Nga Luljeta Progni

Çfarë u tha në takimin që përballi drejtuesit e revoltës me pushtetin komunist

Ja se cilat ishin kërkesat e studentëve të paraqitura në sheshin e Qytetit Studenti

Drejtuar presidentit Ramiz Alia.

-Ne jemi përkrahës të reformave demokratike të nisura nga presidenti Alia dhe jemi për shpejtimin e tyre. Ky ishte dhe qëllimi i manifestimeve tona paqësore.
-Kërkojmë fajtorët, të cilët dhanë urdhër të përdoret dhuna mbi studentët. Kërkojmë që ata të gjykohen para Qytetit Studenti

-Kërkojmë të krijohet një komision prej studentësh dhe mjekësh për të verifikuar gjendjen e studentëve të plagosur.
-Kërkojmë pluralizëm politik, si shkalla më e lartë e demokracisë së sotme. Si pasojë të lejohet krijimi i Organizatës së Pavarur Demokratike të Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj. Statusi i së cilës do të paraqitet për legalizim në Ministrinë e Drejtësisë. Duam që ajo organizatë të ketë deputetët e vet në Kuvendin Popullor.

-Të botohen kartat e OKB-së, Karta e Helsinkit 1 dhe 2, si dhe Karta e Parisit.
-Kërkojmë liri të shtypit dhe të fjalës, pa çensurë.
-Kërkojmë të sqarohet opinioni publik mbi të vërtetën e lëvizjes studentore.
-Kërkojmë të gjenden rrugë dhe zgjidhje sa më të shpejta dhe efikase për të dalë nga gjendja e krizës ekonomike në të cilën ndodhemi.

-Kërkojmë takim me Presidentin Alia
Për sa më sipër, në mbrojtje të të cilave janë gjithë studentët dhe ashtu siç ju garanton ligji, kërkojmë që studentët të mos ndiqen penalisht, kategorikisht të mos përdoret dhuna dhe presioni dhe të mos persekutohen në mënyrë të tërthortë.

U bëjmë thirrje të gjithë intelektualëve, personaliteteve, të gjithë atyre që e duan SHQIPËRINË, të mbështesin kërkesat tona dhe të bashkohen me ne.

Afrimi i intelektualëve

Deri në këtë moment, nuk është ende e dukshme mbështetja e pedagogëve dhe intelektualëve për studentët. Dita e dytë filloi me përplasjen e studentëve protestues me policinë dhe gjatë ditës, pranë tyre mbërritën disa pedagogë. Por pedagogët që banonin në Qytetin Studenti, në godinën e pedagogëve, nuk iu ishin afruar ende studentëve. Një prej tyre, Eduard Selami, e argumenton kështu këtë indiferencë.
“Sistemi kishte dhënë shpesh shenja të natyrës provokuese, siç ju thashë për momentin e letrës së hapur të studentëve të Inxhinierisë drejtuar kryeministrit, si dhe të tjera shenja, që ju përmënda më lart. Ato më dukeshin vetëm një lëvizje brenda regjimit. Nisur nga kjo situatë mendova, se edhe kjo lëvizje e pazakontë studentësh atë natë, kishte pikërisht këtë natyrë provokuese. Ndaj dhe hezitova t’i bashkohesha menjëherë”, thotë Eduard Selami.

Ditën tjetër, me datë dhjetë dhjetor nisën të shfaqën masivisht intelektualët pranë studentëve. Një prej pedagogëve që është pozicionuar në mbështetje të studentëve është Arben Imami, pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ai vinte nga një aktivizim i mëparshëm në këtë fakultet.
“Të hënën në mëngjes, më datë 10 dhjetor, u nisa për në punë. Arrita te sheshi i universitetit. Studentët në grupe të mëdha po drejtoheshin për te Qyteti Studenti. Së bashku me një kolege, S. P., u nisëm për atje. Asistuam tubimin e pandërprerë, folësit, deri nga mbasditja. Filloi një shi, ishim me Vangjush Furxhiun në një çadër dhe nga mbasditja studentët hynë në mencë, në katin e dytë. Edhe ne të dy po ashtu. Diskutohej se si duhet të vepronin: të shkonin te Ramiz Alia, apo ta detyronin të vinte aty në Qytetin Studenti? Podiumi ishte një tavolinë. Edhe ne po flisnim aty ku ishim, kur një student, Bushi, më thotë “Shko profesor, fol!” Më dha edhe një dorë në shpinë dhe u gjenda mbi tavolinë. Sugjerova mendimin që duhej vajtur të Ramiz Alia.

Diskutimi i zjarrtë u mbyll pa marrë një vendim, për t’u shtruar të nesërmen në shesh. Megjithatë, studentët kishin bërë një hap cilësor. Ishin hartuar kërkesat e tyre drejtuar Ramiz Alisë dhe aty renditej në pikën katër të tyre, kërkesa për pluralizëm politik.”, shprehet Arben Imami.
Në foltoren e instaluar që në fillim të protestës në sheshin para mencës 7.3, përveç studentëve, filluan të shfaqen pranë saj edhe pedagogë dhe intelektualë. Një ndër ta ishte Sali Berisha.
Arben Demeti e kujton kështu fjalën e tij dhe të protagonistëve të tjerë, që iu folën me megafon studentëve ato dy ditë.

“E njihja Sali Berishën, i cili foli dhe u përshëndet nga turma me shumë entuziazëm. Ai ishte një figurë me reputacion pozitiv, por nga fundi ai dha një porosi dhe iu kërkoi studentëve që të shkojnë në auditor, ndërkohë që pritej takimi me Ramiz Alinë. Reagimi i studentëve ishte shumë i ashpër, edhe nga sheshi, edhe nga presidiumi. Ia morën mikrofonin nga dora dhe nuk e lanë të vazhdonte më. Mua personlaisht nuk m’u duk se e tha në ndonjë kontekst të caktuar dhe m’u krijua ideja, që ishte në mbështetje të studentëve dhe reagimi i studentëve, me thënë të drejtën, m’u duk pak i tepruar. E larguan nga mikrofoni dhe iku. Pas tij e mori mikrofonin Arben Imami dhe foli shumë pak. Tha se studentët nuk duhet të shkojnë në mësim dhe ai i mbështeste. U prit me entuziazëm shumë të madh. Ata kishin nevojë për mbështetje, sidomos të pedagogëve dhe ky moment ishte shumë i rëndësishëm. Ky moment i ka dhënë shumë reputacion Imamit. Pastaj vazhduan disa diskutime të tjera. Ndërkohë, unë shikoja krahun anësor pas mencës, rrugën midis godinës së fundit dhe mencës. Nuk kishte asnjë njeri atje. Saliu me atë pardesynë e bardhë, i vetëm, i menduar dhe i mërzitur, bënte ece jake, në jo më shumë se 10 metra rrugë. Dhe kjo zgjati për më shumë se 20 minuta. Më vonë mori fjalën Hamit Beqja. Edhe ai u prit me të njëjtin entuziazëm, por kur si Saliu dha të njëjtën porosi, që studentët të shkojnë në auditor, edhe ai u refuzua dhe u prit me reagim të ashpër”, thotë Arben Demeti.

I pranishëm në këtë moment, pikërisht në foltore, Arben Imami u pozicionua menjehërë në mbështetje të studentëve dhe kundër folësve që iu rekomanduan studentëve të shkonin në mësim. Ky qëndrim e bashkoi më shumë Imamin me studentët dhe për pasojë ai shihej si një ndër pedagogët më të afërt, tek të cilët mund të kishin besim. Për këtë moment, Arben Imami shprehet:

“Unë mendova se kjo ishte rruga, pra të mos shkonim në auditor. Dhe kështu rezultoi të ishte rruga më e mirë. Kam folur pas Hamit Beqes, i cili foli pas Berishës dhe bëri thirrje që studentët të shkojnë në auditor. Kjo më ka shtyrë, në të vërtetë, të nisem te mikrofoni. Studentët e refuzuan, e pritën me reagime. Studentët nuk donin të shkonin në auditor dhe kishin të drejtë; nuk kishin mjet tjetër presioni. Megjithatë duhet theksuar, se bashkë me pedagogë të tjerë, Sali Berisha, por edhe Hamit Beqja gëzonin respekt, ishin të mirëpritur nga studentët për shkak të profesionalizimit të tyre dhe qëndrimit pranë studentëve në atë moment të rëndësishëm. Jo çdo propozim mirëpritej nga studentët. Duhen analizuar ngjarjet në kontekstin e kohës”, shprehet Arben Imami.

Studentët e dhjetorit vlerësojnë, se në atë moment Sali Berisha u konsiderua thjesht si i dërguar i Ramiz Alisë, duke u refuzuar me fishkëllima e britma kundërshtuese nga studentët, kur kishte kërkuar prej tyre të shkonin në mësim. Të njëjtin reagim kishte nga studentët edhe për pedagogun Hamit Beqja.
“Berisha, si dhe disa të dërguar të tjerë, midis tyre edhe Hamit Beqja, jo vetëm u refuzua që në fillim nga studentët, por madje është pritur me fishkëllima dhe me kundërshti të forta gjatë fjalës së tij në sheshin Demokracia, sidomos kur i këshilloi studentët të ulnin dy gishtat dhe të ktheheshin nëpër auditorë”, thotë Schvarc.

Takimi i studentëve me Ramiz Alinë

Edhe ditën tjetër, më 11 dhjetor, në sheshin e Qytetit Studenti oratorët e shumtë vazhdonin të flisnin në foltoren e improvizuar, secili sipas mënyrë së tij, pa ndonjë organizim konkret. Por erdhi momenti kur ata duhet patjetër të ishin të qartë në lëvizjet e tyre. Rreth mesditës erdhi lajmi, që Ramiz Alia priste në takim një grup prej 45 studentësh.

Të gjithë studentët e gjendur në shesh u shpërndanë në ambjentet përreth, nëpër godina për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre sipas fakulteteve. Ata vazhduan organizimin e tyre për t’u përgatitur për takimin me Alinë. Në dërgatën e tyre ishin përfshirë edhe tre pedagogë: Arben Imami, Arben Demeti dhe Arben Meçe. Tentativat e pedagogëve të tjerë për t’iu bashkuar dërgatës, ishin kundërshtuar.
Gramoz Pashko e Sali Berisha, ishin afruar pranë derës me xhama të godinës 15 të Qytetit Studenti, ku ishin mbledhur 45 të zgjedhurit nga të gjitha fakultetet. Arben Demeti, një prej tyre, shprehet se “janë lënë jashtë të gjithë ata që tentuan të hyjnë, ndër ta edhe Sali Berisha. Ndryshe kishte ndodhur sipas tij me Gramoz Pashkon, i cili ishte lejuar të hynte brenda, por nuk ishte përfshirë dhe nuk kishte shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar listës së dërgatës që do të shkonte te Ramiz Alia. Sipas Demetit, ai kishte arsyet e tij personale, mungesën e dëshirës për t’u përballur me Ramiz Alinë. Siç dëshmon edhe një prej studentëve të afërt të Gramoz Pashkos, Dritan Shano, Gramozi kishte refuzuar të ishte pjesë e dërgatës dhe ishte shprehur “Kam studentët e mi atje”.

Ndërsa Edvin Schvarc e kujton kështu këtë moment.

“Paraditen e 11 dhjetorit çdo fakultet i USHT-së bëri zgjedhje të lira, të hapura dhe shumë demokratike për të caktuar tre-katër përfaqësues, që do të shkonin pasdite në takim me presidentin Alia. Ndoshta ishin të parat zgjedhje të lira, që nga ato të vitit 1946, të cilat siç dihet patën një fat krejt tjetër dhe tragjik për deputetët e Frontit, apo kundërshtarët e Partisë Komuniste. Kjo dërgatë u mblodh dhe diskutoi për gati tre-katër orë në sallën e televizorit të godinës 15. Nga fundi i kësaj mbledhjeje, Azem Hajdari doli përjashta dhe hyri sërish, duke iu kërkuar studentëve që të lejonin të hynin brenda edhe dy pedagogë të nderuar, të cilët dëshironin të bëheshin pjesë e mbledhjes dhe eventualisht të vinin pasdite edhe në takimin e Pallatit të Brigadave. Shumica e studentëve të mbledhur nuk e kundërshtoi. U hap dera dhe në prag u shfaq Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Arben Imami ndërkohë ishte në sallë si i zgjedhuri i Akademisë së Arteve, po ashtu Ilir Meta, Pandeli Majko, Edmond Budina, Zef Brozi, e shumë e shumë të tjerë, gati 36-37 vetë. Nga fundi i sallës u çua një student, i cili me plot të drejtë i pyeti Pashkon dhe Berishën, nëse fakultetet e tyre përkatëse i kishin zgjedhur apo jo për t’i përfaqësuar në atë takim. Pashko u përtyp, por nuk tha gjë, ndërsa Berisha u përgjigj se ata “kishin ardhur si miq të studentëve, pa dashur t’iu prishnin punë.” Studenti e përsëriti pyetjen me vendosmëri: “A ju kanë zgjedhur apo jo”! Berisha dhe Pashko u përgjigjën “Jo”! Atëhere që të dy u detyruan të dilnin sërish jashtë”, thotë Edvin Zhvarc.

Ndërkohë, Ramiz Alia kishte dërguar lajmin tjetër, se priste në takim vetëm 30 studentë. Nga 45 të zgjedhurit, u skualifikuan 15 dhe kështu, dërgata u nis për t’u përballur me Ramiz Alinë.
Kur autobusi me studentët mbërriti te rruga e Elbasanit, nuk e mori rrugën që pritej nga studentët. Në këtë moment i gjithë entuziazmi i fillimit, u shua menjëherë. Frika dhe heshtja i pllakosi të gjithë. Ndërkohë, Skënder Gjinushi e Lisien Bashkurti që kishin hipur në autobus dhe ishin në dijeni të itinerarit i qetësuan duke iu treguar destinacionin që ende s’e dinin. Ishte ndryshuar vendi i takimit, por studentët nuk ishin vënë në dijeni më parë. Nuk do të ishte Pallati i Kongreseve por Pallati i Brigadave.

“Më një pamje krejt të qetë, Gjinushi iu drejtua studentëve: Do t’ju presë në pallatin e brigadave. Pas një frymëmarrje të thellë, entuziazmi u kthye”.

Para se të vendosej në karrigen e tij, në një prej sallave të Pallatit të Brigadave për të pritur dërgatën e studentëve, Ramiz Alia kishte drejtuar pleniumin e 15-të të KQ të PPSH-së, ku ishte shpallur pluralizmi politik, vendim që do të shpallej në lajmet e orës 20:00, në televizionin shqiptar. Ishte pikërisht ky synimi I kësaj dërgate studentësh, të kërkonin pluralizmin. Por Alia nuk e bëri të ditur menjëherë këtë vendim të PPSH-së. Alia ishte ulur përballë studentëve, i shoqëruar në njërin krah nga ministri i arsimit Skënder Gjinushi dhe në krahun tjetër nga sekretari i parë i Rinisë Komuniste, Lisien Bashkurti.

Shpesh biseda bëhej e mërzitshme, pasi Alia po i kanalizonte studentët nëpër disa diksutime, që nuk kishin lidhje me thelbin e asaj që studentët kishin si qëllim t’i kërkonin Alisë. Takimi po shkonte drejt fundit dhe askush nuk kishte artikuluar qartë dhe prerë kërkesën për pluralizëm politik. Për të kryer këtë detyrë ishte ngarkuar Zef Brozi, i cili në të vërtetë, nuk e artikuloi këtë kërkesë. Kur takimi po shkonte drejt fundit, Arben Imami kërkoi që Alia të shprehej pikërisht për këtë çështje, pluralizimin politik.

Studentët prisnin përfaqësuesit e tyre bashkë me rezultatin konkret, shpalljen e pluralizimit. Me t’u kthyer në shesh, një prej tyre, Arben Imami dha lajmin dhe sheshi shpërtheu në thirrje entuziaste. Në mënyrë të organizuar, pas tij e mori fjalën Sali Berisha, i cili kishte përgatitur paraprakisht një fjalim për këtë moment. Ashtu si parafolësit e tjerë, ai falenderoi Ramiz Alinë për këtë arrtije të madhe, për shpalljen e pluralizmit politik në Shqipëri.

“Kur u kthyem në shesh, foli Arben Imami dhe pas tij, aty doli edhe Saliu me letër dhe përshëndeti. E kishte përgatitur. Ai falendeori shokun Ramiz për pluralizmin, se në fakt të gjithë e falenderonin Ramiz Alinë dhe e shikonin si aleat. Ju them me bindje, se deri pas rrëzimit të busteve të Enverit dhe daljes së Vullnetarëve të Enverit, ne ishim me mendimin që mos t’i vinim kandidat përballë Ramiz Alisë në Tiranë. Ka qënë pikërisht momenti kur dolën “Vullnetarët e Enverit”, ku u duk qartë dora e Ramiz Alisë”, thotë Arben Demeti.

I pranishëm në atë moment pranë foltores, Sokol Neçaj, sjell detaje të atij fjalimi të Berishës, por edhe reagimin e turmës ndaj tij.
“Fjala e tij po ndiqej me vëmendje mes entuziazmit të madh të pjesëmarrësve, por Berisha në fjalim iu referua Ramiz Alisë me fjalët: Mirënjohja jonë e madhe padyshim shkon së pari tek presidenti, shoku Ramiz Alia (ovacione dhe duartrokitje), i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare (fishkëllima), udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë. Mbaj mend, se këto fjalë u pritën me fishkëllima nga të pranishmit dhe me çudi e mosbesim nga ana jonë.”, thotë Sokol Neçaj.

Burimi: Illyria Press