Një kthim pas në kohë, atëherë kur plazhi ishte vendi ideal jo vetëm për të pushuar, por edhe për të demonstruar trupat e bukur dhe modën e fundit. Pse jo edhe për të krijuar miqësi të reja me shqiptarë e të huaj. Jemi fokusuar kryesisht në Durrës, që ishte edhe plazhi më i frekuentuar në vitet ’60-’70, e sidomos në zonën e “Breshkës”, godinës së famshme, që u bë qendra e argëtimit të asaj kohe. Që nga argëtimi në pistat e vallëzimit, orkestrat me nam, takimet dhe dashuritë me turistët e shteteve “mike”, paradat e modës, gjetja e rrobave të banjës, frekuentuesit VIP të plazhit, deri te rrënimi i “Breshkës” në vitet ’90.

PISTA TEK BRESHKA
Edhe pista ka qenë shumë e rëndësishme për kohën. Pikërisht përballë Breshkës, ndërtimi i saj u realizua në dy faza. Fillimisht ajo ishte prej dërrase, pastaj u ndërtua prej betoni. Të zije një tavolinë gjatë drekës apo darkës ishte e pamundur nga fluksi. Shërbehej birra, pjata me meze, ndërsa në darkë funksiononte një orkestër, madje edhe vallëzohej. Deri në vitet ’60, zona e bregut ruhej apo kontrollohej nga i famshmi kapter Hasani. Për të pabindurit, ai kishte një dhomë izolimi në krahun e djathtë të “Breshkës”, ku i mbante një natë ata që thyenin rregullat, në veçanti djemtë vallëzues me vajzat e huaja. Vite më pas, mbajtja e rendit dhe qetësisë ishte me e organizuar.

ORKESTRAT, MUZIKË E ARGËTIM DERI NË MESNATË
Kanë qenë ato që kanë argëtuar me vite breza plazhistësh gjatë muajve të verës. Ishin dy, njëra e vendosur te pista e “Breshkës” apo Hekurudhës dhe tjetra te pista e Hotel Adriatikut. Të dyja kishin në përbërje instrumentistë kalibri, si për shembull ajo e “Adriatikut” me S. Tufën në kontrabas, H. Carën në bateri, S. Kalemi saks, Gj. Simoni piano, V. Rijbini klarinetë dhe R. Dedja në fizarmonikë apo të famshmin Bebek Koçin. Ajo e pistës së “Breshkës”, me emrin “Djemtë durrsakë” përbëhej nga G. Cara, P. Myshketa, I. Xhumri, K. Driza. Fillimisht ekzekutonin repertorin e Modunjos, Pol Ankës, Luis Armstrong, Elvis Presley, me këngët e famshme “Petit Fleur”, “Volare”, “Azzurro”, “Tequila”, “Marina”, “Speedey Gonzales”. Luanin pjesë nga muzika e lehtë gjermane, çeke, polake, italiane, franceze dhe ato të pakta shqiptare. Muzika e vallëzimit fillonte në orën 20:00 dhe arrinte kulmin në mesin e natës, pastaj nuk lejohej. Në ato vite në këto dy pista kanë vallëzuar shqiptarë e të huaj pa kufi. Grupet e turistëve ishin prezentë dhe, bashkë me ata shqiptarë, argëtoheshin nën tingujt e orkestrave. Pas vitit 1964, për të evituar “shthurjen”, orkestrantëve të dy pistave iu komunikuan që do të luanin një program të kontrolluar. Në ato vite ishte edhe pista e “Ilirisë”, por aty nuk u lejua orkestra dhe vallëzimi, pasi muzika e lartë përbënte shqetësim për udhëheqësit.

MIQËSITË ME GRUPET GJERMANO-LINDORE
Deri në fundvitet ‘60, periudha e plazhit ka qenë një kohë e artë. Të rinj e të reja nga vendet demokratike, kryesisht nga Gjermania Lindore, vinin për pushime në Durrës. Madje duke ngritur kampingun me çadra në afërsi të “Breshkës”. Për dy muaj, ardhja e tyre ishte intensive dhe ishin të shumtë në numër. Për komunikimin me ta filloi të mësohej gjermanishtja dhe shprehjet “Wie geht’s”, “Alles Gute”, dëgjoheshin sistematikisht çdo moment të ditës. Pastaj, mbrëmjet dëfryese ishin ato më të spikaturat. Vallëzohej në lokalet e plazhit, nga ku fillonin edhe shkëmbimet e para, pastaj dashuritë midis djemve shqiptarë dhe vajzave gjermane, lidhje që edhe pas largimit të tyre vazhdonte me letërkëmbimet dhe me premtimin për t’u takuar sërish. Por, më intensiv ky fluks ishte rreth viteve ’70, kur turistët ishin edhe nga vende të tjera europiane. Të sistemuar në Hotel Adriatik, pjesa më e madhe e tyre ishte nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit, që i ndiqte me shumë vëmendje lëvizjet e tyre. Çdo tentativë për të komunikuar me vajzat e huaja bëhej fshehurazi. Fillimisht ndonjë batutë në anglisht apo italisht në rërë, pastaj kur futeshin në det shfrytëzohej thellësia, për t’iu shmangur ndjekjes me dylbi nga një dhomë e hotelit. Ndryshe në darkë, takimi me to mund të bëhej më lehtë. Pas disa vitesh, numri i tyre filloi të reduktohej, edhe ata pak që vinin ishin të izoluar, të kontrolluar dhe qëndronin para “Adriatikut” në një zonë të kufizuar vetëm për të huajt.

RADIOT NË SINKRON
Nuk kishte shumë në qarkullim, pasi ato me transistorë sapo kishin dalë. Me kalimin e viteve, ato u shtuan dhe ishin të pranishme si një pjesë e rëndësishme e argëtimit në plazh. Ndiqej muzika italiane, emisionet “Hit Parade” të Lelio Luttazzit çdo të hënë e të premte në drekë, apo “Un disco per l’estate”, kur radiot në mënyre automatike ishin në të njëjtën frekuencë gjatë gjithë gjatësisë së plazhit. Dëgjoheshin me ëndje Çelentano, Morandi, Albano, Reitano, Ranieri, Little Tonny, Don Backy, apo kënga e famshme “Ho scritto t’amo sulla sabia”. Por edhe muzikë shqiptare, këngëtarët Vaçe Zela, Rita Vako, Nikolin Gjergji, Qemal Kërtusha etj.

NDESHJET NË RËRË DHE TOPI ME FUTBOLLISTË
Ndeshjet e futbollit te “Breshka” kanë qenë spektakolare. Rivaliteti, shfaqej jo vetëm në dashuri e veshje, por edhe në futboll. Në bregun e detit, ora 10:00 paradite e 5:00 pasdite zhvilloheshin dy ndeshje, me nga katër apo pesë lojtarë midis tiranasve dhe durrsakëve. Interesimi ishte i madh, madje të pranishmit rrethonin vendin ku luhej në një zonë jo më shumë se 20 metra gjatësi. Nuk kishte rregulla fikse, as arbitër, me porta të improvizuara, me pikë referimi një shkop mbi rërë, ku gjithçka vendosej nga vetë lojtarët. Madje edhe ndonjë polic që ishte ngarkuar të ruante rendin në breg, kryesisht moslejimi i lojës me top në rërë, qëndronte pasiv, pasi një gjë e tillë ishte bërë traditë dhe vështirë ta ndaloje. Në shumë raste ato nuk përfundonin, pasi për një gol apo rast të diskutueshëm shpërthente grindja dhe loja ndërpritej. Pati periudha që në to luanin edhe futbollistë me emër. Por, më i veçantë ishte topi që përdorej. Sidomos në kohën pas “Europianit ‘68″, ku Italia u shpall kampione, u prodhuan dhe u hodhën në treg topa plazhi me fytyrat e lojtarëve italianë, të cilët erdhën edhe në Durrës. Kurioziteti për ta parë nga afër topin ishte shumë i madh dhe shumë njerëz qëndronin pas portave për ta pritur kur ai dilte jashtë loje.

BLLOKU, ZONA E NDALUAR
Ka qenë një pjesë me gjatësi rreth 1 km që kufizohej me zonën “Iliria” dhe Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme. Mbreti Zog kërkoi ta bënte një zonë të veçantë e të preferuar, pasi krahas pjesës me rërë dhe det, ajo karakterizohej nga një brez me pisha dhe plepa që krijonin një mjedis shumë të bukur si “Banjat Mbretërore”. Por, pas lufte ajo u shtetëzua plotësisht, u kufizua duke u rrethuar dhe mbrojtur me ushtarë dhe mori emrin “Zona e Bllokut”. Ajo ishte disahektarëshe, ku askush nuk mund të afrohej dhe futja brenda saj ishte e ndaluar ose e autorizuar. Deri në vitin 1990 aty veronin udhëheqës të lartë të partisë bashkë me familjet e tyre.

KINEMAJA VERORE DHE CIRKU
Pak ishin format argëtuese për popullsinë plazhiste: Kinemaja verore dhe cirku. Kinematë verore preferoheshin më së shumti gjatë muajve të verës. Në Tiranë ishin disa, si ajo verore “Republika”, “17 Nëntori” apo “Partizani”. Në plazh ajo ishte vendosur matanë rrugës, ngjitur me postën. Oraret ishin 19:00-21:00, 21:00- 23:00. Kur filmi ishte i bukur dhe kishte kërkesa, duhej të lije plazhin për të garantuar një biletë, pasi shitja e tyre bëhej paradite dhe kishte radhë të gjatë. Një biletë kushtonte 20 lekë për 7 radhët e para dhe 15 lekë për ato më pas. Në treg të zi, deri pak çaste para se filmi të fillonte, çmimi dyfishohej. Ndonëse kinemaja rrethohej me një mur deri në dy metra lartësi, ata që nuk gjenin bileta mund ta ndiqnin filmin edhe nga rruga, pasi ekrani i madh ishte lart dhe të jepte mundësinë që ta shihje një pjesë të tij, në veçanti kur binte errësira. Ndër filmat e kohës ishin ata italianë, “Më fal”, “Mbroje dashurinë time”, “Burri me pantallona të shkurtra”, “Dëgjomi këngën time”, “Mëshirë për atë që rrëzohet” me aktorët Antonela Lualdi, Amedeo Naxarri, Raf Valone, ose “Pamje nga Ura” me Zhan Sarel, filmi hungarez “Lelaja dhe Gabori” etj. Sapo kishte filluar shfaqja e filmave kinezë, por më të ndjekur ishin ato me Steve Revees. Filmat të gjithë bardhezi ishin të kontrolluar dhe më parë shfaqeshin në Tiranë, pastaj shpërndaheshin në qytetet të tjera. Por edhe trupa e cirkut të Tiranës, në çdo fillim sezoni veror transferohej në Durrës te “Breshka”, ngrinin çadrën e madhe dhe për tre muaj, artistë, humoristë ishin banorë sistematikë të plazhit. Çdo mbrëmje kishte shfaqje për fëmijët, ndërsa ditën grupi i madh i aktorëve, bashkë më familjet e tyre, shfrytëzonin detin. Jetonin në çadra të vogla, ku flinin dhe gatuanin. Por edhe kafshët e cirkut ishin personazhe ditorë të plazhit. Kjo vetëm në Durrës, pasi trupa nuk lëvizte në asnjë plazh tjetër.

VIP-AT, SPORTISTËT DHE FËMIJËT E BLLOKUT
Sportistët ishin VIP-at e plazhit. Të gjithë mbanin sytë nga ata, sepse vishnin rroba të veçanta, që i sillnin nga jashtë, çka i bënte menjëherë të dallueshëm nga të tjerët. Në fillim të korrikut aty derdheshin klubet, në veçanti “17 Nëntori”, kryesisht futbollistë, basketbollistë, volejbollistë, që për 15 ditë sistemoheshin në kabina, duke u trajtuar në restorantet e zonës, kryesisht te “Breshka”, me kuponë në dorë. Nuk mungonin edhe ata durrsakë, ndërsa më pak ata të “Partizanit” e “Dinamos”, pasi sportistët e tyre qëndronin në Konvaleshencë, ndërtesa që ishin afër Plepave dhe, për të ardhur te “Breshka”, u duhej të kalonin në këmbë zonën e “Bllokut”, nga ana e rrugës automobilistike. Por, dëshirë për të qenë te “Breshka”, në xhiron e famshme, kishin pa dyshim edhe djemtë e vajzat e zyrtarëve të lartë të “Bllokut”. Edhe pse të “izoluar” në atë zonë, ku jetonin me familjet e tyre, ata ndienin mungesën e një argëtimi në grup, që i shtynte të kalonin atë gardh të vogël ndarës tek “Iliria”, dhe me hapa të shpejtë të nxitonin për te “Breshka”. Nuk mungonin as në mbrëmje te pista. Natyrisht jo të gjithë, por më guximtarët.

RIVALITETI
Për nga afërsia, durrsakët ishin të parët, që hapnin sezonin e plazhit, por sillnin edhe modën, falë edhe një dyqani me komision në Durrës, ku gjeje veshje të sekuestruara të marinarëve. Pra, në një farë mënyre ishin “zotër” të plazhit. Sidomos gjatë kësaj periudhe, parada kishte protagonistët e saj sistematikë e shumë të njohur. Gara kush noton më mirë, ai që bën distancën “Teuta- Ilira” me not në orët e para të mëngjesit, apo imitimi i divave të Hollivudit, në veçanti i Steve Revees, u kthyen në mani për plazhistët. Një mashkull me trup të bukur preferohej nga vajzat dhe ishte objekt i diskutimeve ditore. Vajzat ishin më të rezervuara, të paktën deri në fillim të viteve ‘60, pasi më vonë edhe ky raport ndryshoi. Sidoqoftë gjithçka në dy muaj, korrik-gusht, pasi më vonë si me thikë plazhi boshatisej dhe dukej një shkretëtirë e vërtetë. Shtatori sillte tjetër atmosferë, fillonin shkollat, universitetet, të gjithë i riktheheshin punës së përditshme, duke lënë pas një sezon veror me shumë kujtime, në pritje të tjetrit.

“BRESHKA”, ÇFARË FUNDI
Për fundin që pati nuk i ngjau kafshës fisnike për jetëgjatësi, por edhe për atë që shumë qytetërime e perandori e kanë konsideruar të shenjtë e të paprekshme. Lavdia vazhdoi deri në fillim të viteve ‘70, kur pati edhe kulmin, më pas ajo filloi të zbehej. Shumë pasione e ndaluan, u kufizuan, e bashkë me to vetë ndërtesa filloi të humbiste interesimin, restoranti e pista përballë pësuan rrënimin dhe askush nuk u kujdes më për të. Ndryshimet agresive pas viteve ‘90 e sulmuan edhe “Breshkën”, e cila nuk mundi t’i rezistojë ashpërisë njerëzore, duke humbur në thellësinë e detit pa lënë asnjë gjurmë. Për çfarë shërbeu, për kënaqësinë, vlerën, nostalgjinë, për gjithçka që mbarti në vite, nuk e meritonte kurrsesi një fund të tillë.

Moda në plazh, rrobat e banjës dhe syzet nga jashtë
Por plazhi ishte edhe një vend ku demonstrohej moda e fundit. Jemi në vitet ‘60-‘70, kur efektet dhe ndikimet televizive për një jetesë ndryshe, dëshira për diçka tjetër, në veçanti i rinisë, është në kulm. Në ata tre muaj, shqetësimi më i madh ishte sigurimi i rrobave të banjës. Shumë pak kishte të ardhura nga jashtë shtetit, pjesa tjetër qepeshin këtu. Si modele përdoreshin ato të ardhura, pastaj gjendej copa dhe rrobaqepësi. Ky i fundit duhej profesionist dhe ata pak të tillë njiheshin me gishta nga qejflinjtë, pasi një qepje e bukur kompletonte strukturën fizike të djalit apo vajzës. Sidoqoftë, një palë rroba banje të ardhura pa dyshim kishin tjetër preferencë, që edhe në këtë rast durrsakët, marinarët, apo ato me prindër italianë ishin të parët që i demonstronin. Por edhe syzet e diellit ishin të rëndësishme për një paraqitje tipike plazhiste. Sigurisht ato të ardhurat bënin diferencën. Kishte raste kur një palë rroba banje apo një palë syze merreshin borxh për një ditë apo një xhiro për të kaluar te “Breshka”.

UVIL ZAJMI
Burimi: Panorama.com.al