Duket e çuditshme, por është e vërtetë. Në Konferencën e Paqes, delegacioni nga Shqipëria u drejtua nga një diplomati turk.

Vetë ky fakt absurd e detyroi atë që të jepte dorëheqjen, pasi ai ishte diplomati që kishte përfaqësuar Perandorinë Osmane në Konferencën e Shën Petërburgut dhe, sipas Atë Zef Pllumit, ishte i njohur në të gjitha qarqet diplomatike evropiane si një diplomat turk.

Bëhet fjalë pikërisht për Turhan Pashën!

Kur ai u paraqit në Konferencën e Paqes si drejtues i delegacionit shqiptar, përfaqësuesi i Jugosllavisë tha para të gjithëve se ai ishte diplomati turk që kishte përfaqësuar Perandorinë Osmane në Shën Petërburg dhe jo shtetin shqiptar.

Por kush ishte ky diplomat me kaq ndikim aq sa, përveç se bindi shqiptarët t’i drejtonte në delegacionin e Konferencës, ndonëse diçka të ngjashme kishte bërë edhe me delegacionin turk, u zgjodh edhe tri herë kryeministër i Shqipërisë së Pavarur?

Turhan Jusni beu leu në Tërhallë, i biri i Jahja beut, nga familjet e mëdha të qytezës së Përmetit në vilajetin e Janinës. Në medresetë e Janinës mësoi arabisht dhe persisht, kurse te “Zosimea” është diplomuar duke marrë njohuritë themelore të shkencave.

Sipas Dritan Egos, ka studiuar në Athinë për Drejtësi dhe nga disa pedagogë privatë ka marrë njohuri mbi të drejtën ndërkombëtare, të drejtën romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1815 Kongresi i Vjenës dhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare.

Shkruante turqisht dhe frengjisht, dinte shqip, greqisht, italisht dhe pak spanjisht. Turhan Pashë Përmeti ishte zyrtar i lartë i perandorisë Otomane para se ti bashkohej lëvizjes kombëtare shqiptare. Ndër postet që ai ka pasur në perandorinë Otomane ishte Guvernator i Kretës në vitet 1895 dhe 1896 dhe përfaqësues i saj në Shën Petërburg.

Ai e fliste greqishten e frëngjishten rrjedhshëm dhe konsiderohej si administrator i aftë, por jo shumë i vendosur. Turhan Pashë Përmeti ishte kryeministër i Shqipërisë në vitin 1914 nga data 15 mars deri më 3 shtator, si dhe nga 1918 deri në vitin 1920. Gjate kësaj periudhe ai u ndikua shumë nga Esat Pashë Toptani.

Turhan Pasha u nda nga jeta në Neuilly, Francë.

Burimi: Konica.al