Nga Vita Blloshmi

Dionisi i kishte kërkuar Matildes nëse në ndonjë nga fundjavët mund të shkonin në fshatin e tij të lindjes. Matilda,një vajzë e matur dhe fjalëpakë e shikoi e habitur të shoqin si për t’i thënë “ nga të erdhi kjo ide pas kaq vitesh, kur në atë vnd nuk ka mbetur më asgjë”, por më pas i buzëqeshi dhe duke e puthur ëmbël në faqe i tha: “pse jo, kur të duash ti, i dashur”.

Atë të diel koha ishte e bukur edhe pse ishte mars, rrezet e ngrohta të diellit përkëdhelnin fytyrat e tyre. Ishin zgjuar shpejt dhe, pasi kishin ngrënë mëngjesin, ishin nisur për në fshat. Djali i tyre, Erli dhe vajza Ajsi e kishin pritur me kënaqësi këtë udhëtim. Dionisi po rrinte thuajse i heshtur gjatë tërë rrugës e dukej që kishte një emocion që nuk e shprehte. Ishte hera e parë që i shpinte fëmijët në vendlindjen e tij. Ai kishte ikur shpejt që aty sëbashku me prindërt e tij dhe që atëhere ishte kthyer rrallë, zakonisht për ndonjë festë, kur xhaxhai i tij jetonte akoma atje në fshat.

Ai kishte vazhduar shkollën dhe kishte filluar të punonte në qytet. Ishte martuar e kishte krijuar familjen e tij. Gjithnjë e më shumë po e harronte fshatin, sidoqë ndonjëherë nostalgjia e rrëmbente, sidomos kur kujtonte pemët me mollë starkinka, ftonjtë që kundërmonin aromë të mirë kur merrnin ngjyrë të verdhë floriri, kumbullat majahoshe, lodrat me moshatarët e tij etj. Në fëmijëri atmosfera e fshatit kishte qenë e bukur, edhe pse në varfërinë e saj, si kudo nëpër fshatra.

Njerëzit ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin, i gjendeshin secilit në raste gëzimesh e në hidhërime, dasmat e festat bëheshin të bukura e dukeshin si manifestime folklorike me veshjet popullore, këngët, vallet, ritet e dasmës. Por edhe në ceremonitë mortore kishte një ritual të respektueshëm e dinjitoz. Të gjitha këto kishin mbetur në kujtesën e Dionisit, sidoqë qyteti me jetën e vet të vrullshme e të zhurmshme dukej sikur po ja shkulte pak nga pak. Matilda, gjatë fejesës, i kishte kërkuar disa herë që të shkonin të kalonin disa ditë në fshat, por ai e kishte kundërshtuar, duke thënë që ishte më mirë të shkonin në det, pa fshati aty është.

Një gur që ishte rrokullisur nga mali dhe kishte rënë në rrugën e makinës e zgjoi Dionisin nga mendimet e tij. Zbriti ngadalë nga makina, pa malet rreth e rreth si për t’u thënë “më njihni?Jam biri juaj, kam lindur në këto anë…” Pastaj shkoi e largoi gurin dhe hipi në makinë. Thuajse kishin arritur në fshat. Kur arritën, e lanë makinën aty ku më parë kishte qenë fundi i oborrit të shtëpisë. Dionisi zbriti ngadalë. Përpara iu shfaq një realitet që i dhembi që në pamjen e parë. Fëmijët ndiqnin në heshtje hapat e babait, që këtë herë ishte më serioz se ditët e tjera. Erli kishte kapur për dore të ëmën dhe me zë të ulët e pyeti:
-Mami, pse kemi ardhur këtu?

Matilda i përkëdheli flokët dhe me zë të ëmbël iu përgjigj:

-Këtu është shtëpia ku ka lindur babi.

Erli,i hutuar, shikonte herë të ëmëm, herë të atin e herë atë çati të rënë e mundohej të kuptonte se si mund të quhej shtëpi ajo rrënojë.

Dionisi nuk e kishte menduar kurrë që do të ndjente aq dhimbje duke u kthyer në atë vend. U çapit ngadalë drejt gërmadhave, duke u munduar të kujtonte ku kishte qenë dhoma e gatimit, ajo dhomë prej nga vinin aromat e paharrueshme të bukës së sapodalë nga furra, të gjellëve karakteristike që përgatiste me aq dashuri në fillim gjyshja e pastaj aneja, siç e thërrisnin gruan e xhaxhait.

E ata fëmijët rendnin me vrap të uritur pas lojërave me moshatarët apo pasi kishin sjellë kecërit e qëngjat nga kullota…Sytë i vajtën në një dërrasë, që ishte mbuluar thuajse e tërë nga dherat e nga sende të tjera. E tërhoqi ngadalë, e shkundi nga mbeturinat dhe njohu sofrën e rrumbullakët, ku uleshin për të ngrënë të gjithë sëbashku me fëmijët e xhaxhait. Shumë gjëra kishin mbetur aty pas shpërnguljes edhe të familjes së xhaxhait në qytet.

Ai e lëmoi me dorë atë sofër të vjetëruar e të rrënuar nga lagështira dhe kujtime të shumta i vërshonin në kokë. Aneja ishte një nikoqire e mbaruar dhe me duar të arta. Ishte ajo që gatuante për të dy familjet dhe Dionisit iu duk sikur po ndjente aromën e shijen e lakrorëve, petullave, kuleçërve të ngrohtë, të gjalpit ku skuqeshin vezët, të perimeve të freskëta që shtroheshin në sofër…

Ishin shumë pjesëtarë në të dy familjet që jetonin nën të njëjtën çati e hanin në të njëjtën sofër. Nuk ishte e lehtë t’i kënaqje të gjithë, por ishin edukuar në mënyrë të tillë që secili e dinte vendin e vet dhe detyrat e përditshme, kështuqë në shtëpi zotëronte gjithnjë paqja. E padyshim Aneja kishte meritën e saj, se i vinte të gjithë dakort me gjërat e shijshme që gatuante.

Darkave mblidheshin pranë oxhakut në dhomën e madhe, ku të rriturit flisnin për problemet e përditshme, për punët e kryera e ato që i prisnin të nesërmen. Herë-herë, për të mos i mërzitur të vegjëlit, tregonin edhe ndonjë përrallë apo ndodhi nga ato të krahinës, që tërhiqnin vëmendjen e zgjonin fantazinë e të vegjëlve, derisa ata i zinte gjumi në prehërin e prindërve. Dionisi, meqë ishte më i vogli, kishte vëmendjen e përkujdesjen e të gjithëve e shpesh i lejonte vetes edhe ndonjë kapriçio.

Ndërsa Dionisi ishte zhytur në këto kujtime, Ajsi erdhi rrëmbyeshëm pranë tij dhe duke i treguar diçka, i tha:

-Babi, babi, ja çfarë gjeta

-Ooo, po kjo është makina ime që luaja kur isha i vogël.

-Makina?!! E si mund të quhet makinë kjo kapaçkë me rrota? Si mund të luhet me të?-pyeti e habitur vajza.

Dionisi buzëqeshi, i mori fëmijët përdore dhe i nxori në lëndinë. Aty filloi t’u tregonte për lodrat që shpiknin ata në fëmijërinë e tyre e për plot gjrea të tjera nga ajo periudhë e largët. Ata e dëgjonin me vëmendje, herë qeshnin e herë habiteshin, ndërsa Matilda vështronte e kënaqur këtë zgjim të burrit të saj e atë komunikim të pazakontë të tij me fëmijët.

Ndërsa ata bisedonin, loznin e rrotulloheshin në bar, dëgjuan zërin e nënë Fatimes, që kishte ardhur pranë tyre. Ajo mbante në duar një tepsi të mbuluar me një copë të bardhë.

-Mirëseerdhët, bijtë e nënës. Më gufoi zemra kur pashë këtë oborr të gumëzhinte përsëri. Sapo e nxora bukën nga saçi dhe është akoma e ngrohtë. Hë, të keqen nëna, hani se jeni të lodhur nga rruga. Bukë me gjalpë që sapo e tunda dhe pak dhallë. Fytyra e saj ishte e qeshur dhe fjalët i thoshte tamam me një dashuri prej nëne.

-Po,jo moj nëna Fatime,mos u verë në siklet. Ne kemi marrë bukë me vete, -nxitoi të thoshte Matilda, duke parë e habitur fëmijët që rrëmbyen copën e bukës dhe po e kafshonin si të uritur.

-E di, moj bijë, po kjo është bukë fshati e sapodalë nga çerepi, ka tjetër shije. Pastaj edhe na ka marrë malli t’ju shohim, të njohim fëmijët tuaj që qenkan si drita. Për drekë jeni nga ne,-tha nëna Fatime duke përkëdhelur flokët e Ajsit. -Kështu edhe vajza juaj njihet me mbesën time, se kanë të njëjtën moshë. Ajsi buzëqeshi dhe pohoi me kokë, pa u lënë më vend prindërve të kundërshtonin.

Kur erdhi koha e drekës ata u gjendën në oborrin e nënë Fatimes. Ai oborr ishte aq i njohur për Dionisin.Kushedi sa herë ishte rrëzuar e ngritur në atë oborr duke luajtur. Në shkallët ishte nënë Fatimja që i priste dhe prapa saj një vajzë e bukur me sy bojëqielli që buzëqeshte e ndrojtur. Ajsi futi dorën në çantën e shpinës, nxori një çokollatë nga ato që i kishte marrë për rrugës dhe ja zgjati vajzës me sy bojëqielli.

Ajo pa njëherë nga gjyshja e saj dhe pastaj e mori e ndrojtur çokollatën. Pastaj vrapoi prapa shtëpisë e u kthye me dy mollë të kuqe në duar, të cilat ua zgjati Ajsit dhe Erlit. Sa e bukur dhe e sinqertë bota e fëmijëve,mendoi Matilda tek shikonte këtë komunikim aq të çiltër, të pafajshëm e bujar midis të vegjëlve. U ngjitën ngadalë nëpër shkallë dhe hynë në sallonin e nënë Fatimes, që ishte shtruar me një qilim të madh shumëngjyrësh.

U ulën në tavolinën që ishte mbushur plot me gjëra të mira prej fshati dhe gjatë gjithë kohës folën për jetën në fshat, për prodhimet e stinës, për njerëzit që kishin ikur qyteteve duke i braktisur shtëpitë e tokat, për mbesën e madhe të nënë Fatimes që studionte në universitet e për plot moshatarë të tjerë që ishin shpërndarë rrugëve të botës në shtete të ndryshme.

-Bëtë mirë që erdhët. Edhe fëmijët kënaqen,-tha nënë Fatimja.-Zemra më dhemb kur shikoj shtëpinë tuaj të kthyer në rrënojë e që katandiset çdo ditë e më keq. Nuk duhet të shuhet kështu një shtëpi që ka rritur kaq njerëz.

Dionisi e pa gjatë dhe sytë iu mbushën me lotë, por nuk e bëri veten. Pa nga Matilda dhe ajo po i bënte me shenjë që ishte ora për të ikur. Rruga për t’u kthyer ishte e gjatë. Nënë Fatimja e kapi shenjën, nuk i erdhi mirë nga ky nxitim, por duke qeshur foli:

-Më gëzuat që erdhët. Ejani prapë. Nënë Fatimja këtu është.

Solli një prehër me mollë e fruta të tjera dhe i përcolli deri tek makina. Gjatë rrugës së kthimit fëmijët i zuri gjumi. Ishte një gjumë i thellë, i paqtë dhe dukej që ishin lumturuar. Kur po zbrisnin nga makina, Ajsi i zuri dorën Matildës dhe i tha:

-Mami, do të marr me vete ca nga kukullat e mia t’ia jap Ermirës, kur të shkojmë herën tjetër në fshat për të ngrënë bukë çerepi…

Matilda u pa sy ndër sy me Dionisin. Dhe u përqafuan në heshtje.

Burimi: www.gazetamapo.al