Nga Hilë Lushaku*

U lind në fshatin Prrenjas, të Gramshit, më 5 qershor 1944. Prindërit e tij, Hyseni dhe Sofia, kanë bërë përpjekje të shumta për arsimin dhe mirërritjen e Dilaverit. Arsimin fillor e ka kryer në vendlindje, në shkollën “8 Nëntori”, në periudhën 1953-1957. Aty ka kryer edhe arsimin 7-vjeçar, të cilin e ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Në periudhën 1959- 1963, ka kryer arsimin e mesëm të përgjithshme në gjimnazin “50 Vjetori”, në Tiranë, të cilin e kreu me vlerësimet shumë mirë në të gjitha lëndët. Duke qenë i pasionuar pas sportit, ndonëse përfundoi shkëlqyeshëm shkollën e mesme, ndoqi studimet në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, në Tiranë, të cilin e kreu në periudhën 1963-1967, ku u diplomua mësues i edukimit fizik e atij ushtarak. Në vitin 1967, është emëruar arsimtar në shkollën e mesme të përgjithshme në Lushnjë dhe prej andej në Tiranë, ku punoi me përkushtim e devocion të lartë deri në vitin 1973. Në këto shkolla qe mësues i edukimit fizik e ushtarak, çfarë ndikoi në fitimin më mirë të shprehive dhe rregullave ushtarake. Ndërkohë kjo i nxiti dëshirën për karrierën ushtarake. I bindur se ka aftësi për më tej në aftësimin e tij profesional iu përvesh punës për të studiuar edhe në fushat e tjera. Në periudhën 1969- 1973 përfundoi me rezultate të larta Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, ku u diplomua “jurist”. Aftësitë e pjekuria që shfaqi në shlyerjen e provimeve, rezultatet e larta që arriti në çdo lëndë dhe mprehtësia në trajtimin e problemeve në komunikimet me pedagogët nxitën juristin e shquar Ismet Elezi që t’ia rekomandojë, Dilaverin, Prokurorit të Përgjithshëm, Dhori Panaritit, për ta punësuar në organin e prokurorisë. Në këtë vit (shtator 1973), pak kohë pas diplomimit jurist, Dilaveri është caktuar në detyrën e zëvendësprokurorit në Prokurorinë e rrethit Tiranë, ku qëndroi deri në muajin shkurt 1974. Në këtë kohë ky institucion kishte kaluar në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe me këtë rast Dilaveri është emëruar në detyrën e hetuesit, për krimet në ekonomi, në Drejtorinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1977, duke fituar një përvojë të çmuar, por ndërkohë edhe duke prezantuar hetuesin me integritet moral, pasionant, të ndershëm dhe profesionist. Në vitin 1978, ka përfunduar Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sistemi katër vjeçar, duke u diplomuar në “Dega e Sigurimit”.
Rezultatet që arriti në detyrën e hetuesit ndikuan që në vitin 1977 ai të emërohej në detyrën e shefit të sektorit të hetuesisë për krimet në ekonomi në Drejtorinë e Punëve të Brendshme, në Tiranë, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 1981. Në vitin 1981 Dilaver Bengasi ngjiti më lart shkallët e karrierës, duke u emëruar kryetar i Hetuesisë së rrethit Tiranë, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1985. Kur qe në këtë post ka qenë shumë këmbëngulës dhe konsekuent në përmbushjen e detyrës më devotshmëri, brenda caqeve ligjore, pa dallim funksionesh apo shtresash klasore.

Janë të njohura për bashkëkohësit e Dilaverit qëndrimet burrërore të tij në “çështjen Kadare”, për padrejtësitë që nomenklatura puniste i bëri Janulla Arapit dhe të birit të saj të pafajshëm. Po kështu, ai ka qenë i vendosur edhe në lirimin e një shtetasi, arrestuar padrejtësisht me urdhër të Xhelil Gjonit, mbasi këtij i ishte “cenuar” dinjiteti i sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë.
Më 1 janar 1985, Bengasi u emërua në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Popullore, detyrë të cilën e ka kryer me besnikëri ndaj misionit të saj. Dilaver Bengasi erdhi në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nga radhët e specialistëve të organeve të drejtësisë, i pajisur me kulturë të lartë juridike dhe profesionale për drejtimin e kësaj Policie. Këtë post e mbajti deri në korrik të vitit 1990, pak kohë pas shpërthimit të ambasadave të huaja, më 2 korrik të atij viti.

Në muajin mars 1991, Dilaveri u caktua në detyrën e kryetarit të Policisë Financiare në Tiranë, por duke vlerësuar rrethanat e pakëndshme që u krijuan përqark tij dhe brezit të intelektualëve që kishin qenë emërtesë e nomenklaturës së lartë pushtetare, ai u largua nga detyra “me kërkesën e tij”. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe në atë kohë, kur persona pa arsimin e duhur profesional, me personalitet të dyshimtë, madje ndonjë edhe i burgosur për krime ordinere (por jo politike) veshur me pardesytë e bardha “të pastërtisë së figurës”, pajisur me dokumentin e të persekutuari politik, me etjen dhe guximin për të provuar vijimin e qeverisjes së humbur nga të parët e tyre, hipën triumfalisht në karriget pushtetare pa e ditur se nga ishte “nordi”. Në atë kohë hakmarrjeje, për Dilaverin qe më mirë rruga që zgjodhi në muajin maj 1991, ushtrimi i profesionit të avokatit pranë Kolegjit të Avokatëve të Rrethit Tiranë. Por nuk kishte qenë e thënë që fati, i cili e përkëdheli për pak kohë, ta linte rehat në hesapin e tij.
Më 15 dhjetor 1995, me kërkesë të shoqatës së të përndjekurve politikë të Tiranës, të dënuar sipas ligjeve në fuqi të kohës së sistemit komunist (monopartiak), Dilaveri u arrestua dhe u dënua me akuzën për “gjenocid” dhe për “krime kundër njerëzimit”. Dilaver Bengasi, më datën 20.8.1996, është gjykuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues i kryesuar nga Petrit Kaja, anëtarë të seancës Sofije Shilla dhe Dritan Broci, së bashku me personalitetet e nomeklaturës së lartë komuniste, Foto Çami, Prokop Murra, Muho Asllani, Gaqo Nesho, Zef Loka, akuzuar për veprën penale të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim, duke u dënuar me 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet heqje lirie. Turpi i shtetit dhe fati i tij i keq e përballen me gjyqtarë të diplomuar me kurse 6-mujore të tranzicionit të ashtuquajturit demokratik shqiptar, i cili nuk pati ndonjë ndryshim nga fillimi i qeverisjes së Enver Hoxhës për nga arrestimet e gjykimet politike të disa intelektualëve të shquar. Ngjashmërisht, sikurse në vitin 1945, u arrestuan me shumicë ata që konsideroheshin kundërshtarë politikë apo funksionarë që i shërbyen me devotshmëri sistemit komunist418).

Dilaver Bengasi qe drejtor i Përgjithshëm i Policisë në ato momente kur bijtë e sovranit shpërfillen ligjet e shtetit të votuar prej tyre për gati pesë dekada, duke treguar se fuqia për drejtimin e shtetit duhet të kalojë në krahët e tjetërkujt. Qe intuita e gjakftohtësia e tij në drejtimin e Policisë në ato momente kur u përmbajt dhuna dhe u shmang një gjakderdhje njerëzore. E për këtë rast ai dha sinjalin se shteti duhej qeverisur ndryshe, se pushtetin nuk mund ta gëzojnë më tej ata që sollën atë vlim shpirtëror të njerëzve të zhgënjyer e të përvuajtur. Ndonëse nuk u bë gjakderdhje ai u dënua me 16 vjet heqje lirie, nga të cilat bëri vetëm tre vjet burg, mbasi qe përsëri sovrani që u hoqi pushtetin nga duart atyre që e shpërdoruan dhe zhgënjyen në një kohë shumë të shkurtër. Në këto rrethana Dilaver Bengasi pati fatin të shikonte lirisht dritën e diellit, duke lënë qelinë e vuajtjes më 13 mars 1997, ditë kur pushtetarët hapën me urdhër dyert e burgjeve, duke ndërsyer të mirë e të liq kundër njëri-tjetrit, madje edhe me armë zjarri. Edhe në këtë rast shteti mbeti shtet, por ra pushteti i klikave që i kundërvihen sovranit popull. Ndonëse shteti mbijetoi, ai u dobësua ligështueshëm mbasi administrata e tij e korruptuar dhe e paaftë braktisi detyrën dhe vendin, mori arratinë e frikësuar prej hakmarrjes së të zhgënjyerve. Në atë kolaps, ku jeta njerëzore pati çmimin më të lirë, Dilaver Bengasi u shmang nga implikimet politike dhe shoqërore, duke shikuar jetën e tij private.

Pas ardhjes në qeverisje të koalicionit “Aleanca për shtetin”, juristi Bengasi provoi të fitojë të drejtën e tij të ligjshme, duke kërkuar pafajësinë e dhënë me paragjykim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Tiranë, në vitin 1995. Me vendim nr. 297 dt. 29.9.1997, të gjykatës së Kasacionit, është vendosur prishja e vendimit nr.492 dt. 20.6.1996, të Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe nr.564 dt.12.8.1996 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të së pandehurve Foto Çami, Prokop Murra, Muho Asllani, Gaqo Nesho, Zef Loka e Dilaver Bengasi. Më 29 shtator 1997, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i dha vendimin e pafajësisë, duke rrëzuar akuzat për “gjenocid” dhe “krime kundër njerëzimit”, gjë e cila solli dëmshpërblimin e tij për burgosjen e padrejtë gjatë 574 ditëve. Pas fitimit të pafajësisë Dilaveri është rikthyer në punë në Ministrinë e Rendit Publik. Nga 1 nëntori 1998 deri në muajin maj 2000 ka shërbyer në detyrën e shefit të Sektorit të Inspektimit pranë ministrit të Rendit Publik, strukturë në vartësi të ministrit, e cila kishte mision kontrollin e të gjitha strukturave në përbërje të Ministrisë së Rendit Publik, për zbatimin e detyrave mbi baza ligjore dhe profesionalisht. Në këtë detyrë ka fituar gradën ushtarake “kolonel”. Në vitin 2000 është shkarkuar nga detyra dhe proceduar penalish). Shtypi i asaj kohe shkroi: “Gjykata e Faktit, Tiranë, ka marr sot masën e dënimit me kusht për dy juristët, Idajet Beqiri dhe Dilaver Bengasi, të akuzuar për shpërdorimin e detyrës me anë të mashtrimit. Për juristin Idajet Beqiri gjykata dha 18 muaj dënim me kusht (gjë që do të thotë se brenda këtij afati nëse ai kryen një vepër penale do të arrestohet dhe do të dënohet për veprën që kreu si dhe do të vuaj 18 muaj burg). Të njëjtin vendim ka dhënë gjykata dhe për juristin Bengasi, por në masën 8 muaj…Dilaver Bengasi ka qenë kryeinspektor i Ministrisë së Rendit Publik”. Pas fitimit të pafajësisë për herë të dytë, në vitin 2003, Bengasi ka paditur në gjykatën civile të Rrethit të Tiranës institucionin e Ministrisë së Brendshme, lidhur me sa më sipër dhe ka fituar të drejtën e trajtimit me pagën e kolonelit prej ditës së lirimit nga detyra (shkarkuar nga ministri Spartak Poçi) dhe deri në ditën që vendimi i gjykatës mori formë të prerë. Nga viti 2003 Dilaver Bengasi ushtron detyrën e avokatit, pranë Dhomës së Avokatisë në Tiranë.

Nga respekti dhe dashuria që ka për uniformën e Policisë ka ndikuar që i biri, Albani, të ndjekë rrugën e të atit, duke shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit. Duke kujtuar me nostalgji periudhën kur drejtoi Policinë, Dilaver Bengasi, shpreh me bindje vlerësimet më të larta për efektivitetin e punës së Policisë Popullore nga viti 1985-1990. Ndër të tjera ai kujton: Kur u emërova drejtor i Përgjithshëm i Policisë Popullore, më datë 1 janar 1985, detyra që i vura vetës ishte të rrënjosja në efektivat e Policisë njohjen, kuptimin dhe në bashkëpunim”, proces ky që pas një afati kohor prej tre vjetësh përfundoi me dhënien e pafajësisë nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, ndaj personit tim. Sokol Koçiu ishte sajuesi dhe iniciatori i këtij procesi penal ndaj meje, mbasi unë, në detyrën e shefit të Sektorit të Inspektimit të Përgjithshëm në Ministrinë e Rendit Publik, në vitin 1999 kisha propozuar shkarkimin e Koçiut nga detyra e drejtorit të Policisë së Qarkut në Vlorë, me motivacionin “lidhje me trafikantët e drogës dhe njerëzit lidhje e tyre”, në qarkun e Vlorës, si dhe “mangësi në drejtimin e punës së Policisë”, propozim ky që u miratua nga ministri i Rendit Publik të asaj kohe” zbatimin e ligjshmërisë, bashkëpunimin e ngushtë me organet e drejtësisë në luftën për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, ngritjen në një shkallë më të lartë të profesionalizmit dhe drejtimit kompetent të Policisë, nga qendra në bazë. Për ngritjen profesionale për çdo vit hapeshin kurse kualifikimi 3 dhe 6-mujore, në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme. Në drejtimin e Policisë në rrethe, gati 70% e shefave të policisë ishin me arsim të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe juridik. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë u morën kuadrot më të aftë në shkallë vendi, të arsimuar me nga dy fakultete, të cilët me ndihmën dhe kontrollin e tyre në bazë, rriten në një shkallë të lartë parandalimin dhe zbulimin e krimeve. Rrjeti sekret informativ i Policisë ishte i tillë që nuk mbetej asnjë kontingjent apo subjekt me tendenca kriminale jashtë kontrollit. Për rrjedhojë informacionet për aktivitetin kriminal të tyre merreshin në kohë dhe kapeshin nga Policia në përgatitje apo në tentativë të kryerjes së krimit. Nga RSI në shkallë vendi zbuloheshin rreth 38% e krimeve, nga informacionet e popullit rreth 25% dhe nga shërbimet e Policisë rreth 37 %e tyre. Bashkëpunimi i Policisë nëpërmjet organizatave të masave dhe këshillave ishte i një shkalle shumë të lartë. Inspektorët e Policisë së Rendit dhe inspektorët e Policisë Kriminale, në zonat që mbulonin, njihnin në hollësi situatën e zonës, mësonin në çdo kohë konfliktet e mundshme në familje apo midis shtetasve dhe në bashkëpunim me organizatat e masave apo këshilltarët bënin pajtimin e palëve në këto konflikte, duke parandaluar krimet e mundshme. Për të përgatitur punonjës Policie me një nivel të lartë profesional, të kualifikuar dhe me disiplinë të lartë, në vitin 1986 u hap Shkolla 2-vjeçare e Policisë Popullore, e cila nxirrte çdo vit 200 punonjës Policie të kualifikuar dhe për rrjedhojë u rriten së tepërmi rezultatet e luftës kundër krimit dhe sigurimi i rendit e qetësisë publike në shkallë vendi.

Drejtimi kompetent dhe efektiviteti i Policisë u duken qartë në periudhën qershor-korrik 1990, kohë kur vëllezërit dhe motrat “Popaj” u përcollën me avion të posaçëm për në Itali, nga ambasada italiane, ku ishin mbajtur të strehuar për rreth katër vjet rresht. Kjo përcjellje bëri që të gjithë personat që kishin tendenca për të kaluar kufirin nga Shqipëria për jashtë shtetit, të vinin në Tiranë për të sulmuar drejt ambasadave, pasi, sipas tyre, shembulli i Popajve ishte evident. Situata në Tiranë u përkeqësua, u sulmuan ambasadat me mjete të transportit. Segmente të shërbimeve sekrete të huaja u atashuan pranë ambasadave në Tiranë dhe në bashkëpunim me segmente antishqiptare kërkuan të fusnin konfliktin midis Policisë dhe turmave që instruktoheshin dhe kërkonin të hynin në këto seli diplomatike. Policia, duke punuar me gjakftohtësi e me profesionalizëm të lartë, nuk ra në kurthin e skenarëve të përgatitur nga shërbimet e mësipërme, për të arritur një përplasje, me pikësynimin që të përmbysej pushteti i asaj kohe, realizimi i një gjakderdhje, ashtu sikurse ndodhi në Timoshohara të Rumanisë.
Policia e përballoi situatën, pa krijuar asnjë incident të rëndë, të gjithë shtetasit që hynë në ambasadat e huaja, në marrëveshje me përfaqësuesit e OKB-së u pajisen me pasaporta për jashtë shtetit dhe të gjithë u larguan legalisht. Në Polici u morën nga studentët që kishin mbaruar fakultetin ekonomik dhe u specializuan për të punuar në sektorin e MES-it, sektor i mbrojtjes së ekonomisë nga krimi, gjë e cila rriti së tepërmi zbulimin dhe goditjen e krimit në fushën ekonomike”. Edhe pse është larguar nga Policia, ai nuk hesht për reformimin e saj dhe nuk heziton të shigjetojë: “Policia e Shtetit, është kthyer në një organizatë bagëtie e bujqësie, në të cilën janë afruar njerëz që nuk kanë lidhje profesionale me Policinë. Në të janë afruar njerëz të të gjitha profileve, kryesisht ato që kanë të bëjnë me ekonominë dhe kulturën bujqësore dhe blegtorale, si agronomë, veterinerë, zooteknikë, por jo kuadro që janë arsimuar dhe specializuar mirëfilli, për të punuar në strukturat antikrim të shërbimit të Policisë…profesionistët e uniformës blu, ia kanë lënë vendin njerëzve që nuk kanë lidhje me këtë detyrë dhe profesion”.
Bengazi ka qenë transparent dhe kurajoz për të zbardhur e sqaruar publikisht shumë ngjarje të periudhës kur qe në postet e larta, duke shkruar madje edhe libra, sikurse përmend “Enigmat e 2 Korrikut ‘90″, Tiranë, 2003, shtypur në shtypshkronjën “Redona”. Po kështu ai ka dhënë edhe intervista e shkruar kujtime, ndër të cilat përmend: “2 korrik 1990, si e shmanga gjakderdhjen me “Makarov”; “Incidentet që përgatitën 2 korrikun e 90-ës, Pse Partia e Punës u tregua e paaftë të zgjidhte situatën e krijuar dhe ia la barrën policisë?; “Diplomati serb në Romë urdhëroi vrasjen e Enverit”; “Shoku i bandës së Xhevdet Mustafës rrëfen”427); “Roli i Hazbiut dhe Alfred Moisiut për Mustafën”; “Sigurimi: Prej një viti dinte zbarkimin e Mustafës”429); “Ç’ndodhi përpara 2 korrikut 1990″; “Polici: Pse nuk qëlluam më 2 korrik”; “Roli i shërbimeve të fshehta në ngjarjet e 2 korrikut 1990”; “Si i vura prangat disidentit të letërsisë shqiptare”; “Operacionin për kapjen e Xhevdet Mustafës e drejtonte Alfred Moisiu”); “Sigurimi, frikë nga Kadareja, kush e shante hiqej nga puna”; “Xhevdet Mustafën e përgatiti Leka Zogu për të vrarë Enverin”; “Në rast emergjence grupi i Xhevdetit do trokiste në shtëpinë e Haxhi Lleshit”; “Ja skema e CIA-s për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri”; “Tirana, midis 6 agjenturave në prag të pluralizmit”).
Dilaver Bengasi ka polemizuar edhe me kundërshtarë politikë, sikurse ka qenë shkrimi replikë kundër tij: “Zoti kryehetues, ta tregoj unë si i bëtë shkrimtarët spiunë”). Bengasi ka shkruar me guxim edhe për qëndrimet e mbajtura nga disa eprorë të tij në disa situata misterioze të zhvillimeve të brendshme apo atyre diplomatike sikurse kanë qenë: “Letra e kolonelit të UDB-së Tuniq, për Feçor Shehun”; “Ç’ndodhi në zyrën e ish-Ministrit të Brendshëm Feçor Shehu”; “Çfarë di për Ministrin Hekuran Isai,”; “Popajt, tolerimet e Ramiz Alisë”; “Të dënuarit që u futën në ambasada”; “Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë me internimin e familjes Rapi”. Polici i sprovuar, Bengasi, nuk ka nguruar të shkruajë edhe për fushën profesionale, ku sjell si shembull shkrimin: “Ja si mund të frenohen krimet”). Shkrimet për ngjarjet e vitit 1982, sidomos ato për Xhevdet Mustafën, lidhen me funksionin që kryente aso kohe Dilaveri, duke qenë hetues në Prokurorinë e Tiranës. Ai ka pyetur edhe policin që mori peng Xhevdeti, kur zbriti në Divjakë dhe udhëtoi drejt Rogozhinë). Në maj-qershorin e vitit 2012, me anë të disa intervistave dhënë gazetarit Fatos Veliu, në “Gazeta Shqiptare”, ka sqaruar problemin e burgosjeve të disa punonjësve të blegtorisë së fshatit Baldushk në nëntor 1975 akuzuar për helmimin e 98 krerë lopëve dhe përse “në vitin 1983 arrestoi masivisht shitëset e dyqaneve dhe magazinave të veshmbathjes së Tiranës”. Bengasi ka mbrojtur në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut shtetasin Arben Xheraj, i cili pas një odiseje në Gjyqësorin shqiptar iu drejtua Strasburgut. Ajo Gjykatë në vendimin e saj ka theksuar se: “…shkelja e Konventës ka ardhur si rezultat i anulimit të pafajësisë së Xherajt, të cilit pasi i është pushuar çështja dhe është shpallur i pafajshëm, prokurori është ankuar jashtë afateve në Gjykatën e Lartë, duke siguruar lënien në fuqi të dënimit të parë” dhe mbi këtë duke fituar kështu vendimin e formës së prerë që sugjeron se forma më e përshtatshme për korrigjimin e situatës që vijon do të ishte pafajësia e formës së prerë për kërkuesin”. Rezulton i akuzuar për terror e dhunë ndaj të persekutuarve Politikë.

*Marrë nga libri “DREJTORËT E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SHQIPTARE, 1913-2013”

tiranaobserver.al