. Dhe dokumentin e drejtorit të Kulturës së ministrisë, që aprovonin largimin tim.

Kalojmë në këto vite e me karikaturat që bëni, duket se u bini të gjithëve?
Unë jam opozitar ndaj politikës që Shqipëria të ecë përpara dhe moto ime në jetë është: jam me të gjithë, kundra të gjithëve.
Ka pasur ndonjë rast kur ju kanë telefonuar për karikaturat, pse e bëre, ç’ne, te mua e gjete?
Në fillimet e vitit ’91 ka pasur, sepse politikanët s’e mendonin që mund të bëheshin karikatura në vazhdën e së shkuarës, kur karikatura bënim vetëm për borgjezët e imperializmin amerikan. Fillimisht kishte hatërmbetje, por sot ka ndryshuar krejtësisht kjo gjë. Ka hatërmbetje, por në një kënd tjetër. Sot më thonë: Sikur më ke harruar mua!

Si është jeta juaj sot?
Punë, shumë punë. Po them një barsoletë për ta përshkruar: “I thanë njërit, sa orë punon në ditë ti? Dhe ai u përgjigj, 25 orë. E ky i tha o njeri po si punon ti 25 orë kur dita ka 24. E përgjigja që mori ishte: Po unë çohem një orë para”. Dhe unë çohem një orë para. Kam lënë boshllëk në familjen time ndërkaq, sepse gjithmonë kam punuar fort, por gruaja ime është një heroinë. Ajo është marrë me gjithçka e më ka lënë të lirë të merresha me artin tim. E nëse mund t’ju duket e pabesueshme, s’jam zënë kurrë me gruan time.

Ke ndonjë peng?
Po, kam një peng që s’do mund t’i mbaroj dot të gjitha, sepse kam shumë punë e çdo ditë hap punë.
Ke shokë të ngushtë?
Po, kam shokët e gjimnazit që nga foshnjorja, Lionel Konomi operator, Dhimitër Pecani mjek, Petraq Troja dhe një tjetër mjek infeksionist.

Kur sheh djalin që sot ndjek të njëjtën rrugë, i sugjeron, e këshillon?
Djali zgjodhi rrugën e artit pa shtytjen time dhe jam i lumtur për këtë, por një nga dëshirat që më ka plotësuar pa i thënë gjë unë është që ta shihja në rolin e pedagogut. Mund t’ju duket e çuditshme, por ne nuk kemi marrëdhënie artistike bashkë. Ai kurrë s’më thotë do bëj këtë shfaqje, madje më merr në telefon e më thotë nesër në orën 7 kam premierën, madje dhe kur u martua më tha: Nesër martohem. Darka te hotel “Prestigj”. E unë shkova, ishte shumë bukur, me miqtë që ai kishte zgjedhur, ndryshe. Shumë komode. E për më shumë jetojmë në një shtëpi, por jemi të zënë me punët tona.

Aktualisht me çfarë po merreni?
Sapo mbarova vënien në skenë të pjesës “Gjeneral& play, boy” e do të marrim pjesë në disa festivale, ndërsa po ju them një sekret, që mbrëmë kam filluar një skenar tjetër, një kinokomedi që ka karakter muzikor, ku në qendër është Vaçe Zela. Kam punuar disa vjet me të, kam shumë motive (përlotet e kërkon ndjesë). Vaçja ka qenë një artiste mbi të gjitha e mençur e kjo e bënte më superiore nga të gjithë

Marrë me leje për publikim nga autorja e shkrimit, Rezarta Delisula dhe nga portali Gazeta Shqiptare – gsh.al