Nga Xhahid BUSHATI

Gjosho Vasinë e kam njohur… Ecjen e tij e kam krahasuar me valën e detit. Me rendjen e saj drejt bregut: të ëndrrës dhe të shpresës. Një rendje pa zhurmë, e ëmbël, si prej të qeshure, nanuritëse dhe me një magji si prej përralle. Një rendje malli dhe dashurie…

I tillë ishte Gjoshoja. Energjik. Çdo gjymtyrë të trupit vinte në lëvizje, teksa të takonte. I ndritnin sytë si një qiell pranvere. I qeshnin sytë si një natë maji mbushur me xixëllonja. I merrnin një gjallëri të veçantë. Përflakje dhe mirësi shpreheje! Vetëm fjalë malli dhe urimi nxirrte ajo gojë e tij plot humor të sinqertë e të beftë, që shoqërohej me një të qeshur, që i ngjante një ujëvare që e stolis shpeshherë një ylber shumëngjyrësh, një ylber mahnitës e ëndërrues. Ah, ëndrra e shoqëroi tërë jetën Gjoshon! Ëndrra ëndërruese!..

Dhe… ishin ca vite në jetën time (që më vonë do të bëheshin edhe më të vlerta) që njohja me Gjoshon do të bëhej edhe më e ngushtë. Përkoi me fillimin e punës së tij në UTE, në Shkodër. Po ofronte Olimpiada e estradave midis ndërmarrjeve. Gjoshoja kishte shfaqjen e parë në publik si regjisor, si konferencier e njëkohësisht si protagonist. Më kërkoi ndihmë për skenarin e shfaqjes, si dhe për  disa tekste këngësh, të cilat ia kreva me korrektesë e dashamirësi. Shihja merakun, proekupimin dhe shqetësimin e tij. Kërkonte që çdo gjë të ishte e saktë, të dilte e bukur dhe interesante. Në punë kishte shije.

Ajo shfaqje që, sigurisht pati sukses, ishte një pranverë e bukur artistike që UTE dhuronte në atë olimpiadë jo vetëm uzinës, por edhe qytetit. Nuk mund të harroj që, në bashkëpunimin tonë, kontribut të vyer dha dhe oboist i  talentuar Viktor Shiroka. Ahere, ai ishte pedagog në Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve). Kishte ardhur për të bërë punën fizike në Uzinën e Telave. E kam si tani para syve Viktorin: një burrë nazik, i urtë, fjalëpak, i qeshur, muzikant në shpirt dhe mahnitës në interpretimin e instrumentit që e dashuronte sa më s’ka (!). Një artist plot shije. Të tillë e kishte dhe fjalën, dhe zemrën, dhe shpirtin. E kam të vështirë ta harroj fisnikërinë dhe qytetarinë e tij.

Pas disa vitesh me Gjoshon patëm edhe një aktivitet tjetër, që edhe ai u kurorëzua me sukses. Në këtë aktivitet pata rastin të njoh Drejtoreshën e kësaj uzine, Tereza Marubin. Ishte e bija e Gegë Marubit (Zotni Gegës, – siç e thërrisnim ne), fotografit të shkëlqyer nga dinastia e Marubëve. Nuk e di pse Tereza më kujtonte mendimin se, sikur me të kishte lindur urtësia dhe mirësia. Një grua zonjë. Fliste pak. Bënte përpjekje maksimale për të ndihmuar. Përligjte më së miri tiparet e të atit duke pasuruar kulturën e fituar prindërore. E përsëris: ishte Zonjë e shkuar Zonjës!..

Skena…

Skena, prej më se 35 vjetësh e njohu humoristin Gjosho Vasia si parodist e kupletist, aktor e imitues, këngëtar duet me kitarën e tij ‘besnike’ dhe një … Pipo Franko. Shpejt u bë një personalitet në fushën e humorit shqiptar. Për t’u pasur zili!

Gjallëria dhe lëvizshmëria, si dhe lejtmotivi me zë prej basi, i shprehjes së tij të njohur, të dashur e të shumëpërdorur: “… po ku je, moj harushë!..” – krijonin një mjedis sa miqësor aq dhe gazmor. Ky ishte shpirti i Gjoshos!..

Gjoshoja në art ishte i prirur për të thyer çdo kornizë tradicionale e të rëndomtë të paraqitjes së çdo numri artistik në një shfaqje. Po ashtu edhe të krijimit të tipave dhe karaktereve. Po ashtu edhe të “shoë-unit” të tij humoristik të shoqëruara me plot batuta të këndshme, të papritura. Po ashtu me tipare që dilnin nga magjja e humorit burimor e të traditës shkodrane. Ja, pse mendoj se, ky do të ishte portreti i të talentuarit Gjosho Vasia që publikun e shpërtheu në të qeshura pafund…, sa herë që dilte në skenë. Mundohej që publikut shkodranë e më gjerë t’ia lante borxhin me “seriozitetin” që mbartëte, veçori e “Shkollës – Vasia”, shkollë që duhet studiuar dhe evidentuar.

Shkolla “Vasia” – një pasuri e paçmueshme! Këtë pasuri fillimisht e mori, aty ku ishte ruajtur me vite e dekada: tek shtëpia e tij. Për këtë studiuesi Pjetër Logoreci na thotë, se: “Gjosho Vasia lindi në qytetin e Shkodrës, më 28 tetor 1931, në një familje me tradita të larta atdhetare e qytetarie. Babai Jaku dhe nëna Angje patën tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Rruga “Vasiej”, ku lindi dhe u rrit artisti, kish marrë emrin e familjes së tij, shtëpia e së cilës ishte ndër të parat të ndërtuara në rrugicën pranë Katedrales së Shkodrës. Krejt lagjja “Sarreq”, pjesë e së cilës ishte dhe rruga “Vasiej”, ishte qendra e familjeve qytetare, të cilat i përcollën vlera të papërsëritshme kulturës shkodrane.”[1]

Buzëqeshjet dhe duartrokitjet e ndoqën pas Gjoshon nëpër vite. Gjoshoja… nëpër vite…, edhe atëherë kur krijoi grupet artistike e simpatike në Fabrikën e Duhan-Cigareve, në Vaun e Dejës, në UTE, në… Buzëqeshjet dhe duartrokitjet e ndoqën edhe në titujt e shkrimeve në gazeta. Po sjellim njërin prej tyre, atë me titull: “50 000 duartrokitje”. Është fjala për konkursin muzikor me të ftuar, që titullohej: “Stacion i dashur”. Atëhere kjo shfaqje bëri bujë në Shkodër. (Gjatë është komentuar, me një mbresëlënie mirakande në kohë. Jetesë e një arti të vërtetë që kërkonte të gëlonte.) E organizonte, si në traditën e saj të shkëlqyer, Klubi i Rinisë “Heronjtë e Vigut” me drejtor Ferdinand Bushatin, cili ishte i prirur drejt vizioneve të bukura rinore. Kjo moshë gjente interesat, botën dhe ëndrrat e saj në Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut”. Për Gjoshon si aktor dhe për shumë artistë të rinj, kjo ishte një periudhë e bukur, e artë e gjurmëlënëse.

Së bashku me dy aktorë të tjerë të talentuar Gëzim Kruja e Kolë (Kolindo) Saraçi do të formojnë, një treshe “mosketjerësh”, kuptohet në fushën e humorit, veçanërisht rinor shkodran. Një humor aq të dashur e të mirëpritur, simpatik e shumë të kërkuar. E kjo ndodhte, sepse regjisori Hilmi Tukaj, fytyrqeshuri Hilmi, sillte parafytyra të reja në çdo shfaqje që jepte ky institucion rinor. E, në çdo shfaqje shpërfaqeshin koncepte të reja e të guximshme, që përmes materialeve (gjinive) gëlonin plot batuta, situata të hareshme, humor i këndshëm dhe i freskët, lojë mjeshtërore. Mjafton të kujtojmë si relikte të çmuara skeçet, si: “Kohë e lirë” e “Krosi” për të përligjur mendimin që thamë më lart.

Stacionet e Gjoshos…

Stacioni i parë. Fabrika e Duhan-Cigareve. Është drejtues i kësaj trupe estrade. Janë vitet 1961 – 1966. Së bashku me Gëzim Krujën e Muharrem Nuren, po përdor të njëjtën simbolikë, janë përsëri tre “mosketjerët” e humorit shkodran. Kitara e Gjoshos, në fakt shpirti i Gjoshos do të përcjellë përmes tingujve dhe batutave: një humor të pastër, fin, të shëndetshëm e të kuptueshëm. Plot ngjyra e fantazi, ashtu siç dinte arti dhe artisti Gjosho Vasia.

Stacioni i dytë. Hidrocentrali i Vaut të Dejës. Dhe është viti 1967. Megjithëse në kushte të vështira, shpirti i artistit çel një dritare të re për humorin e tij të lezetshëm e kërkues nga publiku, në mënyrë të veçantë nga punonjësit e kësaj vepre drite.

Por Gjoshoja nuk dëshiron të mbetem… Ai me sy, shpirt dhe zemër artisti të vërtetë  bredh e nuk lodhet kantjer më kantjer për gjetjen e elementit për trupën e re të estradës së Hidrocentralit. Kërkon të njoh tipa e karaktere. Kështu pas shumë bredhjesh, në vetvete interesante dhe plot aventura, ai do të takojë dhe do të zbulojë dhe një djalosh imcak, me pantallona të shkurtra. Djaloshi quhej Zef Deda.

Gjoshoja me të zbuluar këtë “thesar”, iu përkushtua shumë kësaj figure, sa ajo rrezatoi në vitet që do të vinin. Shumë shpejt Zefi do të bëhej një personazh i dashur, i njohur veçanërisht me imitimet. Ky qe fillimi. Më vonë do të vinte një galeri pafund personazhesh.

Zefi nuk e harron xhaxhi Gjoshon, ashtu si Gjoshoja nuk e harron Altufin (emri i personazhit që interpretoi me Gjosho Vasinë.) Ky duet i mrekullueshëm do të numërojë skeçe të shumta plot humor, me të papritura e gjetje interesante. Këtë duet do ta shoqërojnë nëpër vite mijëra buzëqeshje e duartrokitje të të vegjëlve e të të mëdhenjve. Gjoshoja e Zefi do të jenë një dashuri e veçantë e ekranit shqiptar. Përmes parodive, kupleteve, intermexove, etj., në skenë skalitën, vërtet, një monument humori. Po ashtu edhe në ekranin e televizionit shqiptar. Ashtu si një prind së bashku me fëmijën e vet (dashuri e pandashme), si dy kolegë-artistë shpërndanë dritë humori dhe të dritësuar mbetën në kujtesën e bashkëkohësve. Të tillë ehhe në vitet që do të vinin… Ata, të dy: Gjosho Vasia dhe Zef Deda.

Dy episode nga episodet e Gjoshos…

Episodi i parë:

Gjosho Vasia, kësaj here, kompozitor dhe autor teksti. Paraqet dinjitetshëm në Festivalin kombëtar të Fëmijëve në Shkodër, këngën e tij: “Babi im është minator”. Një këngë e bukur. Magjike. Me një tekst të thjeshtë e fabul të gjetur dhe interesante. Kënga shpejt u bë pronë e të gjithë fëmijëve, pa përjashtuar edhe të mëdhenjtë. Këndohej gjithandej. Fitoi popullaritet. Ende më kujtohen vargjet: “Vesh me kominoshe / ngjyra kaltëroshe…” si një lejmotiv që “shëtiste” në hapësirat e këngës si një valë deti, si një ecje e tij…

Episodi i dytë:

Është viti 1968. Në Tiranë bëhet takimi (konkurimi) i Estradave më të mira profesioniste. Merr pjesë edhe trupa e Estradës së Hidrocentralit të Vaut të Dejës, e cila drejtohej nga Artisti me emër Gjosho Vasia. Jo vetëm merr Flamurin e Festivalit por edhe nderohet me Medalje të Artë. Arritje e paparë në rrugën e tij artistike. Talenti i Gjoshos, tashmë, ka arritur kulme e maja të reja.

Pak meditim…

… por për Gjoshon paska edhe stacione të hidhura.

Vitet kalonin dhe arti i fuqishëm i Gjoshos iu imponohej të gjithëve. Ishte talenti i tij, tepër i pëlqyer dhe mahnitës, me një individualitet të kristalizuar e poetik, ai,  që bënte t’i kapërcente barrierat e egra, si: “biografia e keqe”, “lufta e klasave”, “i papëlqyer i sistemit komunist” etj., etj. Si një bar i keq e helmues e ndoqën tërë jetën Gjoshon. Talenti i tij rrezatonte gjithëherë, ndonëse bënin përpjekje ta linin në hije. Por ishte talenti i tij, e vetmja pasaportë që i jepte të drejtën e vizës apo të qarkullimit, që figura e tij, tashmë (e lejonin), të zinte një dritare të vogël në skenën e Estradës Profesioniste të qytetit të lindjes apo në ekranin e televizionit. Më “dorëlëshuar” e më “zemërgjerë” ishin për të koncertet e Vitit të ri për fëmijë, ku Ai së bashku me Zefin ishin (vazhdonin të ishin) protagonistë kryesorë.

Nuk mund t’i zëvendësonte kush. Nuk mund t’i arrinte kush. Se ata të dy Gjosho e Zef me interpretimet e tyre i bënin ato mbrëmje të magjishme. Si ëndërr e bardhë mirëdashësie shëtiste humori i tyre brilant e karakteristik me akcentin e paasgjësueshëm shkodran. E njohën botën fëmijërore ato dy aktorë profesionistë. Humorin plot dritë, që ofruan aktorët e papërsëritshëm, i ngjante dhuratave më të bukura në pragun e Vitit të Ri. Dhe fëmijëve që s’u ikte asnjëherë buzëqeshja nga fytyra e gazi nga shpirti, u dukej sikur po lexonin një libër me përralla humoristike. E, ato, fëmijët e shfletonin atë “libër” edhe pas shfaqjes… E shfletonin… dhe si një burim u rridhte buzëqeshja. Një buzëqeshje e pastër e një humori paksa të rrallë, që nuk vinte shpesh. Ata dy aktorë e nderonin botën fëmijërore, me talentin e tyre.

Tani për Gjoshon kanë mbetur edhe katër stacione: -Tiranë, -e shohim përsëri në Shkodër, -për pak kohë në Estradën Profesioniste. (Merr pjesë në disa koncerte-variete, si dhe në shfaqjen: “A thua po më del emri?” Dhe vërtetë, një ditë Gjoshos i doli “emri”. Nuk e kishin harruar. E transferuan në –UTE. Atje krijoi një grup estrade për t’u pasur zili. Çuditërisht, edhe këtu gjeti dy “mosketjerë të rinj” të humorit, dhe ishin Mark Lëkunda e Mark Rraboshta.

Kujtime…

Gjoshoja kishte një biçikletë. I bënte hyzmet shumë asaj. Donte t’ia zgjaste sa më shumë jetën, edhe pse ishte e vjetër.

Ishte periudha kur punonte në Estradën profesioniste të teatrit “Migjeni”.

Një ditë, po i jepte me sa fuqi që kishte këmbëzave të biçikletës. Ishte bërë vonë për punë. Pa marrë kthesën për të dalë në qendër, një fëmijë i hipur në mur e thërret: “Xhaxhi Gjosho, aman të lutem ndalu pak..!” “Hë, mo ç’do?! Thuje, pak shpejt, se jam vonë!” – i flet Gjoshoja duke iu marrë fryma. “A po na ban me qeshë!” – i thotë fëmija. Gjoshoja e shikon. Qesh një herë. I qeshin sytë, dhe fluturon me biçikletë.

Nuk e di, pse m’u përsërit ai fëmijë pas kaq vitesh, me pyetjen naïve e të sinqertë: “A po na ban me qeshë, xhaxhi Gjosho?”

Po, ishte një e vërtetë, veçanërisht fëmijët nuk mund ta kuptonin xhaxhi Gjosho Vasinë pa të qeshurën e tij, pa buzagazin, pa batutën, të cilat mbartnin ngjyra humori, aq të kuptueshme edhe për fëmijët.

Një ditë e pyeta aktorin humorist Paulin Preka: “Sa i hershëm je me Gjosho Vasinë?” Ai m’u përgjigj: “Me Gjoshon kam kujtime boll. Kaq kujtime kam, sa edhe dy dasmat e fëmijëve të mi; atij, Gjoshos ia kam dorëzuar. I kam thënë drejtoji ti… Po të jap rritje në detyrë e bëhu një herë drejtor..”.

Kur Gjoshoja hynte në skeç, veçanërisht kur kishte partnere Zyliha Milotin dhe Katerina Bigën; nuk kishte burrë me ia ndalë të qeshurën. Aq sa në një shfaqje u detyruan ta linin nje skeç përgjysmë, kaq shumë e kishte kapur gazi (e qeshura) Gjoshon.

Një ditë Paulini me Gjoshon shkuan për të ngrënë mana në Vaun e Dejës, te një mik i tyre i përbashkët. Hipën në man në orën 08 e 30’ të mëngjesit. Aty nga mesdita, i zoti i shtëpisë po i thërret: “A po urdhnoni, të hamë drekë!” “Jo, jo” – i përgjigjet Gjoshoja. “Jemi tuj hangër drekë”. I zoti i shtëpisë ikën. Familja e tij ha drekë. Pastaj, më vonë i zoti i shtëpisë shkon për një vizitë te një mik, e kur kthehet në pragmuzg, shikon se diçka lëviz nëpër man. Bërtet me të madhe: “Po ju more, ç’ka jeni atje?!” “Gjoshoja me Paulinin në degë të manit. Ky mani s’po na len me ikë, që s’po na len…” – dhe shpërthejnë disa të qeshura që vetëm aktorët dijnë t’i bëjnë.

Gjosho Vasia dhe ca tinguj kitare, më kujtojnë…

Gjoshoja ishte një aktor që, përgjithësisht nuk mori pjesë në prozën e madhe, si p.sh. në skeçe e më gjerë në zhanret e kësaj gjinie humoristike. Ishte i monologut, i kupletit, brilant në grimcat humoristike, i dialogëve, etj. Mbi të gjitha shkëlqente si konferencier. Intervistues i shkëlqyeshëm. Një Maik Bonxhorno shqiptar, një Pipo Baudo, një Korrado, një shqiptar…, shkodrani me emër: Gjosho Vasia. Unë që e kam njohur për shumë vite, them që, sapo fillon të flasësh për Gjosho Vasinë, menjëherë vë buzën në gaz. Të kujtohen skeçet, paroditë, kupletet, intervistat…, ku skaliti një mori personazhesh humoristikë, njëri më i arrirë se tjetri, njëri më interesant se tjetri.

E kam pyetur një herë se, ku duhet ta kërkoj burimin e këtij gazi e humori? E Gjoshoja me atë thjeshtësinë që e karakterizonte m’u përgjigj: “E gjen te familja ime, aty te rrënja. Prindërit e mi kishin një natyrë të tillë: të bënin të qeshje me romuzet e tyre. Siç duket e trashëgova dhe unë… Siç duket humori buron nga shpirti dhe s’ka të mbaruar…”.

Humori i Gjoshos! E kujtoj herë pas here… E kujtoj, dhe më kujtohet një thënie e mençur e shkrimtarit Stefan Cvajg, i cili thoshte për një personazh të tij: “Humori i tij… e shtyn drejt të gjitha kohërave”. Kjo thënie i takon dhe Gjosho Vasisë. E meriton! Ndaj, kohërat e respektojnë dhe e mbulojnë me lavdi. (Shkodër, shkurt 2018)/shqiptarja.com/