Një ditë, në një vend të Tokës, u mblodhën të gjitha emocionet dhe vlerat e njeriut. Çmenduria, pasi iu prezantua tre herë Bezdisë, i sugjeroi që të luanin kukafshehti. Interesimi ngriti vetullën dhe priti të dëgjonte më tej, ndërsa Kurioziteti pa e mbajtur veten pyeti: Çfarë është Kukafshehti?

Entuziazmi filloi te kërcente bashkë me Euforinë dhe Gëzimi filloi të hidhej lart e poshtë që të mund të bindte Dilemën dhe Apatinë –të cilëve nuk u interesonte kurrë asgjë- që të luanin edhe ata.
Por ishin të shumtë ata që nuk dëshironin të luanin. E Vërteta nuk dëshironte të luante, pasi e dinte se sido që të ishin gjërat, atë do ta zbulonin, Arrogancës loja i dukej budalleske, dhe Frika nuk donte që të rrezikonte.

Një, dy, tre, filloi të numëronte Çmenduria. I pari që u fsheh ishte Dembelizmi. Meqënëse përtonte, u fsheh pas gurit të parë që gjeti. Besimi fluturoi në qiell dhe Zilia u fsheh pas hijes së Triumfit, i cili me fuqinë e tij arriti të ngjitej në pemën më të lartë.
Bujaria nuk mund të fshihej, pasi çdo gur që gjente i dukej i mrekullueshëm që të fshihej ndonjë tjetër mik i saj, dhe për këtë e linte të lirë. Kështu Bujaria u fsheh pas një rrezeje Dielli. Egoizmi, përkundrazi, gjeti menjëherë vend shumë të mirë për tu fshehur vetëm ai vetë. Gënjeshtra shkoi dhe u fsheh në fundin e oqeanit.

Pasioni dhe Epshi u fshehën brenda një vullkani. Dashuria nuk kishte gjetur ende vend për tu fshehur. I gjente të gjitha vendet të zëna, deri sa më në fund gjeti një rrënjë trëndafili të dendur dhe u fsheh pas saj.

«… 1000», numëroi Çmenduria dhe filloi t’i kërkonte me radhë. Të parin gjeti Dembelizmin, meqënëse nuk kishte shkuar dhe shumë larg. Në vijim gjeti Besimin që po fliste në qiell me Zotin mbi Teologjinë. Ndjente ritmin e Pasionit dhe Epshit në thellësinë e vullkanit dhe, meqënëse gjeti Zilinë, nuk ishte aspak e vështirë të gjente dhe Triumfin. Gjeti shumë lehtë Dilemën që ende nuk kishte vendosur se ku të fshihej.

Dalë ngadalë i gjeti të gjithë përveç Dashurisë. Çmenduria e kërkonte kudo, pas çdo peme, pas çdo shkëmbi, në çdo majë mali, por asgjë… Kur ishte gati për tu dorëzuar, gjeti një rrënjë trëndafili të egër dhe filloi ta lëvizte me nervozizëm, deri sa dëgjoi një britmë dhimbjeje. Ishte Dashuria, të cilës gjëmbat e trëndafilit i kishin lënduar dhe verbuar sytë.

Çmenduria nuk dinte si të korigjonte gabimin e bërë, qante, kërkonte ndjesë dhe në fund premtoi të bëhej udhërrëfyesi i Dashurisë. Nga ai moment Dashuria është gjithmonë e verbër dhe Çmenduria gjithmonë e shoqëron…

Burimi: Akropoli i Ri