Komedia “Çifti i lumtur”, që u shkrua nga autori Bik Pepa, me regji nga Serafin Fanko erdhi premierë në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës në dhjetor të vitit 1974. Teatri i Shkodrës në kuadër të 70- vjetorit të këtij institucioni ka publikuar materiale dhe foto për këtë komedi, që më pas u bë dhe film në Kinostudio.

“Në kuadrin e 70- vjetorit të teatrit ” Migjeni” 1949 – 2019, 45 vite më parë, me datën 14.12.1974, në skenën e teatrit iu paraqit spektatorit shkodran premiera “Çifti i lumtur”. Regjisor Serafin Fanko, skenograf Bep ( Zef) Shiroka, piktor ekzekutues Lec Fishta dhe inspektor skene Çesk Vuksani”, shkruan teatri i Shkodrës për këtë komedi, që u luajt në skenë në vitin 1974. Në role interpretuan aktorë të njohur të atyre viteve. Fanatiku – Bep ( Zef) Shiroka, e shoqja – Tinka Kurti, i biri -Nefail Piraniqi, halla e Fanatikut -Vitore Nino, përparimtari – Ramiz Rama, e bija -Marije Qyrsaqi, brigadieri- Edmond Mëhilli, kryetarja e komisionit profesional -Ana Gjini, lektori -Petrit Turja, roja- Gjon Kola.

Në materialet që ka publikuar teatri “Migjeni” i Shkodrës thuhet se deri në shfaqjen e shtatë kjo vepër teatrore u ndoq nga 3400 spektatorë. “Kjo komedi është shfaqur më shumë se 10 herë. Shënimet e mbajtura janë të sakta deri tek shfaqja e shtatë, spektatorë 3400”, bëhet me dije teatri. Që në fillim të viti 1975 kjo komedi u bë një frymëzim për Kinostudion ” Shqipëria e Re”, e cila realizoi një nga filmat e saj më të suksesshëm,” Çifti i lumtur”. Premiera e filmit me regji nga Piro Milkani u shfaq më 19 tetor të vitit 1975. Skenaristë ishin Bik Pepa, Kiço Blushi dhe Pirro Milkani.

Bik Pepa lindi në Shkodër dhe u shkollua në gjimnazin françeskan “Illyricum” dhe më tej në Fakultetin e Gjuhë Letërsisë së Institutit të Lartë Pedagogjik dyvjeçar në Tiranë. Bik Pepa e nisi që i ri veprimtarinë e vet krijuese e artistike. Fillimisht u evidentua si poet lirik, duke demonstruar talent premtues në lirikën intime e atë meditative përmes poezive si “Më ka ra mall”, “Farkëtari”, “Je vjeshtë e gjelbërume, pranverë në vjeshtë” dhe të tjera që janë botuar në organet e shtypit të kohës. Por jeta e tij krijuese e artistike do ti përkushtohej teatrit të estradës.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/