Erkand Qerimaj ka qënë thjeshtë fenomenal në Kupën Mesdhetare. Peshëngritësi shkodran arriti të dominojë totalisht disiplinën deri në 81 kilogramë, duke marrë tre medalje të arta, në shtytje, shkëputje dhe dygarësh.

Në turneun që po zhvillohet në San Marino,  Qerimaj ngriti lart plot 156 kilogramë në stolin e shkëputjes, ndërsa në shtytje ia doli të ngrejë 190 kilogramë, duke fituar me meritë edhe vendin e parë në dygarësh, me një total prej 346 kilogramë.

Në të njëjtën peshë garoi edhe peshëngritësi tjetër shqiptar Daniel Godelli, i cili ngriti 145 kg në shkëputje dhe 186 në shtytje, duke marrë një medalje bronzi në këtë stil, por duke u renditur i katërti në dygarësh.

Ditën e sotme garoi edhe peshëngritësi tjetër, Briken Calja në kategorinë deri në 73 kg, që mori medalje argjendi në shkëputje me 145 kg dhe medalje bronzi në shtytje me 175, ndërsa edhe në dygarësh u rendit në vendin e tretë.

Pas kësaj paraqitjeje, të tre peshëngritësit siguruan kualifikimin në Lojërat Olimpike Tokyo 2020, me Qerimaj që gdhendi emrin e tij me shkronja të arta në librin e Kupës Mesdhetare, ku vendosi 3 rekorde.

/Ora News.tv/