Diplomati dhe përkthyesi Kujtim Morina një nga studentët e dhjetorit të vitit 1990 në një shkrim ekskluziv për “BalkanWeb” për Ditën e Rinisë, kujton momentet e para të grumbullimit të studentëve, si hyri ai mes turmës dhe porositë e liderit të dhjetorit, Azem Hajdari.

Po rrija në një dhomë të katit të dytë në fund të koridorit tek Godina 4 e Qytetit Studenti, në mbrëmjen e datës 8 dhjetor 1990, kur dëgjova apo pashë një grumbull njerëzish që ishin mbledhur në sheshin pranë Godinës 5. Instiktivisht dola, pa i thënë gjë shokut të dhomës, nuk e di a ishte aty apo jo dhe shkova drejt grumbullit të njerëzve. Ishin mbledhur plot studentë aty, njëri prej tyre kishte hipur në podium, siç më thanë ishte Azem Hajdari dhe tha: “Ne nuk jemi mbledhur këtu thjesht për ujë e për drita. Kjo është për shkeljen e të drejtave të njeriut, për demokraci dhe studentëve më shumë se kujtdo tjetër, iu takon të ngrenë zërin për këto të drejta”. Kisha njëfarë hezitimi të vogël t’i bashkohesha turmës, besoj disa dhjetëra apo qindra veta por ndërkohë as nuk guxoja të kthehesha mbrapsht…

Që në fillim dua të sqaroj se këto janë disa përshtypje të hedhura për atë lëvizje studentore siç e kam parë unë, e cila me mbështetje popullore solli më pas rënien e regjimit komunist në Shqipëri që kishte sunduar barbarisht për rreth 50 vjet, kuptohet pas përmbysjeve që kishin ndodhur një vit më parë në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe nuk e bëj këtë për protagonizëm. Nuk e kam pasur këtë synim as atëhere, le që isha në vitin e parë të universitetit, dhe s’mund të arrija gjë edhe po të doja.
Për mua që vija nga një familje e persekutuar politikisht, dalja e së drejtës së studimit për në universitet ishte një fitore e madhe në atë fillim gushti të vitit 90. Babai im, një ish i burgosur politik për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë, kur kishte shkuar atë ditë në qytetin e Kukësit dhe e kishte parë emrin tim për Matematikë, madje në krye të listës, ishte gëzuar jashtë mase. Nuk më ishte dhënë e drejta e studimit për letërsi që e kisha kërkuar dhe besoja se kisha ca dhunti por sidoqoftë edhe në Matematikë isha mirë. Ndërkohë motrës time më të madhe, vetëm dy vjet më përpara, nuk i ishte dhënë e drejta e studimit në universitet megjithëse me mesatare të katër viteve 9.5. Me atë rast, babai im tepër i gëzuar që e konsideronte këtë një nga fitoret më të mëdha të jetës së tij, thirri për darkë pas disa ditësh shumë të afërm e miq ku u bë shumë qejf e asheng.
Ndërkohë kur fillova universitetin, më 1 shtator të atij viti, dukej njëfarë hapje më e madhe se përpara por sikur mbahej me pikatore nga i pari i shtetit, Ramiz Alia, që sipas opinionit të brendshëm ishte në kacafytje të vazhdueshme me anëtarët e tjerë konservatorë të Byrosë Politike. Kishte debate mes shokësh edhe në dhomë, madje në një rast në mbrëmje, grupimi ynë prej katër vetash sikur u nda në dy grupe, një shok laçjan dhe unë që ishim më shumë për hapje se s’mbante më ndërsa dy të tjerët jo në kundërshtim por më të tërhequr.

Ai shoku, që ishte më i avancuar apo më i shprehur se unë, vinte nga një familje mesatare, korçar me origjinë por me banim në Laç ndërsa unë megjithëse nuk e thoja, e ndjeja se më takonte ai qëndrim, nga persekutimi i familjes time, sulmeve dhe letrave anonime të vazhdueshme që i ishin bërë babait tim që megjithatë me përkushtim të madh në punë dhe mbështetje të rrethit shoqëror, kishte arritur të mbante vendin e punës si ndihmës mjek. Ma ka thënë më vonë, poeti Agron Tufa se kjo nuk është çështje persekutimi por vizioni apo mendje të hapur.
Në një debat tjetër siç thoshin, në një auditor leksioni, gjithnjë në tetor apo nëntor të vitit 1990, një student nga Vlora e kishte sfiduar hapur pedagogen, vajzën e Rita Markos, duke i krahasuar të drejtat e studentëve apo të masës më të gjerë në Shqipëri, jo me ato të vendeve perëndimore që ishin me kilometra larg por as me vendet e tjera lindore.
Duke u kthyer tek ajo protestë e parë, pa shumë ngurrim, vendosa të qëndroja. Ajo ishte protesta ime dhe aty bashkoheshin edhe ndjesi të tjera të kërshërisë, frikës, joshjes drejt së panjohurës etj. Nuk e di kush e tha në podium, të shkojmë tek godinat e vajzave dhe t’iu bëjmë thirrje edhe atyre të na bashkohen. Kishte një mendim se po të kishte shumë vajza studente në atë grumbullim, policia s’do të reagonte me shumë ashpërsi. Turma iu afrua godinave 9-10, pastaj 7-8 dhe u arrit që një numër i konsiderueshëm vajzash të vinin me ne. Në vazhdim, grumbulli i studentëve, disa qindra veta, besoj të paktën 500 apo maksimumi 700-800 vetë siç është thënë, u drejtua nga rruga e godinës 8 drejt qendrës së Tiranës. Mbaj mend se në fillim thirrej emri i Sekretarit të parë të partisë të Tiranës, Pirro Kondi dhe thirrje të tjera që vinin me siguri nga lëvizja nacional çlirimtare e luftës së II botërore si: Eja mblidheni, këtu, këtu/ bashkë me ne.

Unë qëndroja nga mesi i turmës dhe e ndjeja që ndërsa përparonim më tej, të shtohej njëfarë vetë-sigurie apo trimërie që tani ishe më i mbrojtur nga gjithë ai grumbull njerëzish. Ndërkohë kaluam kryqëzimin që bie poshtë tek ambasada amerikane por ia mbajtëm nga rruga Pjetër Budi dhe vazhduam më tej. Kaluam edhe një kopsht fëmijësh dhe shihja se turma herë ngjeshej dhe herë lirohej në ecje përpara. Kështu vazhduam deri aty ku ndahen Rrugët Pjetër Budi dhe Mustafa Lleshi. Aty u duk qartë megjithë presionin për të vazhduar më tej se nuk ecej më. Unë nuk shihja shumë më përpara por dukej që ishte policia që kishte vënë pritën përfundimtare. Ndërkohë ora po afrohej drejt mesnatës. Nuk shiheshin policë në turmë por mendohej me siguri që ishin para radhëve të para dhe ndërkohë siç u mor vesh më vonë, po vinin një kordon të hekurt jo vetëm nga përpara por edhe mbrapa dhe anash vendit të protestës. Thirrje të tjera që mbaj mend ishin: Liri, demokraci, E duam Shqipërinë si gjithë Evropa etj. Ishte e qartë se ekzistonte një frikë e tmerrshme që sado të qarta të ishin kërkesat për pluralizëm politik se për pluralizmin e mendimit ishte folur më parë edhe nga Presidenti komunist Ramiz Alia, ishte jashtëzakonisht e vështirë për të mos thënë e pamundur që ato të artikuloheshin qartë. Gjithçka qëndronte me sa dukej tek thyerja e akullit, e protestës së parë opozitare dhe më vonë pastaj gjërat do të qartësoheshin më shumë dhe me forca të reja do të vazhdohej më tej.

Me sa di unë, kemi qëndruar në atë vendgrumbullim për rreth dy orë. Nuk e kam parë grupimin e studentëve që u nis për të takuar Ramiz Alinë por lajmi u shpërnda ndërkohë tek të gjithë dhe ne po prisnim kthimin e tyre. Rreth orës 2 pas mesnate, kur grupimi i studentëve ishin kthyer pas takimit dhe po bënin thirrje për të vazhduar më tej drejt qendrës, policia vendosi të ndërhyjë. Pashë se turma u shpërqëndrua menjëherë duke u përpjekur secili t’ia mbathte nga të katër anët. U nisa mbrapa po ndërkohë më doli një polic përpara dhe më goditi me shkop gome, mbaj mend një a dy herë në kokë dhe njëherë tjetër në kofshë. Ashtu i tronditur thellë u përpoqa t’ia mbath anash për t’u fshehur mes pallateve por atje më dolën policë të tjerë përpara. Nejse pas nja çerek ore, u ktheva në dhomë në Godinën 4 dhe pashë aty se edhe disa studentë të tjerë të kësaj godine i ishin bashkuar protestës ndërsa plot të tjerë na prisnin zgjuar për të marrë vesh çfarë kishte ndodhur.

Të nesërmen, shkova në mësim por dukej që nuk bëhej mësim i rregullt në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Studentët lëviznin nga njëri auditor a godinë në tjetrën në atë ditë dhjetori. Nga ora 1 pasdite po kthehesha drejt Qytetit Studenti dhe kur pashë papritur postbllokun e vendosur rishtas të policisë në hyrje të Qytetit Studenti në kryqëzimin mes rrugës Pjetër Budi dhe rrugës tjetër që të çon poshtë tek ambasada amerikane, jo vetëm u stepa por madje pësova një dridhje të menjëhershme në trup nga frika e asaj që kisha pësuar një natë më parë. Këmba më dhimbte në kofshë por mund të lëvizja lirisht. Ndërkohë kishte grumbullime të mëdha studentësh para godinave, tek një grumbullim para godinave 1 e 2 u afrova edhe unë. Aty kërkohej të thirrej Skënder Gjinushi si ministër i arsimit jo vetëm për ndërprerjen e ujit e dritave në Qytet Studenti por edhe për të drejta të tjera të studentëve të cilat tani thuheshin pak më hapur. Në protestën e mbasdites të datës 9 dhjetor mes ambasadës amerikane dhe liceut Jordan Misja nuk dola, frika ishte ende e pranishme dhe doja ta merrja pak veten.

Ndërkohë, shoku im i dhomës nga Kukësi, doli në protestën e ditës së nesërme. Edhe familja e tij ishte e persekutuar dhe nuk shihej me sy të mirë nga regjimi megjithëse ai vetë nuk kishte pasur as prindër ose ndonjë vëlla në burg për motive politike por diçka nga familja e dajës së tij dhe as ai vetë nuk arrinte ta shpjegonte këtë plotësisht. Dua të them se kur ta vinin etiketën në atë regjim, do të vuaje për vite dhe dekada të tëra me privacione dhe një ambjent mbytës shoqëror.

Nuk dua të përsëris këtu çfarë është thënë e stërthënë vetëm dua të sjell çfarë më ka bërë përshtypje te veçantë. Mendoj se një nga arsyet që ai brez studentësh e bëri diferencën ishte se shumë prej tyre ishin disa vite ose shumë vite më të mëdhenj në moshë sesa mesatarja. Kjo vinte se në atë kohë, ishte bërë pothuaj e detyrueshme që nxënësit që mbaronin shkollën e mesme, bënin një ose dy vite stazh pune dhe pastaj aplikonin për në universitet. Kishte plot të tjerë që për arsye biografie familjare nuk ju jepja e drejta e studimit për në universitet por ata nuk reshtnin së kërkuari për vite të tëra derisa një pjesë e arrinin këtë pas 7-8 vjetësh apo më shumë pasi kishin mbaruar shkollën e mesme. Gjithashtu, është fakt se në fund të viteve 80, niveli i arsimit në Shqipëri arriti kulmin në kuadrin e atij regjimi të izoluar.
Pas shpalljes së pluralizmit politik, u pa se nga studentët vetëm Azem Hajdari pranohej në kryesinë e partisë së parë opozitare, Partisë Demokratike. Të tjerët hynin e dilnin aty ose pranoheshin përkohësisht pastaj refuzoheshin për arsye të ndryshme. Dukej se klasës së re politike që po ngrihej në Shqipëri, i duhej vetëm një shenjë nga lëvizja studentore pastaj të tjerat donte t’i bënte siç dinte vetë.

Më tej në protestat dy javore për rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha në shkurt 1991, lideri i lëvizjes studentore Azem Hajdari nuk pati ndonjë rol. Ato protesta i drejtuan dhe i mbajtën gjallë studentë të tjerë nismëtarë si Blendi Gonxhe, Ridvan Peshkëpia, Blendi Fevziu, etj. Unë nuk u futa në grevën e urisë por qëndrova gjithë kohën në Qytet Studenti duke ndjekur grevën dhe mbështetur me të tjerë me sa kishim mundësi. Pas rrëzimit të bustit, si reagim, qeveria komuniste e asaj kohe i mbylli universitetet për atë vit shkollor dhe studentët u kthyen vetëm në sezon provimi në fund maji dhe qershor 1991. Kur po kthehesha në shtëpi atë fund shkurti pas mbylljes së universitetit, një fshatar i zonës sa më pa më tha: “Hë mo, po kthehesh pasi e rrëzuat bustin!?”/Voal.ch/