Kanë qenë të pleksur aq keq me njëri-tjetrin për të siguruar trashëgiminë e pushtetit brez pas brezi. Ish-bllokmenët i nisën miqësitë e tyre në fund të viteve shtatëdhjetë.

Rrjeta e lidhjeve miqësore, nëpërmjet martesave, tregonte se po të prishej njëra prej tyre automatikisht pasojat binin mbi të gjithë. Kjo ishte arsyeja që funksionarët e sistemit të kaluar e ruanin njëri-tjetrin.

I vetmi që nuk iu nënshtrua këtij “ligji” të pashkruar ishte Mehmet Shehu.

Enver Hoxha kishte dhënë porosi që të eliminoheshin lidhjet brenda llojit, ndërsa vetë kishte bërë disa krushqi, ku më e spikatura ishte ajo me pasardhësin e tij, Ramiz Alinë.

Enver Hoxha i kishte ndaluar lidhjet miqësore

Kishte një urdhër të Hoxhës, që ndalonte lidhjet mes ministrave, apo dhe funksionarëve të tjerë të lartë të PPSH-së, por kjo nuk i pengoi këta të fundit të realizonin planin e tyre për të qenë të forcuar miqësitë e tyre. Edhe pse kishte dhënë një urdhër të tillë, Enveri nuk i rezistoi as vetë tundimit për të bërë miqësi brenda “llojit”. Ai ishte ndër të parët që u lidh miqësisht me Gogo Nushin, kur vëllait të këtij të fundit i dha për grua mbesën e tij. Pas kësaj, një tjetër martesë do të lidhte ngushtë familjen Hoxha me Ramiz Alinë. Dashuria mes Ilir Hoxhës dhe Teuta Alisë do të pritej mirë në Bllok, por në veçanti do të gëzonte dy familjet e njohura.

Lidhjet miqësore

Një nga lidhjet më të vjetra miqësore të Bllokut do të ishte ajo e Hysni Kapos me familjen Kondi. Personazhi i njohur i luftës, që më pas do të ngjitej në majat e PPSH-së u martua me Vito Kondin. Për Kapon, kjo do të ishte martesa e dytë. Nga ana tjetër, Pirro Kondi, anëtar i KQ të PPSH-së, ishte baxhanak me Manush Myftiun, që më pas do të ngjitej në detyrën e zëvendëskryeministrit në qeverinë e drejtuar nga Mehmet Shehu. Pilo Peristeri, i njohur si pjesëmarrës në Mbledhjen Themeluese të PKSH-së, një nga anëtarët më të vjetër të grupit komunist të Korçës ishte kunati i Manush Myftiut, kishte për grua motrën e tij. Seria e miqësive të Bllokut, i ngjan një rrjete merimange të thurur mirë e me kujdes. Kështu, Reiz Malile, ishte martuar me motrën e Ramiz Alisë. Ndërsa Xhaferr Spahiu, ishte kunat i Maliles, kishte marrë për grua motrën e këtij të fundit. Mallakastrioti Bilbil Klosi dhe Ramiz Alia ishin baxhanakë, kishin marrë gratë nga e njëjta familje. Nuk do të ngelej prapa në krushqitë e Bllokut edhe Adil Çarçani. Një nga vajzat e tij martohet me djalin e Manush Myftiut.

Familja Hazbiu

Kishte rënë në sy shoqëria e djalit të Kadri Hazbiut me vajzën e Enver Hoxhës. Kjo lidhje flitet të jetë ndaluar nga Hoxha, që e urdhëron të bijën të mos shoqërohej më me djalin e familjes Hazbiu. Më pas, vajza e E. Hoxhës do të martohej me një mik të afërt të familjes Hazbiu. Ky ishte rasti i parë dhe i fundit i familjes së ish-ministrit të Brendshëm për të pasur një lidhje miqësore në Bllok. Më pas, në vitin 1982 familja vlonjate mori të tatëpjetën. Hazbiu u arrestua dhe të gjithë pjesëtarët e saj u internuan.

Familja Shehu jashtë çdo miqësie

Ndërsa disa nga anëtarët e KQ të PPSH-së apo dhe të Byrosë Politike kishin bërë miqësi mes tyre, familja e Mehmet Shehut duket se nuk e kishte preferuar këtë “modë”. Ajo kishte mbetur jashtë martesave në Bllokun e udhëheqjes.

Familja Shehu kishte vendosur, e natyrisht vendimet atje merreshin nga Mehmet Shehu, të mbetej jashtë “çorbës së gatuar nga ustallarët”. Ishte folur, por kjo mbeti në kuadrin e tregimeve brenda për brenda rrethit vicioz, për një fejesë të djalit të mesëm të Mehmet Shehut me një nga vajzat e Ramiz Alisë. Megjithatë, kjo lidhje miqësore nuk u arrit, siç duket nuk u pëlqye nga familja Shehu. Kjo e fundit nuk do të preferonte as miqësinë e servirur nga Nexhmije Hoxha, që një nga djemtë e Shehëve të martohej me mbesën e saj. Pas këtyre refuzimeve, familja Shehu mbeti e vetmja që nuk i kishte të sigurta pozitat e saj. Dhe kjo u vërtetua edhe më pas. Karakteri i Mehmet Shehut nuk mund të pranonte që nëpërmjet krushqive të mbahej fort në pushtet. Idealizmi i tij arrinte deri aty, sa të besohet se vetëm puna mund t’ia siguronte një gjë të tillë. Kështu, asnjë nga djemtë e familjes shehu nuk u martua me vajzat e funksionarëve të lartë partiakë. Djali i madh i Mehmet Shehut, Vladimiri, u lidh me martesë me vajzën e familjes Shyti, kryefamiljari i së cilës nuk kishte ndonjë post të lart shtetëror apo partiak. Një krushqi e dytë, ishte ajo e Bashkim Shehut me vajzën e një shoferi nga Durrësi. Ndërsa e treta, që nuk përfundoi asnjëherë, e që i solli mbrapsht ë gjitha gjërat për familjen Shehu ishte ajo e Skënderit me vajzën e Turdive. Fejesa zgjati vetëm pak kohë, pasi u prish pas ndërhyrjes së Enver Hoxhës. Shkaku ishte biografia e familjes Turdiu. Për këtë fejesë, Mehmet Shehu u kritikua në mbledhjen e Byrosë Politike të 17 dhjetorit të vitit 1981, nga ku erdhën dhe pasojat për të. Në ditë më pas, kryeministri Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit. Një vdekje mister dhe e pazbardhur ende.

Klani Kapo – Myftiu dhe lidhjet mes tyre

Funksionarët e lartë shtetërorë dhe partiakë të sistemit të kaluar, mendonin si e si t’ia zgjasnin jetën sistemit të tyre. Përveç të tjerave, ata praktikuan maksimalisht lidhjet miqësore dhe martesat brenda llojit. Enver Hoxha, edhe pse hiqej parimor e lejoi fejesën e djalit të tij me mbesën e Ramiz Alisë, në vitin 1973. Në këtë kohë, Hoxha sapo kishte pësuar një atak kardiak dhe familjarët e tij menduan të nxitonin, duke mos e ditur fatin e shëndetit të tij, ta gëzonin me fejesat e shpejta të dy djemve. Sokoli, djali i vogël i Hoxhës, e kishte zgjedhur i pari vajzën e zemrës, jo nga Blloku, por nga një familje e thjeshtë, ndërsa Iliri jetonte çastet më të bukura të jetës së tij rinore në dashurinë me Teuta Alinë, një vajzë simpatike me sy të kaltër. Kjo ishte mbesa e Ramiz Alisë, vajza e vëllait të këtij të fundit.

Në vitin 1973, Hoxha kritikon sektorin e artit dhe të kulturës, përgjegjës për mangësitë e të cilit ishte edhe Ramiz Alia. Alia u bë objekt i kritikave të ashpra. Megjithatë, nuk ndodhi kështu. Në momentet më kritike të veprimtarisë politike të Alisë, atij i erdhi në ndihmë Nexhmija, që përveç se e kishte të klanit të saj, në këtë kohë ishin lidhur edhe me krushqi. Në vitin 1973, Enver Hoxha e humbi ekuilibrin dhe nuk ishte më në gjendje ta drejtonte vendin. Në këtë mënyrë, Ramiz Alia, pasi erdhi nga Vlora, gradualisht mundi t’i kapërcejë pengesat dhe të marrë poste të rëndësishme.

Një klan i fuqishëm

Në vitin 1973 thuhet se ka pasur një klan drejtues e në përbërje të tij ishin Hysni Kapo, Nexhmie Hoxha, Manush Myftiu.

Kapo kishte qenë një nga njerëzit më të njohur në Qarkun e Vlorës gjatë luftës. Manush Myftiu, zëvendësministri më jetëgjatë i vendit kishte miqësi me Hysni Kapon, e njohur kjo nga të gjithë. Vlonjati Myftiu ishte martuar Nefon, çupën kaniniote.

Manush Myftiu i kishte dhënë motrën për grua Pilo Peristerit, duke forcuar kështu influencën e klanit në Korçë. Ndërsa Hysni Kapo i dha motrën për grua Xhelil Gjonit. Lidhja Kapo Myftiu ishte edhe në një pikë tjetër, Manushi ishte baxhanak me Pirro Kondin, motrën e të cilit, Viton, e kishte për grua Hysni Kapo.

Krushqitë e Spiro Kolekës dhe Haxhi Lleshit

Një martesë interesante ishte dhe ajo e vajzës së Haxhi Lleshit me djalin e Baba Fajë Martaneshit, klerikut të njohur që ishte lidhur me lëvizjen antifashiste. Haxhi Lleshi u bashkua me lëvizjen komuniste në vitin 1942. Ai njihet si drejtuesi i Çetës së Dibrës, e më pas të batalionit të këtij rrethi. Më pas, ai do të ishte edhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Në Kongresin e Përmetit, nga ku doli dhe qeveria e parë komuniste, Lleshi ishte ministër i Punëve të Brendshme. Në vitin 1953, Haxhi Lleshi me porosi të Enver Hoxhës mori detyrën e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, të cilën deri në këtë kohë e mbante, i urti Omer Nishani. Për të forcuar miqësinë e tij, me porosi nga lart bëri një krushqi interesante. Vajza e tij u fejua me mjekun urolog, Mustafa Xhani, që më pas do të gëzonte privilegje, përveçse ato nga i ati Baba Faja, tani edhe nga vjehrri. Xhani u specializua në Francë për Urologji.

Spiro Koleka dhe miqësia me skulptorin Kristaq Rama

Spiro Koleka, anëtari i Byrosë Politike, një komunist i vjetër kishte qenë anëtar i grupit të “Zjarrit”, i kritikuar aq shumë nga Enver Hoxha. Koleka do të largohej nga qeveria vetëm në vitin 1976. Miqësia e tij me skulptorin e talentuar, Kristaq Rama, nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Komunistët afronin talentet në miqësi. Vajza e tij u martua me skulptorin, i cili më pas do të ngjitej edhe në shkallët e karrierës deri në deputet i Kuvendit Popullor i votuar nga populli i Durrësit.

Klani Hoxha – Alia

Ramiz Alia është treguar ndoshta njeriu më i zgjuar i nomenklaturës së lartë të sistemit të kaluar. Ai diti të mbijetonte në kushtet e një rivaliteti të lartë mes klaneve të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Shpesh, ai cilësohej dhe shefi i policisë sekrete të Hoxhës, pas vdekjes së Hysni Kapos. Alia njihet si njeri i dredhave. U ngjit në krye të organit më të lartë drejtues të PPSH-së, në Byronë Politike në vitin 1961. Alia, në vitet ‘70 u bë një prej njerëzve më të besuar të familjes Hoxha. Lidhjet mes familjes Hoxha dhe asaj Alia do të finalizoheshin me një miqësi, kur mbesa e Ramizit u martua me djalin e madh të Enver Hoxhës, Ilirin.

Adili e Manushi, krushqit që drejtonin shtetin

Përveç lidhjeve të vjetra, Manush Myftiu krijoi edhe miqësi të reja. Kështu, djali i tij u martua me një nga vajzat e Adil Çarçanit. Miqësia e re u mirëprit edhe nga drejtuesit më të lartë të PPSH-së, madje mori menjëherë bekimin e tyre. Adili ishte kryeministër dhe Manushi kryente detyrën e zëvendësit të tij. Pra, në qeveri drejtonin dy krushqit, ndaj dhe patën jetëgjatësi në krye të atij dikasteri, Këshillit të Ministrave.

Myftiu ishte lidhur me krushqi me Pilo Peristerin, pjesëmarrës në Mbledhjen Themeluese të PKSH-së, një nga anëtarët më të vjetër të grupit komunist të Korçës, të cilit i kishte dhënë motrën. Seria e miqësive të Bllokut, i ngjan rrjete të thurur mirë e me kujdes. Kështu, Reiz Malile, ishte martuar me motrën e Ramiz Alisë. Ndërsa Xhaferr Spahiu, ishte kunat i Maliles, ishte martuar me motrën e këtij të fundit. Mallakastrioti Bilbil Klosi dhe Ramiz Alia ishin baxhanakë, kishin marrë gratë nga e njëjta familje. /Tirana Observer/