Nga Klodi Stralla.

Vështirë se gjen kaq shumë matematicienë nga e njëjta familje sa familja Fundo në Korçë.
Janë disa çifte vëllezërish, por edhe të afërm të tyre, që u shquan dhe lanë gjurmë në shkencat ekzakte, veçanërisht në ‘mbretëreshën e shkencave’ – Matematikën. Është kjo arësya që, këtë 7 mars, t’i kujtoj me respekt e mirënjohje, sepse ata, para se të ishin matematicienë, ishin mësues të përkushtuar që do të mbahen mend gjatë në kujtesën e mijra korçarëve, nxënes e studentë, por edhe prindër e dashamirës të tyre. Të gjithë kam pasur fatin t’i njoh nga afër. Disa, që në vitet e fëmijërisë time, si shokë të tim eti; të tjerët, më vonë, në bangot e shkollës, si mësues, bashkënxënës apo kolegë pune. Ndonse, më të moshuarit prej tyre, patën fatin të studiojnë jashtë shtetit, edhe ata që përfunduan studimet në atdhe, qenë po aq të zotë e inteligjentë dhe po aq të përkushtuar si mësimdhënës sa ata.

Në vitet ’30 të shekullit që kaloi, pas përfundimit të studimeve të larta në France, u kthyen në Korçë dy vëllezërit, Kristaq dhe Petraq Fundo. I pari, Kristaqi, që korçarët e njohin si “Kiçka”, përfundoi studimet në Montpellier të Frances, njëherazi në dy fakultete: atë të Matematikës dhe Inxhinjerisë mekanike.

I dyti, Petraqi, që korçarët e njohin si “Petro”, përfundoi studimet në Tuluzë të Francës, edhe ai njëherazi në dy fakulktete: atë të Matematikës dhe Inxhinjerisë të Punëve botore. Ndonse të dy dhanë mësim, fillimisht në Liceun Kombëtar dhe më vonë në Universitetin e Tiranës, ata mbeten simboli i shkencëtarit shqiptar, me kontribute origjinale në fushën e matematikës, të vlerësuar edhe nga kolegët e tyre ruse të Akademisë të Shkencave të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe (shkolla ruse e matematikës ka qenë në pararojë të zhvillimeve të kohës). Nga dora e Kristaqit kanë dalë punime origjinale nga fusha e Matemalikës elementare, Gjeometria, Algjebra, Teoria e numurave etj, të botuara në revistat shkencore jashtë vendit, si dhe dhjetra tituj tekstesh shkollore, sidomos për studentet e matematikës te Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Kristaqi mban titullin “Profesor” dhe “Mësues i Popullit”. Vdiq në prill 1984. Petro, ishte tjetër tip. I sinqertë, i drejtpërdrejtë, ai nuk e pranonte kompromisin dhe konformimin ideologjik. Që në vitet e para të pasluftës u ballafaqua me ‘zhdanovizmin’ e sistemit komunist dhe për dy dekada, deri sa doli në pension, perfundoi një mësues i rëndomtë matematike, në një shkollë veterinarie në Shkodër, duke gjetur prehje dhe paqe me veten, tek kitara, që e luante me aq pasion. Matematicien me prirje të veçanta, që jetoi në vend të gabuar dhe kohë të gabuar. Në vitin 1992 i jepet titulli “Mësues i merituar”. Vdiq, në Shkodër, në shkurt 1989. Disa vite më vonë, përsëri dy vëllezër të talentuar, Thimaq dhe Mishel Fundo, do të afirmoheshin në matematike, ndonse ‘biografia e keqe’ do t’i ndiqte pas tërrë jetën.

Thimaqi, më i madhi, që ndroi jetë para pak vitesh, punoi gjithë jetën si mësues matematike, herë në Korçë e herë në fshatrat perreth, sipas ulje-ngritjeve të luftës të klasave, por kudo la kujtimin e një mësuesi të përgatitur shkencërisht, me kulturë dhe edukatë, që i donte dhe e donin nxënësit e vet. Djali i tij, Akli Fundo, edhe ai matematicien, sot është pedagog i matematikës në Universitetin Politeknik të Tiranës, me grada shkencore dhe tituj pedagogjikë. I vëllai, Misheli, profesori im i Analizes matematike në vitet universitare, një talent i lindur në matematikë, ishte jo vetëm një lektor elokuent, por edhe një studiues serioz e i pasionuar, shumë punime të së cilit janë botuar në revistat shkencore të kohës. Lufta e klasave e degdisi edhe atë në Berat, si mësues i një shkolle të mesme, por falë ndërhyrjes të Petraq Pilikës (Pepit), shefit të katedrës të matematikës, rikthehet në Tiranë. Pas viteve ’90 emigroi në Greqi, duke u shkëputur nga matematika e tij e dashur. Disa vite më të rinj, janë edhe dy vëllezërit e tjerë Fundo – Maqo dhe Fredi Fundo.I pari, një inxhinjer mekanik i zoti, të cilin e kam njohur kur punonte në Byronë teknike të TEC-it Korçë, ndërsa i dyti, Fredi, bashkënxënësi im i viteve universitare, punoi gjithë kohën si mësues matematike në qytetin e Korçës. Njerëz të aftë, të përkushtuar pas punës, korektë dhe të edukuar, modeli i korçarit tradicional. Aktualisht të dy, me familjet e tyre, kanë emigruar në SHBA.

Nuk dua të le pa përmendur Jani Frashërin dhe Aleko Ballaurin, dy mësues matematik-fizike, të aftë e të përkushtuar, që ndonse nuk mbajnë të njejtin mbiemër, kanë lidhje të afërt fisnore me familjen Fundo.

Gjithmonë më ka intriguar pyetja: Si shpiegohet ky “densitet” kaq i madh matematicienësh nga i njëjti trung familjar? Vështirë se gjendet një shpiegim shterues. Mbase, shpiegimi duhet kërkuar në Voskopojë, qytetin prej nga e kanë origjinën Fundot. Voskopojarët, që konsideroheshin si ebrejtë e Korçës, ishin tregëtarë të lindur, pra edhe matematicienë të lindur !/korçareport