Shkurti ishte në ditët e fundit të tij. Kishte dhuruar ca ditë të ngrohta me shumë diell, thua se ja kishte marrë hua prillit. Nëpër degët e mollës sythat ishin fryrë nga lëngu, gati për të shpërthyer.

-Si kokrrat e gjirit të femrës lehonë nga qumështi, – tha ai me zë të lartë një varg që i erdhi në mendje t’i shtonte poezisë së tij për prillin. Për t’i rënë më shkurt, ndërsa kthehej nga zyrat e kooperativës për në shtëpi, kaloi mespërmes parcelës me mollë të sektorit të frutikulturës. I kishte kërkuar lejë kryetarit se atë të shtunë do të darkonte nga i vjehrri, në një fshat as një orë më këmbë nga fshati i tyre. E dinte se sa do të kënaqej e shoqja kur t’i thonte për të bujt tek njerëzit e saj një natë. Ajo kish kaq kohë që shkarazi ja kërkonte një gjë të tillë. Kur e kujtonte se nëna kish patur probleme me reumatizmën apo se e kish parë babën në ëndërr duke kënduar, e që do të thonte se ishte pa qejf, ai e kuptonte se duhej të gjente kohën, të paktën një natë, të shkonin e të shihnin se si ishin pleqtë. “Të shtunën tjetër, sot kemi shumë punë,- kishte dy vjet që ai i thonte tek e puthte rrëshqanthi poshtë veshit në korridor ndërsa ajo me vajzën e vogël në krah e përcillte deri tek dera.
– Erdhi e shtuna e lume,- i tha ai për ti shuar çudinë e kthimit herët nga puna.
– Nuk më besohet, – i tha ajo ndërsa ju var në qafë dhe i afroi buzët për ta puthur. Ndoshta do të ishin puthur gjatë, gjatë si në stolin e tyre në Institut, por vajza e vogël kish një minutë që i shtynte tek këmbët duke i kërkuar ta merrnin në krah.
– Babuci, babuci, ba…!

Ai u ul e mori vrik në krah dhe të tre të përqafuar filluan të vinin rreth e rrotull në korridor duke kënduar këngën e fundit që vajza kish mësuar nga televizori.
– Bëhuni gati, o burra o shoqe, – i tha ai gruas dhe vajzës duke qeshur dhe vetë hyri në banjë të hiqte mjekrrën. Pas minutash u vunë në udhë. Ai vajzën kaliqaf, ajo dy tre metra pas një bohçe të vogël ndërresash. Palltot e gjata i mbanin me çdo kopsë hapur.
– Duhet të shpejtojmë, edhe gjysëm ore kemi ditë, por shyqyr qielli është qelibar po të heqësh atë renë e vogël mbi mal, – i tha ai të shoqes duke shtuar hapat.
Ajo reja e vogël mua s’më pëlqen, – tha e shoqja ndërsa nxitoi ti arrinte. Vajza e vogël kërcente mbi qafën e të atit. Ai ktheu kokën nga e shoqja. Ja pa merakun në sytë e saj të mëdhenj dhe të zinj si të mëshqerres. “Mos u bëj budallaqe, i tha me përkedheli duke ndalur një hop e duke e puthur në flokë.
-Ec kal, ec kal !- jepte urdhër e vogla dhe e godiste me këpuckat në gjoks…
…Sa i kishte gëzuar lindja e kësaj fëmije vëtëm ai dhe ajo e dinte ta thonte. Ata ishin fejuar që në vit të dytë fakultet në një vit kur s’u kuptua se si për shumë çifte erdhi dhe u bë modë kthimi i shpejtë i dashurisë në fejesë. Ai ishte një djalë nga jugu dhe studjonte agronomi ndërsa ajo “malësorja ime” siç thosh ai me përkëdheli, ekonomi agrare. “ Punë e parë që do bëjmë sa të martohemi, kush është?- e pyeste ai i lodhur, pasi mbaronte sekskoti, me duar si nënkresë duke parë netëve yjet e prillit në lëndinat e kopshtijet e Institutit Bujqësor. “ Një fëmijë , një fëmijë – i thosh ajo e papërmbajtur duke i hipur në gjoks me këmbë të hapura…

S’kishte patur nevojë për të futur mik në emërimin e të dyve në një fshat ngjitur me të sajin në rrethin më verior të vendit. Por atij aq i bënte. Me atë do të ndihej i lumtur edhe në fund të botës. Dasmën e bënë në mes të korrikut, ja tek kjo parcelë me mollë që po lënë pas. Në mesin e gëzimit tek hëna varej në degë të pemëve dhe dasmorët çakërqejf këndonin këngët e jugut, për ti bërë qejfin krushqve, duke i bërë lesh e li fjalët edhe vargjet, ata e panë njeri- tjetrin në sy, ju vodhën dasmorëve dhe shkuan e bënë dashuri të vërtetë si burrë e grua ja tek kjo lëndina e vogël në anë të parcelës me mollë dhe të dy, i thoshin më vonë njeri- tjetrit se e kishin ndjerë çastin kur spermatozoidi tij kish trokitur në vezoren e saj dhe në dritë të hënës kish ndodhur ngjizja e fëmijës.
-Shiko, ajo reja e vogël po vjen me shpejtësi këtej, duhet të nxitojmë ta kapim qafën e malit me pisha para saj. Ishte ai që e vuri merakun tek reja këtë herë.U dhanë këmbëve më shpejt. Rruga vinte dhiare dhe e përpjetë.
Dhjetë minuta deri tek qafa e malit dhe pastaj edhe gjysëm ore deri tek shtëpia e babait. Ashtu si ajo, edhe ai i thoshte baba dhe mama prindërve të saj. Ndoshta ngaqë dhe ata e deshin si ta kishin djalë të tyre. Sa do të gëzohen kur të shohin dhe vajzën e vogël. Kur lindi dhe një vit më pas, ata shkonin dhe vinin tek njëri-tjetri një të shtunë po, një të shtunë jo. Mirëpo qëkur para dy vjetësh atë e emëruan kryeagronom dhe gjyshit të nënës ju rëndua shëndeti, vizitat u ndërprenë. Prapë nuk duhej ta kisha zgjatur kaq shumë, – tha ai me vete.

-Ba, kam ftohtë!- i tha vajza duke i tundur kokën me duart e vogla.
Ata të dy me mendjen tek reja, duke nxituar nuk e ndjenë të ftohtin që pllakosi sapo rrezja e fundit e diellit e la horizontin. Nga ai çast, reja e vogël erdhi dhe u zmadhua me shumë shpejtësi dhe nga e bardhë si stërkale deti në fillim të udhës, erdhi dhe u bë murrashe në të zezë. Dhe po nxitonte tmerrësisht shpejt të kapte qafën e malit. Edhe atyre nuk u kishin mbetur më shumë se 100 metra deri tek fillimi i kthesës të qafës, aty ku pishat që kishin rezistuar ishin rritur me kokë mënjanë nga jugu prej erës së veriut që i kish rrahur në vite. Aty, pak më tutje, rruga ishte e tatëpjetë dhe këmbët të shpinin vetë tek shtëpia e prindërve.
-Kthehemi!- tha ajo. Ai bëri sikur nuk dëgjoi.
-S’ka gjë, shkojmë një të shtunë tjetër tek të mitë. Ai ndaloi. E pa sikur t’i thoshte se edhe ai ishte bërë një malësor tani dhe i njihte tekat e natyrës. Dhe për një teke të një reje, nuk do të kthehej nga rruga.

– Mbështille vajzën dhe me shallin tim, – ia tha duke u përkulur lehtë në gju.
– Nxitojmë!
Kishin ngelur edhe më pak se tridhjetë metra nga kthesa e qafës së malit, kur reja si kalë i zi, kërceu mbi majëmalin dhe ca fluturza të vogla bore u lëshuan mbi ta.
-Kthehemi, të lutem!
– Vrapo! Mbërritëm,- bërtiti ai duke vrapuar në metrat e fundit të dhiarës deri tek fillimi i qafës së malit. Ruajna o zot! – lëshoi ajo me zë lutjen e saj para se të fillonte vrapin pas të shoqit dhe vajzës.
Në fillim të rrafshit të qafës së malit, tek kthesa, atje ku ai mendonte se udha do bëhej më e lehtë atje filoi qameti. Si të ishte ndarë me thikë, posa cekën me fytyrë atë finish, një vorbull rrebeshi bore i përfshiu dhe i futi në mes të saj. Gjithçka u bë sterrë. Ajo këlthiti.Vajza filloi të qajë me të madhe. Flokët e borës i binin si gjilpëra të ftohta në fytyrë, vesh dhe qafë. Me mijëra. Ai u llahtaris. Era ulërinte. Çfarë bëra, i vdiqa?! E uli fëmijën me shpejtësi nga kaliqafa dhe e rrasi në gjoks. Gruaja ju lidh pas mesit. Në çast iu dha të kërkonte pishën më të afërt. Jugu i saj do të na mbrojë. I hapi sytë duke i picërruar dhe bëri të orientohej. Në të djathtë dalloi siluetën e një pishe që ju duk si një njeri shpinëkthyer. Me hapa të vegjël fare, me vështirësi çau erën e fortë që i shtynte drejt humnerës dhe iu afrua pishës. Poshtë saj ndjehej disi i mbrojtur, por nga të tre anët, bora, një zot di sa shpejt, filloi ti rrethojë si me magji.
-O ma kam ftohtë! – u dëgjua zëri i dridhur i vajzës nga thellësi e gjoksit të tij. Gruaja, gjithë duke qarë heshtazi hoqi pallton, ja mori fëmijën nga gjoksi dhe e mbështolli me të vajzën.

– O ba kam ftohtë!- u dëgjua sërish zëri i dridhur i vajzës nga gjoksi i së ëmës. Ai hoqi pallton e tij dhe mbi pallton e gruas mbështolli me të vajzën.
Dëbora vazhdonte me shpejtësi rrethimin e pishës. I ftohti pickonte pa mëshirë. Era deri afër agimit ulëriti me maraz, ndërsa pastaj ndrroi befas në një lloj piskame si një vaj grash të jugut…
-Aty nga ora shtatë e mëngjesit në qafë të malit mbuluar nga bora mbretëronte një qetësi e bardhë.

Kalimtarë të rastit thanë se nën një pirg dëbore, pranë pishës së parë të qafës kishin gjetur trupat lakuriq të një burri dhe të një gruaje të përqafuar si dy statuja të bardha dhe në mes të rrobave të tyre një fëmijë që belbëzonte: O ba, o ma po ju çfarë po bëni?!

Nga vellimi “Floke te lagur” (Mbeshtetur ne nje ngjarje reale nga dimri i tmerrshem i 1985-ses)