Moikom Zeqo e ka sjellë De Radën në një libër të quajtur “Rishpikja e Arbërisë”. Jo vetëm një studim mbi jetën e këtij poeti të madh , por dhe një hulumtim mbi veprat duke na dhënë një këndvështrim ndryshe, dhe një profil të ri të Jeronim De Radës.

Libri juaj studimor “De Rada – Rishpikja e Arbërisë” është i vetmi libër i rëndësishëm dhe i posaçëm për krijimtarinë e De Radës në vitin jubilar të 200-vjetorit të lindjes së poetit arbëresh…?

Libri im për De Radën është tashmë një fakt publik. Nuk është një fakt krijimi i thjeshtë personal. Është e vërtetë se ai ishte libri i vetëm kushtuar De Radës në 200-vjetorin e lindjes. Kisha menduar se viti 2014, si viti i De Radës do të ishte një vit madhështor festimi, vlerësimi për të rikonceptualizuar vlerat e mëdha artistike të këtij njeriu të madh. Në fakt viti i De Radës ishte një vit i zbehtë në shumë aspekte i mjerueshëm përsa i përket veprimtarive dhe vlerësimeve për të. Nuk mund ta kuptoj një gjë të tillë. Ka një triumf të mediokritetit dhe spektakleve idiote të njerëzve jokompetentë, thjesht për ta përmendur emrin e De Radës, por pa bërë asgjë të rëndësishme mbarëkombëtare dhe substanciale për të. Për mendimin tim Ministria e Kulturës duhet t’i propozonte UNESKO-s që 2014 të festohej në krejt Europën, duhet të bëheshin vlerësime madhore për De Radën nga njerëzit më të shquar edhe të Europës. Nëse dikur për De Radën dhanë vlerësime të larta Lamartini, Mistrali, Apolineri etj., fare mirë mund të ishte komunikuar edhe me Umberto Econ apo Klaudio Magrisin, që të njiheshin me veprën e De Radës dhe të thoshin me tonin e tyre autoritar edhe në mediet e Italisë e të Europës diçka për këtë poet të madh. Banka e Shtetit Shqiptar mund të bënte prerjen e një kartëmonedhe të re me portretin e De Radës, gjithashtu të bëheshin edhe emisione postare të pullave, apo të ngriheshin skulpturat e De Radës edhe në Prishtinë, në Tetovë apo edhe në Ulqin. Mund të krijohej madje edhe instituti i studimeve deradiane me një ndërlidhje shqiptaro-italiane, institut që mund të luante një rol të madh për njohjen e letërsisë arbëreshe, e cila është si e zhytur në mjegull dhe është ende shumë pak e njohur nga gjeneratat e reja. Por, festimi i De Radës kërkon edhe një vizion të madh. Ky vizion natyrisht i mungon shtetit shqiptar dhe politikanët nuk dinë t’i vlerësojnë poetët. Nëse flasim për integrimin europian ai para së gjithash është integrim kulturor. De Rada është një kryemotiv i integrimit të shqiptarëve në Europë. Dhe kështu duhet tëkonceptohet përherë Ai. Por vlerësimin për shkrimtarin De Rada e përcakton paradigma negative e politikës me kulturën. Kjo paradigmë shpreh faktin se në shoqëritë e pacivilizuara siç duhet raporti i politikës me kulturën është negativ dhe sipas shprehjes së filozofes Hanah Arendt “Një gram pushtet peshon më shumë se një gram intelekt”. Pra, çështja e vlerësimit të De Radës është edhe një cështje e thekshme dhe inkandeshente e konceptualitetit dhe humanitetit.

Libri juaj për De Radën mbi 400 faqe synon të jetë një farë sage gjithëpërfshirëse. Ky libër bazohet mbi semantikën kulturologjike të shekullit XIX kur lind letërsia e re e paparë dhe e jashtëzakonshme e Romantizmit Europian. Ju bëni një skaner dhe një sintezë të Romantizmit Europian për të krijuar më pas lidhje endemike dhe logjike me Romantizmin Shqiptar. I jepni shumë rëndësi kësaj bote të ndërthurur artistike. Sipas jush Romantizmi ishte letërsia më e madhe që lindi dhe që më pas krijoi bijat e veta si surrealizmi dhe ekspresionizmi. Duke cituar filozofin francez Edgar Morine, ju thoni se kryengritja letrare e romantizmit ishte ajo që ndryshoi letërsinë botërore dhe se në epokën e sotme teknologjike dhe kibernetike është i nëvojshëm një Romantizëm i Ri. Në këtë klimë ndjesish dhe nocionesh ju flisni edhe për De Radën si Atin e parë të Romantizmit Shqiptar dhe madje ju nënvizoni se ai është edhe krijuesi për herë të parë i letërsisë së mëvetëshme moderne shqipe. Para De Radës letërsia shqipe ishte e hibridizuar: ishte edhe poezi, edhe prozë, edhe teologji, edhe kronikë, edhe astronomi, edhe gjeografi, edhe filozofi. Por ende, nuk kishte një letërsi artistike e institucionalizuar, pra mungonte në aspektin e letërsisë së mirëfilltë artistike. De Rada me Milosaon e krijoi një institucion të tillë dhe ky është një fakt. Jeni i bindur në këtë konkluzion?

Loading...

Sigurisht që jam i bindur. Tërë veprat e shkruara nga shqiptarët nga Gjon Buzuku i vitit 1555 e deri te De Rada kanë elementë të mirëfilltë letrarë. Fjala vjen cikli i Sibilave të Pjetër Bogdanin në 1685. Aty këtu edhe poezi të autorëve të tjerë. Shekulli XVII është shekulli i letërsisë së stilit barok. Te Budi dhe Bardhi  ka padyshim elemente të rëndësishme të letërsisë së mirëfilltë. Por marrë në tërësi kjo lloj letërsie është e hibridizuar. Edhe vepra poetike e Jul Varibopës është një poemë e llojit fetar hagjiografik. Por, nuk kemi ende subjekte të mirëfillta laike, shoqërore dhe letrare. Me Milosaon nis ky ndryshim kopernikian.

Në librin tuaj ju i keni dhënë rëndësi shumë referencave dhe një bibliografie të madhe. Janë shkruar kaq shumë libra studimorë për De Radën dhe krijimtarinë e tij. por ju tregoheni edhe skeptik dhe shpesh ironik në vlerësimet tuaja. Përvec Gualtierit, Jup Kastratit dhe Arshi Pipës ju nuk para i merrni në konsideratë studiuesit e tjerë, por mendoni se kuotat më të larta kuptimore për De Radën janë të lidhur më tepër me prerjet konceptuale sesa me kritikën filologjike si një nënpunësi intelektuale dhe kritikën bibliografike më tepër se një paraqitje paraprake, por gjithashtu jo konceptuale. Dhe thoni se keni një shkruar një libër koncpetual për De Radën.

Po kam shkruar një libër konceptual për De Radën. Kjo është vecantësia dhe risia e librit tim. Në të, natyrisht që unë bëj një paraqitje lakonike, madje shpesh shumë të shkurtër se çfarë kanë thënë studiuesit për De Radën. I jap rëndësi jehonës europiane se çfarë kanë thënë disa nga poetët e mëdhenj europianë për De Radën. por pa e mitizuar këtë jehonë. Kam konceptuar se historia është zgjatimi i gjeografisë dhe se ideja e atdheut të zhvendosur të Arbëreshëve në Kalabri dhe në Sicili ka qenë moduli i tyre shpirtëror i shekujve, i ëndrrës dhe i së ardhmes. Nuk mund të shkëputet vepra nga autori. Dihet teza e Roland Bartit “Vdekja e autorit”. Për Bartin krijimtaria duhet parë pavarësisht autorit. Është një tezë tejet e skajshme. Prandaj në librin tim, në kapitullin “Revolucionari i Dyzuar” jam përpjekur të skalitur me vërtetësi dhe në mënyrë të paanshme profilin e De Radës, meritat, por edhe moskuptimet e tij të mëdha. Fjala vjen ai nuk i kuptoi idetë e mëdha revolucionare të Italisë së Re. Nuk e pëlqeu dhe madje u shpreh shumë keq për Garibaldin – ndryshe nga arbëreshët e tjerë që e krahasonin Garibaldin me Gjergj Kastriot Skënderbeun. Mendimet politike të De Radës janë shpesh shumë ambikuide dhe të dyshimta. Besoj se këto gjëra janë thënë për herë të parë kaq haptazi në librin tim. Por, thelbi i librit lidhet me atë që unë e quaj “Aventura e kuptimit”. Kryesisht duke u fokusuar te Milosao qëështë kryevepra poetike më e madhe e poezisë shqipe në të gjitha kohërat. Kjo poemëështë e pavdekshme. De Rada që në fillim e pati njëëndërr sublime. Ai pati vetëdijen e shqetësuar për të Rishpikur Arbërinë. De Rada bën pjesë te ata krijues botërorë, që në moshë fare të re, guxoi pa mëdyshje te projekti i madh i një kryevepre. Padyshim që vetitë e tij janë veti që e përngjasojnë me gjeniun, ndonëse një gjeni i vetmuar, që shkruan në një variant gjuhësor, akoma më të vetmuar dhe lokal. Duket sikur ka shumë elementë të pakapërcyeshëm kundër vetvetes. Duket sikur De Rada në të gjitha kuptimet është një Hirushe mashkull i poezisë, një Hirueshe tepër e thjeshtë, e gati e leckosur, këmbëzbathur, por me një bukuri fizike e shpirtërore magjepsëse.

Ju shpreheni se shpikja e Milosaos ishte gjithashtu diçka epifanike. Në një farë kuptimi sipas jush De Rada është pa paraardhës. Gjithashtu, për herë të parë ju bëni një përqasje duke hequr përkime dhe paralele midis “Këngës së Këngëve” të Biblës dhe Milosaos. Këtë nuk e ka bërë askush para jush. Gjithashtu, analizoni strukturat rrëfimore në kontekstin e një gjuhe parake, domethënë primitive dhe natyrore, ku mungesa e leksikut u jep një forcë imazhi të veçantë fjalëve dhe ku disa mungesa të sintaksës krijojnë një ndërthurje dhe gati një lloj hermetizmi poetik. Ju e quani këtë gjë të rëndësishme, sepse përveç Milosaos nuk është përsëritur në vepra të tjera të De Radës. Gjithashtu, duke u bazuar te studimet e Carl Gustav Jungut ju mendoni se elementët femërorë janë shumë të pranishëm te Milosao, duke e bërë këtë poemë të papërsëritshme. Për ta bërë më të plotë përshtypjen dhe përfytyrimin, ju mbasi  kritikoni përshtatjet e gabuara dhe tëpërçudnuara të Milosaos, guxoni dhe bëni një përshtatje tuajën të Milosaos që e keni përfshirë në këtë libër. A është e domosdoshme një përshtatje e tillë, ndërkohë që përshtatjet e mëparshme janë të kritikueshme seriozisht?         

Krijimtaria e De Radës ka disa nivele leximi. Niveli i leximit akademik ku tërë poemat e De Radës mund të botohen thjesht të transkriptuara dhe të transliteruara dhe të shoqëruara me shënime plotësuese është njëburimologji e domosdoshme dhe kryesore për studimet. Por, duhet të ketë një lexim artistik dhe më masiv. Një lexim që të komunikojë dhe të ndërlidhet me gjeneratat e reja. Kjo do të thotë që dialekti i vjetër tosk deradian i Kalabrisë të gjejë pika takimi dhe ndërfutjeje me gjuhën moderne të standardit të zhvilluar të shqipes. Ndryshe De Rada do t’u atashohet vetëm studiuesve, çka do të përbënte një përkufizim të mjerueshëm.

Në analizat tuaja i keni dhënë përparësi sidomos librit të De Radës “Principet e estetikës”. De Rada është shkrimtari i vetëm deri më sot, që ka bërë një traktat estetik. As një shkrimtar tjetër shqiptar nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ta shikosh nga bota estetike De Radën vetvetiu ka një vështirësi, por edhe një tendosje të brendshme. Por, nuk mund  t’i shmangemi dot. Sipas jush, kësaj dukurie që të flasim për artin e De Radës dhe të lëmë mënjanë nocionet dhe kulturën e tij estetike. Akoma më tej ju një syth të librit flisni për leximet alternative. Leximet alternative janë një ide e Umberto Ecos. Por ju e aplikoni këtë për leximin ose më saktë rileximin e De Radës. Jeni i bindur se funksionon kjo gjë siç duhet, i nderuar Moikom? 

Besoj se po. Leximet alternative nuk janë aq thjesht një shpikje e Umberto Ecos se sa një koncept i shkollës krahasimtare të studimit të letërsisë botërore. Të gjitha letërsitë nacionale përbëjnë letërsinë botërore. Të gjitha motivet dhe arketipat e letërsisë janë të përsëritshme dhe të vijueshme te krijues të ndryshëm në kohë dhe në hapësirë, te krijues që nuk e kanë njohur njëri-tjetrin, por në subjektet e tyre befas reflektojnë ide dhe situata arketipale. Në këtë pikëpamje edhe letërsia shqipe nuk bën përjashtim.

Por gjëja më e çuditshme në librin tuaj mëështë dukur përfshirja e disa tregimeve të tua për De Radën të shkruara që nga viti 1970, deri edhe te një poemë e gjatë që ju e quani “Pasqyra alkimike e Milosaos së dytë”. Për hir të së vërtetës duke i lexuar edhe mua mëështë krijuar ndjesia e klimës deradiane që qarkullon në to. Por ndërkohë duket sikur janë pak të largëta ose në një skaj metaforik në raport me subjektin studimor të mirëfilltë. Por duket që kanë edhe lidhje. Pse e keni bërë këtë gjë?

 

Mund të ketë shumë arsye. Por nganjëherë edhe mungesa e arsyeve të arsyeve nuk është gjithçka. Mendoj që një studiues serioz duhet të thotë diçka të veçantë për një poet të madh si De Rada. Ndryshe çdo gjë do të ishte një grafologji ose komente të komenteve të komenteve.

Duke folur për Romantizmin Shqiptar, duke theksuar përparësinë e De Radës ju vlerësoni lart edhe Naim Frashërin dhe i quan që të dy këta Vëllezërit Dioskurë të Romantizmit dhe të Rilindjes Kombëtare. Sipas jush projekti gjuhësor i De Radës për ta kthyer dialektin e prapambetur të arbërishtes kalabreze në një shqipe mbarëkombëtare përfundoi në një katastrofë. Pra, De Rada është edhe heroi i një disfate, ndërsa projekti i Naim Frashërit për gjuhën shqipe rezultoi i perspektivës dhe i së ardhmes më shumë se çdo projekt tjetër. Ju ngulni këmbë që në krijimtaritë e këtyre dy poetëve të mëdhenj ka megjithatë lidhje që shumë herë edhe të befasojnë.

Sigurisht midis tyre ka lidhje.Në vitin 1884 Naim Frashëri boton në Stamboll, në shtypshkronjën e Mihramit, me titullin turqisht “Fusuli Herbea” (Katër stinët), një novelë që paraqet, kinse të marrë nga frëngjishtja. Kjo prozë paksa e çuditshme dhe e veçantë mundet të jetë edhe ndonjë përkthim real nga ndonjë autor i Romantizmit Francez. Po të shihet me vëmendje mund të gjykojmë se është një përshtatje e lirë dhe se disa elementë të mjedisit të kujtojnë poezinë orientale, siç është lajtmotivi i njohur i dashurisë së bilbilit me trëndafilin, përmenden lule karakteristike të lindjes si karafili, zymbyli, jasemini, borziloku etj., gjë që tregon se perceptimi i përshkrimit ka qenë i familjarizuar me një botë të njohur dhe intime për Naim Frashërin. Një konceptim perëndimor i mjedisit të natyrës mund të dhe duhet të ishte paksa ndryshe. Novela “Katër Stinët” u botua nga Naimi kur De Rada ishte ende gjallë, në moshën 70 vjeç.  Natyrisht që De Rada nuk ka ditur asgjë për këtë krijim në prozë. Nuk kish se si ta dinte. Por, “Katër stinët” jo thjesht në një pikëpamje të largët dhe të tërthortë krahasimtare për më tepër si frymë dhe modul shpirtëror të kujton në disa aspekte të thukëta “Milosaon”.  Nuk është e skajshme ta mendojmë këtë gjë. Natyrisht që “Katër Stinët” është një vepër romantike e mirëfilltë. Ajo ka një dyshe arketipale: të dashurin dhe të dashurën, dy qenie të pafajshme dhe të sinqerta në moshën e drithërimit, të imagjinatës dhe të ndjenjave të forta erotike. Të dy këto personazhe nuk kanë emra, pra janë abstragime të personazheve të njëjtë për letërsinë botërore që kanë një raport universal të ndërsjelltë, duke përfaqësuar një nga fuqitë më të mëdha, më enigmatike dhe më të komplikuara të shpirtrave njerëzorë: dashurinë. Ajo që të bën përshtypje sidomos në aspektin kompozicional, është fakti se strukturimi i rrëfimit bëhet sipas lëvizjes kohore dhe hapësinore në katër stinët e një viti. “Katër stinët” nuk janë thjesht ndarje kalendarike që bëjnë brenda rrotullimit të tokës për 365 ditë rreth Diellit ndryshueshmërinë e klimës në vartësi të ndriçimit të Diellit. Kjo ndarje e katër stinëve ka një përcaktim të saktë dhe zotërues astronomik. Konceptimi i “Katër stinëve” është kaq i hershëm në historinë e njerëzimit saqë janë krijuar simbolika të plotfuqishme dhe konceptime metaforike për të katër stinët si një formë e abstraguar e vetë jetës që lind edhe vdes, për të lindur përsëri. Në Antikitet figurat e katër stinëve paraqiteshin në mozaik, të antropomorfizuara. E njëjta gjë me elemente alegorike, tashmë të krishterimit, figurat e “Katër stinëve” gjithashtu ishin simbolizuese, me maska njerëzore, por edhe kafshësh. Ideja e katër stinëve u përdor kështu pra, në kulturën artistike, por edhe filozofike për të treguar idenë e kalueshmërisë biblike, por edhe të vijimësisë dhe të mbijetesës. Kjo është arsyeja që Antonio Vivaldi kompozoi muzikën e tij të hatashme dhe magjepsëse “Katër stinët”, e cila ka emocionuar jo thjesht njerëzit, por edhe shekujt. Është interesante ta lexosh novelën e lexuar nga Naim Frashëri, duke dëgjuar njëkohësisht tingujt e Vivaldit. Ndoshta nuk mund të harrojmë që Vivaldi ka edhe një lidhje tjetër me ne shqiptarët, sepse ai ka kompozuar një operë kushtuar figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Novela që i atribuohet tashmë Naim Frashërit e ka pra tekstin të katërfishtë. Djali dhe vajza përveçse pa emra nuk janë të pasaportizuar apo të identifikuar në një mjedis etnik, apo gjeografik me emra. Djali dhe vajza jetojnë një pakohësi, ndonëse rrëfimtaria e “Katër stinëve” ngjan sikur krijon për ta një kornizë të padukshme. Të dy të dashuruarit janë diku në natyrë, nuk ka rëndësi se ku, nuk dihet as vendi, as koha, ata janë në një lloj mjedisi të amshuar ku refuzimi i emrave konkretë shton dhe koncentron më shumë simbolikat. Proza e kësaj novele ka një stil poetik. Kjo e afron këtë prozë në skajin e zhanrit të vet, për të dalë përtej këtij skaji, për një lloj zhanri hibrid të prozës me poezinë, që ne konvencionalisht e quajmë si prozë poetike, nominim ky ambikuid. Të dy të dashuruarit janë të ngjashëm me “Milosaon” dhe Rinën në gjirin e natyrës, e cila mbart metafora të brendshme të lëvizjes dhe të kuptimeve. Ka një ngjashmëti, e cila nuk rrjedh nga njohja e dyanshme e veprave, por rrjedh nga situatat arketipale, siç do të thoshte Karl Gustav Jungu, ose të atyre përsëritjeve të momenteve jetësore që janë të njëjta te të gjithë popujt dhe vendet, sic do të binte dakord Mirçea Iliade.Dashuria fillon me pranverën. Pranvera është një hapje e siparit për dashurinë. Dashuria dhe pranvera gati njehsohen. Në tekstin naimian lulëzimi i natyrës është dhe gjendja e një transi poetik të zemrave të djalit dhe të vajzës. Në tekst thuhet se fjalët e dashurisë nuk mund të kuptohen. Këtë të fshehtë vetëm ai që e thotë dhe ajo që e dëgjon mund ta kuptojnë. Por, të dashuruarit janë të ndrojtur. Zjarri i dashurisë i përvëlon, por trupat e tyre nuk shkrumbohen. Ata janë të ndezur nga ky zjarr dhe i ngjajnë asaj shfaqjes së hatashme të Zotit në malin Sinaj që i doli përpara profetit Moisi në formën e një shkurreje që digjej, por nuk konsumohej. Që në fillim djali dhe vajza flasin pak. Ndrojtja e tyre ka një farë atmosfere pasigurie dhe skepticizmi. Ndihet mes tyre “diçka e çuditshme si një shtatore trishtuese”. Dëgjohen të këndohen zogj ndjellakeqes si kukuvajka dhe bufi. Një skifter i vetmuar nga zenitit i qiellit ulet dhe sillet përqark çiftit. Duket se diçka e kërcënon dashurinë. Pikërisht një moment i tillë psikologjik është që në fillim midis Milosaos dhe Rinës.  Në tekstin naimian thuhet: “Lulet tani nuk dolën gënjeshtare, – thonë djali dhe vajza por frytet e pemëve”. Por një zë i tretë përshpërit: “Po ju që ju lulëzoi dashuria, ku i keni frytet?”. Më poshtë: “Ata kishin humbur pa shkak gëzimin e parë. Ishin zhytur në ca mendime që po i trishtonin që të dy. Po bëheshin përherë e më të brengosur, më të drobitur.”. “Dashuria, – thotë djali, – ashtu si erdhi pa na pyetur ne, ashtu s’na mori leje as kur iku. Ajo jetoi në zemrat tona aq sa mund të rrojë një trëndafil mes gjethesh të blerta.”.  Këto rreshta duket sikur janë komente për vetë Milosaon. Mund të jepnim disa citate që e mbartin atmosferën dhe që kombinojnë me ndjesitë deradiane: “Duke kaluar nën retë e bardha si dëborë dhe përmes luleve të bajameve që ndodheshin ndën dy anët e rrugës, ata të dy po fluturonin si engjëjt e erës.” “Aq afër njëri-tjetrit janë ata, sa shumë herë duken si një hije e vetme. Kjo hije lëviz ngadalë e nganjëherë ajo ndahet, po përnjëherësh bashkohet sërish. Mund t’i dallosh lehtë, tek ecin krah për krah në livadhe. Ashtu si retë marrin gjithfarë forash në qiell, ashtu edhe hija, herë ndahet në dy, herë bashkohet në një të vetme, herë duket fare afër e herë pakëz më lart.”. “Bukuria që është në të mbaruar nuk ndryshon në dukje nga bukuria që po fillon, ashtu si nuk ndryshon edhe dashuria që po zë fill nga dashuria që është në të shterur e sipër. Por bukuria dhe dashuria që janë në të mbaruar janë më tërheqëse, ngjajnë më të reja. Humbja e lumturisë ishte e hidhur dhe pikëlluese vetëm sepse njeriu kujton çastet e ëmbla të dashurisë. ”. Përshkrimi i natyrës në tekstin naimjan është tipologjikisht romantik. Kulti i natyrës është kulti më i përndezur i tërë romantikëve dhe përfaqëson idenë rusojane që në epokën e sotme ka marrë një rilindje të doktrinave ekologjike, jo vetëm në aspektin shkencor, por edhe politik. Dhe ja ç’thuhet për natyrën te “Katër stinët”: “Ushtria e reve po rendte me vrap, ku qielli si një vashë me fustan të kaltër po bulonte ngadalë fytyrën e vet… Balli i saj që s’donte t’ia dinte herës ishte edhe më i bardhë se dëbora e grumbulluar në rrëzën e malit… Flokët e rënë mbi supe dhe qafë i shëmbëllenin dallgëve që bien në një gur mermeri që ndodhet në breg të detit… Lulishtja (në stinnë e vjeshtës) i shëmbëllen fytyrës së njeriut që ka qenë në ethe… Buria e fundit e vjeshtës kish mbledhur ushtrinë e dashurisë, kurse era e saj e kishte shpërndarë krejt këtë ushtri.”. Disa thënie janë akoma më të përafërta me dramën e dashurisë te “Milosao”: “Fati ju mori sërish me të përdhunë e pa ndonjë shkak lumturinë që ju kish dhuruar… Ata kishin humbur pa ndonjë arsye gëzimin e parë… Ata e donin dashurinë, por nuk qenë të zotë ta donin njëri-tjetrin.”. Të habit përkitja e këtyre ideve tek të dy veprat dhe tek të dy autorët. Heronjtë e dashuruar te “Katër stinët”, por edhe “Milosao dhe Rina” nuk janë aspak heronj bajronianë. Ata nuk bëjnë gjeste sfidash dhe blasfemie. Nuk janë krenarë dhe sfidues, ata janë të dashuruar me një përkushtim sfilitës, por nuk arrijnë të kuptohen deri në fund me njëri-tjetrin. Filozofikisht dashuria është diçka më e lartë në raport me vetë të dashuruarit, ashtu siç është raporti i Zotit me vetë besimtarët. Nuk mund të kemi një identifikim të plotë dhe mbushamendës. Të dashuruarit nuk kanë fuqi, por as dëshirë t’i shmangen dashurisë, shkojnë drejt saj, ashtu siç shkohet drejt një toke të panjohur, por pa mbërritur asnjëherë përfundimisht në të. Teksti i Naimit është qoftë edhe si adaptim apo edhe përshtatje krijuese diçka e besuar nga ai vetë, e parapëlqyer, e riorganizuar, e rikonceptuar. Pikërisht brenga e mosrealizimit të dashurisë, pra e mospërputhjes absolute të saj për Naimin ishte një brengë e gjatë dhe e jashtëzakonshme. Ai e përshkruan këtë brengë edhe te poema e tij e famshme “Bukuria”. Dy vargjet e tij të mahnitshëm: “Zemra ime në kraharorin tënd / porsi hekur brenda në argjend” tregojnë përsosshëmërisht, në mënyrë lakonike dhe mizorisht qartë dramën shekullore të dashurisë së ëndërruar, por asnjëherë të realizuar. Qëllimi i analizës së novelës “Katër stinët” me qëllim gjetjen e pikave të takimit me Milosaon nuk ka të bëjë as me kronologjinë, madje as me stilin, as me autorësitë e ndryshme. Por, nuk mund të jemi indiferentë dhe të mos e kemi parasysh një analizë gati si një përballje. Nëse De Rada e shkroi Milosaon pikërisht i shqetësuar nga dashuria e tij e parë – dhe dashuria e parë nuk mund të harrohet – Naim Frashëri gati nuk ka lënë dëshmi për dashurinë e tij të parë. Naim Frashëri ka bërë poezi për dashurinë, por ne gati nuk dimë asgjë për jetën erotike të tij. Ndërkaq, dimë dhimshëm se ai u martua me gruan e ve të vëllait të vdekur, jetoi tërë jetën me të dhe nuk pati fëmijë. Kalendari stinor është elegant dhe i përshtatshëm për të treguar lëvizjen. Ky kalendar i natyrës është edhe kalendar i biografisë njerëzore. Katër fazat, katër moshat, katër stinët etj., metaforizojnë njëra-tjetrën. Ashtu si dy të rinjtë, djali dhe vajza, janë një shfaqje që vjen menjëherë pas Gjenezës. Te çdo Adam dhe Evë ka për epokat pasardhëse gjithmonë një Adam të ri dhe një Evë të re. Novela “Katër stinët” i ka të gjitha karakteristikat universale të këtij konceptimi. Fundi natyrisht ka një karakter fatal: “Bota sish asgjë tjetër, veç dëborë e re, dhe re të zeza, heshtje e thellë. Brenda në savanin e tokës shtrihej kufoma e të ftohtit.”. Ja fundi epigramatik i rrëfimit për dashurinë.

 Jam dëshmitare se sa i përkushtuar keni qenë për këtë libër. Jeni shprehur se në një kohë tjetër do ta merrni përsëri këtë libër për ta riparë, sepse subjekti sipas jush nuk është shterues. Apo jo?

Në një kohë tjetër do ta shoh më me kujdes, ndoshta në një optikë më të fuqishme tërë streukturën e librit tim për De Radën. Natyrisht që e kam një peng për botimin e librit, për shkak të mungesës së kohës të kisha futur edhe fragmente të tjera që nuk arrita dot t’i formuloja. Por libri i De Radës për mua është një libër i hapur dhe në vitet e ardhshme besoj kam të drejtë të bëj gjithçka që më duket e arsyeshme për të rregulluar dhe përmirësuar.

Dhe së fundi, nëntitulli i librit tuaj është: “Sprovë kritike për një lexim të ri”. Ky është qëllimi? Kjo ka qenë arsyeja kryesore?

Po. Një klasik si De Rada dhe De Rada është klasiku ynë i parë më i madh në letrat shqipe kërkon detyrimisht dhe në mënyrë semantike një lexim të ri. Kështu ndodh me të gjithë klasikët e të gjitha letërsive më të mëdha në botë. De Rada nuk ka përse bën përjashtim./gazeta shqip

 

Loading...