Cirku i Tiranës u krijua në vitin 1952, si bërthamë e parë pranë Estradës së Tiranës. Telat Agolli, Bajram Kurti, Xhuzepina Prendi (Shkurti), Bardhyl Jareci, Abdyl Karakashi ishin të parë që themeluan trupën e cirkut, e cila në vitin 1959 doli me premierën e parë “Shkopi Magjik”. Ndërsa në vitin 1964 premiera “Fluturime akrobatike” ishte vizioni drejt së ardhmes, ku cirku u konsolidua me profile, u shtuan varietetet etj., si dhe fuqia artistike. Në vitin 1973, Cirku u nda më vete si institucion nga Estrada nga ana buxhetore dhe artistike, premierat u shtuan, po ashtu shfaqet në rrethe, niveli artistik pati rritje. Dy vjet më pas vjen çadra e cirkut, ndërsa në vitin 1976 u shfaq premiera “Drejt lartësive” e para në çadrën arenë të cirkut. Kjo e plotësoi cirkun me varietete të reja me kuadrin artistik, me koncepte regjisoriale dhe artistike. Kjo i dha hapësirë cirkut në krijimtari duke fuqizuar aktivitetin artistik, ku “çadra shëtiste” ishte në rrethe të kategorisë së parë dhe të dytë. Shfaqet u kthyen në manifestime. Studio e Cirkut u arrit vetëm në vitin 1977, ku u përgatitën elementët brenda trupës profesioniste, që e kanë ushqyer trupën e cirkut me elementë të rinj. Studio dhe sot e kësaj dite ekziston, po ashtu mjeshtrit e cirkut, kontributi i tyre mbi 30 -vjeçar nuk është shuar, përkundrazi në vite ka nxjerrë elementë të cilët debutojnë e kanë debutuar në arenën e cirkut, e gjetkë.