27 pes – Senati i Romës i jep Gaius Julius Cesar Oktavianit titullin Augustus, duke shënuar fundin e republikës dhe fillimin e Romës si Perandori. Oktaviani kishte studiuar për filozofi dhe arte në Apolloni (afër Fierit të sotëm). Jul Qezari e birësoi atë dhe e la me testament si zevendësin e tij. Megjithëse erdhi në post nëpërmjet shumë vrasjesh e luftrash, sundimi i Oktavianit si perandor deri sa vdiq në vitin 14 të erës sonë, është cilësuar si ndër periudhat më të qeta e paqësore në historinë e Perandorisë Romake.

929 – Emir Abd – er- Rahman III themelon Kalifatin e Kordovas, një mbretëri islamike e cila zgjati rreth 100 vjet në një territor prej 600 mijë kilometrash katrorë (sot Gjibraltar, Marok, Portugali e Spanjë).

1412 – Familja Medici emërohet zyrtarisht bankiere e Papatit. Shtëpia Medici – dinasti politike, dhe më vonë mbretërore në Firence – e kishte prejardhjen nga Mugello, një fshat në krahinën e Toskanës.

1547 – Ivani i Tmerrshëm bëhet Car i Rusisë. Ai e transformoi Rusinë në një shtet shumëetnik dhe shumëfetar duke e shtrirë në një territor prej 1 miliardë hektarësh. Ivani u bë i pari Car i të gjithë rusëve. Eshtë thënë se ishte një figurë komplekse: vuante nga sëmundje mendore; por diplomat i aftë; mbrojtës i arteve dhe tregtisë; mjaft popullor mes njerëzve të thjeshtë; i tmerrshëm për shtresat e larta.

1572 – Thomas Howard, Duka i Norfolkut gjykohet për tradhti për pjemarrje në komplot për të rivendosur katolicizmin në Angli. 10 vjet më vonë, Parlamenti anglez do t’a nxirrte jashtë ligjit Kishën katolike.

1786 – Virginia miraton Statutin për Liritë Fetare; autori i dokumentit ishte Thomas Jefferson, hartues i Deklaratës së Pavarësisë dhe i Kushtetutës amerikane. Jefferson shkroi, gjatë rrjedhës së jetës së tij, mbi gjashtë mijë letra; u njoh me gati çdo person me ndikim në Amerikë, dhe me një numër shumë të madh në Evropë; në rininë e tij nuk vuri këmbë në Evrope, po u vetë-arsimua njësoj si më të mëdhenjtë e saj. Xheferson ishte avokat, agronom, muzikant, shkencëtar, filozof, shkrimtar, arkitekt, shpikës, burrë shteti; rilindas e përfaqësues kryesor i Iluminizmit amerikan.

1847 – Udhëheqës në luftën e sukseshme për të rrëmbyer Kaliforninë nga Meksika, eksploruesi dhe hartografi John Fremont bëhet shkurtimisht guvernator i këtij territori të ri amerikan.

1920 – Lidhja e Kombeve mban takimin e saj të parë në Paris, Francë. Shqipëria do t’i bashkohej Lidhjes afërsisht 11 muaj më vonë, më 17 dhjetor 1920, duke garantuar sigurinë e pavarësisë së saj.

1944 – Lufta e Dytë Botërore: i dërguar nga shtabi i forcave aleate, majori britanik Anthony Quayle mbërrin në Vuno, rreth 4 kilometra në perëndim të Himarës dhe i shkruan Hysni Kapos për t’a informuar se propozonte që aty të ngrihej një bazë detare nëpërmjet së cilës Brigada V partizane në zonën e Vlorës të furnizohej me armë e municione. Ky ishte roli i tij në Shqipëri. Sepse Anthony Quayle njihet në botë për karrierën e sukseshme mbi 50 vjeçare si aktor, drejtor e regjisor në teatër, kinema e televizion. Në vitin 1970, ai u emërua për çmimin Oskar për rolin e tij mbështetës si Kardinal Wolsey në filmin historik ”Anne of the Thousand Days”. Në vitin 1985, mbreteresha britanike e nderoi me titullin kalorsiak “Sir”. Sir Anthony luajti në mbi 30 filma. Ai mund të mbahet mend më mirë për rolet e tij në filmat “The Wrong Man” (1957), “The Guns of Navarone” (1961) dhe ”Lawrence of Arabia” (1963). Sir Athony Quayle vdiq më 1989 në shtëpinë e tij në Londër, në moshën 79 vjeçare.

1969 – Studenti çek Jan Pallach djeg veten në sheshin e Pragës, Çekosllovaki, në shenjë proteste kundër shtypjes me dhunë të “Pranverës së Pragës” nga tanket sovjetike një vit më parë, 1968.

2005 – Adriana Iliesku, profesore universiteti dhe shkrimtare rumune, lind në moshën 66 vjeçare vajzën e saj Eliza, duke thyer rekordin botëror si gruaja më e moshuar që lind./Konica.al