Plaka e rregjur dhe e fishkur u ngazëllye krejt kur pa atë fëmijë të bukur, të cilit të gjithë sa ishin përpiqeshin t’i bënin qejfin dhe t’i pëlqenin; atë qenie të bukur, po aq të brishtë sa plaka e vogël, dhe po si ajo, pa dhëmbë e pa flokë.

Dhe plaka iu afrua që ta përkëdhelte e ta gëzonte. Por fëmija i tmerruar filloi të përpëlitej nën përkëdheljet e gruas së drobitur dhe shtëpia ushtoi nga kuisjet e tij.

Atëherë, plaka e shkretë u tërhoq në vetminë e saj të përhershme, dhe duke qarë në një kënd thoshte me vete: “Ah! Mjerë ne femrat e plakura që na ka kaluar mosha për t’iu pëlqyer njerëzve, madje edhe të pafajshmëve; ne u kallim datën fëmijëve të vegjël që duam të përkëdhelim! ”

Charles Baudelaire