Kur Dielli dhe Hëna u takuan për herë të parë, u dashuruan me shikim të parë. Bota ende nuk ishte krijuar dhe kur Krijuesi vendosi ta krijonte, i dha dritën e tyre. U vendos se Dielli do të ndriçonte ditën dhe Hëna natën. Por kështu do të mbeteshin të ndarë.

Hëna pavarësisht shkëlqimit të saj filloi të izolohej dhe Dielli nga ana e tij, pavarësisht se kishte fituartitullin ”Mbret i Yjeve” nuk ishte i lumtur. Krijuesi duke parë dëshpërimin që i kishte pushtuar, i ftoi dhe u shpjegoi se secili prej tyre kishte një shkëlqim të veçantë dhe se nuk duhej të ishin të dëshpëruar. Ti Hënë do të ndriçosh netëve dhe do të magjepsësh të dashuruarit. Ti Diell do t’i japësh shkëlqim Tokës gjatë ditës dhe ngrohtësi njerëzve dhe prezenca jote do t’i lumturojë ata. 

Por Hëna u mërzit për fatin e saj dhe qau me dënesë. Dielli duke e parë që po vuante vendosi t’i jepte fuqi asaj dhe ta ndihmonte që të pranonte vendimin e Krijuesit. Megjithatë vendosi t’i kërkonte një nder Krijuesit. – O Krijuesi im, të lutem ndihmoje Hënën pasi është më e ndjeshme se unë dhe nuk e duron dot këtë vetmi. Atëherë për t’i ardhur në ndihmë, Krijuesi krijoi dhe i fali Hënës yjet. Sa herë që Hëna ndjen vetmi, shkon tek yjet që ta ngushëllojnë, të cilët bëjnë gjithçka që t’ia arrijnë, por kurrë nuk ja dalin.
Deri në ditët e sotme jetojnë të ndarë.

Dielli shtiret se është i lumtur dhe Hëna përpiqet të fshehë mërzitjen e saj. Thuhet se Krijuesi donte që Hëna të ishte gjithmonë e plotë dhe e ndritshme, por nuk ja doli dot… Pasi Hëna është femër dhe asnjë femër nuk mund të jetojë dot pa dashuri. Kur është e lumtur është e plotë, e mbushur dhe shkëlqen. Kur është e dëshpëruar është e përgjysmuar, e çerekëzuar dhe mezi shihet shkëlqimi i saj.

Hëna dhe Dielli ndjekin fatin e tyre. Ai, i vetëm por i fuqishëm. Hëna në shoqërinë e yjeve, por e brishtë. Shumë të tjerë u munduan të fitonin zemrën e saj por nuk ja dolën. Disa vajtën që ta shihnin nga afër, por përsëri u kthyen me duar bosh. Kurrë askush nuk mundi ta sillte në Tokë dhe as të bëjë të dashurohej me dikë tjetër. Krijuesi vendosi atëherë që asnjë dashuri nuk është e pamundur, as edhe e Diellit me Hënën.

Kështu krijoi eklipsin. Sot Dielli dhe Hëna, jetojnë duke pritur me padurim këtë moment. Momentin që ju dha dhe që ndodh kaq rrallë dhe zgjat kaq pak.

Tani e tutje kur të shohësh qiellin dhe të shohësh Diellin të mbulojë Hënën, ta dish se është momenti kur të dy përqafohen. Kjo vepër dashurie u quajt eklips. Është e rëndësishme të mbajmë mend se ky shkëlqim pasioni, është aq i madh saqë këshillohet të mos shohim nga qielli në atë moment, pasi sytë tanë mund të verbohen… duke parë kaq shumë dashuri…

Burimi: Akropoli i Ri

Advertisements
Advertisements