Ndue Mardoçi, me porosi të mikut të tij Abat Prend Doçit, në muajin Nëntor të vitit 1908, me disa trima besnikë të tij ka shoqëruar për në Kongresin e Manastirit përfaqësuesit e Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës: At Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin etj., i cili zhvilloi punimet nga 14 deri më 22 nëntor 1908.

Për dekada me radhë kontributi i disa figurave patriotike të Kthellës dhe Mirditës është mbuluar nga pluhuri i kohëve dhe bëmat e një pjese prej tyre pothuajse kanë kaluar në harresë. Për fat të keq, edhe në ditët e sotme, emigrimi i një të tretës së popullsisë jashtë vendit dhe imigracioni, apo e thënë ndryshe, braktisja në masë e qendrave të banuara të Mirditës, e shoqëruar me mbylljen e shkollave, institucioneve shëndetësore, kulturore dhe ekonomike etj., e kanë vështirësuar edhe më shumë studimin, evidentimin dhe promovimin e këtyre figurave dhe veprimtarisë së tyre atdhetare.

Kjo më ka nxitur që në mënyrë të vazhdueshme, për sa kam mundur, të grumbulloj të dhëna rreth tyre për vite e vite me radhë dhe t’i publikoj ato rast pas rasti në libra monografikë, mediat e shkruara dhe në rrjetet e ndryshme sociale. Njëri nga atdhetarët e shquar të periudhës së Pavarësisë ishte dhe atdhetari e luftëtari i lirisë Pjetër Ndue Mardoçi nga Shebja. Doçët e Shebes janë përmendur për patriotizëm, trimëri, besë, dituri e bujari, të paktën për 5 breza radhazi, jo vetëm në Shebe e Kthellë, por në të gjithë Mirditën e më gjerë.

Dokumentet historike flasin se vëllezërit Ndue dhe Gjet Mardoçi futeshin ndër ato burra, njohës të normave kanunore, që në pleqni a kuvende ku kanë marrë pjesë, kanë lënë gjurmë për mençuri dhe aftësi në zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara të së drejtës zakonore, duke u përmendur krahas individëve më në zë të Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës, si: Binak Alia (Malësia e Gjakovës), Mehmet Shpendi (Shalë), Gjet Çoku (Kelmend), Gjin Pjetër Skura (Kurbin), Lleshi i Zi (Mirditë), Çun Mula (Hot), Bali Rama i Martinajve (Guci), Niman Aga (Iballë), Sali Ramku (Mertur), Ramadan Shabani e Xhemal Ohri (Drenicë), Sali Rusta (Deçan), Selim Pashku (Martanesh), Noka e Lusha (Dibër), Daut Hoxha (Çajë e Kukësit), Myftar Selmani (Ujmisht), Kurtish Shabani (Shtiqën), Dautajt (Has), Kolgjini (Lumë), Nikoll Ndue Skana, Kola e Gjeta i Dedajve të Oroshit, Paluca i Kashnjetit, Ndue Preng Nikoll Lleshi i Simonit, Frrok Gjet Kola i Kthellës, Gjok Preng Gjeta i Kthellës, Ndue Pjetri i Rrëshenit, Preng Tuc Doda i Fanit, Bajram Gjana i Kalisit etj. Ata shpeshherë janë gjendur te Valiu në Shkodër në mbrojtje të Mirditës.

I ati i Pjetrit, Ndue Mardoçi, me porosi të mikut të tij, Abat Prend Doçit, në muajin Nëntor të vitit 1908, me disa trima besnikë të tij ka shoqëruar për në Kongresin e Manastirit përfaqësuesit e Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës: At Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin etj., i cili zhvilloi punimet nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Po kush ishte Pjetër Ndue Mardoçi, të cilin historiografia nuk e përmendi për gjysmë shekulli! Ai lindi në Shebe në vitin 1882. Mësimet e para, për tre vjet i mori nga mësuesi privat gjakovar Cin Gjakova. Për afro 10 vite emigroi jashtë atdheut, fillimisht në Austri, pastaj në Itali, Zvicër, Francë e deri në Turqi dhe Egjipt. Në emigracion, ku qëndroi me të atin, ai ka pasur fatin të takojë rilindasit e mëdhenj shqiptarë si Filip Shirokën, Frashëllinjët e shumë të tjerë që e shtynë të punonte për çështjen kombëtare.

Kur kthehet në Shqipëri, në vitin 1911, përveç shumë librave të rilindasve, ai solli edhe një Flamur të kuq me shqipen dykrenare. Për këtë fakt në atë kohë në odat e malësisë së Veriut, u këndua për të edhe një këngë me çifteli ku ndërmjet të tjerave thuhej:

“Kush e solli flamurin ma i pari, Pjetër Ndoi, Pjetër Shqiptari”.

Del se gjatë viteve 1911-1912 ai ka luftuar me trimëri kundër pushtuesve turq dhe serb në Shkallgjanë, Fushat e Lugjeve, Spaç e Blinisht dhe megjithëse i plagosur nuk e pushoi luftën deri në Shpalljen e Pavarësisë. Në kullën e tij në Shebe në pranverën e vitit 1912 kanë qëndruar Bajram Curri dhe Kol Toma i Velës. Gjatë atij viti ata dhe shumë patriotë të tjerë kanë qëndruar disa javë në Kthellë (Perlat, Shebe) dhe në Selitë, (Kurbnesh, Zajs e Bozhiq). Pas Shpalljes së Pavarësisë, Pjetër Ndue Mardoçi mbaroi një kurs për oficer në Vlorë dhe pas titullimit si nëntoger (në vitin 1914) u emërua Post-Komandant në Malaj dhe më vonë Komisar Policie në Tiranë e Krujë e më pas Rreth-Komandant në Lezhë.

Pjeter Ndue Mardoçi ishte pjesëmarrës në luftën për mbrojtjen e Princ Vidit në Durrës. (Mëhill Doçi, “Një vështrim mbi Katundin Shebe”, f. 29, Gervs 2003.) Gjatë viteve 1921 -1924 ai është njohur dhe ka bashkëpunuar me At Gjergj Fishtën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, Elez Isufin etj. Në ngjarjet politike të Qershorit të vitit 1924, Pjetër Ndue Mardoçi u radhit në krah të opozitës demokratike shqiptare të drejtuar nga Fan Noli. (Familjarët e tij edhe sot ruajnë si kujtime të vyera shumë fotografi ku Pjetër Ndue Mardoçi është fotografuar më këto personalitete). Pas kthimit të Zogut në Shqipëri (dhjetor 1924), si pjesëtar i opozitës demokratike ai u cilësua si një ndër kundërshtarët më të rrezikshëm të tij, për çka ishte nën survijimin e vazhdueshëm të qeverisë së Zogut. Thuhej se “Pjetër Ndue Mardoçi çarmatoste përkrahësit e qeverisë, ishte në arrati e bënte propagandë kundër regjimit në fuqi”.

Në një informacion të Ministrisë së Brendshme shkruhej se… pas katër orë luftimesh u mor Spaçi. I pari në majë të Munellës ka dalë Pjetër Ndue Mardoçi e civilët e vet”. Ai ishte i dënuar me vdekje nga qeveria e Zogut dhe për disa kohë qëndroi i fshehur në malet e Mirditës (në Orosh e Lajthizë), por edhe në Reç e Dardhë, Lumë, Mat e deri në Shkodër.

Nën presionin e shumë deputetëve, në Janar të vitit 1926, Ahmet Zogu shpalli një amnisti, nga e cila përfitoi edhe Pjetër Ndue Mardoçi, të cilit iu fal jeta. Tragjedia do të ndodhte katër vite më vonë. Ishte e shtunë, datë 21 qershor 1930, kur Pjetri po kthehej për në Shebe. Duke mos pasur hasmëri me askënd, ai shpeshherë udhëtonte i pashoqëruar. Atë ditë atij në Prosk i ishte zënë prita nga vr, asës me pagesë. Dëgjohen disa pushkë dhe u hap lajmi në Mirditë dhe viset e tjera se “u v, ra trimi Pjetër Ndue Mardoçi”, në moshën 48-vjeçare, një vr, asje e dyshuar për motive politike. Jeta e Pjetër Ndue Mardoçit ka qenë gjithmonë në favor të çështjes kombëtare, si atdhetar i luftëtar i vijës së parë, por historiografia e regjimit komunist, jo vetëm që u mundua ta fshinte nga kujtesa e njerëzve dhe ajo historike, por edhe ta shtrembërojë e denigrojë të kaluarën e pinjollit të Kullës së Doçit të Shebes, Pjetër Shqiptarit, siç e thërrisnin në mërgim.

Më vonë kështu u veprua edhe për të birin e tij, akademistin e mirënjohur Mark Doçi, heroin e luftës së Bestorvës në Vlorë kundër ushtrisë fashiste italiane më 7 dhe 8 prill 1939, dhe më pas njëri ndër drejtuesit kryesor të luftës nazi-fashiste, deri zv.komandant i Brigadës VII Sulmuese, ku komandant ishte Gjin Marku. Në vitin 1946, duke qenë ushtarak i lartë me gradën major, arrestohet për t’iu nënshtruar një kalvari të gjatë burgimesh e vuajtjesh, por kjo do të ishte një temë më vete. Është edhe për të ardhur keq që autorë mirditorë, në disa shkrime, kanë shkruar se Pjetër Ndue Mardoçi (por edhe disa të tjerë, që nuk është vendi për t’i përmendur), paska ndihmuar austriakët gjatë Luftës së Parë Botërore në reprezaljet e shoqëruara me disa vr, asje në Mirditë. Këto shkrime nuk mbështeten në asnjë dokument historik arkivor.

E vërteta është ndryshe. Ai, duke qenë ushtarak dhe njeri me ndikim në krejt Mirditën, si dhe duke ditur gjuhën gjermane, ka ndërhyrë duke shpëtuar shumë jetë mirditorësh. Jam marrë jo pak me gjurmimin e dokumentave të asaj kohe dhe nuk kam gjetur qoftë edhe një të vetëm që ta fajësojë atë. Mendoj se ky përgojim është bërë për faktin se Pjetër Ndue Mardoçi, në vitin 1928, kishte martuar djalin e tij, Markun (në atë kohë student në Akademinë Ushtarake, Romë) me të bijën e Gjon Marka Gjonit, Kapidanit të Mirditës. Gjatë periudhës 1930-1939, por edhe gjatë viteve 1944 -1991, për Pjetër Ndue Mardoçin pothuajse nuk është shkruar asgjë. Për herë të parë, për aktivitetin atdhetar të tij ka shkruar Dr. Nikoll Toma, në librin e tij “Krenari Mirditore.” Më vonë ka pasur edhe disa shkrime në organet e ndryshme të shtypit. Këshilli i Komunës Kthellë, në vitin 2013, i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”. Bashkia Mirditë, organet e tjera shtetërore, por edhe shoqatat e ndryshme kulturore kanë rastin, në 90-vjetorin e vdekjes, ta përjetësojnë emrin e luftëtarit të lirisë Pjetër Ndue Mardoçi.

Burimi: Gazetamapo.al