Anagnosti: Kineastët, njerëz që sakrifikojnë
Anagnosti: Kineastët, njerëz që sakrifikojnë

Regjisori Dhimitër Anagnosti është vlerësuar me kupën e nderit të edicionit të 14-të të Tirana International Film Festival, i cili hapi siparin më datë 3 nëntor, për të vijuar deri më 11 nëntor. Drejtori i këtij eventi Agron Domi, zgjodhi ta hapte festivalin me imazhe nga filmi “Lulëkuqet mbi mure”, si një homazh për 40 vjetorin e realizimit të një prej prodhimeve më të mira të historisë së kinemasë shqiptare. Një film, i cili do të shënjonte në një farë mënyre dhe rrugëtimin e jetës së vetë Domit, duke zbuluar botën e madhe të filmit, nga e cila nuk do të shkëputej më. Domi tregoi se ishte ende fëmi në moshën e djalit të tij, kur e zgjodhën të ishte pjesë e këtij realizimi. I kujtohet ende javët me kokën e qethur, dhe si ndryshoi bota e tij pas kësaj eksperience. Sigurisht ai do të kishte dashur të ishte protagonisti kryesor që reciton poezinë, në klasë, përpara se të bëhet leximi i mrekullueshëm i mësuesit (aktorit Timo Floko). Por, pavarësisht kësaj, “Lulëkuqet mbi mure” mbetet sot si një ndër kujtimet e bukura të jetës së tij, një kujtim që do të shënonjte udhën e tij drejt artit, një udhë ku ecën ende sot…

Në 40 vjetorin e krijimit të këtij filmi, dhe në 80-të vjetorin e regjisorit të tij Dhimitër Anagnosti, Domi tha se TIFF nuk mund ta niste ndryshe këtë edicion pa një nderim për këto dy ngjarje të rëndësishme të historisë së kinematografisë shqiptare. Prodhim i Kinostudios Shqipëria e Re, filmi “Lulëkuqet mbi mure” u bazua në romanin “Boshnjakët” të shkrimtarit Petraq Qafëzezi. Një roman autobiografik i cili do të fitonte ccmimin e parë në konkursin kombëtar të zhvilluar nga Lidhja e Shkrimtarëve të asaj kohe.

Në qëndër të filmit janë përpjekjet dhe ndihma që dhanë debatikasit dhe të rinjtë shqiptarë në luftën kundër fashizmit.Në role kryesore intepretojnë Kadrri Roshi, Agim Qirjaqi,Timo Floko, Pavlina Mani, etj.

Imazhet e shkëputura nga filmi në ekranin e madh të TIFF do të emociononin regjisorin Anagnosti, i cili ishte i pranishëm në hapjen e festivalit bashkë me të shoqen aktoren Roza Anagnosti. Pasi tha se ndjehej i nderuar me ccmimin tha se shpresonte që kinemaja të vazhdojë të eci më shumë nën drejtimin e kineastëve të rinj. Shpresoj të vazhdojë për kineastët e rinj, nuk do të ketë aq filma sa kishte në atë kohë, bënim një numër goxha të madh filmash, 12 filma artistikë që është prodhim jashtëzakonisht i madh në krahasim me vendin tonë të vogël.Por kinematografia duhet të vazhdojë të prodhojë sepse ka kineastë të talentuar, njerëz që sakrifikojnë”,tha Anagnosti.

Loading...

Më janar të këtij viti regjisori Dhimitër Anagnosti festoi 80-të vjetorin e lindjes.Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën , “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë realizoi i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.

Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Ai është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10 të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Përgjatë një javë që zhvillohet Tirana International Film Festival do të shfaqen 220 filma nga të cilët 160 janë në garë.

Ata janë përzgjedhur nga 1400 aplikimet që erdhën nga 120 vende të botës.Një tjetër risi e këtij edicioni do të jenë forumet dhe programet homazh për personalitete të kinematografisë.