Hava Bekteshi është një ekonomiste nga qyteti Neustadt afër Hamburgut, në Gjermani. Ajo është me origjinë shqiptare ka migruar nga Maqedonia në Gjermani, me prindërit, kur ka qenë vajzë 14 vjeçe.

Muzika autoktone shqiptare dhe  çiftelia kanë qenë gjithmonë pjesë përbërëse e kohës së lirë në shtëpinë ku ajo është rritur, shkruan albinfo.ch. Në këtë mënyrë ky instrument është bërë për të një mjet për të shprehur ndjenjat.

Me kalimin e kohës, çiftelia e saj ka kaluar muret e shtëpisë dhe të familjes së saj, duke zënë gjithnjë më shumë vend edhe në shkolla, orkestra, mese artistësh, dhe kudo ku ekonomistja shqiptare ka gjetur mundësinë për ta bërë të njohur këtë pjesë të traditës shqiptare.

“Kam marrë pjesë në festivale të ndryshme, në bashkëpunime me muzikantë të zhanreve të ndryshme ku gjithmonë e kam përfshirë çiftelinë. Pastaj kam zhvilluar projekte me nxënës gjermanë, projekte në teatër, si në Teatrin Gjerman “Deutsches Schauspielhaus” por dhe jashtë Gjermanisë, në qytete si Venezia, Lioni, etj”, thotë Bekteshi.

Por, si kurorëzim të përpjekjeve të saj në këtë drejtim, Hava e konsideron paraqitjen në koncertin e realizuar bashkë me Filarmoninë e famshme të Hamburgut (Elbphilarmonie). Të shtunën që shkoi, më 25 maj, në kuadrin e projektit “Stadtlied” (Kënga e qytetit) që u zhvillua në Hamburg, Havaja i ra instrumentit shqiptar teksa shoqërohej nga filarmonia.

“Mbrëmë në Elbphilharmonie, në Hamburg jam paraqitur me çifteli nën tingujt e këngës sime të bukur shqipe „Tingellon teli i Çiftelisë“! Kështu, çiftelia është parë e dëgjuar për herë të parë në një koncert të tillë madhështor”, shprehet Hava Bekteshi. “Ka qenë diçka kaq e pabesueshme dhe unë jam shumë mirënjohëse që pata mundësi të qëndroj në këtë skenë gjigante së bashku me kaq shumë artistë tjerë profesionistë”.

Koncertit në fjalë i ka paraprirë një përgatitje e gjatë dhe intensive përmes provave dhe punëtorive të ndryshme. Aty kanë marrë pjesë mbi 100 persona, të gjinive, moshave, profesioneve dhe prejardhjeve të ndryshme.

Qëllimi i këtij projekti të kurorëzuar me koncertin e madh ka qenë prezantimi i qytetit të Hamburgut si një qytet kozmopolit, të cilin e pasuron prania e një numri të madh komunitetesh me prejardhje të ndryshme.

e.ll./dita