Një herë një njeri shkoi për vizitë te miku i tij. Qëndroi një periudhë kohe dhe u prit shumë mirë. Kur erdhi koha e ndarjes miku i dhuroi një kalë.
Ky u mahnit nga bujaria e mikut dhe ashtu i lumtur u largua. Pas dhjetë ditësh njeriu u kthye përsëri së bashku me kalin. Edhe kësaj radhe miku e priti ngrohtë, por në fund e pyeti:

– “Çfarë ndodhi? ”
– “Nuk e di,” – iu përgjigj njeriu, – “dëshiroja të shkoja në qytet, por kali më solli këtu.”

– “Në rregull,” – i tha miku, – “ky kalë ka lindur dhe është ushqyer në këtë fshat. Ai është lidhur me gjërat e mia dhe me stallën e tij. E kuptoj këtë, por mos harro se unë ta kam dhuruar ty dhe tashmë të takon ty.”
Pas dy ditësh, njeriu bashkë me kalin u larguan nga fshati.

Kaluan dhjetë ditë të tjera dhe papritur njeriu u paraqit përsëri në shtëpinë e mikut të tij. Përsëri u prit me ngrohtësi, dhe në fund miku e pyeti me butësi:

– “Çfarë ndodhi këtë herë? ”
– “E njëjta gjë,”- tha njeriu – “kali përsëri më ktheu te ti!”
Por, kësaj radhe miku i tha:
– “Unë do të mësoj se si duhesh të sillesh me kalin.”

Kështu njeriu mësoi gjërat më kryesore se si duhej të sillej me kalin. Pas kësaj, njeriu shkoi dhe nuk u kthye më. Bashkëshortja kureshtare e pyeti bashkëshortin e saj:
– “Cili është roli yt në tërë këtë?”
– “Mund t’i japësh dikujt një dhuratë, por kjo nuk do të thotë se ai duhet ta keqpërdor atë. Obligimi ynë është që të dimë se si ta shfrytëzojmë dhuratën,”- i tha burri.

Prandaj, kur ne t’i dhurojmë dikujt diçka, duhet të kemi durim, vendosmëri, dashuri dhe butësi që t’ia tregojmë atij të gjitha bukuritë e dhuratës. Kur marrim diçka të vyer nga dikush duhet të gjejmë mënyrat për ta përdorur atë dhe po ashtu për ta transmetuar edhe tek të tjerët pas nesh. Nëse nuk mësojmë nga njëri-tjetri ajo që dimë nuk ka fuqi.

Burimi: Akropoli i Ri