Këto janë imazhet që pushtuan ekranet e televizioneve gjermane, ndërsa qindra shqiptarë rrëzuan murin e ambasadës gjermane në 2 korrik 1990. 25 vite më pas, ambasada gjermane ka zgjedhur të risjellë në kujtesë me përjetime nga vetë dëshmitarë të kohës, atë që njihet si hapja e ambasadave, një prej momenteve më të rëndësishme të revoltës së shqiptarëve kundër regjimit komunist. mikpritësi I këtij aktiviteti ambasadori gjerman Helmut Hoffman vuri në dukje se kishte hezituar në organizimin e tij me frikën e dhënies së një sinjali të gabuar në këto momente kur shqiptarët ndodhen në krye të listës së azilkërkuesve në Gjermani.

“Ajo qe ndodhi ishte një hap mjaft i rëndësishëm drejt çlirimit të Shqipërisë nga diktatura. Kur ne fillim të vitit diskutuam për të bërë këtë aktivitet pati kritika nga punonjësit e deleguar gjermanë të cilët kishin dyshime nëse mund ta bënim një gjë të tillë, pra të festonim pushtimin e ambasadës sepse kjo ky është një akt i jashtëligjshëm. Veç kësaj dihet që ne kemi një problem me emigrantët shqiptarë që kërkojnë azil ekonomik. Por për punonjësit shqiptarë ky moment, pra dyndja në ambasada ishte një moment lirie. moment i çlirimit të Shqipërisë.

Madje shumë shqiptarë më kundërshtuan edhe termin pushtim i ambasadave kur flitet për 2 korrikun e vitit 1990”, shprehet Hoffman. Shumë i emocionuar foli edhe Dr. Werner Daum, i cili drejtonte ambasadën gjermane në vitet 90. Ndërsa kujtoi 2 korrikun e atij viti, Daum pranoi se u kishte dhënë vetë sinjal shqiptarëve që të hynin në ambasadë. “Ato ditë sapo kishte nisur hyrja në ambasada, fillimisht në atë greke dhe më pas në ambasadën italiane. dhe brenda meje isha i trishtuar që askush nuk po vinte në ambasadën tonë.

Kështu një pasdite i kërkova punonjësve të mos rrinin jashtë orarit dhe më pas ndeza dritat e gjithë ambasadës madje dhe projektorët në çati, dhe shpresoja që shqiptarët ta shihnin dhe të vinin tek ne. Kjo mbase është shkelje qoftë diplomatike apo edhe në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisht kundër pritshmërie të qeverisë time. E në fakt shpresa ime nuk më zhgënjeu, atë mbrëmje erdhën shqiptarët e parë e ditët e tjera erdhën shumë të tjerë. dhe pas 2 ditësh i pashë gjërat ndryshe. Qëllimi im nuk ishte më që të merrja e të siguroja largimin e sa më shumë shqiptarëve prej diktaturës dhe një tiranie vrasëse por tashmë unë doja që regjimi të binte”, shprehet Daum. Gezim Peshkepia, njëri nga mijëra qytetarët që vërshuan në atë 2 korrik drejt ambasadës gjermane, dhe anëtar i Bordit Drejtues të Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit rrëfeu detaje dhe përjetime nga dita kur morri vendimin që bashkë me të shoqen dhe 2 djemtë të ngjitej mbi kangjellat e murit të ambasadës me shpresën për të qënë I lirë. /A1 Report