Nga Lorenc VANGJELI

Ka dy detaje publikë që përsëriten vit pas viti në Shqipëri. I pari ka të bëjë me botimin në media të faturave tatimore të shpenzimeve në ndonjë lokal plazhi. Janë llogari që shënojnë një birrë një mijë lekë, një Coca-Cola shtatë qind apo diku ku kërkohet të paguhen para për muzikë live që në mëngjez. Publikohen çmime të çmendura çadre dhe shezlongjesh që diku kapërcejnë në vlerë ditore dhe pensionin mesatar mujor të një shqiptari të mirë.

Komentet e këtyre faturave përfundojnë si zakonisht njëlloj me premtimin: unë nuk kthehem më kurrë këtu!

Detaji i dytë ka të bëjë me publikime të ndryshme të mediave, kryesisht periferike dhe kryesisht të fqinjit jugor, që tallen, fyejnë apo dhe shkruajnë hidhur për plazhet shqiptare, siç shihen me syzet e standarteve greke. Pra, që përgjithësisht ujrat e deteve tanë janë të ndotur, që niveli i shërbimit është i ulët, që çmimet janë të larta, e të tjerë, e të tjerë.

Bota virtuale e internetit dhe faqet e panumurta sociale e shumëfishojnë si detajin e parë, si detajin e dytë. Por në botën shqiptare ka dy qëndrime të kundërta për të njëjtën pozë të zymtë të turizmit. Herën e parë, kur autori është vendas, pothuaj të gjithë komentet i japin atij të drejtë. Mallkohet pronarët xhahilë të komplekseve turistikë që bëjnë me komplekse edhe një njeri me gjak hardhuce, ritregohen dhe rishpërndahen histori të ngjashme me lokale të tjerë që përdorin krahun për t’u rrasur jo vetëm në xhepin e klientit e kështu me rradhë. Histori të tilla shkojnë nga jugu në veri, nga plazhet e Jonit e deri në ato të Adriatikut. Kudo ku turizmi praktikohet sipas modelit të zakonshëm të shoqërisë shqiptare.

Tërësisht ndryshe ndodh kur plazhet, çmimet, nivelin e shërbimit a të pastërtisë e zë në gojë i huaji. Dhe sidomos kur një gjë të tillë e bën fqinji në jug. Në një rast të tillë hyn në fuqi në mënyrë automatike patriotizmi. Rrjetet sociale shpërthejnë nga mëria dhe urrejtja. Dhe kthehet në një sport kombëtar gara për të gjetur kundërpërgjigjen më të mirë për ta. Duke nisur që nga ato seriozet që shohin në kritikat të tilla edhe përpjekje për dekurajimin e turizmit në Shqipëri, por edhe realizëm e deri tek bindja gjerësisht e pranuar në Shqipëri, se andej nga fqinji, burrat kanë mangësi seksuale dhe si rregull kënaqen vetëm nga burrat dhe se gratë kanë probleme me “nderin” dhe se si rregull kënaqen vetëm kur kanë fat të njohin shqiptarë.

Dhe kështu është çdo vit. Duket sesa më shumë kohë shkon dhe sa më shumë përsëritet e njëjta gjë, aq më pak ndryshojnë këto dy detaje verore. Duke harruar në fakt një detaj të tretë. Shumë të thjeshtë. Mjaftojnë vetëm dy minuta gjakftohtësi për t’i parë këto dy detaje për të dalë në përfundimin dëshpërues: Dikur në Shqipëri ka pasur plazhe pa hotele dhe sot ka hotele pa plazh. Kjo është e vërteta dëshpëruese për ndërtimet që pushtuan brezin e detit dhe për rrugë që kanë varrosur përfundimisht bregun e detit apo të liqeneve.

Fakti pse ka ndodhur kështu nuk është faj, por një nga mëkatet më të rëndë që është konsumuar në këto vite. Ai është një mëkat shumë i rëndë dhe torturues për t’u veshur nga një individ, nga shumë të tillë apo nga një qeverisje e vetme. Eshtë një brez i tërë fajtor. Ai brez që doli nga kabinat e drunjta të plazhit të dikurshëm ku shkonte me një palë rroba banjoje të vetme dhe që kapërceu në kapitalizëm me mendësi komunisti, me shpirt grabitësi dhe me bindje që secili është mbret në papërgjegjshmërinë e tij.

Shqipëria ka ende një shoqëri që sheh nga e ardhmja, pa u ndarë nga e shkuara. Një shoqëri që ankohet, por nuk reagon. Që kërkon shumë, por nuk vepron aspak. Që bërtet për të drejta, por bën çmos t’ju shmanget detyrimeve. Për shembull, gjithkush ankohet për plehrat dhe e mendon pastërtinë e rërës a të ambientit si një të drejtë legjitime, por hedhja e mbeturinave vetjake sipas stilit të maceve në natyrë – lëshoje ku të vjen – konsiderohet gjithashtu një e drejtë legjitime e secilit. Kështu ka vite që ndodh. Fatkeqësisht këtë gjë duket se do të vuajnë dhe nja dy breza të tjerë përtej këtij brezi pothuaj të dështuar në tentativën për të ndryshuar sistemin qeverisës në vend. Tingëllon e rëndë??? Eshtë e ekzagjeruar??? Përgjithësisht duartrokiten optimistët, por skeptikët kanë pothuaj gjithmonë të drejtë. Në këtë vend kanë munguar kurdoherë dy minutat e nevojshme të gjakftohtësisë.

Burimi: Balkanweb.com