Mbërrin për koncertin e tij të parë, në Shqipëri, Georgo Dalaras. Këngëtari jo vetëm grek, por ndërkombëtar, do të këndojë në disa gjuhë. Për koncertin që do të mbajë të mërkurën mbrëma në amfiteatrin e Liqenit të Tiranës, biletat tashmë janë tërësisht të shitura.

Surpriza, siç e pohon vetë ai, është se do të ketë edhe këngë në gjuhën shqipe.

“Jo vetëm unë, por e gjithë orkestra, jemi shumë të gëzuar dhe e presim me shumë interes koncertin e sotëm”, – ka thënë këngëtari Dalaras.

Dalaras njihet si këngëtar tejet i rezervuar. Nëse provojmë të kërkojmë ndonjë të dhënë për të, ka shumë pak intervista, megjithëse karriera e tij është e gjatë. Për mediet, ai është shprehur se ka një ndjesi të veçantë sot, pasi ftesa vjen e përbashkët, nga Bashkia e Tiranës dhe Ambasada.

Këngëtari është treguar shumë modest, kur ka folur për karrierën e tij në Greqi dhe jashtë saj, madje edhe në Shqipëri.
“Janë shumë bashkëqytetarë tuajit që jetojnë në Greqi dhe gjithë këto vite, ne kemi qenë bashkë, si në të mira dhe në të këqija. Muzika, gjithmonë bashkon dhe është ky bashkim, ai që ka vlerë dhe ka më shumë rëndësi.”

Amfiteatri, si skena e zgjedhur për koncertin, kishte një rëndësi të veçantë për të.

“Nuk doja të këndoja në një klub nate, por preferova të këndoj në skenën e amfiteatrit, pasi kjo skenë është më afër meje. Këto janë këngë që këndohen në të gjithë Ballkanin. Është lloji i këngës që na bashkon dhe kjo më gëzon, prandaj edhe jam këtu”, – ka treguar ai.

“Kam shkuar në shumë vende të botës. Kam kënduar në portugalisht, kam kënduar në spanjisht. Në fund, rëndësi ka nga vjen muzika. A arrin ajo të shkojë nga zëri në zemër, kjo është më e rëndësishmja. Do të luajmë dhe tri këngë shqiptare, që m;i ka mësuar orkestranti im nga Shqipëria, quhet Taso Kurti.”

Ndërkohë, skena e amfiteatrit do të jetë nën tingujt e kitarës dhe zërin e këngët e Dalarasit, mbrëmjen e sotme, në orën 21:00.

Burimi: Konica.al