Bukë me gjizë në zemër të Milanos – Nga Haxhi Lika

Gjithmonë më kanë pëlqyer udhëtimet. Nuk e di, por gjatë rrugëtimit kam njohur njerëz të mrekullueshëm dhe kam kaluar eksperienca të paharrueshme.

Para dy vitesh bëra një udhëtim drejt Barcelonës. Gjatë atij udhëtimi njoha një njeri të mrekullueshëm e me zemër të madhe. Një nënë të urtë, të mençur dhe tepër bujare. Çfarë e bënte të veçantë?

E kam thënë edhe më herët, Tirona para se të të bëjë për vete, të bën të vetin. Këtë kishte bërë edhe me nona Ishen, gruan e mrekullueshme nga Elbasani, por të martuar në Tironë. Gjatë gjithë udhëtimit ajo nuk u ankua kurrë. Rrinte gjatë gjithë kohës me ne. Futej në biseda, por pa u bërë e bezdisur. Fliste pak, por thoshte gjithmonë gjëra të mençura.

Nga gjithë ai udhëtim, unë po sjell në vëmendje vetëm një episod. Po ktheheshim nga Barcelona. Kishim kaluar një ditë të lodhshme, duke përshkruar të gjithë rivierën franceze. Arritëm në Milano.

Kaluam dy-tri orë në qytet. Kur u kthyem në autobus dhe po bëheshim gati për t’u nisur, plasi muhabeti. Njëri nga protagonistët e grupit i drejtohet vëllait tim:

– Kolo, a të ka mor molli për Tironën?
– Llaf e ke, për gur e për dru? Ku ka si Tirona, lale?!

Filluam të gjithë të kujtonim veçoritë e qytetit tonë. Në një moment ia pret dikush: – A e dini për çfarë më ka mor molli?
– Për çfarë? – foli tjetri.
– Për i çik gjizë…

Aty foli nona Ishja: – Ka nona gjizë. E kom mor prej Tirone.

Të gjithë, i modh e i vogël, u grumbullam te nona Ishja. Ajo, me një kujdes të veçantë prej none, filloi të na përgatiste fetat e bukës së lyera me gjizë. Nuk e di sa vetë hëngrën, por mbaj mend se të gjithë u kënaqën dhe filluan të luteshin për nona Ishen.

Me këtë veprim nona Ishe na boni të gjithëve të vetët, se për vete na kishte bërë që në Barcelonë.

Respekte për ty, Aishe Basha. Zoti të faltë shëndet e jetë!