Nexhat Hakiu

“E dua vashën me libra nëpër duar,/Kur era ia merr flokët dhe duke iu ngatërruar,/Ia derdh në gushë e qafë, ia pleks, ia hedh në gji,/Si krahët e një zogu që lodhet në stuhi…”. Kështu i këndonte ai të dashurës së zemrës. Shpirti i ndjeshëm i poetit të dashurisë, nuk mund të mos prekej nga brishtësia dhe eleganca e pianistes së re, një prej nxënëseve të tij. E ku kishte më bukur.

Ai, një vlonjat me kripë, poet e intelektual me emër, ndërsa ajo një pianiste e ardhshme, prej duarve të së cilës do të dilnin dhjetëra muzikantë të shquar. Por nuk ishte aq e thjeshtë. Ai nuk ishte i lirë. Ishte i martuar dhe kishte një djalë. Në librin me kujtime për të atin, Sterjo Spassen, Ilinden Spasse tregon se Nexhat Hakiu, mik i ngushtë i babait, Mitrush Kutelit e Nonda Bulkës, kishte pasur një jetë bashkëshortore jo të lumtur.

Kishte jetuar mes xhelozisë dhe vrazhdësisë, dhe shpirti i ndjeshëm i Nihalit, vajzës së re, do të ishte një oaz për të. Por, të ndodhte kjo në një shtet të ri të diktaturës së proletariatit, kur dashuria as që llogaritej në jetën e një çifti, ishte e papranueshme, e palejueshme. Arrestimit dhe bu, rgosjes së tij të padrejtë, siç ndodhi edhe me shumë shkrimtarë, poetë e intelektualë të tjerë, pas çlirimit që do të pasonte me papunësi dhe me një varfëri ekstreme, do t’i shtohej edhe kjo “njollë”.

Do të largohej nga miqtë e tij më të ngushtë dhe elita intelektuale, që me të drejtë ai i përkiste në vitet ’30-’40, si poet, kritik e përkthyes. Por ai zgjodhi Nihalin, apo siç do ta njihnin më vonë breza të tërë pianistësh, e mrekullueshmja zysh Lali. Për më tepër, Ilinden Spasse shkruan në librin “Im atë, Sterjo”, botim i UET PRESS. Që nga momenti i arrestimit pas shpërthimit në Ambasadën Sovjetike, reagimi i së shoqes kur mësoi për dashurinë e Nexhatit për Nihalin, papunësia dhe largimi nga jeta ende herët në vitin 1978, në moshën 61-vjeçare. Kujtimet e Ilindenit ndërthuren me ato të Sterjo Spasses dhe vetë Lalit, e cila përshkruan momentet e fundit të jetës së Nexhat Hakiut…

Nga libri “Im atë, Sterjo!”

… Pas Nondës, në shtëpi erdhi tepër e alarmuar, e frikësuar Deni: Sterjo, mbrëmë, natën vonë, në t’errët më morën Nexhatin! Ah, unë e mjera! Ah, unë e shkreta!…

Sterjos sikur i plasi bomba në dorë. U zverdh në fytyrë e nuk dinte ç’t’i thoshte, si ta ngushëllonte. Unë e Dita pamë njëritjetrin me sy. Unë pashë fustanin e saj me lule të dhuruar nga Nexhati, ajo pa pantallonat e mia të shkurtra dhuruar po prej tij.

Nihal Hakiu

– Do të jetë ndonjë keqkuptim, mos u bëj merak! – ndërhyri mamaja në atë çast.

– Disa i kanë pushkatuar që mbrëmë! – vazhdoi të dëneste Deni.

Babai e bëri kafenë vetë dhe me duart që i dridheshin ia serviri Denit, që e kishte humbur fare në atë çast…

– Më jep helm, Sterjo, nuk dua kafe, nuk dua kafe! – filloi të ulërijë. Ah, unë e mjera! Ah, Luli im!…

Pasi u lirua Nexhati nga bu, rgu, vjen Deni në shtëpinë tonë duke hedhur përsëri kokrrën e lotit. Babai u vu në pozitë të vështirë. Mamaja u pataks: “Si kishte mundësi, një grua e tillë e me shkollë e të qante në mënyrë të tillë ?!”. Kur mori vesh të vërtetën, e mblodhi veten dhe i tha:

– S’është e mundur, Nexhati nuk e bën atë punë… Do të jetë ndonjë keqkuptim… Ja, do t’i flasë edhe Sterjoja.

Babai rrinte i menduar. Ç’mund t’i thoshte Denit. Ai e dinte rrjedhën e ngjarjeve: Që para se të futej në bu, rg, Nexhati ishte dashuruar me Lalin, një nxënësen e vet. Tani që kishte dalë nga bu, rgu, duket i kish forcuar më tepër marrëdhëniet me të. Ai i kishte kushtuar këtë poezi asaj:

E dua vashën me libra nëpër duar,

Kur era ia merr flokët dhe duke iu ngatërruar,

Ia derdh në gushë e qafë, ia pleks, ia hedh në gji,

Si krahët e një zogu që lodhet në stuhi,

Kur fluturon shushatur e s’di nga t’ia mbajë…

E dua vashën time, porsi pranvera e motit,

Si vesën përmbi lule, t’ia shoh dhe pikn’e lotit,

Kur mbi blerim të pyllit mendon vetminë rëndomë,

Kur ecën pa një gjurmë’ se fija e barit njomë,

Që shkeli këmb’ e saj, gëzohet, guduliset…

Ashtu e dua vashën, si vala nëpër dete,

Dhe unë rërë e rreze, t’a thith gjithmonë për vete

E dua vashën time në shtrat kur rri pështetur,

Kur afsh i “Kupidonit” e yshti për të fjetur;

Kur njërin krah nën faqe dhe tjetrin përmbi zemër,

Sheh ëndrrën më të bukur, se pëshpërit një emër…

Ashtu e dua vashën, në çaste dehje jete,

Kur ëndrra e saj, zgjuar më vlen për mijëra vjetë!.

Nexhati ishte poet lirik. Ai zemrën e kishte tepër të ndjeshme, zemër që nuk ia kuptoi kurrë Deni, me gjithë këshillat e herëpashershme të Sterjos. Ajo sillej me të në mënyrë pedante, me një xhelozi të tepruar, që ia nxiu jetën. Edhe, kur ai njohu Lalin, po të ishte treguar e matur, e duruar, rrjedhat e jetës së tyre, sidomos e të birit Luli, do të kishin marrë rrugë tjetër.

Por, në momentin kulminant, kur i kishte parë të dy në mes të rrugës, Deni kishte bërë skandal, duke e turpëruar Nexhatin përpara nxënësve, shokëve dhe familjes së tij. Që atë ditë ai nuk vajti më në shtëpi. Por, që atë ditë, Nexhati nuk shkeli as në shtëpinë tonë: nuk dilte dot përpara mamasë. Ai e kuptonte gabimin që kish bërë, por nuk duronte dot fajin e madh të Denit… Kështu që edhe unë u ndava përjetësisht nga shoku im i ngushtë, Luli!…

Në ato ditë kur gëzonim me lavdinë e Çmimit të Republikës, Nexhat Hakiu, që endej rrugëve i papunë dhe i pabukë, do t’i shkruante Sterjos:

“… Ndoshta ti më ke harruar, kurse unë jo! Vazhdoj të kem po ato lidhje vëllazërore, që kam pasur, në formë, ndoshta i jam shmangur këtyre lidhjeve, sepse nuk jam më ai i pari, që vinte orë e çast në shtëpinë tënde. Këtë formalitet nuk e bëj dot tashti sepse më vjen rëndë nga familja jote, që me të drejtë mund të më vështrojë me syrin disident, ashtu siç mund të shihnin një fajtor apo aventurier… Ja pra, pse formalisht mbetem i turpëruar para teje!…

Po ne nuk jemi nga ata që shohin format. Pikërisht, halli që po të qaj unë sot, tregon se sa i afërt je ti për mua, atë që nuk tregoj te vëllezërit me nënën, e tregoj te ty vëllai me shpirt! Kam tri ditë që po jetoj si mos më keq, me 450 lekët që fitova duke shitur disa libra me kile te kasapi, sepse biblioteka nuk m’i bleu, disa plaçka që mund t’i shitja m’i ka përvetësuar armiku nr.1, gruaja, e cila po i shet një nga një për veten e saj e për nënën e saj!… Vëllezërit i kam të varfër, mezi jetojnë për vete; motra është te burri i saj dhe s’ka se qysh të më ndihmojë!… Punë nuk kam gjetur.

Kam trokitur kudo, bile edhe në Zyrën e Punës asnjë vend vakant! Të hënën vendosa të punoj me kazmë, aq sa fuqi të kem: Ishallah ndonjë ditë mbaroj përmbi të… Të gjitha këto nuk t’i them për të ngjallur mëshirë dhe mallëngjim te ty, porse më ka keq shpirti dhe më mungon konfidenti, sepse me vëllezërit nuk bisedoj të tilla gjëra!…

Dhe konfidenti im je ti, siç ke qenë kurdoherë. Gjer të dielën kam se çfarë të ha, por që të hënën gdhihem pa lekë në xhep. Më duhen 1000 lekë me të cilët do të jetoj gjersa të marr pesëmbëdhjetëditëshin e parë të rrogës si punëtor. T’i kërkoj 1000 lekët hua dhe jo ashtu siç m’i ke dhënë të parat, t’i kërkoj hua dhe vetëm me këtë konditë të m’i japësh, se po m’i fale nuk t’i pranoj dhe njëkohësisht do të më vr, asësh kaq tepër, natyrisht padashur, saqë do të më mbyllësh sot rrugën nevojë që eventualisht mund të më paraqitet më vonë.

Këto 1000 lekë t’i kërkoj, jo se ke dhe të ndodhen nga çmimi që t’u dha, por nga rroga jote, kafshata e familjes sate, sepse edhe pa fituar çmimin, unë prapë se prapë ty do të të drejtohesha. Në qoftë se nuk të ndodhen, sepse je nevojtar familjar, merri hua dhe m’i jep hua, se nuk kam kujt t’i kërkoj! Këto 1000 lekët do të t’i paguaj në dy këste, në pesëmbëdhjetëditëshin e parë 500 dhe në të dytin 500. Domethënë, gjer më 3 qershor i ke të paguara.

Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu, Vedat Kokona dhe Mitrush Kuteli

Përditë ndodhem në Kursal pas orës pesë, kur t’i bësh gati merr mundimin e m’i bjer, se as në shtëpi dhe as në Ministri nuk mund të vij. Në se nuk do të gjesh dot 1000 lekë, atëherë më lajmëro; porse pa gjë fare mos më lër të paktën gjer në ditën e enjte, që kështu të nxjerr pallton e dimrit për të shitur, sepse ditën e enjte, ditë pazari, mund të shitet.

Nuk të kërkoj as të falura, as ndjesë për shqetësimin që po të jap, as më vjen turp dhe as më mbetet qejfi në rast se nuk ma plotëson këtë nevojë urgjente dhe vitale. As të falënderoj në rast se ma plotëson”. Nexhati

(Letër e datës: 7.V.1954)

Kjo letër e dëshpëroi shumë Sterjon. Ndërsa vetë po arrinte majat e lavdisë, “vëllai” i tij, Nexhati, poeti lirik shqiptar, me një kulturë aq të gjerë po vuante edhe për bukën e gojës, po injorohej e po demoralizohej. Hijeja e zezë e qenies në bu, rg të tij, si një merimangë e padukshme po e ndiqte pas, ashtu siç ndiqte pas, në forma të ndryshme, edhe Mitrushin, edhe Mustafain, edhe Petron, edhe kushedi sa të tjerë…

– “1000 lekëshi im nuk e shpëton Nexhatin, jo, jo!” – klithi ai me veten e tij tepër i revoltuar. “Do të vete atje…” – tha dhe vajti direkt e te ministri i Arsimit. Se ç’ka folur e si ka folur atje nuk e di, por argumenteve të Sterjos dhe autoritetit të tij letrar që kish fituar në atë periudhë, ministri iu nënshtrua. Shumë shpejt Nexhati u emërua mësues i letërsisë dhe i gjuhës shqipe në shkollat e Tiranës…

Gjatë vitit 1979, Sterjos i vdiqën dy shokë të ngushtë, që e dëshpëruan mjaft. I pari ndër ta ishte Nexhati, kjo figurë e shquar e lëvizjes kulturore – intelektuale dhe kulturore – arsimore shqiptare, Nexhati nga Vlora, që kish kryer tregtaren e këtij qyteti e pastaj Institutin e Lartë në Selanik, ku u shqua për talentin e tij të fuqishëm në shkencat shoqërore;

Nexhati, poeti i heshtur lirik, që i këndoi vajzës së thjeshtë të popullit dhe flamurit kuqezi, që i këndoi edhe jevgjitit dhe lirisë së Atdheut; Nexhati që më mbajti aq pranë mua, në kohën e fëminisë sime dhe më vonë, si mësuesi im i letërsisë në gjimnazin “Qemal Stafa”, që me aq pasion e shpjegonte këtë lëndë e me aq përkushtim u dha pas hartimit të librave në ndihmë të mësuesit të letërsisë… Nexhati…

Vdiq më 19 qershor në moshën 62-vjeçare. E shoqja, Lali Hakiu tregon:

“Kohët e fundit filloi të pijë shumë duhan e raki. Shkonte e ulej mes atyre, që ne i quanim “Llum i shoqërisë”, mes atyre që nga jashtë ne na dukeshin më moskokëçarësit, më të ulëtit.

– Aty – thosh – gjej jetën për të jetuar… U vra sidomos nga i biri, që u kap në tentativë për t’u arratisur.

– Mbeta në mes të katër rrugëve, pa nënë e pa baba, me nënë e baba gjallë, – kish deklaruar ai në gjyq. Kjo e vrau shumë Nexhatin. Ai e donte shumë djalin e tij, Lulin, mikun tim të vegjëlisë”..

Lali tregon: “Para disa ditësh, trokiti dera. Nexhati ishte shumë sëmurë. Nuk fliste fare. Unë me dy vajzat i rrinim mbi kokë. Ai nuk fliste. U hap dera. Hyn Sterjoja. Nexhati hapi sytë. Ku e gjeti tërë atë forcë dhe u ngrit menjëherë:

– Lali, a e di kush ka ardhur, a e di kush ka ardhur, vëllai im, vëllai im Sterjoja, Sterjo Spasse… Të dy u përqafuan. Sytë e Nexhatit u njomën.

– Mbahu, Xhati, do të kalojë. Ja edhe unë, i sëmurë jam, tepër i sëmurë, por mbahem… – i tha Sterjoja.

Ku e gjeti atë forcë, ku e gjeti atë ditë, u çudita unë, u çuditën edhe vajzat…” Dhe Lali tregon: “Pasi iku Sterjoja, Nexhati ra përsëri në heshtje. Nuk fliste fare për sëmundjen e tij. Përmendte gjithmonë fjalën “avec plaisir” dhe Nondën.

– Avec plaisir, do të vete te Nonda, te Nonda… me këto fjalë ai mbylli sytë… Vdiq nga emfizema pulmonare…”

E dashura zysh Lali!

“Talenti është i nevojshëm, por inteligjenca në punë është themeltare”. Kjo ishte këshilla që zysh Lali do t’u jepte nxënësve të saj. Të gjithë do ta kujtojnë si zysha më e mirë e shkollës. E dashura zysh Lali, prej duarve të së cilës kanë dalë sa e sa breza muzikantësh.

Nihal Hakiu është pa dyshim një nga personalitetet më të njohura të mësimdhënies në fushën e muzikës, së cilës i kushtoi gjithë jetën e vet. Delikate, e dashur dhe e qeshur, ajo thoshte dikur se shpesh e cilësonin romantike të vonuar “në agimet e një gjenerate të re me emrin prakticizëm”.

Pa mbaruar ende shkollën u emërua mësuese pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”, ku iu përkushtua mësimdhënies e u bë mësuesja e pianistëve të ardhshëm Tartari, Martini, Xhoja, Shuteriqi, Ibrahimi etj. Megjithëse gjatë viteve të diktaturës censura e kishte “spastruar” historinë e muzikës, duke e krasitur repertorin e lejuar nga shumë emra të mëdhenj të muzikës botërore, mësuese Nihali u mundua t’u jepte një kulturë sa më të gjerë nxënësve të saj.

Në të ri ëndrrat e saj kishin qenë të bëhej një pianiste e madhe, por jo gjithnjë ëndrrat realizohen. Por ajo e quante gjithsesi veten me fat të shihte ëndrrat e saj të realizoheshin te brezat e rinj që ajo mësonte. E quante mësimdhënien një terapi, që i jepte forcë dhe e bënte të mos i ndiente vitet që kishte mbi supe.

“E vërteta është që nga ëndrra sublime, rrethanat më hodhën në rrugën e profesionalizmit, por për mua, kjo nuk më largoi nga ëndrra, përkundrazi gërshetoi pasionin tim në përgatitjen e talenteve të reja. Dhe u thirra dhe ende më thërrasin zysh Lali”, thoshte ajo dikur. Por muzika ishte vetëm një prej pasionet e saj.

Shpirti i saj i gjerë nuk mund të shprehej vetëm përmes notave. I pëlqente poezia, piktura gjithashtu. Ndoshta ishte ndikuar paksa edhe nga bashkëshorti i saj, poeti, Nexhat Hakiu, i cili me vargjet e tij do të tërhiqte vëmendjen e muzikantes së re, shumë vite më parë.

“Për mua poezia është e fshehta që ngacmon dhe që në çaste të caktuara do të thotë për individin, fjalën e ndjenjës. Mund të them që edhe muzika, edhe piktura kanë shkuar në union me dëshirën time për t’iu kushtuar artit të tingujve që mbart në vetvete gjithmonë fjalë dhe ngjyrë”.

Këtë pasuri ndjenjash ajo u mundua t’ia transmetonte edhe nxënësve të saj, të cilët do ta kujtojnë gjithnjë me mall mësuesen e dashur dhe fjalëmbël, teksa qëndron e përkulur mbi piano dhe u tregon një nga një notat e muzikës.

Poeti dhe gazetari

Nexhat Hakiu u lind në Vlorë, më 1917. Kreu shkollën e mesme tregtare në vendlindje dhe u diplomua në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut. Në vitet ’30-’40, ai do të ishte një nga emrat më të lakuar në rrethet letrare.

Punoi si gazetar dhe mësues i letërsisë. U bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letraro-kulturore të kohës “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare” etj., drejtoi revistën “Shkëndija” dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”, në të cilat shkruante me pseudonimet Ali Dërvella e Nexhat Mahmut Hakiu. Bashkë me Kutelin, Kokonën dhe Spassen është ndër themeluesit e “Revistës letrare” (1944).

Krahas botimeve në shtypin e kohës, do të botonte vëllimet poetike “Këngët e zambares” (1939) dhe “Këngë gjaku” (1944). Pas çlirimit ka botuar përmbledhjet poetike “Këndoj” (1958), “Fjala ime” (1961), “Një lule mbolla” (1973) dhe “Në garë me stinët (1977). U nda nga jeta në vitin 1978.

Burimi: Voal.ch