Bukurosh Sejdini
Bukurosh Sejdini

Lindi më 28 korrik 1916 në Elbasan, në një familje avokati. Mësimet e para, deri në klasën e pestë dhe tre vjet të shkollës Normale i bëri në qytetin e lindjes. Më pas, falë talentit të tij, shkon në Tiranë dhe vazhdon shkollën e vizatimit ku veçohet nga nxënësit më të talentuar. I nxitur nga piktori Andrea Kushi, i cili zbuloi talentin e tij për pikturë, bëri që Bukurosh Sejdini të vazhdonte rrugën e artit dhe shkoi në Rumani për studime në Akademinë e Arteve të Bukura, por atje për arsye të kushteve politike që u krijuan i ndërpreu studimet për t’i vazhduar në Akademinë e Arteve në Itali. Mori diplomën dhe në vitin 1942 u kthye në atdhe, duke marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste, deri në çlirimin e vendit. Gjatë kësaj kohe, për veprimtarinë e tij antifashiste, arrestohet disa herë dhe internohet në Porto-Romano. Atje, së bashku me shokë të tij, nxjerrin buletinin ilegal ”Shkopi”. Bukurosh Sejdini bën grafikën për faqen e parë të këtij buletini; duke u cilësuar nga kritika se është ndër piktorët e parë të grafikës partizane.

Punon në disa shkolla si mësues vizatimi, si në shkollën Normale, “Naim Frashëri”. Është dalluar si mësuesi i pasionuar, që ndihmonte talentet e reja dhe nga duart e tij kanë dalë shumë piktorë që kanë përfaqësuar kulturën shqiptare brenda e jashtë vendit. Kohën më të gjatë si mësues i vizatimit e ka kaluar pranë shkollës Normale, duke qëndruar më shumë se 20 vjet radhazi, deri në daljen e tij në pension. Në vitin 1949, u emërua në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës si shef i Sektorit të Arteve figurative, por qëndroi pak kohë, pasi me dëshirën e tij u kthye në Elbasan. Ishte në natyrën e tij që, çfarëdo përgjegjësie t’i jepnin, nuk mund të qëndronte larg Elbasanit.


Bukurosh Sejdini, ishte amator i teatrit, ka interpretuar me sukses në komedinë “Revizori”, ”Prefekti”, ”Motori”, në operetat ”Vajza e portokalleve”, ”Trembita” si edhe në dy filma artistikë. Bukurosh Sejdini në pikturë, ka pasqyruar përpjekjet e luftës së popullit shqiptar për liri, pavarësi e përparim shoqëror. Ka kontribuar me sukses në të tria gjinitë e pikturës. Vepra e tij “Agimi i 17 nëntorit 1944”, është një nga veprat më dinjitoze të pikturës shqiptare. U krijua në vitin 1957 dhe në vitin 1958, përfaqësoi në Moskë, artin shqiptar. Kjo tablo është prodhuar në kartolinë dhe ka hyrë në Enciklopedinë franceze, si përfaqësuese e pikturës shqiptare të viteve ’50.

Tabloja kompozicionale “Poshtë fashizmi”, peizazhi “Cërriku”, “Në ekspozitë”, portretet “Naim Frashëri”, “Abdyl Frashëri”, “Tomor Sinani”, tabloja “Festa e çlirimit”, “Skënderbeu”, “Qemal Stafa” e shumë të tjera që ndodhen në Galerinë kombëtare të arteve, në Muzeun kombëtar të armëve në Gjirokartër, në Galerinë e arteve të Elbasanit dhe në mjedise të tjera social-kulturore.

Ishte pjesëmarrës në takimin e Aleksandrisë, Bukureshtit, Budapestit, Sofies, Pekinit, gjatë viteve 1958-1959.

Me penel në dorë deri në vitin 1991 kur vdiq.
Në vitin 1969 iu dha titulli “Mësues i merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i merituar”