Kontribut të shquar në fushën e gjuhësisë shqipe duhen shënuar dy evenimente të mëdha e të veçanta të Shkodrës për gjuhësinë shqiptare: Kontributi për alfabetin në Kongresin e Manastirit 1908 dhe ai i Komisisë Letrare në Shkodër 1916-17.

Shkodra çoi në Manastir si përfaqësuesit e vet gjuhëtarë, personalitetet autoritare Atë Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Dom Ndre Mjedën e Mati Logorecin. Ndërsa në Komisinë Letrare bënin pjesë personalitete me autoritet gjuhësor si Dr. Gjergj Pekmezi, kryetar i Komisisë, Atë Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj, Hilë Mosi, Vincens Prennushi, Luigj Naraçi, Anton Paluca, Hafiz Ali Korça, Prof. Dr. Aleksander Xhuvani, Sotir Peci, Sali Nivica, Josif Papadhima, albanologët Maksimilian Lamberc e Prof. Rajko Nahtigal, një katedër intelektuale e mirëfilltë.

Kjo Komisi qe një akademi e vërtetë. Komisia Letrare kreu punën e një kongresi shkencor për unifikimin e gjuhës. Shkodra u zgjodh si një qytet me tradita të mëdha kulturore e arsimore, qytet që kishte dhënë aq shumë për gjuhën shqipe. Vendimi i parë i Komisisë ishte “Me themelue një ortografi sa ma tepër të përbashkme për të dy dialektet e shkrueme”.

Në procesverbalet, të publikuara nga Marian Shestani në librin “Shkodra” shënohen këto vendime:

  1. Të merret një dialekt bazë e prej këtij të bahet një skelet i cili të mbushet e të zbukurohet me frazeologjinë dhe leksikografinë e gjithë dialekteve.
  2. Le të mbeten për tashti të dy dialektet.
  3. Të merren parasysh vetëm ndryshimet tipike në mes të dy dialekteve dhe duke marrë për pasqyrë vetë gjuhën duam të themi, duke parë se çka bën gjuha vetë në këtë rastje t’i vemi edhe ne kësaj pas. Mbas shumë diskutimesh prej të gjithëve u formulua vendimi përfundimtar dhe u pranua dialekti i Elbasanit si bazë dialektore e gjuhës së përbashkët. Këtij vendimi i shtohej në fund detyra: “Komisia të mbajë gjithmonë parasysh detyrën që të bëhen kërkimet e nevojshme për të gjetur format e mesme, të cilat t’afrojnë ndryshimet dialektologjike të dy dialekteve”.

 

Ndonëse shumica e anëtarëve ishin shkodranë me emër e influencë të madhe në fushën e kulturës, gjuhës e letërsisë, nuk u kërkua prej tyre që të vendosin bazë dialektore të gjuhës letrare të folmen e Shkodrës, siç ngulmonte Lamberci, por u kërkua një rrugë e mesme për afrimin e dy dialekteve, çka solli si formulë vendimin që u njoh prej të gjithëve. Komisia Letrare në Shkodër krijoi të parin Standard të gjuhës së normëzueme.

Ky vendim u njoh dhe u zbatua deri në vitin 1945. Mbas këtij viti me urdhër të pushtetit të ri komunist , u dërgua vendimi që si gjuhë zyrtare të zbatohej toskërishtja me argumentimin se është gjuha e udhëheqësve të Luftës Nacionalçlirimtare.

Më pas në Kongresin e Drejtshkrimit të 1972-shit u vendos për gjuhën e njësuar e cila nuk u quajt gjuhë letrare, por u gjet termi Standardi i normëzuar i shqipes.

Në Konferencën shkencore “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër” organizuar më 4 tetor 1996 në Shkodër, në kuadrin e 80 vjetorit të Komisisë, gjuhëtarët u shprehën: “Komisia Letrare në Shkodër, për nga qëllimet dhe vendimet dhe për faktin se i afroi mjaft të dy dialektet letrare në shkrim, shënon një hap të madh cilësor në njësimin e gjuhës letrare shqipe”./Andreas Dushi/Konica.al