Nga Faruk Myrtaj

Provoni të merrni me mend se si u ndjemë ne të gjithë, kur u pohua se përqindja e ndotjes kishte kaluar kuotën e lejuar. Paskësaj, përpiquni të kuptoni gjendjen time kur Ermira, duke mu betuar se më donte dhe do të më donte përjetësisht, u largua, iku prej aty, humbi sysh, pikërisht për shkak të kësaj ndotjeje. Nuk ishte ndarje, s’e ndjeva të tillë, as atëherë e as më vonë. Në pamundësi për tu përshtatur me këtë mjedis, u tretë në mjegullën e shirat e shumtë që, ndonse shtoheshin në ujrat e ndotura, nuk sillnin asnjë efekt në uljen e lëndës ndotëse në to….

Diçka kishim ndjerë në ajër, por s’ishim shqetësuar. Na kishin mësuar të besonim vetëm te ata sipër, dhe të shqetësoheshim vetëm për gjërat që ata na i thoshin. Deri vonë, thuajse të gjithë, mbase përveç Ermirës, nuk e çmuam rrezikun. As nuk pyetëm. Ngaqë pa pushim këshilloheshim të mos pyesnim, Për asgjë. As për ngjyrën gri të lëndës ndotëse që shndërrohej në të verdhë të shplarë, të paqëndrueshme. Ndërkohë na sugjeruan t’i thyenim tërë pasqyrat. Ngaqë, duke u vështruar në to, mund të nxiteshim të pyesnim për çfarë ndryshonte tek ne. Dhe ne i thyem, pa mëdyshje. Më mbeti ndërmend, përgjithnjë, imazhi i Ermirës ditën e fundit: e thyem pasqyrën përballë të dy bashkë. Kur hoqa sytë prej pirgut të kristaleve të qelqit, s’e pashë më Ermirën…

E kalova në heshtje, siç bënim të gjithë kur ndokush mes nesh befas këputej e binte përdhè, kur të tjerë villnin gulçe jeshil, apo kur ndokush në muzg mezidëgjohej të thoshte se në bregun e liqenit qenë shtuar myshqet. Më vështirë besohet ta kishin mjekët, kur u njoftua për kapërcimin e kufirit të ndotjes. Ne nuk i pyetëm, por ngaqë duhej të thoshin diçka dhe sipas Urdhërit të Mjekut kishin për detyrë të qetësonin, zë ulët e dukje-qetë për të mos shtuar panik, pohuan se ndotja ishte ngjizur në kohë të gjatë, pa pra, pa dukshëm, në doza të vogla, deri sa…

Ishte e kotë të kërkoje datë apo shkaqe të qartë të fillimndotjes, teksa askush nuk parashikonte gjer ku mund të shkonte rreziku. S’gjeje dëshirë, as energji, ta ktheje në zë ndjesinë se sa mirë kishim qenë përpara ndotjes, madje as unë, që e lidhja atë kohë me praninë e Ermirës.

Ujrat, pavarësisht pëshpëritjeve nën zë që as pohoeshin as mohoeshin, vazhduan të rrjedhin prej lartësive për te liqeni. Kohë më pas, kur për ndotjen nisi të flitej, si realitet i mundshëm, u kujtuam se përpara disa muajsh ishin shfaqur salmonët. Ata që mendonin për ne, na qetësuan nga sipër se salmonët, tërë jetëve të tyre, në çdo vend të botës, ishin lindur për të notuar kundër rrymës. Ajo çfarë s’mundi të kalohej lehtë në heshtje kishte të bënte me një numër peshqish (mes tyre asnjë salmon për bè) në tufa të vogla ndoqën ujrat e kanaleve vaditës të fermave dhe kooperativave. Aty ku kanalet më në fund mpakeshin dhe shteronin, këta peshq mbetën leheve dhe arave si zaje të bardhë. Por ne s’e vramë mendjen as për këtë. Madje, iu gëzuam si një favori bërë nga natyra: pa i lënë të prishen, ua hapëm peshqve barqet, i pastruam, i poqëm në shpuzë zjarri buzë kanaleve.

Nuk patëm kohë të kërkonim përsenë e këtyre ndodhive. Aq më tepër kur njëkohësisht pati rënie të ndjeshme të numrit të salmonëve kundër rrymës së ujrave që zbriste nga lartësitë. Në një nga këto ditë, na këshilluan se më mirë do të ishte të mos i përdornim për të pirë ujrat pranë liqenit. Sidosi, s’pati paralajmërim në mund të pinin ose jo gjedhët dhe tufat e bagëtive tona. Pra, thjesht morëm me mend ne, s’dukej se ishte gjë serioze. Bërjen të tillë e ndjemë më pas. U përfolë se dikush prej komisionerëve sanitarë kishte insistuar se s’kish asnjë kuptim mbajtja fshehtë që, jo vetëm ujrat e bregliqenit, kufirin e sipërm të ndotjes e kalonte edhe uji sillte në banesat rrjeti komunal. Me ca më pak diplomaci, u tha që uji në liqen s’duhej tu shërbehej bagëtive, gjedhëve dhe kafshëve.

Si ujë i pijshëm do mjaftonte ai i puseve tradicionalë, hapur në kodrat e shpatet e epërme. Tufave të bagëtive mund tu shërbenim, hë për hë, me ujin e rrjetit të ujësjellsit. Ende s’besonim se shumë shpejt do të na thuhej t’i ngjitnim edhe bagëtitë gjer lart, të pinin edhe ato në burimet dhe puset.
Dukej më e vështirë të shndrroheshe në salmon, se të siguroje ujë të pastër në këtë vend.

Por pa na e kërkuan atë shndërrim, sërish ia dolëm. Dorëzimi nuk ndodhi. As me mua që, veç ujit, më mungonte edhe Ermira. Njeriu duket se s’pushon së jetuari. Kurrë nuk heq dorë prej jetës. As kur i bëhet e vështirë, e ashpër, e bezdisshme, e neveritshme, edhe kur veç si jetë s’mund ta gëzoj dot, pra edhe kur jeta i shfaqet e pamundur, ai i bekuar vazhdon t’i jepet i tëri etjes për të, deri në gulçin e mbramë të marrjes frymë…Në këto orë, ditë, a vite të vështira, mbijetesa i thurë himn aftësisë së përshtatjes.

Uji i pijshëm për njerëzit mund të vazhdonte të mbushej në puset e hapur në lagjet e Epërme, por s’ishte aspak e kollajtë që të përballohej kështu edhe për kafshët, tufat e kopetë, sidomos kur ato duhej të veronin atje poshtë, në ultësirë. U bë e lodhshme transporti gjer aty poshtë i ujit, për ditë e më sfilitëse idea se kështu do vazhdohej kush e di deri kur, gjer më në fund, në boshin kumbues të një heshtje rebele, u shpallë e pamundur. S’kish asnjë udhëdalje, asnjë fund shprese. Si të mos mjaftonte kjo, mes rropatjes së gjatë të të gjithëve, erdhi dita kur se kush përfoli edhe ujin që nxirrej prej puseve të epërm. Edhe uji aty, ndonse sapo dilte prej shkëmbijve të përvëluar me llavë të zjarrtë vullkanike, edhe uji në burim pra, përmbante përqindje të çuditshme ndotësi…

Për ca burra, pastaj edhe për ca gra, thuhej se nisën të flirtonin me ujin. Me ujin e rubinetave që, edhe pse i këshilluar për mospërdorje, vazhdonte të vinte në banesat. Veç pak ujë mes gishtash, sa për të njomur buzët, në fillim, pastaj ca gulçe si për të shplarë pak gojën, në provë në do t’u ndodhte menjëherë ndonjë gjë e keqe; pastaj guxuan edhe më tej: gëlltitën ca gllënka ujë, si në ngut të padashur, e lëshuan tëposhtë gurrmazeve të etur si qyngje të nxehur.

Ta merr mendja, s’ishte aq argëtuese sa e rrëfejmë; pa pasoja s’mund të dilte kjo sprovë cinike amatorësh, por udhë tjetër s’kish. Shkonin të mbushnin bucelat, kotruvet dhe enët e tjera në puset e epërm, shfrytëzonin rastin, dendeshin me ujë të pastër pusesh, por zbrisnin buzëliqenit, larg puseve, ku ujin e sigurt e kursenin për fëmijët e pleqtë. Pa shmnagshëm, në këtë lojë të zgjatur rreptazi me veten, erdhi dita kur disa prej tyre provuan të pinin ujë prej çezmave. Duke i ndjerë, i kapërcyen marramendjet, dhe ndjesitë e të vjellave vazhduan si pas dehje sarhoshësh.

“Por jemi të fortë ne..,” thoshin duke i heshtur me përdhunë, o shpërfillur, vetet e lodhura. Këtë bëja edhe unë, mes tyre. E kisha më lehtë: më mungonte diçka më e rëndë, Ermira.

Kur ndjenin se mbeteshin gjallë edhe pas gllënkave të ujit gjerbur, pas ç’do dite me ujin gëlltitur si padashje, u gëzoheshin fëmijëve edhe më shumë. Meraku i hequr edhe për vetet, me fëmijët të shpëtuar prej kohësh, i hidhte në krahët e një gëzimi buluritës. Vetë-shërbyer si kavje, ja tek ishin fëmijët e tyre dhe ata vetë! Ç’duhej më?

Njëkohshëm me eksperimentin në trupin, bënin sikur i mbyllnin sytë edhe kur bagëtia u afrohej ujrave të ndaluara. Si të mos i shihnin, kur ca krerë delesh vërtiteshin trullosur, blegërinin për pak e binin përdhe si pula me grip spanjoll; ndodhte që disa dhi brenda një dite nuk i shqitnin dot brirët prej shkurreve dhe ndonjë buall i dorëzohej ujrave të liqenit si kurban për të qetësuar djallin që kish ndotur ato. Më në fund barinjtë e lanë bagëtinë në qejf të vetë, edhe pse s’e donin e aq vështirë e pranonin harenë e tufave të gjësë së gjallë teksa u lëshoheshin ujrave të bollshme si të pyesnin ashtu pse vallë i privuan aq gjatë nga këto bukuri të natyrës.

Që t’i mbetemi ndershëm edhe kronikës, numri i rasteve me vd, ekje pa shkak zyrtar erdhi një kohë kur s’po ngrihej më. Së paku nuk thuhej më se njerëzit po vd, isnin veç prej ujrave të ndotura. As kur, pa e legalizuar, ishim kthyer në përdorimin e po atij uji që deri pak kohë më parë nuk ua lejonim as kafshëve. Mbase pas mundimeve të ashpra, torturave të gjata fizike a psikologjike, vjen momenti i lëshimit, i dorëzimit. Edhe durimtarit më të thekur i bëhet i afërt, i pranueshëm, i natyrshëm, jo veç i justifikueshëm, akti i ngritjes së të dy duarve: le të ndodh çfarë do të ndodhte që në krye…
Tek e fundja, uji do të na ndiqte e do të na gjente, edhe sikur të vraponim, duke dashur t’i iknim. Për shkak të trupit dhe përqindjes në të, uji s’do të na ndahej sa të ishim gjallë. Në mos duke e pirë direkt, do ta merrnim prej bimëve, drithrave, barishteve, produkteve të natyrës që, të gjitha, me ujë mbaheshin gjallë edhe ato.

Pastaj, edhe sikur vërtetë të arrinim të pushonim së marri ujë, për t’i shpëtuar helmit e ndotjes, do të ndodhte e njëjta gjë: vd, ekja. Mes nesh kishin vd, ekur gjithnjë, edhe më parë se të ndoteshin ujrat tona. Edhe prej helmimeve kishim vd, ekur, përpara se të na thoshin zyrtarisht për ndotjen. Ashtu si më parë, për traditë, thërrisnim edhe tani mjekët, që jetonin si ne, në të njëjtën marrëdhënie me ujrat. Ishim të sigurt, s’mund të ndihmonin. Profesioni i tyre, këto kohë me ujra të frikëshme ishte zhvlerësuar, edhe këtë e dinim. Por i mirëkuptonim, kur ata të gjorë, për shkak të Betimit të Hipokratit, vazhdonin të shfaqeshin me po ato bluza të bardha, për të na dhënë të njëjtën recetë dhe po atë këshillë: Ju lutemi, jo ujë të kontaminuar. Tashmë, nuk i mëshonin zërit si dikur. Se ndotja ndjehej, kudo ku kish ujë. Në trupat tonë, dhe brenda trupit të mjekëve, gjithashtu. Na duhej të derdhnim pa pushim ujë në trupat tonë, për të ndihur proceset elementare të mbajtjes gjallë të jetës. Për të mos përmendur se edhe ilaçet, si gjithçka tjetër, i përgatisnim aty, me po këtë ujë të ntrashur prej lëndës ndotëse.

Vazhduam të jetojmë në po atë natyrë, në po atë florë e faun, në po këto fusha që vaditeshin prej po atij uji, me gjelbërim e lule që prej këtyre ujrave i merrnin kripërat e përbërësit për tërë ngjyrat e tyre. Gjithëçka e gjallë, në këtë natyrë me njeri brenda, konsumonte ujin, pikërisht këtë ujë që thuhej se ishte vd, ekje, prurës. Thuhej, bje fjala, që peshqit që kapnim me rrjeta e grepa, ushqeheshin me këtë lëndë të helmët, që u depërtonte në velzat bashkë me ujin, por ne vazhdonim të ushqeheshim me ta. Natyra, e tëra, përshtatej në tjetërsimin e saj, duke ia kërkuar, në mos diktuar, këtë gjë edhe njeriut. Neve që, duke qenë pjesë e së tërës, nuk vërenim asgjë.

Natyrisht, dikur e vumë re ngushtimin e gjetheve të bimëve, shembëllimin si kaktuse të trungjeve të rrëgjuar të drurëve të rinj, por s’ishte e thënë ta dinim domosdoshëm shpjegimin. Nëse dikur ishim mësuar të mos pyesnim, tashmë kishim pushuar edhe së dyshuari. Jo vetëm se në bisedat në mjedise publike, edhe në shkresat zyrtare e gazetat ditore, gjatë kësaj kohe nuk u shkrua më për lëndën ndotëse. Fëmijët gjenin zogj të pa-jetë, rrëzuar shesheve ku luanin me topa lecke, i sillnin në shtëpi, pa fjalë, trishtuar siç vetëm fëmijët dinë të jenë përballë lodrave të thyera. Më të rriturit s’gjenin dot të drejtë t’i zymtonin vogëlushët edhe më: s’kish pse t’ua thoshin përse binin zogjtë prej qiellit, si topa lecke me të cilët s’mund të luanin.
Për fat, si për të mos e nxjerrë në shesh heshtjen e padashur të të rriturve, jo të gjithë zogjtë e braktisën vendin. Disa prej tyre sikur përtuan të niseshin fluturim, cicërima e tyre i rrëfeu të lodhur, krahët shfaqën pafuqi, dhe si të bekuar për ne, mbetën aty, me ne njerëzit që ndryshe prej tyre ende e masnim jetën me ditët e lindura dhe perënduara aty ku na lindnin. Këta zogj, dhe të tjerë më pas, nuk shtegtuan as vjeshtën tjetër, pasi kaluan me ne dimrin e parë.

Vetëm netëve të ftohta gjatë dimrit të parë të përbashkët, kur ata erdhën e hynë në shtëpiat e kasollet e bagëtive tona, ne vumë re tek zogjtë shkurtimin e sqepave. Na vrau syrin e na lëndoi edhe shkurtimi i krahëve tek ta. Ta marrë e mira ta marrë, mosvëmendjen tonë, pranimin e botës dhe të jetës pa kushte, thamë. Ca më herët duhej të kishim parë se pendët e gjithë zogjve e shpendëve ishin të tërë tashmë në ngjyrën e vetme, gri. Do duhej të kishim ndjerë, se tërë frutat e perimet që hanim kishin tashmë shije të njëjtë. Ishte vërtet e vërtetë se s’dallohej dot, në hanim domate, speca a bamje, madje as mishi apo peshku që shtonim në gjellë, nuk ndryshonte gjë në kënaqësinë e mënëfundme.

Të gjitha pikëpyetjet ktheheshin mbrapsht, prej aftësisë sonë për tu përshtatur, mënyrës së mbetjes doemos gjallë, me çdo kusht. Mjaft të merrnim figuronim të gjallë, mjaft të merrnim frymë, asnjë rëndësi se si. Kishim pirë ujë sëbashku. I kishim rezistuar ndotjes. Në krye të herës, duke iu shmangur, duke u ruajtur. Më pas e kishim lartësuar sfidën: pranuam edhe ndotjen si fat, si mënyrë jetese, si pjesë të natyrës ku na ndodhi të rronim, s’gjetëm dot shkak të fundmë për ta konsideruar edhe më tej helm, u mësuam ta përdornim edhe atë, helmin pra, si tërë elementët e tjerë të natyrës, si oksigjenin, si ujin e çezmave, si ujin e burimeve e të puseve të epërm, si ajrin e ofruar prej gjetheve të luleve, bimëve e drurëve aty përqark…
Ka të ngjarë t’u ishim mirënjohës sidomos zogjve, edhe më shumë se vetë bimëve, pemëve, drurëve të natyrës. Tek e mbramja, ky truall i ndëshkuar prej ndotjes, s’ishte i tillë vetëm për ne njerëzit. Në këtë mjedis e hapësirë të kërcënuar s’kishim qenë të vetëm. Dhe s’mund të mbeteshim vetëm. Zogjtë e qiellit, së paku, duhej t’i falenderonim që nuk na lanë, që nuk ikën, që nuk mërguan…Që nuk humbën, si ti, ku je, ku, Erëmirë…

Teksa notoja këtyre lloj mëdyshjeve, pa gjetur dot ndonjë breg shpëtimi, mu bë sikur po më flisnin. Më bën të ditur se dikush më kërkonte. “Një femër, një bukuroshe, pyeti për ty”, sikur më thanë. Kush tjetër, veç saj. Kush tjetër ishte e bukur…Veç ajo…, mërmërita.

Kjo ndodhi pikërisht kur shpresa, pas ngjyrës gri të ndohtësirës, provoi edhe të verdhën e paqëndrueshme që kjo lëndë e merrte hera herës. Kishte ardhur, pikërisht kur ishte e pamundur që së paku sytë, t’i mbaja të hapur. Pikërisht kur isha gati të besoja se s’kishte tjetër gjë për tu vështruar në atë peizazh, ajo kishte ardhur. Ishte kthyer. Ishte shfaqur.

E pashë, po vinte për nga unë. Ca e paqartë, hepueshëm, lëkundshëm, si copë mjegulle e lodruar në erë, vente e vinte sikur t’ja pengonte hapin lënda e përfolur, prania e së cilës e kishte tretur e avulluar dikur, pas thyerjes së qelqit të pasqyrës. E njoha, prej së largu. Menjëherë. Nuk bëra asnjë çap për nga ajo. As një fjalë s’do më dilte nga goja, sikur ajo të mos më pyeste me cilët flisja pak më parë. Kujt po i shprehja mirënjohjen.

“Zogjve, janë këtu endè…”
, i thashë.
“Zogj?! Zogj këta…?! S’kemi pasur kësi llojsh…Dhe, pa shih…i paskan sajuar foletë brenda zhguallit të breshkave…

Prej pranisë së Ermirës, fillova të kujtohesha, të vëreja që isha. Që kishte edhe të tjera gjëra përqark meje. Edhe breshkat, që dikur i kishim, nuk kishim ngè t’i vërenim, gjatë rrezikimit të ekzistencës sonë. Nuk e kishim humbur natyrën, dallëndyshet, ketrat, kaprojtë, lëndinat e gjera, agimet e mbrëmjet, ngjyrat e llojllojshme…i kishim pasur edhe ne, si gjithë bota, se natyra është krijuar njëllojtë. Kudo. E ndryshme, në ndryshim, por e gjallë. E pandërprerje. Këtë e dija, edhe pse tashmë nuk po kujtohesha dot sakt, kur na kishin lënë tërë këto qenie, kur i kishim humbur, si kishim mbetur pa to. Për herë të parë, prej mosngutjes së Ermirës, mendova keq për aftësinë e përshtatjes tonë, si njerëz. Po, përshtatja, ajo që deri pak më parë e kisha çmuar virtyt, po më shfaqej si dobësi, tërheqje, mbyllje, rënie, dorëzim, humbje e vetes po më dukej…

Megjithatë, mbijetuam, mu bë sikur i thashë Ermirës. Mbase ishte dëshira për të folur, për të thënë diçka. Mu bë sikur i thashë më shumë akoma: Ne fituam, ne ngadhënjyem…mu bë se thashë. Për inerci a për nevojë ekuilibri po flisja në shumës.

Po unë mezi të njoha…”, tha ajo. “Vetëm kur të dëgjova zërin…”

Ngaqë këtë e dëgjova thënë prej saj, u befasova. Që u gëzova, që ende mund të gëzohesha, si dikur. Që diçka e imja, zëri im, kish mbetur, brenda vetes sime. Ishte strehuar aty, i ishte fshehur aftësisë së përshtatjes.

Burimi: www.gazetamapo.al